14.4 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Menaxheri i Enis Bardhit, shqiptarit që po shkëlqen me Levanten: si arriti në La Liga..

Më të lexuarat

Është vetëm 22 vjeç por me CV si të jetë veteran. Kështu përshkruhet supertalenti shqiptar i futbollit nga Maqedonia, Enis Bardhi.

Ai këtë vit u transferua te Levante,  duke realizuar ëndërrën e tij, pra të luajë në kampionatin spanjoll.

Dhe jo vetëm në përgatitjet parasezonale, ku regjistroi disa paraqitje të bukura, por po shkëlqen edhe me fillimin e sezonit në “La Liga”, ku në dy ndeshje të luajtura, ka ruajtur ritmin duke shënuar edhe një supergol me goditje dënimi.

Por, a do të shndërrohet në makth edhe për portierin e Realit të Madridit, Kaylor Navas?

Kjo mbetet për t´u parë takimin e ardhshëm kur Los Blancos do të presin Levanten e Bardhit.

Një nga personat që ndikoi në transferimin e Bardhit te Levante, ishte menaxheri i tij nga Shkupi, Meriton Berisha.

Si ndodhi transferimi, cilat janë përshtypjet e klubit, dhe nëse ka ndonjë talent si Enis Bardhi në grupmoshat e vogla, për këto tema Meriton Berisha ka dhënë një intervistë ekskluzive për tesheshi.com…

Intervistoi: Mensur Krasniqi

Ju jeni menaxheri i njërit nga futbollistët më të njohur shqiptarë të Maqedonisë, Enis Bardhit. Si ndodhi transferimi i tij nga Ujpeshti i Hungarisë te Levante i Spanjës?

Enisi gjithmonë është i përkushtuar ndaj punës që bën në fushë gjatë stërvitjeve të tij, e veçanërisht kur bëhet fjalë për lojë, ai gjithmonë jep më të mirën e tij. Si rezultat i kësaj pune që ka bërë te Ujpesht për tre vite dhe paraqitjeve të tij në petkun e përfaqësueses së Maqedonisë si për të rinjtë ashtu edhe tek ekipi A duke, e veçuar paraqitjen e tij në Europianin që u zhvillua në Poloni, bëri që disa ekipe të kampionateve të ndryshme të interesohen për shërbimet e tij, ku ndër to ishte dhe ekipi i Levantes, ofertë që e pranuam pa u menduar.

Që në fazën e përgatitjeve parasezonale në disa ndeshje miqësore Enis Bardhi realizoi disa paraqitje dinjitoze, e ky sukses i tij po vazhdon edhe në fillimin e sezonit të La Ligas. E prisnit një shpërthim kaq të shpejtë nga ana e tij?

Duke e njohur Enisin, karakterin dhe mentalitetin e tij, sinqerisht unë e kam pritur këtë gjë edhe pse në stërvitjen e parë të tij isha prezent dhe e pashë se me çfarë ritmi zhvilloheshin gjërat dhe më pas patëm një diskutim ku të dy ishim dakord se këtu luhet shumë më shpejtë se në Hungari, por kjo mund të them se është avantazh për Enisin, kur e dimë se ky stil i lojës, më së shumti i konvenon atij. Për këtë arsye ishte e pritshme një paraqitje dinjitoze nga ana e tij në fazën përgatitore. Mos harroni edhe një gjë, Enisi ka kohë që e ëndërron La Ligën, falë Zotit edhe kjo punë u realizua.

Pas dy ndeshjeve me numrin 10 mbi supe, me një gol të jashtëzakonshëm të shënuar. Cilat janë përshtypjet e klubit për të?

Nga klubi na vijnë informacione se nuk e kanë pritur aq shpejt ambientimin prej tij. Por ai po tregon klasin që posedon. Realisht ata kanë pritur diku nga mesi i kampionatit ta shohin Enisin ashtu si e kanë paramenduar, por për fat të mirë me ndeshjet që po bën, klubi mund të jetë më se i kënaqur dhe të shpresojmë inshAllah në paraqitje edhe më të mira të tij.

Java e 3-të e La Ligas, Real Madrid-Levante. Cilat janë emocionet e Enisit të luaj në Santiago Bernabeu me yjet e klubit mbretëror?

Ndoshta kjo pyetje duhej t´i drejtohej Enisit, atij por unë do të flas nga aspekti im. Me të vërtetë do të jetë një ndjenjë e papërshkruar kur në fushën e lojës shohim një shqiptar, një shkupjan, i cili përfaqëson të gjithë kombin përkrah yjeve të Realit të Madridit, Kampionit Europian dhe fituesit të Superkupës, e cila u luajt në Shkup. Çka të them tjetër veç i uroj një paraqitje ku do të dëshmon se jo rastësisht luan kundër tyre. Zoti i ndihmoftë.

Nuk do mend se Reali Madridit është favorit në letër, a mund t’ia prish llogaritë trajnerit Zinedine Zidane, Enis Bardhi së bashku me ekipin e tij, pse jo të nxjerrin ndonjë rezultat pozitiv?

Nga këto dy paraqitje të ekipit të Levantes jam i befasuar pozitivisht. Ekipi tregon një disiplinë të madhe në lojë në aspektin taktik. Kam vërejtur se nuk kanë respekt kundrejt kundërshtarit dhe nuk i lejojnë shumë hapësira për të luajtur. Kjo është e para, ndërsa puna tjetër që më le përshtypje është që nuk dorëzohen deri në fund, tregojnë karakter luftarak dhe jo rastësisht lojën e fundit e përmbysën rezultatin nga 0:2 në 2:2. Sa i përket asaj se a mundet t’i krijojnë telashe ekipit të Realit atë më së miri do ta shohim në fushën e lojës. Ishim dëshmitarë të një barazimi në Bernabeu midis Realit dhe Valencias, urojmë të ndodhë edhe me Levanten. Por vetëm një gjë e di mirë, Enisi do të jetë shumë i motivuar në këtë ndeshje, inshAllah edhe të shënojë kundër tyre.

Për në fund, na thoni si menaxher futbolli, keni në dorë ndonjë Enis Bardhi, talent të ri shqiptar?

Jemi duke punuar në atë drejtim, ndoshta pas disa viteve, por mos të harrojmë se Enisi është Enis, shpresojmë të ketë në të ardhmen futbollistë shqiptarë të cilët do ta ndjekin rrugën e tij. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit