Mediat si “zotërues” të kohës

0
60

Mjetet e informacionit publik paraqesin njërën ndër karakteristikat kryesore të postmodernizimit dhe e definojnë civilizimin ekzistues botëror të kohës sonë. Është e pamundur të kuptohet ndikimi dhe zgjerimi i postmodernizimit, pikëpamjeve, pakuptimësive dhe mangësive të tij, pa kuptuar esencën e mediumeve.

Duke marrur parasysh faktin se natyra e shqyrtimit të diskutimit tonë është e paqartë, e padefinuar dhe e ndryshueshme, do të cekim vetëm disa orientacione nismëtare të tij, edhe pse mendojmë se është e pamundur që të jepet ndonjë konkluzion i forte dhe kompakt lidhur me të. Prandaj diskutimet tona paraqesin vetëm vërejtje hyrëse mbi këtë çështje dhe është e domosdoshme të bëhen hulumtime më serioze.

Gjatë historisë, mediumet perëndimore kanë qenë rreziku më i madh i islamit: madje më shumë se baruti, trenat dhe telefoni, cilët kanë ndihmuar shumë në kolonizimin e vendeve islame, dhe kanosje më të madhe se aeroplanët, të cilët në fillim të këtij shekulli u paraqitën në vijat ajrore të vendeve islamike. Mediumet perëndimore janë të pranishëm gjithnjë dhe në çdo vend, duke atakuar dhe analizuar vazhdimisht edhe pikën e dobët më të vogël.

Sulmet e këtyre mediumeve të fuqishme paraqesin problem të dyfishtë për muslimanët. Si duket muslimanët nuk janë në gjendje të mbrohen, ose, çka është edhe më keq, se nuk mund as të kuptojnë esencën dhe qëllimin e këtij sulmi. Përpos kësaj, prijësit e tyre, të cilët nuk janë tjetër pas mburravecë të thjeshtë, dhe hulumtuesit matufë i prezentojnë në mënyrë tejet poshtëruese, sikur të ishin një turmë shkurtabiqësh cilët pëshpërisin kur mbi kokën e tyre qëndron një vigan shumë i madh dhe i fuqishëm. Në realitet, vetëm qytetarët e thjeshtë muslimanë, mendja e shëndoshë dhe të kuptuarit instiktiv e të cilëve është më e sigurtë dhe më e pranueshme se e prijësve dhe shkencëtarëve të tyre, e kuptojnë fuqinë dhe nivelin e rrezikut. Një musliman i thjeshtë di fare mire për rafshin në të cilin është duke u zhvilluar kjo luftë dhe për kapacitetet e fuqisë që janë në luftë kundër tij. Mirëpo, mungesa e besimit ndaj prijësve të vet shton presionin që bëhet mbi të.

Ndofta në vitin 1258, kur Mongolët kishin arritur para portës së Bagdadit, për ta shkatërruar përgjithmonë mbretërinë më të madhe të Arabëve në historinë e tyre, ka mbretëruar një atmosferë e tillë. Në këtë kohë, ndonëse ishte shkatërruar dinastia e Abasidëve, pas tyre krijohen dinasti tjera me pozitë të ngjashme dhe me pallate kolosale e madhështore: Fatimidët në Egjipt, Omavidët në Spanjë, Safavidët në Iran dhe Mongolët në Indi. Mirëpo këtë here është vendosur ndryshe se nuk do të ketë më dinasti tjetër, nga se “demoni” është qenie hakmarrëse dhe xheloze. Në këtë diskutim do të përpiqemi të prezentojmë disa veçori dhe karakteristika të mediumeve, për të kuptuar me këtë përgjigjen e islamit për kohën e postmodernizimit.

Njohja e esences së “demonit”

Në raport me modernistët të cilët përpos njohjes së botës, janë përpjekur ta ndryshojnë atë, si duket postmodernistët janë më të matur dhe më modestë në qëllimet e tyre. Dëshira e tyre është ta rikonstruktojnë botën për ta njohur atë, na duket se është tejet vështirë edhe vetëm kuptimi i kësaj dëshire modeste.

Para disa vitesh, më saktësisht në vitet gjashtëdhjetë, dmth. Në kohën kur bota, në krahasim me horizontet që sot i ka përpara, ka qenë më e shëndoshë, më e parrezikshme dhe shumë më e pastër, themeluesi dhe paraardhësi i idesë mbi mediumet na ka paralajmëruar mbi ekzistencën e “teknologjisë elektrike” dhe mundësinë e saj që të bëhet “sistemi ynë qëndror nervor”. Ai ka paralajmëruar se mediumet janë duke u bërë porosia e vetme e mundshme, ndërsa pastaj mediumet e kohës sonë u bënë prijës dhe udhërrëfyes shpirtërorë, edhe atë prijës që kanë karakter demonik. Mediumet e kohës sonë, shikuar nga aspekti i ndikimit që ushtrojnë mbi neve, kapacitetit të tyre për ndryshimin e fakteve, thjeshtësimit të rrezikshëm të problemeve dhe ndikimit në ngjarje, konsiderohen si “demon” shpirtkeq, absolutisht i fuqishëm dhe i pranishëm, dhe, në realitet, shkaktar i ekzistimit të “frymës” dominante të kohës së postmodernizimit.

Akoma nuk janë të njohur mire esenca e këtij “demoni” dhe rreziqet që kanosen nga ekzistimi i tij. Për këtë arsye unë me vetëdije dhe qëllimisht po përdori termin “demon”. Gjatë viteve nëntëdhjetë, kur bota nxiton drejt fshatit teknologjik, çdo ditë është gjithnjë e më e madhe fuqia e këtij demoni dhe zgjërohet niveli i përçarjes mes popujve të ndryshëm. Liderët e ardhshëm më shumë do të dëshirojnë që gjithnjë pranë tyre të ndodhen ekspertët e hermenautikës, në mënyrë që, gjatë punës me mediume, t’i paralajmërojnë për rrezikun dhe që t’u japin këshilla të nevojshme në situata delikate kulturore.

Ne supozojmë se mbyllja jonë në suazat e mediumeve elektronike, të cilat paraqesin karakteristikat themelore të civilizimit dominues botëror, është situate e definuar dhe e qartë. Mirëpo, më lejoni që të mos e thjeshtësojmë këtë fenomen kompleks dhe të mos sjellim përfundim definitive mbi çështjet të cilat janë të paqarta dhe mashtruese. Revista EKO ‘’ECO’ kështu e parashtron problemin e mediumeve: “Ç’janë mjetet e informimit publik? A janë mediume shpalljet në gazetë, sektori ndërkombëtar i televizionit ose një a dy fanela pa mëngë? Në realitet, na jemi ballafaquar jo vetëm me një, dy ose tri mediume, porsa me një numër të madh syresh që veprojnë në suaza të rrjetëve të ndryshme. Mediumet janë bërë shumëdimenzionale, mirëpo disa prej tyre janë mediume të mediumeve, dmth. Veprojnë dyfishtë.”(nr.149,v.1987).

Prandaj më lejoni që edhe na të analizojmë më thellë esencën dhe mënyrën e veprimit të mediumeve. Hulumtimi preciz i esencës së mediumeve dhe studimi i tyre, do t’na zbulojë disa karakteristika dhe veçori që janë të fshehura në zemrën e këtij problemi. Në këtë mënyrë do të njihemi me paqartësitë, kontradiktat dhe paparashikueshmërinë e këtij fenomeni. Me këtë do të kuptojmë më mire esencën e këtij “demoni”.

I- Mjetet e informimit publik nuk njohin kurrëfarë ndjenje të lojalitetit ose miqësisë.

Ndofta njëra ndër karakteristikat më të rendësishme të mediumeve është jolojaliteti, ndërsa në realitet, paqartësia e tyre rrjedh nga kjo veçori. Na e dijmë mire se mediumet janë fuqi, forcimi i dominimit kulturor dhe përhapje e filosofisë politike. Ato janë armë shumë e rendësishme e çdo vendi. Gjithashtu, e dijmë mire se gjatë historisë, asnjë fuqi e madhe nuk ka përjetuar humbje për shkak të përdorimit të armëve të saj edhe atë nga armiku direkt, siç ka përjetuar Amerika gjatë krizës së Gjirit, edhe atë vetëm nga shkaku se mediumet paraqesin shpatë me dy teha.

II-Mediumet janë, kjo është e qartë, raciste.

Mediumet perëndimore janë nën kontroll të protestantëve të bardhë anglosaksonë (VASP). Yjet dhe heronjët e mediumeve duhet patjetër të jenë të bardhë, ose nëse kanë ngjyrë të mbyllët të lëkurës, ajo duhet të jetë e bronxtë. Sytë e kaltër dhe flokët e bardha janë karakteristika të dëshirueshmë. Persona të këqinj dhe të poshtër në mediume janë, kryesisht, personat nga Azia. Zezakët pasqyrohen gjithënjë më një kallëp të njejtë: “Zezaku i keq” është përtac, hajn, rebelues dhe problematik, ndërsa “zezaku i mire është pop-këngëtar ose sportist. Në të ardhmen zezakët që janë korespodentë dhe drejtorë nga gjenerata e Spike Lee-ut, me siguri do ta përmirësojnë këtë moto (natyrisht kur të mundin hidhërimin dhe zemërimin e tyre).

Yjet e mediumeve dhe heronjtë na ndimojnë të kuptojmë këtë fakt (fantazimin ndaj një ngjyre të caktuar të lëkurës ose një race të caktuar). Nëse dëshirojmë që në bazë të programeve të mediumeve të caktojmë listen e dhjetë personave më të njohur të botës, lista do të dukej afërsisht kështu: …natyrisht kjo listë nuk është precise dhe e saktë, mirëpo njëkohësisht supozohet si listë postmoderniste. Në jetën e këtyre njerëzve baza morale ose shpirtërore është e vogël. Ata janë kryesisht njerëz tekanjozë dhe të çuditshëm. Shenjtëria dhe famoziteti i tyre është arritur përmes mediumeve.

Krishterizmi, gjithashtu, është i lidhur në mënyrë jashtëzakonisht interesante për këtë botëkuptim racist.

Për protestantët e bardhë anglosaksonë krishterizmi është burim shpirtëror i kuptimit të botës. Për shembull, krimet dhe pushteti i shejtanit (djallit), në shumë filma, siç janë “Thirrësi i fantazmave”dhe “Simptomi fatal”, (edhe në vazhdimet e tyre dhe filmat me temë të ngjashme), paraqitet si personazh ose temë qëndrore. Kryqi, symbol themelor dhe kryesor i krishterizimit, shfrytëzohet për të frenuar djallin. Me fjalë të tjera, jokrishterët janë të gjykuar me shkatërrim, nga se nuk posedojnë një armë të tillë. Çështja e ngjyrës së lëkurës, gjithashtu, manifestohet me këtë lidhje. Figurat klasike të shejtanit atë e paraqitnin si qenie të zezë, dhe vetëm pas protestës së luftarëve zezak dhe ithtarëve të tyre, ngjyra e shejtanit u shndërrua në të kuqe.

Muslimanët pyesin: Tani që mediumet perëndimor kontribuan në disfatën e komunizmit, kush do të jetë armiku i ardhshëm i tyre? Përgjigja në këtë pyetje nuk është fare e vështirë: Islami. Islami akoma vazhdimisht izolohet dhe poshtërohet. Nga njëqind orë program të emituar televiziv, për islamin bëhet fjalë vetëm rreth dhjetë minuta, edhe atë duke prezentuar ata muslimanë që djegin librat ose ata që takohen nëpër tubimet e fshehta. Muslimanët ftohen rallë të marrin pjesë në emisionet e njohura televizive të cilat emetohen drejpërdrejt, ndërsa i kushtohen problemeve universale dhe specifike.

Në shoqëritë tradicionale islame, mjekrra është simbol i diturisë, urtisë, modestiesë, kredibilitetit dhe pushtetit. Në vendet islame nganjëherë të lëshuarit e mjekrës është i nevojshëm për ata në pozita në administrataën shtetërore dhe shoqëri. Mirëpo mjekrra dhe mustakët janë të padëshirushëm dhe simbole të shëmtuarë për mediumet. Për këtë arsye personët fetarë muslimanë dhe hebrej nuk janë të mirëseaardhur në mediumet perëndimore. Praktikisht, mediumet kanë ndaluar të lëshuarit e mjekrrës. Prandaj, nuk mund të mendohet që një pop-këngëtar ose politikan të ketë mjekërr, nëse pretendon që figura e tij të jetë e pranueshme për mediumet.

Hebrejtë, përkundër muslimanëve, janë bërë mjeshtrit më të mëdhenj dhe bartësit e mediumeve. Filmi “Mbretëria personale: Si e krijuan Hebrejtë Holivudin” pasqyron mjaft mire se si Hebrejtë, që sapo kishin arritur nga Europa dhe kryesisht ishin të varfër, madje as nuk e flitnin mire anglisht, krijuan vlera, modele dhe mite me ndihmën e cilëve ia dolën të pushtojnë të menduarit amerikan. Gjithashtu, kjo veprimtari e tyre kishte formuar dhe definuar vetëdijen dhe kulturën amerikane. Një numër i madh i ujeve më të mëdhenj të filmit amerikan janë Hebrejë: Gregori Pek, Elizabet Tejlor, Kik Daglas, Bert Lankaster, Pol Njumen e shumë të tjerë. Ata kanë ndikuar në formimin e idealit të bukurisë dhe joshjes së Holivudit.

III-Mediumet kanë lidhje të forta mes vete dhe mbrojnë njëri tjetrin.

Filmat e pranuar nga të gjithë dhe tregimet, të cilat shygjerojnë ndjenjën e posedimit të trashëgimisë së përbashkët dhe unitare kulturore, transmetohen rregullisht dhe kështu bëhen të përjetshëm.

Mediumet me ndihmën e karakterit të fuqishëm të lidhjeve të ndërsjella, përforcojnë idetë, vlerat dhe pikëpamjet specifike. Kështu që një film që krijon sukses për një yll filmi, me vete bartë edhe bisedat televizive, intervjuimet në gazeta dhe revista të modes dhe pjesëmarrjen në reklamat propagandistike.

Burimet kryesore të kulturës perëndimore prej Homerit deri te Shekspiri, prezentohen në një mënyrë tejet të thjeshtë dhe të pranueshmë nga të gjithë përmes filmave dhe dramave televizive. Kështu krijohet mundësia më e madhe për njohjen e tyre. Në filmat, serialet dhe komediët serioze, pastaj në emisionet informative dhe komentet politike, gjithënjë potencohen këto burime kulturore. Kështu çdo gjeneratë i komenton këto shkrimtarë në mënyrë të vet dhe me këtë arrin të vetëdija mbi trashëgimitë kulturore.

Disa fjalë dhe shpreje që janë përdorur në filma regjistrohen në “Leksikonin Oksfodian të shprehjeve dhe frazave të shquara bashkëkohore.” Dhe në këtë mënyrë bëhen të përjetshme si fjalia “ekzekutoje sërish Sem”, e cila është përdorur në filmin “Kazablanka” (1942). Burimi i këtyre fjalive janë filmat vestern, të vizatuar, shkencoro-fantastik dhe romancat lidhur me luftën e dytë botërore. Këto fjali përmes mediumeve janë ruajtur dhe i janë prezentuar botës si dhuratë kulturore. Këto fjali vazhdimisht imitohen, ritregohen dhe gjithëherë janë prezente në gazeta dhe revista.

IV-Mediumet e kanë përballuar vdekjen.

Për vlerësimin e drejtë të këtij fenomeni, është e nevojshme që ai të shqyrtohet nga aspekti sociologjik dhe jo nga aspekti Hyjnor, ose në bazë të parimeve të cilat janë prezente në njohjen e jetës pas vdekjes. Vdekja e një ylli, në realitet, nuk e sjell në pyetje praninë e tij në mediume. Në mediume mbretron një interesim serioz për paraqitjen e vazhdueshëm të atyre që kanë vdekur. Elvis Prisli është shembull gjegjës për këtë pohim. Kur vdiq Elvis Prisli, thuhej se ka bërë punën më të mirë në jetën e tij profesionale.

V- Mediumet vërtetë janë demokratike dhe paraqesin “njeriun e zakonshëm

Parimi demokratik i cili është prezent në thelbin e mediumeve reflekton ekzistencën dhe prejardhjen e mediumeve në demokracinë perëndimore. Mediumet nuk i japin rendësi rangut, fuqisë, ose madje pozicionit të mbretërive. Pozicioni dhe gjendja e mbretërive, për shkak të esencës së tyre specifike mund të jetë e respektuar, por edhe objekt i kritikës së ashpër. Mirëpo rallë mund të zbatohet edhe njëra edhe tjetra. Megjithatë, për shkak të ndikimit të mediumeve është e vështirë ruajtja e distancës respektive dhe serioziteti të personalitetit, të cilat janë të domosdoshëm për ekzistimin e mitit mbi mbretërinë.

VI-Mediumet i paraqesin të vërtetat më të çuditëshme se përrallat dhe kështu ato bëhen më të pëlqyeshme për dëgjim dhe shikim.

Lajmet televizive prezentohen në atë mënyrë që mund të garojnë me programet më të mira teatrore dhe filmore. Emitimi i lajmeve, që zakonisht zgjatë rreth një orë, me muzikë joshëse, me udhëheqës të cilët janë të popullarizuar si yjet e filmit, me shfrytëzimin e fotografive arkivore dhe raportet nga mbarë bota që transmetohen në mënyrë direkte, fascinojnë shikuesin. Mediumet munden fare lehtë t’i shnëdërrojnë emisionet ditore informative në emisione spektakulare të shout. Spektatorët e televizionit më shumë dëshirojnë t’i shikojnë lajmet se programet tjera argëtuese dhe skenike, në rastet kur lajmet kanë më tepër karakter të një emisioni të shout…Paraqitja e të vërtetës dhe fakteve është bërë më interesant se paraqitja e ndonjë tregimi ose përalle, ndërsa shkaku është fare i thjeshtë: është e domosdoshme të tërheqet vëmendja e spektatorëve në mënyrë adekuate, përndryshe ata me një të shtypur të sustës do të ndërrojnë programin.

VII-Mediumet informative sillen në mënyrë tejet te vrazhdë dhe të ftohtë ndaj qëndrimeve morale dhe porosive intelektuale.

Ata fare lehtë janë në gjendje që në një moment të paraqesin tabllo nga festa e Kërshëndellave në Amerikë, ndërsa menjëherë pas kësaj të emetojnë pamje mbi skamnorët në Etiopi. Kjë mënyrë e sjelljes krijon probleme të caktuara. Këto fotografi të shkurtëra nuk munden kurrësesi të përshkruajnë gjendjen komplekse të shoqërisë amerikane dhe etiopiane. Me të shikuar këto fotografi kontradiktore parashtrohet pyetja: Në çfarë mënyre mund t’i lidhim këto fotografi dhe cili është qëndrimi ynë lidhur me to?

Reklamat propaganduese televizive janë shembull i mire i krahasimit të fotografive të ndryshme dhe kontradiktore. Trupat e bukur dhe harmonikë që rrinë të shtrira pranë pishinave; ose mbështeten për automobila dhe pijnë pije freskuse, janë simbole të pushimit me sy. Shpenzohen mjete, energji dhe planifikime kolosale për këto fotografi të shkurtëra. Na tretemi fort në këto pamje dhe mënyrën e transmetimit të tyre, sa fare lehtë hallojmë qëllimet e tyre morale dhe politike, duke ditur që nga Azia e deri në Afrikë akoma ka me mija e mija njerëz vdesin nga uria. Ky shpenzim i kotë dhe teprim me reklama e pasqyrojnë shumë mire mosinteresimin e tyre për popujt dhe shoqëritë e mjerë dhe të varfër. Këto fotografi djallëzore na magjepsin dhe njëkohësisht na ngjallin ndjenja të averzionit e zemërimit.

Mediumet adhurojnë agresivitetin dhe me plot kënaqësi, gjërësisht transmetojnë skema të vrasjes dhe të shtënave. Ngjyra e kuqe e gjakut dhe ngjyra e verdhë e zjarrit krijojnë skema jashtëzakonisht tronditëse dhe efektive. Brenda një momenti të shikimit të skenave të tilla, agresioni bartet nga një fshat i Azisë jugore ose nga një qytet i Europës lindore në dhomat tona të ndejës.

VIII-Mediumet në mënyrë teknologjike janë jashtëzakonisht të fuqishëm, mirëpo janë shumë të dobët në aspektin e njohjes kulturologjike të njerëzve.

Lufta e Gjirit është dëshmi e këtij pohimi. Në kohën kur teknologjia e fuqishme na ka informuar prej çastit në cast mbi ngjarjet luftarake lidhur me Gjirin (si numri sulmeve ajrore, mënyra e përparmit të forcave ushtarake, anijet dhe tankset luftarake), ndjehej një vakum i analizimit të drejtë të rolit të ngjarjeve të rendësishme socialo-kulturore. Mënyra e sjelljes së Sadam Huseinit ndaj fëmijeve gjatë kohës së bisedave të tij televizive në vitin 1990, i cili tani është diskredituar, e tregojnë këtë më së miri. Dy shoqëri që kanë qenë të përzierë në këtë ngjarje, dmth. Kultura arabe dhe civilizimi perëndimor, e komentonin këtë sjellje në dy mënyra esencialisht të ndryshme, ndërsa rrënjët e këtij dallimi në komentim duhet kërkuar në esencën e kulturës së tyre. Dallimet në mënyrën e komentimit të këtij problemi, në realitet, e kanë thellur mospajtimin ndërmjet këtyre dy kulturave.

Në fund duhet potencuar se mediumet në botën moderne luajnë rol të rendësishëm në çështjet ndërkombëtare me mundësi akoma më të madhe të zgjerimit të dimensionit të veprimit të këtij roli.

Ekspertët e mediumeve, vetë sipas zgjedhjes dhe mendimit të tyre emetojnë porosi të caktuara. Ndonëse është problem kompleks për shkak të essences së dyfishtë të mediumeve, megjithatë vazhdohet tentimi i qeverisë për të gjetur zgjedhje të cilat do t’i sigurojnë pozitën më të favorshme. Gidnezi lidhur me këtë përmend suksesin e Shteteve të Bashkuara, duke shfrytëzuar emërtimin “imperializmi i mediumeve” (1989). Ai gjithashtu na paralajmëron se sidomos “vendet e botës së tretë janë të rrezikuar më së shumti, nga se nuk posedojnë burime të cilat do t’u ndihmonin të ruajnë pavarësinë e tyre kulturore.”.

Atë që nuk ka arritur ta bëjnë fuqia politike amerikane, mediumet ia kanë dalur, ndërsa atje ku Pentagoni ka qenë krejt i pafuqishëm, ia ka dalur Holivudi. Lidhjet ndërmjet këtyre dy nocinoeve bëhen të qarta vetëm kur të dihet se filmat argëtues dhe armatimi janë artikuj më të profitable eksportues të SHBA-ve. Konsiderohet se suksesi më i madh i mediumeve Perëndimore është shkatërrimi i komunizmit dhe rrënimi i struktures së tyre të moçme unike. Mediumet, me propagandë të vazhdueshme dhe me talentin e jashtëzakonshëm për të kritikuar dhe ironizuar, goditën rrënjët e botës komuniste. Rrënia e komunizmit është planifikuar me vite të tëra para paraqitjes së Gorbaçovit.

Këtu ekziston një teori e cila kërkon hulumtim dhe shqyrtim: në botën bashkëkohorë, sa më shumë tradicionale që është një kulturë, as më tepër do të bëjnë presion mediumet mbi te. Andaj më së paku presion bëhet ndaj krishterizimit, ndërsa më së shumti ndaj islamit. Të gjitha religjionet tradicionale, prej budizmit dhe hinduizimit deri te islami dhe krishterizmi, propagojnë nderin, kontemplacionin dhe misticizmin. Përkundër kësaj, sulmet e gjithëmbarshme dhe të pamëshirshme të mediumeve paraqesin kërkesë të turpshme për materializëm, me propagimin e manures konsumuse të jetës dhe marrjen me gjëra të pakuptimta dhe padobishme në jetë. Reglamat joshëse, yjet e pispillosura dhe rrebeshi i ngjyrërave, atakojnë shtëpitë si vërshim duke fundosur idetë e ndershme. Pas kësaj njerëzve ia vjedhin virtytet më subitile, respektivisht, nderin dhe krenarinë. Idea postmoderniste nuk i lejon askujt të ketë nder dhe dinjitet në këtë botë të pamëshirshme, pandershme dhe zhurmëmadhe.

Kontrasti ndërmjet emisioneve të mirënjohura muzikore dhe himneve tradicionale fetare në kisha janë shembull i mire për krahasim,…Tani më nuk ekziston besimi dhe nderi të cilët dikur i karakterizonin njerëzit. Prandaj nuk është vështirë të kuptohet përse muslimanët e refuzojnë postmodernizimin si “anarkizëm” dhe “nihilizëm”

Për mediumet perëndimore, civizilimet “për qark”, dhe jo vetëm muslimanët, gjithnjë janë paraqitur sipas një shabloni. Për perëndimin murgjit gjysëmlakuriq, të cilët vazhdimisht luten, janë manifestimi i vetëm i hinduzmit dhe budizmit, dhe ata si reminishenca të papranushme dhe të panjohura nga e kaluara, i dëbojnë nga mediumet. Natyrisht, disa prej tyre kanë arritur që me afrimin nga Perendimi, të arrijnë atje sukses të dukshëm.

Ajo që dëshirojë të theksoj është roli i mediumeve si pasqyrim i pushtetit dhe simbol i suksesit të kulturës, përhapjes së grindjeve politike dhe, në realitet, si atu kryesor. Me ndihmën e mediumeve, jo vetëm që mund të mundet armiku me lehtësi, por me të privuarit e tij të mundësisë së shfrytëzimit të mediumeve, mund të krijohen aso kondita që ekzistenca e tij të harrohet fare. Prandaj mediumet paraqesin njërin nga armët më të rendësishme të çdo vendi. Ky është leksioni më i madh i kohës sonë, leksion të cilin kanë dashur të na imponojnë një kohë të gjatë ekspertët siç ka qenë Mak Lohan, Komoli dhe Narboni. Mediumet gjithashtu janë përgjegjës për ndryshimet kryesore në drejtimin tjetër. Ekuilbrimi, esenca, stabiliteti dhe mënyra specifike e jetës në familje ngadale ndryshon. Mbase nuk mund të paraqitet lidhja ndërmjet familjes dhe mediumeve në mënyrë të kënaqshme, mirëpo një gjë është e padyshimtë e ajo është vëllimi i ndryshimeve dhe shkatërrimeve që ngjajnë në familje.

“Demoni” dhe rrënimi i sistemit të familjes

Të gjithë ata që jetojnë në Perëndim, janë të njoftuar me skenat të cilat janë të shumtën alarmante dhe flasin mbi situatën e pavolitshme. Këto skema pasqyrojnë thellësinë e kalbësirës dhe amoralitetit të shoqërisë. Mirëpo, nuk është në rregull nëse mendojmë se këto skena janë simbole dhe prezentacione të Perëndimit. E kemi shqyrtuar fatin “eksploziv” të civilizimit perëndimor, e cila gjithashtu ndikon në kulturën dhe politikën e viseve tjera të botës. Ndonëse, nga njëra anë, Përendimi është dominant dhe ngadhnjimtar në skenën botërore, nga ana tjetër, bërthama kryesore e sistemit shoqëror të njerëzimit, respektivisht, familja, në këtë kulturë ndodhen në rrezik të madh.

Njëri ndër konfliktet më kryesore të muslimanëve në Perëndimin është lidhur me shkatërrimin e sistemit të familjes në Perëndim, nga se në islam familja është pjesë e rendësishme e shoqërisë dhe çdonjëri pjesëtar i familjes ka rolin dhe detyrën e caktuar. Uniteti dhe stabiliteti i familjes janë të dëshirueshme. Muslimanët e kuptojnë fare mire presionin e kulturës konsumuese të Perendimit, indolencën seksuale, drogën dhe…, të cilat në masë të madhe kanë dëmtuar institucionin e martesës në Perëndim dhe janë të brengosur se këto presione mund të arrijnë në shtëpitë e tyre. Mirëpo, në lidhje me këto ndryshime ekzistojnë vetëm disa studime të kufizuara sistematike. Muslimanët kanë frikë se feja mund të jetë plotësisht nën hije të botës, nga se kjo çështje do të jetë tragjike kur të kihet parasysh botëkuptimi i muslimanëve mbi sistemin e drejtë dhe të ekuilibruar shoqëror.

Përse muslimanët, dhe në veçanti prindërit, frikohen në atë masë nga mediumet e reja perëndimore? Për arsye se këto mediume janë të fuqishme dhe universale, se kanë disponim armiqësor ndaj islamit dhe fare lehtë mund të futen në shtëpitë muslimane.

Civilizimi islam ka bërë filozofë…, gnostikë…, poetë … dhe godina siç është Taxh Mahalli. Mirëpo, në botën bashkohore, vetëm muslimanët janë të pafuqishëm në vlerësimin adekuat të fuqisë dhe ndikimit të tërësishëm të mediumeve perëndimore. Kjo është për t’u habitur, nga se, edhe pse këto mediume janë nën patronatin dhe kontrollin e Përendimit, disa vende islame si Egjipti, Pakistani dhe Irani, prodhojnë filma dhe programe televizive të kualitetit të lartë.

Si duket muslimamët për shkak të fuqisë dhe sjelljes agresive të mediumeve perëndimore, si dhe për shkak të qëndrimit të tyre kundër islamit, kanë humbur fuqinë e kundërshtimit dhe madje nuk mund të prezentojnë atë që dijnë mbi faktet e jetës së tyre. Shembëlltyra që e kanë njerëzit e botës mbi islamin janë të determinuara nga fotografitë televizive, fjalët armiqësore në gazeta dhe satira e pamëshirshme. Muslimanët nuk kanë vend në mediume dhe për ata nuk është paraparë kurrëfarë tribuni. Prandaj ata nuk kanë rast të protestojnë të paraqesin arsyetimet e veta. Të shprehurit e identitetit kulturor nga ana e muslimanëve konsiderohet fantazëm, si kërkesa e tyre për fitimin e të drejtave legjitime që konsiderohet fundamentalizëm. Në këtë lojë, në të cilën duken të dobët dhe të pafuqishëm, muslimanët nuk kanë shans për fitore. Prandaj dëshpërimi i tyre manifestohet si mllef dhe agresivitet, ndërsa ata përkatësinë e vet islamike e shprehin me metoda të cilat në esencë janë kundër islamit.

Tani në konflikt me islamin manifestohen shpirtëligësi të shumta: edhe fanatizmi i Perëndimit kundër kishës zyrtare krishtere dhe kundërshtimi me pakicat fetare siç janë Hebrejt.

Ekzistojnë shumë botëkuptime të gabushëm lidhur me islamin, si për shembull, se islami e udhëheqëin klerikë fantikë dhe të pa informuar (profane) dhe se islami i urren femrat. Siç kemi vërejtur tani më, të dy këto botëkuptime janë të gabueshëm.

Perëndimi sot në masë të madhe sërish merret me ato çështje të cilat islami nuk i ka përqafuar kurrë si për shembull konzumimi i mjeteve të narkotizmit. Më e rendësishmja është fakti se mediumet rrezikojnë stabilitetin e familjes, e cila është epiqendër e strukturës shoqërore të islamit. Çkurorëzimi, dyshimi në kompetencat e prindërve, izolimi dhe margjinalizmi i çështjeve të personave të moshuar, ndryshimet e vazhdueshme në shtëpi dhe jetë si dhe çështjeve lidhur me këtë, dobësojne familjen. Muslimanët këto ndryshime i shikojnë me brengosje të madhe.

Tani për muslimanët shtrohet një pyetje e drejtë: Përse duhet të orientohen drejt provimit shoqëror për të cilin që më pare e dijnë se nuk është në harmoni me qëndrimet e tyre? Përse duhet të flijnë jetë e tyre familjare për vlera sipërfaqësore, edhe pse këto vlera janë bindëse? Kjo pyetje janë shtuar me të drejtë.

Strategjia e muslimanëve

Reakcioni i muslimanëve ndaj postmodernizimit është shumë e ngjashme me reakcionin të cilin e kishin pasur para një shekulli: tërheqje e përcjellur me emocione të fuqishme fetare dhe mllefi i madh. Para kësaj ata kishin ikur në male dhe shkretirë për t’u mbrojtur nga Europa kolonialiste dhe atje kishin gjetu veten me ndihmën e fuqisë së traditës dhe kompaktësisë së zakoneve të tyre. Nga pikëpamja europiane, muslimanët në qëndrueshmërinë e maleve dhe shkretirave të tyre kishin gjetur strehim të sigurt për vete, që ishte jashtë rrezikut nga europianët, e këto ishin vende jashtë suazave të tutorisë, rregullave dhe ligjeve kolonialiste. Muslimanët kërkonin strehim në të kaluarën, sikur e tanishmja të mos kishte ekzistuar kurrë.

Mirëpo, sot ekziston dallim i madh. Ndonëse muslimanët para një shekulli kanë mundur që për mbrojtjen e unitetit dhe kompaktësisë së jetës së tyre, të ikin në male dhe shkretira, tani vendëqëndrimet e tyre më nuk janë të sigurta, ndërsa progresi teknologjik ka pamundësuar ikjen e mëtutjeshme. Satelitët mund të përcjellin çdo deve në shkretirën arabe, raketat e kontrolluara me laser mund të goditin çdo shtëpi në kanjonet më të largëta të Avganistanit, edhe video-rekorderët janë të pranishëm gjithëkund, prej tendave shkretirore deri te fshatrat malore.

Muslimanët që jetojnë në fise kanë qenë gjithnë më të shkathët në njohjen e strategjisë nga bashkatdhetarët e tyre të qytetit. Ata shumë shpejtë vërejtën se mediumet janë faktor i cili mund të shkaktojë çrregullime në jetën e tyre tradicionale. Për këtë arsye, deri para disa vitesh në “Tiri”, që ndodhet në një krahinë fisnore të Pakistanit, në mënyrë solemne madje e kishin thyer edhe një radio si simbol të modernizimit. Mirëpo, sot nuk mund të pengojmë depërtimin e mediumeve as në vendet më të largëta, siç është “Makrani”, i cili ndodhet në krahinën Baluçestan në Pakistan. Makrani është njëri ndër teritoret më të largëta dhe më të paarritshme të botës arabe. Ky është një teritor i madh me numër të vogël banorësh., ku akoma nuk ka rrymë dhe, natyrisht, as televizor. Nuk ekzistojnë as hekurudha, as rrugët magjistrale që do të lidhnin këtë teren me pjesët tjera të Pakistanit. Në realitet, Makrani ka ndryshuar fare pak nga ajo kohë kur Aleksandri i Maqedonisë atje kishte humbur rrugën në të kthyer prej Indisë.

Madje edhe islami atje ka qenë i shtrembëruar në bazë të traditave lokale dhe është i mbuluar me padituri. “Zikiri”, që janë sektë lokale, madje kanë krijuar Mekën, haxhin, Ka’abën, si dhe pejgamberin e vet të Zotit. Mirëpo, atje fare lehtë mund të gjeni filmat e huaj më të rinj dhe me amoralë. Agregatët për prodhimin e rrymës dhe videorekorderët janë ndër gjërat e para që blejnë ata që janë në gjendje të mire materiale. Kur në vitin 1985 vizitova fshatrat më të largëta të kësaj krahine, vura re se shumica e familjeve fshatare posedojnë videorekorderë. Akoma nuk janë bërë analiza dhe hulumtime lidhur me ndikimin e vlerave të reja në shoqëri të tilla të cilat ekzistojnë me shekuj.

Njëra ndër karakteristikat e qarta të kësaj periudhe të historisë së muslimanëve është lidhja e institucioneve dhe qendrave, të cilët në shikim të parë duken pa lidhje. Hulumtimi i kësaj lidhje ndër muslimanë edhe më shumë e përhap teorinë e komplotit kundër tyre dhe shkakton që ata të mendojnë se ekziston ndonjë komplot botëror me qëllim të dëmtimit dhe shkatërrimit të tyre. Mediumet janë ata që mund të krijojnë një lidhje të tillë të ndërsjellë.

Bankrotimi i bankës BCCI, e cila ka qenë në pronësi të muslimanëve (paratë arabe, ekspertët pakistanezë:, në korrik të viti 1991, si rezultat ka pasur reagimin zinxhiror të shkatërrimit që përfshiu revistën “Jugu” (South) dhe “Ordu Center” në Londër, pronare e cilëve ka qenë kjo bankë. Raportet në shtypin dhe televizionin perëndimor vetëm e kanë shpejtuar këtë process. Këtu kanë qenë të gershtetuar kultura dhe problemet financiare, investimet, politika dhe paratë. Shkatërrimi i njërit, shumë shpejtë ka kushtëzuar shkatërrimin e tjetërit.

Karakteristikë tjetër e dukshme e kësaj periudhe historike të muslimanëve është paraqitja e yjeve të mediumeve. Para kësaj popullariteti në shoqëritë muslimane ka qenë privilegj ekskluziv i liderëve politikë dhe feudalëve. Dikur në qarqet dhe shoqëritë elite i përqeshnin dhe i fyenin aktorët ose këngëtaret si njerëz pa rrënjë. Nga kjo arsye, para disa vitesh, disa yje të shoqëruara muslimanë, në Indi zgjedhnin për vete emra hindusë dhe kështu fshenin origjinën e tyre muslimane. Mirëpo, sot aktorët e vendeve islame, që janë bërë të njohur me ndihmën e mediumeve, fitojnë shumë, ndërsa artistët më të mire marrin të ardhura që janë shumë mbi suazat lokale. Investimet kolosale në këtë fushë kanë kuptime të ndryshme, gjë që tregon se ka ndryshuar botëkupimi i muslimanëve mbi argëtimin dhe njerëzit e zakonshëm gjithënjë e më tepër marrin pjesë në jetën kulturore dhe vetë ndikojnë në te. Gjithashtu, tregon se koha e mediumeve ka zënë fill edhe në shoqëritë muslimane. Muslimanët duhet të ballafaqohen me këtë realitet se tani më nuk mund atë të ikin nga ku “demon”, as mund të izolohen dhe kërkojnë strehim.

Koha e postmodernizimit gjatë viteve nëntëdhjetë po troket në derë të ixhtihadit (zbatimi i jurisprodencës fetare) muslimane.

Mirëpo, muslimanët para se të hapin derën, duhet të njohin esencën dhe fuqinë e kësaj kohe, andaj duhet të njihen me ata që janë simbole të kësaj periudhe. Këto simbole përfshijnë edhe ata të cilët nuk janë aq të mirëseardhur ndër muslimanë.

Shumë më me rendësi është fakti se muslimanët tani më e kanë kuptuar përse mu këta njerëz përfaqësojnë kohën tone. Sulmi është efikas aty ku muslimanët janë më të dobët: sunduesit e prishur dhe maliciozë, drejtorët dhe përmbaruesit e paaftë dhe mendimtarët e varfët gjithashtu janë ndër këto pika të dobëta. Pa marrë parasysh rrëfimet e zakonshme, fryma e islamit mungon dukshëm në tentimet dhe veprimet e tyre. Prandaj, në këtë situatë, ixhtihadi është më se i nevojshëm…

Metodat dhe bindjet e vjeta nga e kaluara nuk janë efikase kundër atyre fuqive të cilat i kanë rrethuar si gjir shoqëritë muslimane. Pastrimi i shoqërisë muslimane nuk është i mundur pa kuptuar mire kohën jomuslimane në të cilën po jetojmë.

Shkëputur nga: Akbar Ahmed-Islam and post-modernism (Demoni i keq-mjetet e informacionit si zotërues të kohës)

Shqipëroi: Dr. Selim Sylejmani

Botoi: Drita e jetës-Gjilan