15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Mes`hu mbi mbathjet

Më të lexuarat

Përkufizimi i mes`hut 

Në aspektin gjuhësor fjala “mesehe” do të thotë fshirje dhe fërkim, kurse në gjuhën e sheriatit me mes`hun kemi për qëllim që gjatë abdesit, kur t`i kemi këmbët e mbathura, në vend që t`i pastrojmë me ujë duke i zbathur, me dorë të lagur vetëm fërkojmë mbi to dhe me këtë lirohemi nga larja e këmbëve.

Dispozita e mes`hut
Mes`hu mbi mestet është lehtësim (ruh`se) i lejuar, i cili vërtetohet me konsensus të muslimanëve dhe këtu kanë kundërshtuar vetëm rafiditë (shiitët) dhe disa sekte të tjera të devijuara. Prandaj shohim në disa libra të akides së Ehli Sunetit se, kur flasin për cilësitë e pasuesve të besimit të Ehli Sunetit, përmendet edhe pranimi ose praktikimi i mes`hit mbi mestet, edhe pse kjo praktikë nuk ka të bëjë me çështjet e akides direkt, por përmendet kjo pasi kjo është bërë simbol i dallimit ndërmjet Ehli Sunetit dhe grupeve të tjera të devijuara (si shiitët)1.
Imam Neveviu ka thënë: “Të gjithë dijetarët janë të pëlqimit se lejohet të dhënit mes’h mesteve në udhëtim dhe në vendbanim, kur ke nevojë dhe kur s’ke nevojë, saqë edhe gruas që qëndron në shtëpi të saj i lejohet t’i japë mes’h mesteve në kohën kur nuk ecën (udhëton).”2
Për mes`hun kemi hadithe të shumta, të cilat arrijnë edhe shkallën e mutevatirit.3
Hasan el Basriu thotë: “Më kanë treguar 70 sahabë të Resulullahut salallahu alejhi ue selem, se Resulullahu salallahu alejhi ue selem u ka dhënë mes’h mbathjeve.”4
Imam Ebu Hanife thotë: “Nuk kam thënë se lejohet mes`hu derisa nuk më kanë ardhur për të argumentet sikur drita e ditës. Kam frikë se ka bërë kufër ai që nuk e lejon mes`hun mbi mbathjet, për shkak se transmetimet që kanë ardhur për këtë arrijnë tevaturin.”
Kurse Imam Ahmedi ka thënë: “Nuk kam asnjë mëdyshje në zemër rreth mes`hut. Për këtë ekzistojnë dyzetë hadithe nga Muhamedi salallahu alejhi ue selem.”5 Kjo do të thotë se nuk kam asnjë dyshim në lejimin e mes`hut në vend të larjes së këmbëve gjatë marrjes së abdesit.

Hadithe rreth mes`hut mbi mbathjet
Hadithi më i fortë si nga aspekti i zinxhirit të transmetuesve, ashtu edhe nga aspekti i aludimit në lidhje me fërkimin (mes`hun) mbi mestet është hadithi të cilin e shënon Muslimi nga Amashi, nga Ibrahimi, nga Hamami, ku ky ka thënë: “Xherriri e prishi abdestin, e pastaj mori prapë duke u dhënë mes’h mbathjeve e ne i thamë: “E bën këtë?” Ai tha: “Po, e kam parë Muhamedin salallahu alejhi ue selem, e prishi abdestin dhe mori prapë duke u dhënë mes’h mbathjeve.” Amashi tha: “Ibrahimi ka thënë: “U pëlqente ky hadith, sepse Xherriri e kishte pranuar Islamin pas zbritjes së sures el-Maide.”6
Imam Neveviu ka thënë: “Domethënë se Allahu subhanehu ue teala në surën Maide, ajeti i gjashtë, thotë: “O ju që besuat! Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri në dy zogjtë…”, e nëse Xherriri do ta kishte pranuar Islamin para zbritjes së këtij ajeti, do të mund të konsiderohej se të dhënit mes’h mesteve është deroguar me këtë ajet, por pasi Xherriri e pranoi Islamin më vonë (pas zbritjes së këtij ajeti), atëherë na bëhet e qartë se duhet vepruar me hadithin e tij, që sqaron se ajeti nuk ka për qëllim atë që ka mbathur mestet.”7
Kurse hadithi që e vërteton mes`hun nga praktika e vetë Muhamedit sallallahu alejhi ue selem është:
“Transmetohet se Mugire ibën Shube radijallahu anhu ka thënë: “Një natë, derisa isha me Resulullahun salallahu alejhi ue selem në udhëtim, unë i qitja ujë për të marrë abdest e ai lau fytyrën, duart deri në bërryl, fërkoi kokën e pastaj desha t’ia heq mestet e tij (nga këmbët), e ai salallahu alejhi ue selem më tha: “Lëri, ngase unë i kam mbathur të pastra”, e mori mes’h.”8

Si merret mes’h
Mes’h i jepet pjesës së sipërme të këmbës. Aliu radijallahu anhu thotë: “Po të kishte qenë feja me logjikë, pjesa e poshtme e mesteve do të kishte qenë më prioritare (për t’u dhënë mes’h) sesa pjesa e epërme, kurse unë e kam parë Resulullahun salallahu alejhi ue selem duke i dhënë pjesës së epërme të mesteve (mes’h).”9

Kohëzgjatja e mes’hut dhënë mesteve
Aliu radijallahu anhu thotë: “Resulullahu salallahu alejhi ue selem caktoi tri ditë e tri net për udhëtarin, kurse një ditë e një natë për vendasin.”10
Llogaritja e kohës fillon prej momentit që bëjmë mes`hun e parë dhe nga ajo kohë vendasi ka të drejtë një ditë dhe një natë që t`i japë mes`h mesteve, kurse musafiri tri ditë dhe tri net.
Shembull: Një njeri ka marrë abdest në orën katër të mëngjesit për të falur sabahun dhe ka mbathur mestet. Ai ka mbetur me atë abdest deri në orën dhjetë të mëngjesit, pastaj e prishi abdestin dhe nuk e përtëriu atë atëherë, por merr abdest në orën një të drekës duke u dhënë mes`h mbathjeve për herë të parë. Fillimi i llogaritjes bëhet prej orës një dhe ai mund t`u japë mes`h mbathjeve sa herë të marrë abdest deri të nesërmen në të njëjtën kohë, në orën një. E njëjta gjë është edhe për musafirin, përveçse atij i zgjat koha tri ditë dhe tri net.

Kushtet e mes`hut
Për të qenë mes`hu mbi mbathjet i saktë, kërkohet që mestet të plotësojnë disa kushte11:
1. Kushti i parë:
Kushti i parë ka të bëjë me mbathjet, të cilat kushtëzohen që të jenë të pastra dhe me këtë nënkuptojmë dy gjëra:
a) që mestet të mos jenë nga ndonjë material i papastër, si p.sh: lëkura e derrit, e qenit, etj.,
b) që mestet të jenë të prodhuara nga materiali i pastër, por të mos jenë të përlyera me papastërti.

Në rastin e parë, nëse janë të prodhuara nga materiali i papastër në esencë, atëherë nuk lejohet t`u jepet mes`h, pasi është e ndyrë në esencë dhe nuk pastrohet me fërkim.
Imam Neveviu thotë: “Nuk lejohet mes`hu mbi mestet e prodhuara nga lëkura e qenit, e derrit apo cofëtinës që nuk është regjur dhe në këtë nuk ka mospajtim.”12
Kurse në rastin e dytë, kur mestet janë nga materiali i pastër, por janë të përlyera me ndyrësirë, disa nga ulematë nuk e lejuan mes`hun mbi to, por e sakta është se lejohet, por për t`u falur duhet që patjetër të mënjanohet ndyrësira, pasi është kusht të jemi në përgjithësi të pastër për namaz, sikurse lejohet të marrim abdest me rroba që kanë ndyrësirë, por nuk lejohet të falemi pa i pastruar apo ndërruar ato.13

2. Kushti i dytë: Mbathjet duhet t’i mbulojnë këmbët deri në zog; pjesë e cila është e obligueshme të lahet gjatë abdestit.

Mes`hu mbi mbathje të grisura
Fukahatë e medh`hebit hanbeli kanë ndaluar t`u jepet mes`h mbathjeve që janë të grisura, qoftë edhe nëse grisja është e vogël. Gjithashtu Imam Neveiu ka përmendur nga shafitët dy mendime në këtë çështje dhe më e sakta tek ata është që nuk u jepet mes’h.14
Dijetarët e medh`hebi hanefi dhe maliki kanë thënë se nëse grisja është e vogël, atëherë lejohet mes`hu dhe kanë thënë që grisja të jetë më së shumti sa tre gishtërinj.15
Sido që të jetë, e sakta është se lejohet t`u jepet mes`h mbathjeve të grisura, qoftë edhe nëse grisja është më shumë se tre gishtërinj. Është kështu pasi kushtëzimi i mosqenies së mbathjeve të grisura nuk është vërtetuar as në Kuran, as në hadithe e as në praktikën e sahabëve. Madje e vërtetuar është e kundërta, pasi shumë nga sahabët ishin të varfër dhe është normale t`i kenë pasur mbathjet e grisura dhe nuk vërtetohet se janë urdhëruar që t`i zbathin ato.16
Ibën Tejmija thotë: “Lejohet t’i jepet mes’h mestes së grisur për sa kohë që ia vlen t’i thuhet meste dhe është e mundur të ecet me të.”17

3. Kushti i tretë: Kushtëzohet që për t’u dhënë mes’h mesteve, ato duhet të jenë të mbathura me abdest. Mugire Ibn Shu’be radijallahu anhu thotë: “Një natë isha me Resulullahun salallahu alejhi ue selem në udhëtim, e unë qitja ujë për të marrë abdest, e ai lau fytyrën, duart deri në bërryl, fërkoi kokën, e pastaj desha t’ia heq mestet e tij (nga këmbët), e ai salallahu alejhi ue selem më tha: “Lëri, ngase unë i kam mbathur të pastra”dhe mori mes’h.”18

4. Kushti i katërt: Që mestet të qëndrojnë në këmbë pa i shtrënguar. Pra, nëse dikush vesh meste që janë më të mëdha se këmba e tij dhe ato gjatë ecjes mund të zbathen, atëherë nuk lejohet mes`hu mbi to, edhe nëse bëhet shtrëngimi i tyre duke i lidhur apo me diçka tjetër.
Por e sakta është se nëse ato shtrëngohen, lejohet mes`hu mbi to, pasi argumentet janë të përgjithshme në këtë dhe vënia e këtij kushti nuk ka argument.

5. Kushti i pestë: Të jetë e mundur ecja me to. Pra, nuk lejohet mes`hu mbi mbathje të hekurta, me të cilat nuk mund të ecet. Ky është mendim i xhumhurit (shumicës) dhe ata kanë thënë se lejimi i mes`hut është i nevojshëm kur jemi në lëvizje dhe ecim me ato mbathje. Prandaj, ky kushtëzim është i natyrshëm dhe i nevojshëm.

6. Kushti i gjashtë: Që mbathjet të mos lejojnë depërtimin e ujit. Këtë kusht e vë medh`hebi shafi dhe disa nga dijetarët hanefi19, por shumica e tyre nuk e marrin parasysh, pasi tek ata lejohet mes`hu mbi çorape të trasha, edhe nëse nuk janë prej lëkure, ashtu si do ta shohim këtë kur të flasim rreth mes`hut mbi çorape. Ky kusht nuk është i saktë, pasi nuk ka argument.

Alaudin Abazi
5.10.2007
Vijon

1 “Akide Tahavije”, Ibën Ebil Iz el Hanefi, vëll. II, f. 551-555.
2 “Sherhu Sahihil-Muslimi”, vëll. 3, f. 164.
3 Hadithi mutevatir është lloj i hadithit të saktë (sahih) dhe është hadithi më i fortë dhe më i besueshëm që mund të ekzistojë.
4 “Fet`hul Bari”, vëll. 1, f. 306.
5 “Mugni”, Ibën Kudame, vëll.1, f. 360.
6 Muslimi.
7 Shiko: “Sherhu Sahihil-Muslimi”, 3/164.
8 Shënon Buhariu dhe Muslimi.
9 Shënon Ebu Davudi.
10 Shënon Muslimi.
11 Në numërimin e kushteve të mes`hut te fukahatë ka dallim; disa numërojnë më shumë kushte e disa më pak, varësisht si i kanë trajtuar çështjet e mes`hut. Kemi nga fukahatë që disa çështje i kanë shtjelluar veçmas, duke mos i futur ato në kushte të mes`hut, kurse disa të tjerë ato çështje i kanë trajtuar brenda kushteve. Kështu që p.sh. kohëzgjatjen e mestit, një ditë dhe një natë për vendasin dhe tri ditë e tri net për udhëtarin, disa nga fukahatë e kanë llogaritur në kushte, disa e kanë trajtuar veçmas. Prandaj dallimi i numrit të kushteve prej disa librave nga të tjerët nuk duhet të shkaktojë hutim te kërkuesi i dijes.
12 “Mexhmu”, vëll. 1, f.539.
13 “Ahkamu Mes`h Ala Hail”, f.539.
14 “Mexhmu”, vëll. 1, f. 480.
15 “Bedaiu Sanai”, vëll.1, f.11.
16 Është transmetuar me zinxhir të saktë se Sufjan Theuri rahimehullah ka thënë: “Fshini mbi to (mbathjet), përderisa t’i keni të ngjitura në këmbët tuaja. A ishin çorapet e muhaxhirinëve dhe të ensarëve tjetër pos të grisura, të shqyera dhe të leckosura?” Shënon Abdur-Rezaku (nr. 753) dhe Beihekiu vëll. 1, f.283.
17 “El Ikhtijarat”, Ibn Tejmije, fq. 13. Dhe ky është qëndrim i Sufjan Theuriut, Abdullah Ibën Mubarekut, Is`hakut, Ibën Ujejne, Ibën Hazmit.
18 Shënon Buhariu dhe Muslimi.
19 Ibën Abidini e përmend këtë kusht nga Sherneblali, por të tjerët nuk e përmendin. Gjithashtu ky mendim është edhe i shafive. “Hashije”, vëll.1, f.261.

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit