Mesdheu po ngrohet çdo vit, temperatura e ujit gati 28 gradë

0
19

Vit pas viti temperaturat në detin Mesdhe janë rritur ndjeshëm. Por, pas valës së të nxehtit në qershor, veçanërisht ujërat e Mesdheut përreth brigjeve franceze kanë arritur temperatura thuajse tropikale prej 28 gradësh celcius, nivele këto që zakonisht mund të arrihen vetëm në gusht.

Por ndërsa kjo mund të jetë e pëlqyeshme për pushuesit, temperatura e lartë e ujit të detit, po shkakton probleme për florën dhe faunën duke sjellë vdekje për shumë specie e duke tërhequr vizitorë të tjerë jo fort të mirëpritur si kandilët e detit apo raxhat helmuese.

Aktivistët që monitorojnë pasojat e ndryshimeve klimaterike në Mesdhe, për 20 vitet e fundit, thonë se ato prekin më shumë se 80 për qind të sipërfaqes së Mesdheut dhe se temperatura është rritur me 1.4 gradë celcius që nga 1982.

Për më tepër, ndryshimi i kushteve mund të prekë edhe shpërndarjen e specieve. Kohët e fundit edhe peshku luan po krijon koloni në Mesdhe.

I ardhur nga ujërat e ngrohta të paqësorit jugor dhe oqeanit indian, ai mund të ketë pasoja shkatërrimtare në biodiversitetin e Mesdheut ku të vetmit predatorë janë njerëzit.

Edhe vetë plazhet, janë më të rrezikuara si pasojë e ngrohjes që garanton një terren të favorshëm për bakteret.