12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Mes antipolitikës së maxhorancës e neopopulizmit të opozitës

Më të lexuarat

REDI SHEHU

E keni vënë re? E gjithë poli tikëbërja në Shqipëri ka kaluar në një fazë të pakomentueshme dhe të paanalizueshme, sepse ajo thjesht gjendet në kolaps. E gjitha çka ngelet për t’u analizuar është absurdi, me të cilin ajo ka kohë që ushqehet. Një absurd, i cili nxitet nga maxhoranca dhe ndiqet nga opozita. Një gjendje absurdi politik pa institucione dhe pa shpresë, e cila çon shpesh në analiza absurde, duke u përpjekur për të shpjeguar, justifikuar e parashikuar të pashpjegueshmen. Ka kohë që politika jonë është kthyer në një teatër të përhershëm, e cila më parë konkurronte teatrin, ndërsa sot ka zënë vendin e tij që para shembjes së godinës. Një teatër politik përpara një audience konfuze e mbushur me individë abstraktë politikisht, të cilët mendojnë se po bëjnë gjënë e duhur, por që pa kuptuar i japin jetë këtij teatri.

E thënë thjesht, e gjithë kjo situatë në të cilën ndodhemi, nuk është gjë tjetër, veçse një gjendje antipolitike, ku si aureolë të sajën ka diskursin e vet, i cili po ashtu është antipolitik në vetvete. Nëse me antipolitikë kuptojmë të gjitha sjelljet dhe mënyrat e ndjekura jashtë politikës së zakonshme, atëherë ky është rasti ynë. Vërtet që shumëkush mund të thotë se ne kemi kohë që nuk bëjmë politikë sipas normave dhe rregullave të politikës normale, por, ama, është aq e vërtetë, saqë me marrëveshjen e 2017-ës dhe në të gjithë periudhën që vijon më pas, antipolitika jonë filloi të përmbushej derisa tashmë, me mungesën e institucioneve kryesore të drejtësisë, e cila tronditi mekanizmat politikë, si dhe me braktisjen e opozitës dhe daljen e saj jashtë institucioneve, antipolitika jonë e ka plotësuar absurdin e vet.

Gjendjen e antipolitikës e përmbush jo vetëm tradita jonë e kahershme antidemokratike e jetës së brendshme të partive politike te ne, por edhe mungesa sot e institucioneve të drejtësisë që përbejnë pushtetin më domethënës dhe përcaktues në një demokraci. Justifikimi i maxhorancës për këtë është Reforma në Drejtësi. Po, kjo është vetëm etiketa e ngjarjes, ndërsa fryma që e përshkoi atë është se askush nga ndërkombëtarët nuk do të donte të fillonte një reformë po ta dinte se sa e paprecedent do të ishte zgjatja e agonisë së ndërrimit të drejtësisë së vjetër me të renë e shumëpritur.

E gjithë kjo periudhë, e cila vazhdon akoma, është kontribuuesi më i madh që konturon qartë antipolitikën qeveritare tonën. Në vitin 2017, opozita e asaj kohe rendiste një sërë arsyesh të justifikueshme për të kërkuar largimin e zotit Rama, të cilat e bënin të pamoralshme dhe të pamendueshme bashkëqeverisjen me të. Për PD-në, qeverisja e Ramës ishte e kriminalizuar, sepse kishte lidhje të forta me krimin dhe deputetë e drejtues të posteve kyçe të saj, ishin vetë ose kishin lidhje të forta me struktura kriminale të këtij vendi. Pa përmendur mbrojtjen publike që Kryeministri i bëri ish-kryebashkiakut të Kavajës. Pa përmendur kanabizimin e vendit në një masë dhe formë të pamenduar, duke kapur peng institucionet e rendit dhe transformuar ata në një “sh.a.” me aksione të plota në të. Të gjitha këto janë të vërteta dhe përbënin mjetet antipolitike, me të cilat pushteti i Partisë Socialiste po përgatiste zgjedhjet e 2017-ës, të faktuara tashmë me dosjet “339” etj. Antipolitika e maxhorancës erdhi duke u trashur deri në pikën sa e provokoi opozitën, duke e çuar drejt gabimit fatal të saj, atë të braktisjes së mandateve parlamentare, duke humbur kontaktet dhe influencën e saj me institucionet dhe mekanizmat, të cilat përbëjnë normalitetin e këtij vendi.

I gjithë rrugëtimi antipolitik i maxhorancës, me bjerrjen e institucioneve të drejtësisë, kapjen e një zinxhiri të tërë të pushtetit politik dhe ekonomik, nuk duhej në asnjë mënyrë ta bënte opozitën shqiptare të ndiqte hapat e antipolitikës, duke përdorur për herë të parë mjete dhe mënyra jopolitike për të ndryshuar vetë politikën. As premtimet e parealizuara mbi shëndetësinë apo 300 mijë vendet e reja të punës, as premtimet e pambajtura për uljen e taksave dhe çmimeve të energjisë apo mallrave të tjera të konsumit, nuk do të duhej të bënte që opozita të rrokte mjete dhe mënyra antipolitike.

Gjuha që përdori opozita e bashkuar pas daljes nga institucionet, nuk kishte se si të ishte ndryshe vetëm se neopopuliste (populizmi tradicional u pa në lëvizjet e shekullit të 19-të në Rusi dhe Amerikë), e cila i drejtohej popullit për të përmbysur elitën e korruptuar të maxhorancës. Një gjuhë e tipit “post truth politics”, e cila u shfaq si pasojë e pafuqisë institucionale dhe bën që në kuptimin semantik të jetë e barasvlershme po ashtu me antipolitikën. Pra, opozita e bashkuar, jo vetëm mënyrën dhe mekanizmat e ndjekura i zgjodhi t’i ketë antipolitike, por edhe diskursin e ka të tillë, duke e futur tashmë të gjithë spektrin e politikës shqiptar brenda një kolapsi, ku nga njëra anë kemi antipolitikën e maxhorancës me të gjithë komoditetin e vet, dhe nga ana tjetër kemi neopopulizmin opozitar, i cili shfaqet si sinonim i të parit në artikulim dhe veprim. Një gjendje absurdi pa institucione, pa mekanizma dhe pa shpresë që gjërat të ndryshojnë për mirë.

Për të shpëtuar anijen e batuar gati në mbytje të Lubonjës, me të cilën në mënyrë metaforike ai krahasonte Shqipërinë e Ramës, duhet që Partia Demokratike të dalë nga antipolitika të paktën në diskurs, se në mekanizma deri para zgjedhjeve e ka të pamundur (deligjitimimi i Këshillit Politik këtë e tregoi më së miri). Këtë, duke u fokusuar në të renë që ajo sjell, jo vetëm në të vjetrën e Ramës që ajo kundërshton, sepse shoqëria e sotme e networkut tenton ta shtyjë audiencën drejt polarizimit që promovon antipolitikë. Ndërkohë që opozita duhet të përqendrohet më shumë në “perspective taking” sesa në “side taking”, duke krijuar një identitet të sajin, i cili është mbi antipolitikën, një identitet superior që u flet njerëzve mbi mënyrën dhe formën se si duhet shkuar drejt Shqipërisë së vlerave. Me pak fjalë, të bëjë që për herë të parë qytetarët e këtij vendi të votojnë për politikat e ofruara dhe jo për partitë dhe kryetarët e tyre. Ta nxjerrë Shqipërinë nga tribalizmi i antipolitikës drejt politikëbërjes moderne dhe të standardizuar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit