14.2 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Media anti-sociale: Ndikimi në gazetari dhe shoqëri

Më të lexuarat

Nga John Mair, Tor Clark, Neil Fowler, Raymond Snoddy & Richard Tait.

Përfytyroni bashkë me mua: Jemi në vitin 2004! Një student i vitit të dytë në universitetin e Harvardit me emrin Zuckerberg, ulur në krevatin e dhomës së tij, në konvikt, godet, pareshtur, tastierën e kompjuterit – po merret me idenë që ka “marrë borxh” nga dy studentë të tjerë. Për këtë, i duhet të shkruajë kodet e nevojshme që ta shndërrojnë këtë ide në realitet: një rrjet social i pranishëm në internet. Por përveç idesë i duhen edhe ca para, të cilat i merr borxh nga Eduardo Saverin, një nga shokët e tij. Shumë shpejt ideja shndërrohet në realitet. Ai e quan “The Facebook”.

Katërmbëdhjetë vjet më vonë, ish-studenti i Harvardit mishëron, në një, sa i takon pasurisë, John D. Rockefeller dhe William Randolph Hearst të marrë së bashku. Në fillimet e shekullit të 20-të, Rockefeller kontrollonte rrjedhën e naftës, ndërsa Hearst kontrollonte rrjedhën e informacionit. Në shekullin e 21-të, Zuckerberg kontrollon edhe rrjedhën e naftës së re (të dhënat), edhe rrjedhën e informacionit (sepse njerëzit i marrin gjithnjë e më shumë lajmet nga platforma që është nën kontrollin e tij). Perandoria Zuckerberg përfshin më shumë se 2.2 miliardë njerëz dhe vetë ai ushtron kontroll absolut mbi të. Në dokumentin që pasqyron aktivitetin e kompanisw së tij shkruhet:

  • Mark Zuckerberg, themeluesi ynë, kryetari dhe administratori, ka aftësinë të ushtrojë të drejtën e votës në respekt të një shumice që e ushtron këtë të drejtë mbi kapitalin tonë dhe po ashtu ka aftësinë të kontrollojë rezultatin për çështje që u paraqiten aksionarëve për aprovim, përfshirë zgjedhjen e drejtorëve dhe çdo bashkim, shkrirje ose shitje të të gjitha ose pothuaj të gjitha pasurive tona. Ky kontroll i përqendruar mund të vonojë, ndryshojë, ose parandalojë ndryshimin e kontrollit, bashkimit a shkrirjes, konsolidimit ose shitjes së të gjitha ose pothuaj të gjitha pasurive tona që mbështesin aksionarë të tjerë, ose në të kundërt, ky kontroll i përqendruar mund të rezultojë në përfundimin e një transaksioni që aksionarët e tjerë nuk e mbështesin…

Një përqendrim i tillë pushteti në kontrollin e korporatave është i pazakonshëm për institucionet e mëdha publike dhe ngre pyetje rreth dy karakteristikave shumë të rëndësishme në funksionimin e tyre: mënyrës së qeverisjes dhe përgjegjshmërisë sociale. Por këto probleme marrin natyrë akute në rastin e perandorisë së Zuckerberg, sepse zotëron jo vetëm pushtetin ekonomik të një monopoli (në fushën e rrjeteve sociale, Facebook nuk ka asnjë konkurrent serioz), por edhe sepse operon me një model biznesi që ndikon në proceset demokratike dhe, ndoshta, ka ushtruar ndikim edhe në rezultatet e referendumit “Brexit” të vitit 2016, edhe në zgjedhjet elektorale të ShBA, si edhe në raste të tjera.

Me këtë, nuk duam të themi se Zuckerberg vetë po udhëhiqet nga objektiva politikë të caktuar, – së paku jo për momentin. Por pretendimi është, që, a) sistemi i kompjuterizuar dhe i targetuar për reklama i Facebook-ut mund të shfrytëzohet (dhe është shfrytëzuar) nga aktorë të ndryshëm politikë në kërkim të transmetimit të mesazheve politikë ose ideologjikë tek përdoruesit e kësaj platforme, profili i të dhënave të të cilëve tregon se janë mikpritës të tyre; dhe që, b) rezultati i “armatosjes” së medias sociale mund të jetë, në rastin më të mirë, anti-social dhe, në rastin më të keq, anti-demokratik.

Por gjëja që të revolton më shumë në gjithë historinë e zbulimit të shfrytëzimit nga politika që i është bërë kësaj medie sociale në periudhën 2016-2017 është habia fillestare, si dhe mohimi i Zuckerberg dhe zyrtarëve të lartë të administratës së tij, se një gjë e tillë mund të kishte ndodhur!

Habia dhe mosbesimi i tyre referojnë disa ose të gjitha supozimet e mëposhtme:

  • shkallë shumë të lartë naiviteti politik
  • rastin serioz të një verbërie të vullnetshme për çfarë ndodh përreth
  • vendosmëri cinike për të shmangur diskutimin publik rreth shkakut kryesor të gjithë këtij shqetësimi: modelin e biznesit të korporatës dhe nivelin e llojin e përgjegjshmërisë që shoqërojnë pushtetin që zotëron pronari i saj.

Modeli i biznesit: kapitalizmi i vëzhgimit

Pesë korporatat më me vlerë në botën perëndimore: Apple, Alphabet (pronari i Google), Amazon, Microsoft dhe Facebook janë sipërmarrje digjitale. Nga këto, tre prej tyre, Apple, Amazon dhe Microsoft kanë, relativisht, modele konvencionale biznesi: prodhojnë të mira materiale, si dhe/ose shërbime, për të cilat ata që paguajnë janë konsumatorët; ndërsa dy të tjerat, Google dhe Facebook, ofrojnë shërbime që janë pa pagesë, në këmbim të së drejtës për të shfrytëzuar dhe monetarizuar informacionin personal të përdoruesit, po aq sa edhe për të gjurmuar të dhëna që kanë lidhje me të. Në këtë mënyrë, të dhënat e grumbulluara, të përpunuara dhe të grupuara, ofertohen te reklamues të mundshëm – klientët aktualë të kompanisë – ndërkohë që këta të fundit ndërtojnë strategjitë e tyre të reklamimit, duke zgjedhur te cili përdorues do e çojnë reklamën. Një filozofi e tillë përmblidhet shpesh me thënien: “Nëse shërbimi është pa pagesë, atëherë produkti jeni ju”.

Google dhe Facebook operojnë me ndihmën e asaj që ekonomistët e quajnë treg dy-kahesh: të ardhurat nga klientët (reklamuesit) në njërën anë, mbulojnë shpenzimet e përdoruesve në anën tjetër. Këto vitet e fundit është krijuar termi kapitalizmi i vëzhgimit, për të përshkruar këtë lloj model biznesi. Ndonëse Google dhe Facebook e portretizojnë vetveten si kompani teknologjike, më e saktë dhe korrekte është t’i referojmë si sipërmarrje nxjerrje dhe shfrytëzimi, njësoj si kompanitë e minierave dhe të karburanteve. Bizneset e minierave dhe të karburanteve kanë, si lëndë të parë, burimet natyrore të nëntokës, të cilat më pas i përpunojnë, procesojnë dhe shesin te konsumatori. Facebook dhe Google bëjnë diçka të ngjashme, por burimet që shfrytëzojnë, përpunojnë, procesojnë dhe monetarizojnë janë tërësisht digjitale: të dhënat gjenerohen nga gjurmimi i aktivitetit të përdoruesve në platformën e tyre.

Gjithsesi, ekziston një dallim rrënjësor ndërmjet sipërmarrjeve të minierave dhe naftës dhe dy gjigantëve të teknologjisë: ndërkohë që rezervat e burimeve natyrore janë, në vështrim të fundit, të kufizuara dhe shkojnë drejt mbarimit, rezervat e “burimeve” që shfrytëzojnë    Google dhe Facebook, parimisht, janë të pafundme, sepse janë krijuar mbi bazën e filozofisë që në gjuhën e industrisë quhet përfshirje e përdoruesit: për shembull, aktiviteti on-line i përdoruesit. Shkalla dhe volumi i kësaj përfshirjeje janë të paimagjinueshme: çdo minutë, në Facebook postohen 510 000 komente, 293 000 statuse dhe 136 000 foto.

Në këtë mënyrë, sa kohë që përfshirja e përdoruesve është ajo që prodhon të dhëna që monetarizohen, imperativi kryesor i këtij lloj modeli biznesi është rritja, në mënyrë të vazhdueshme, e përfshirjes. Në rrjedhojë, kompanitë ndërtojnë teknologji të mahnitshme dhe projektojnë instrumente që nxisin përdoruesit të shpenzojnë jo vetëm më shumë kohë në platformat e tyre, por edhe të përfshihen në mënyrë sa më aktive.

Pjesa më e madhe e funksionimit të këtyre pajisjeve mbështetet në hulumtimet rreth psikologjisë së sjelljes njerëzore, në mënyrë të ngjashme me filozofinë e ndërtimit dhe funksionimit të makinetave që gjenden në kazino. Për shembull, disa prej tyre krijojnë varësi, ndërkohë që të tjera shfrytëzojnë dobësitë e njerëzve në përdorimin e teknologjisë (për shembull, duke aktivizuar sistemin bazë të modelimit, si autoplay në rastin e videove, variant të cilin shumë përdorues nuk janë në gjendje ta ndërpresin dhe për këtë arsye e shohin deri në fund). Kompanitë ndërmarrin me mijëra eksperimente në ditë, në kohë reale, të tipit A/B, pra që kërkojnë të zgjedhësh ndërmjet dy varianteve kush është  më i miri, dhe që rrisin në mënyrë shumë efektive përfshirjen e përdoruesve. Në mënyrë metaforike, përdoruesit e rrjeteve sociale janë minjtë e pandërgjegjshëm në labirintet skinneriane (sipas emrit të shkencëtarit, B. F. Skinner), por shndërruar në të tillë për shkak të dëshirës e kënaqësisë së tyre dhe që për shumë studiues bëhet shkas për ta emërtuar median sociale si “ekonominë e dopaminës” (ndryshe, substancës përgjegjëse për transmetimin e sinjaleve nga një qelizë në tjetrën në trupin njerëzor).

Sa i takon kërkesave, për ne, si qenie humane, sjellja dhe përfshirja në aktivitete sociale luajnë një rol të rëndësishëm në funksionimin e makinerisë sonë. Në rrjedhojë, si qenie humane jemi subjekt i thjeshtë i një intervali të gjerë paragjykimesh, të cilat shfrytëzohen më së miri nga media sociale. Shembuj të mirënjohur janë paragjykimi konfirmues (tendenca për të kërkuar, interpretuar, fokusuar dhe kujtuar atë lloj informacioni që është në përputhje me gjykimet e vlerat që kemi) dhe deduksioni hiperbolik (tendenca për të preferuar më shumë atë që të shpërblen menjëherë, në çast, krahasuar me shpërblimin që mund të marrësh më vonë, që ndryshe njihet nga ne në formën e fjalës së urtë “Më mirë një vezë sot, se një pulë mot”). Nga pikëpamja e përfshirjes në aktivitete sociale, shembull i mirënjohur është homofilia (tendenca për t’u shoqërizuar dhe krijuar lidhje sociale me qenie njerëzore të ngjashme).

Por ajo për të cilën bota është zgjuar shumë vonë është të kuptuarit se gjendemi në vorbullën e një stuhie perfekte, krijuar nga sinkronizimi i një numër forcash të fuqishme: efekti i  rrjetit social, që ka çuar në emergjencën e monopolizimit global; modeli i biznesit të kapitalizmit të vëzhgimit, me kërkesën e pangopur për sa më shumë përfshirje të përdoruesve; zbatimi me shejtanllëk i psikologjisë së sjelljes për projektimin dhe ndërtimin e aplikimeve, shërbimeve dhe pajisjeve që krijojnë varësi; paragjykime konjitive, që janë pjesë e psikologjisë së qenieve humane; tendenca e fuqishme për të qenë pjesë e një grupi (që me shumë gjasë duhet të jetë trashëgimi e grupimeve të hershme sociale të qenieve njerëzore) dhe që ka çuar në krijimin e shoqërive digjitale on-line; si dhe shndërrimi i medias sociale në armë nga aktorët politikë.

Përmbajtja e gjeneruar nga përdoruesi, ose thika me dy presa

Në mesin e viteve 1990, kur interneti filloi të shndërrohej në modë të përgjithshme, u përshëndet si teknologjia që do të demokratizonte botën dhe do mund të nxirrte në pah anën e brendshme, kreative, të njerëzve. Por në vend që njerëzit e zakonshëm të ishin konsumatorë pasive të përmbajtjeve krijuar nga korporatat në këtë ekosistem, anashkaluan rojtarët e publikimeve të medieve analoge.

Mundësitë e “funksionimit të internetit” shprehen në mënyrë të shkëlqyer në librin The Wealth of Networks, me autor Yochai Benkler, studiues në Harvard, botuar më 2006. Ndonëse teknologjia përmbante (dhe e përmban) gjithë atë potencial të fuqishëm dhe demokratizues që portretizon aq bukur Benkler, në fakt, vetëm një pjesë relativisht e vogël e saj kishte gjetur përdorim në mënyra kreative. Por gjithçka ndryshoi me mbërritjen e Facebook dhe YouTube, dy shërbime që bënë më shumë se të thjeshtë që çdo përdorues të hidhte në rrjet përmbajtjen e tij. Sigurisht që pjesa më e madhe e kësaj përmbajtjeje duhet përshëndetur për larminë e bukurinë e saj (ndonëse një pjesë e mirë nuk do t’ia dijë fare për të drejtat e autorit), por që në fillimet e kësaj ere, për shumë nga ne u bë e qartë se platforma të ndryshme të medias sociale nuk ishin më shumë se një pasqyrë e natyrës njerëzore… dhe ajo që dukej në pasqyrë jo rrallë ishte e pakëndshme dhe e tmerrshme. Për më tepër, u konstatua se në shumë nga këto përmbajtje ekstreme ose problematike, numri i përdoruesve rritej nga dita në ditë, që përkthehet në gjenerimin e më shumë të dhënave të monetarizueshme për platformat në të cilat publikoheshin.

Reagimi i Facebook-ut ndaj këtyre konstatimeve fillimisht ishte shumë i thjeshtë: barrën e përgjegjësisë e ka përdoruesi, i cili mund të vendosë një shenjë të caktuar në se përmbajtja është problematike ose e papranueshme, gjë që do të thotë se pronari i platformës mund të ndërmarrë një rishikim a gjykim më të thelluar të saj. Kjo mënyrë rastësore të sjelli ndaj përmbajtjes, u konfirmua me ligj, falë “Section 230” të “US 1996 Communications Decency Act”, i cili e çliron pronarin e platformës që ofron shërbimin nga detyrimi ligjor për cilësinë e përmbajtjes që publikohet nga aktorë të ndryshëm. Por në dritën e shumë zhvillimeve të reja, si shndërrimi në armë i medias sociale nga aktorët politikë në vitet 2016 dhe 2017, zbulimi i rolit që shërbimi i Facebook kishte luajtur në spastrimin etnik në Mianmar dhe Sri Lanka, dështimit të vetë kompanisë në heqjen e përmbajtjeve që nxisin urrejtje dhe teori konspirative, si dhe të një vargu të gjatë skandalesh, kjo lloj sjelljeje “prej të lehti”, në vitin 2018 u bë e papranueshme dhe sot kompania po lufton – me efikasitet të dyshimtë – të frenojë abuzimet që shfaqen në platformën e saj, si dhe aftësojnë këdo të publikojë çfarë do dhe kur do.

Mostra e Zuckerbergut

Facebook-u i Zuckerberg-ut është një monstër. Por ndryshe nga Frankenstein, ai është akoma i dashuruar me krijesën e tij,  e cila e ka bërë më të pasur se Croesus dhe sundimtarin e padiskutueshëm të një perandorie me 2.2 miliardë përdorues. Akoma, kjo perandori vërtet i ka dhënë ndjesinë e madhe të pushtetit, por bashkë me të edhe të gjitha përgjegjësitë që rrjedhin prej tij. Për fat të keq, gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se krijesa po del jashtë kontrollit dhe se vetë ai është i shqetësuar për pushtetin në zotërim, ndërkohë që ka pak ide të mira se si duhet të heqë dorë nga një numër përgjegjësish që nuk është në gjendje t’i përmbushë.

Një ilustrim i mirë i sa më sipër gjendet në intervistën që shefi i Facebook ka dhënë për gazetaren e teknologjisë Kara Swisher në verën e vitit 2018. Biseda përfshin një gamë të gjerë argumentesh, por ne na interesojnë disa prej tyre, në të cilat vihet re paaftësia e Zuckerberg  për të rrokur shkallën e problemeve që ka hapur krijesa e tij për ne si shoqëri.

Njëra prej tyre dhe më e dukshmja është keqinformimi ose lajmet e rreme.

  • Qasja jonë ndaj lajmeve të rreme, – shprehet Zuckerberg, – nuk është të themi se ju nuk duhet të thoni diçka që është gabim. Mendoj se kjo do të ishte shumë ekstreme. Çdo njeri mund ta këtë gabim, dhe nëse do marrim shënim sa herë dikush shprehet gabim dhe kupton një a një tjetër gjë gabim, atëherë bota do të ishte e vështirë t’u jepte njerëzve zë dhe të shprehnin atë të për të cilën shqetësohen më shumë.

Në vijim, Swisher e pyeti rreth “Infowars”, një faqe me profil të lartë të djathtë, e cila ka në Facebook më shumë se 900 000 ndjekës, por që rregullisht poston lajme të rreme e teori konspirative, përfshirë pretendimin se goditja në masë në Sandy Hook nuk ka ndodhur kurrë. “Infowars” vazhdon të lulëzojë në Facebook, edhe pse Zuckerberg pranoi se pretendimi për Sandy Hook i kësaj faqe është i rremë. Pyetja q♪7 shtrohet është: Pse ndodh kjo? “Sepse çdo njeri mund të gabojë!”, apo për shkak të 900 000 ndjekësve të faqes? Swisher nuk ia drejtoi këtë pyetje, por investigimet e Kanalit 4 të një firme irlandeze për mënyrat e moderimit të përmbajtjeve të faqeve nga grupe të caktuara, tregonin se përmbajtja që vihet në pikëpyetje në faqet Facebook me numër të madh ndjekësish është e pamundur të fshihet a ndryshohet, edhe pse në një lagje të Dublinit mund të ketë përdorues të traumatizuar prej saj – në të kundërt, vendime të kësaj natyre i referohen dhe nënshtrohen gjykimit të rrjetit të rëndë të menaxhimit.

Gjithsesi, pjesa më e çuditshme në intervistën me Swisher ka lidhje me mohimin e Holokaustit – një temë që hapet nga vetë Zuckerberg:

  • Unë jam hebre dhe e di që janë një bashkësi njerëzish që mohojnë se Holokausti ka ndodhur ndonjëherë. Sigurisht që një gjë e tillë për mua është shumë fyese, por në fund të ditës nuk besoj se platforma jonë duhet t’i mbylli faqet e këtyre njerëzve, sepse mendoj që njerëz të ndryshëm mund t’i konceptojnë gjërat gabim. Nuk mendoj se e mendojnë qëllimisht gabim, por mendoj se është e vështirë të vësh në dyshim qëllimin dhe ta kuptosh qëllimin.

Nëse mendoni se këto deklarata janë të çuditshme, mirëserdhët në klub! Fillimisht mund të themi se Zuckerberg është një sociopath, i cili është në kërkim të sa më shumë përmbajtjeve (ose përdoruesve) – qofshin të dyshimta a banale, – por nëse kanë aftësinë të maksimizojnë përfshirjen (që do të thotë edhe të ardhurat) janë të mirëpritura, pavarësisht pasojave! Një konkluzion i dytë është se Facebook është, sot, aq i madh, sa pronari i saj e sheh veten si qeverisës, me të gjitha përgjegjësitë kuazi-kushtetuese për mbrojtjen e fjalës së lirë. Por është vetëm një iluzion: Facebook është kompani, jo demokraci! Së treti dhe më e mundshmja si mundësi, pronari i Facebook është trembur nga mundësia e të qenit nën akuzë se ka mbajtur anë në polarizimin histerik që ka çuar në zgrip politikën amerikane (në të vërtetë edhe atë britanike).

Duket sikur, papritmas, Zuckerberg është bërë i ndërgjegjshëm për monstrën që ka në zotërim. Sikundër shprehet Kevin Roose, gazetari i New York Times, çrregullimi në rritje i sjelljes së Zuckerberg mund të jetë simptomë e një pamje më të madhe: “Ai ka ndërtuar një kompani që ka gëlltitur gjithë komunikimin dhe median e pjesës më të madhe të botës. Ndërsa tani po shohim se si kërkon të shmanget nda drejtimi… Problemi me sundimin e botës është se duhet të qeveriset, por duket sikur ai nuk dëshiron ta bëjë një gjë të tillë”.

Në këtë rast, shtrohet pyetja: Kush do ta marr këtë rol?

Shkëputur nga libri: Anti-Social Media: The Impact on Journalism and Society

Përshtati në shqip: Valbona Nathanaili

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit