16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Mësimi fillon me abetare të përbashkët

Më të lexuarat

Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë ka bërë të ditur se nxënësit e klasave të para në Kosovë, do të mësojnë me abetaren e përbashkët dhe se të gjitha përgatitjet që ata të kenë në duar librin e parë janë kryer. Abetarja e përbashkët me autorë nga Kosova dhe Shqipëria, do t’iu shpërndahet nxënësve në Kosovë që nga e hëna.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, rreth 30 mijë fëmijë do ta marrin abetaren e përbashkët, sikurse edhe nxënësit e niveleve tjera deri tek e nënta që do të kenë tekstet mësimore falas nga qeveria.

“Kemi bërë përgatitjet në bashkëpunim me drejtoritë komunale të arsimit. Me kohë kemi shpërndarë në dy shtëpitë botuese regjistrat nga secila shkollë për pajisjen me tekstet shkollore dhe tanimë shpërndarja e teksteve është në fazën përfundimtare”, ka thënë zëvendësministri i arsimit Nehat Mustafa, i sigurt se me tre shtator nxënësit do t’i kenë librat në duart e tyre.

“Edhe këtë vit librat shpërndahen falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën. Në bashkëpunim me drejtoritë komunale është tentuar që të përgatiten edhe shkollat, të renovohen sa më mirë hapësirat shkollore që kanë pasur nevojë”.

Mustafa ka paralajmëruar se do të ketë edhe disa përurime të shkollave të reja gjatë muajit shtator. “Janë në proces 32 shkolla në ndërtim e sipër, prej tyre do të fillojnë punën për herë të parë në shtator pesë shkolla të reja. Deri në fund të vitit planifikohet që edhe tri të tjera ta përfundojnë ndërtimin e tyre”.

Sipas tij deri në fund të vitit 2012 numri i shkollave të reja do të jetë tetë, ndërsa për vitin e ardhshëm 2013-2014. Ai thekson se në agjendën e ndërtimit janë dhe objekte të shkollave të tjera që do të renovohen e ndërtohen.

Për herë të parë dhe në Prishtinë, do të ketë objekte të reja shkollore dedikuar për shkollat e mesme. Numri i nxënësve në paralele të shkollave të mesme të Prishtinës që arrin deri në 50 veta, sipas Mustafës, do të zvogëlohet. Për këtë ai tha se gjatë muajit shtator do të përfundojë ndërtimi i shkollës së mesme në Prishtinë, në lokacionin e Shkollës së Bujqësisë, në vlerë mbi 2 milionë euro si dhe një shkollë tjetër e mesme në Lagjen e Medreses, ku vlera e investimit është 1 milion e 800 mijë euro.

Ndërkaq, sipas tij, është duke vazhduar ndërtimi i një shkolle tjetër në vlerë prej 2 milionë e 134 mijë euro. Mustafa thekson se me këto objekte të reja do të perfitohen edhe 6 mijë metra katrorë për shkolla në kryeqytet. Ai hedh poshtë akuzat e bëra sidomos nga LDK-ja, se qeveria nuk po investon në Prishtinë.

“Infrastruktura është një nga elementet kryesore të cilësisë, për arsye se me rritjen e hapësirave shkollore zvogëlohet numri i nxënësve nëpër klasë. Me zvogëlimin e numrit të nxënësve, mësimdhënësit kanë mundësi më të madhe që të punojnë individualisht me secilin prej tyre”, ka thënë Mustafa duke përmendur dhe trajnimet për mësimdhënës që janë duke vazhduar, si një pikë tjetër që ai thotë se bënë pjesë në agjendë për ngritjen e cilësisë në shkolla.

“Janë mbi 59 programe që janë akredituar nga këshilli shtetëror i licencimit të mësimdhënësve, të cilët i janë nënshtruar. Këtë vit jemi para miratimit final pas pilotimit që kemi bërë dhe instrumenteve për vlerësimin e performancës”, ka thënë Mustafa. Vlerësimi i performancës si komponenti i dytë i licencimit llogaritet nga ministria se do të ndikojë drejtpërdrejt n rritjen e cilësisë në arsim./zeri/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit