9.8 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Mbulesa e gruas myslimane dhe zelli patetik i injorantëve: Përgjigje ndaj Enver Robellit

Më të lexuarat

Justinian Topulli

Në vitin 2008, gazetari kosovar E. Robelli shkroi një artikull kundra shamisë së gruas myslimane, duke u futur në çështje tërësisht fetare, nga të cilat nuk merr vesh. Të njëjtin argumentim e përsërit në 2010-n në një tjetër shkrim, dhe tani për herë të tretë, përsërit po të njëjtën gjë. I vetmi dallim i kësaj here, është se tezën e tij diletante e kanë marrë përsipër ta riciklojnë gazeta të ndryshme, shumë më tepër se dy herët e para. Edhe në dy herët e para i kam dhënë përgjigje me shkrim amatorizmit të Robellit, por duket se ai jo vetëm që nuk ka ndërmend të tërhiqet nga injoranca e tij e shëmtuar, por këtë çështje e ka bërë pjesë të misionit të tij antifetar dhe antimysliman.
Shkurtimisht “argumentet” e Robellit janë:
· “Askund në Kuran nuk shkruan se gratë duhet të mbulojnë kokën, e lëre më fytyrën.”
· “Gruaja myslimane duhet të mbulojë kokën me hixhab (ḥiǧāb), domethënë me shami. Kështu thonë islamikët me agjendë politike, por edhe besimtarët tepër konservatorë ose naivë. Por në suren 33, vargu 59, hixhabi nuk përmendet fare. Përmendet xhilbabi, që dijetarët gjermanë e përkthejnë me «Gewand» apo «Überwurf», që i bie: një mbulesë, pelerinë për trup – që të mos shihen pjesët e turpshme, intime. Në shqip fjala xhilbab përkthehet si «shami», gjë që është e pasaktë, sepse për shami ekziston fjala hixhab.”
· “Në suren 24, vargu 31, u bëhet thirrje grave të mbulojnë gjoksin me pelerinë (arabisht: khimar). Në gjermanisht: «Und sag den gläubigen Frauen, sie sollen (…) ihre Tücher (chimâr) über ihre Busen ziehen». (Thoni grave besimtare të mbulojnë gjoksin me pelerina).”
· “Në disa përkthime shqip të Kuranit (në mos në të gjitha) gjoksi përkthehet me kraharor, i cili, sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, përshkruan pjesën nga qafa deri te barku. Gjermanët janë më precizë. Dhe kjo është e kuptueshme.”
· “Të kthehemi te çështja e sureve dhe te shamia. A po e vëreni mungesën e logjikës? Në dy suret e Kuranit, të cilave islamikët u referohen si burim i obligimit për bartjen e shamisë nga gratë, fjala shami (hixhab) nuk përmendet fare. Si është e mundur që zoti, për të cilin thuhet se e ka shpallur Kuranin përmes të dërguarit të tij, të përdorë dy shprehje krejtësisht të ndryshme për një gjë, një objekt? Nëse zoti do të kishte menduar shaminë do ta kishte thënë këtë qartë: hixhab (ḥiǧāb).”
Këto më lart janë pak a shumë “argumentet” e Robellit, me të cilat tenton të hedhë poshtë mbulesën e gruas myslimane. Këtu nuk po citoj retorikën e tij të pështirë ideologjike, majtiste e liberale, që shan dhe ofendon myslimanët si të prapambetur, si para mesjetarë, si fanatikë, si keqpërdorues të fesë për interesa politike etj., sepse ajo është pjesë e amatorizmit të tij, për të mbushur gropat e gjirizit të injorancës së tij të pështirë.
Para se t’i japim përgjigje këtyre broçkullave të këtij njeriu, më duhet të pohoj se feja islame bazohet tek Kurani dhe Tradita Profetike, por veç kësaj, ekziston edhe një burim i tretë që quhet konsensusi i dijetarëve myslimanë (ixhmai), që në fakt nuk është gjë tjetër, vetëm se konsensusi i interpretimit dhe të kuptuarit unik i dy burimeve të mëparshme, për çështje të caktuara të fesë.

Po e nis pikërisht nga kjo e treta çështjen e shamisë.
Dijetarët e Islamit, duke nisur që nga fillimet e Islamit e deri në ditët e sotme, janë të një mendimi, se mbulesa e trupit për gruan myslimane ku përfshihet edhe koka, është e detyruar të mbahet në publik dhe gjatë ritit të faljes. Këtë qëndrim kanë të katër shkollat juridike sunite: hanefi, maliki, shafi dhe hanbeli, madje edhe të tjera shkolla që nuk i përkasin drejtimit kryesor dominues të Islamit, atij suni. Kjo normë është trashëguar e tillë që nga koha e Profetit dhe deri në ditët tona. Përveç kësaj, mbulesa e gruas është një praktikë fetare shumë e hershme, e cila gjendet edhe në traditën fetare judaike dhe atë të krishterë, mjafton një rifreskim i memories rreth ikonografisë së krishterë, për të gjithë injorantët e kohëve moderne, për të kuptuar se të gjitha personazhet e shenjta të krishterimit, duke nisur nga Maria, nëna e Jezusit, e deri tek shenjtorja më e fundit, që të gjitha ishin gra të mbuluara me shami. Edhe sot e kësaj dite në kishën katolike dhe atë ortodokse, murgeshat respektojnë këtë normë fetare, e cila nuk ishte ekskluzive vetëm për to, por për të gjitha gratë e krishtera. Ky konsensus kaq i gjerë në këtë normë fetare dhe në praktikën shumëshekullore të besimtareve të këtyre feve, shihet qartë edhe në traditën dhe kulturën e mjaft popujve, ndërkohë që ishte epoka moderne, ajo që i hoqi masivisht gruas shaminë e kokës e më shumë se kaq, dhe e ktheu në normalitet zhveshjen.
Tani nëse i kthehemi Kuranit, e vërteta e padyshimtë është se detyrimi i shamisë për gratë myslimane është e sanksionuar në mënyrë eksplicite në të dhe në mënyrë tejet interesante, siç do ta shpjegojmë më poshtë. Kështu, në Kuran 24:31 thuhet:
“Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme. Le t’i mbulojnë kraharorët me mbulesat e tyre (të kokës) dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre, përveçse bashkëshortëve të tyre…” (përkthimi i Hasan Nahit, botim i A.I.I.T.C).
Fraza: “Le t’i mbulojnë kraharorët me mbulesat e tyre (të kokës)”- është fjalia që obligon vënien e shamisë për femrat në publik. Këtë frazë në mënyrë të ngjashme e ka përkthyer edhe Sherif Ahmeti. Fjala në arabisht e përdorur në këtë rast është khumur, shumësi i fjalës khimar që do të thotë mbulesë koke (apo vel) (shih: Muxhem el-Uesit, Lisanul Arab, …etj.) Ky është kuptimi i kësaj fjale në gjuhën arabe, kush dyshon, mund t’i kthehet fjalorëve klasikë të saj.

Robelli duke iu referuar përkthimit gjerman thotë për fjalën khimar se do të thotë pelerinë dhe jo shami. Kjo në fakt nuk është e saktë, por edhe nëse e pranojmë fjalën pelerinë, kjo është një pelerinë që hidhet mbi kokë dhe jo mbi shpatulla, siç aludon Robelli.
Ndërkohë që fjala Tücher që ai sjell si përkthim, është shumësi i fjalës Tuch në gjermanisht, që do të thotë: pëlhurë, stof, shami, vel, shall…, dhe kjo në varësi të kontekstit, ose përcaktimit që i bëhet kësaj fjale. Kështu që edhe përkthimi i Robellit nga gjermanishtja, në këtë rast si pelerinë, është krejt abuziv dhe i pasaktë.
Nëse shohim edhe në anglisht, në disa nga përkthimet më të mira, si ai i Abdullah Y. Aliut, pasazhi përkthehet kështu: “they should draw their veils over their bosoms”
Arthur John Arberry e përkthen: “and let them cast their veils over their bosoms”
Muhamed Asad (Leopold Weiss) e përkthen: “let them draw their head-coverings over their bosoms.”
Marmaduke William Pickthall e përkthen: “and to draw their veils over their bosoms,”
Ndërsa në italisht Hamza Roberto Piccardo e përkthen: “di lasciar scendere il loro velo fin sul petto”
Në të gjitha këto raste, fjala khimar përkthehet si vel dhe mbulesë koke, e nëse do të ishim zgjatur edhe me përkthime të tjera, të njëjtën gjë do të gjenim, meqë atyre në shqip, Robelli nuk ua ka besën. Kështu që pretendimi i Robellit, është thjesht një injorancë kryeneçe dhe e paskrupullt.

Ndërsa fjala që është përkthyer si kraharor në shqip dhe gjoks në anglisht dhe gjermanisht, në arabisht është xhujub, shumësi i fjalës xhejb, që në shqip do të thotë ekzaktësisht zgavër, xhep, dhe në arabisht përdoret si për hapjen e rrobës ku futet koka, ashtu edhe për xhepin ku mbajmë sendet personale. Kështu që edhe përkthimi gjerman me fjalën “gjoks”, që Robelli e mburr si më të saktë, është veçse një fjalë perifrazuese, që nuk gjendet fare literalisht në këtë ajet. Edhe përkthimet e tjera të njëjtën gjë bëjnë, nuk e përkthejnë fjalën xhejb, por në vend të saj vendosin një tjetër fjalë, që perifrazon qëllimin e fjalës xhejb në arabisht, që në këtë rast është kraharori, apo gjoksi. Për ta kuptuar pse është përdorur kjo fjalë në gjuhë të tjera, çoni nëpër mend një veshje pa mëngë, që ka tre të çara, një tek koka dhe dy tek krahët, ku të tria këto të çara në gjuhën arabe quhen xhejb-e. Pra kuptimi i ajetit thotë: le të mbulojnë me mbulesat e kokës (khumur) vendet e xhejb-eve dhe që në këtë rast i bie të mbulojnë hapjen e rrobës ku del qafa dhe vendet ku dalin krahët, sepse pikërisht këto janë vendet e trupit ku ndodhen xhejbe-t. Veç kësaj, xhejb është edhe zgavra, apo hapësira boshe që gjendet mes gjinjve, kështu që ky khimar që duhet të lëshohet nga koka, duhet të mbulojë pikërisht të gjitha këto zgavra, që tregon fjala xhejb në gjuhën arabe. Kështu që nga përkthyesit shqiptarë dhe jo vetëm, është parë më e përshtatshme që kuptimin e kësaj fjale që nënkupton këto vende, ta zëvendësojë fjala kraharor, sepse praktikisht një gjë e këtillë kërkohet nga ajeti në fjalë. Për ta pasur më të qartë këtë gjë, i kthehemi traditës islame dhe do të shohim se ajeti nuk flet drejtpërdrejt për mbulimin e kokës, pasi gratë myslimane e mbulonin kokën, por ato i lëshonin shamitë pas shpine dhe kështu mbeteshin të zbuluara disa pjesë përpara, për të cilat Zoti i urdhëroi që t’i mbulonin, duke lëshuar shaminë e kokës përpara, pra mbi kraharor. (shih: Komenti i Kuranit nga Ibn Kethiri, Komenti i Eth-thalebiut,..etj.) Pra, këtu nuk bëhet fjalë për çfarëdolloj mbulimi, por për shaminë e kokës që lëshohet mbi kraharor.
Ajo që e përforcon më tepër këtë, është edhe shprehja e mëpasme, ku Zoti thotë: “të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme.”

Fjala “stoli” e përdorur këtu në gjuhën arabe është ziine, që ka kuptimin e një zbukurimi të jashtëm dhe jo atij trupor, siç janë p.sh. vathët që vendosen në vesh dhe varëset që vendosen në qafë. Natyrisht, këtu nuk kihet për qëllim mos ekspozimi i vetë këtyre stolive, por mos ekspozimi i vendeve të trupit ku ato vendosen, kështu që këtu është përdorur kuptimi metonimik për të shprehur objektin për të cilin flitet, një zhanër letrar ky mjaft i përdorur në gjuhën arabe, sidomos në atë klasike, siç është gjuha e Kuranit. Pra, ajeti thotë se nuk duhet të shfaqen qafa dhe veshët, dhe këto padyshim mund të mbulohen vetëm se nga shamia e kokës (khimar), që lëshohet përpara mbi kraharor. Kurse shprehja që vjen më pas “përveç atyre që janë të dukshme” është komentuar nga një pjesë e autoriteteve të hershme të Islamit, nga shokët e Profetit, si fytyra dhe duart.

 

Por përsëri dikush mund të pyesë, se pse mbulimi i kokës nuk thuhet drejtpërdrejt në Kuran?
E përsërisim duke thënë se: kjo pyetje lind nga fakti që sot dominon mosmbulimi i kokës, ndërkohë që dikur ka qenë e kundërta. Për këtë arsye, pohimi i drejtpërdrejtë nuk ka qenë aspak i nevojshëm, pasi shamia ishte një praktikë e përhapur dhe urdhërimi për mbajtjen e saj, do të ishte njëlloj si t’iu kërkosh sot njerëzve, të mos dalin lakuriq në rrugë. Për këtë shkak, ajetet e sipërpërmendura shprehin atë që mungon në praktikat e tyre në lidhje me shaminë, duke nënkuptuar se shamia e kokës është pjesë e urdhrit. Pra, Zoti në Kuran kërkon që gratë me shamitë e kokës të mbulonin kraharorin e tyre, dhe tregon mënyrën se si duhej bërë ky mbulim, pikërisht me anë të shamive të kokës, që ato i mbanin tashmë.
Ndërsa në Kuran 33:59 thuhet: “O Profet, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit.”
Fjala e përdorur këtu për mbulesën është fjala arabe xhelabib, shumësi i fjalës xhilbab, që do të thotë pelerinë apo mantel i gjerë, që përdoret nga gratë për të mbuluar gjithë trupin. Ky mantel vendoset mbi kokë dhe derdhet mbi gjithë trupin. Në këtë ajet bëhet fjalë për një rrobë tjetër, dhe në të dyja rastet kihet për qëllim mbulimi i trupit, duke filluar që nga koka. Ajeti në këtë rast identifikon një mbulim shtesë, mbi atë që identifikon ajeti i mësipërm. Ndërkohë, Robelli edhe kësaj here, edhe këtë fjalë e përkthen si pelerinë, dhe harron se edhe fjalën khimar, kështu e përkthen, edhe pse janë fjalë të ndryshme.
Një tjetër gabim, apo më saktë tjetër shfaqje e injorancës së Robellit, është edhe përkthimi i termit hixhab si shami. Në gjuhën arabe fjala hixhab do të thotë mbulim, pengesë për të parë diçka, e papërcaktuar se çfarë mund të jetë kjo, copë, pëlhurë, mur, veshje, dritë, perde…etj., pra çdo lloj pengese. Në Kuran kjo fjalë është përdorur katër herë (7:46, 33: 53, 41: 5, 41: 51) dhe në të gjitha rastet me kuptimin e pengesës fizike. Por ajo që na intereson këtu, është ajeti në suren 33: 53, ku flitet se si myslimanët duhet të sillen me gratë e Profetit dhe ku thuhet:
“E kur të kërkoni diçka prej tyre (grave të Profetit), kërkojeni pas perdes, sepse kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe për zemrat e tyre!”
Fjala perde këtu, është fjala hixhab në origjinalin arabisht, që mund të përkthehet edhe si pengesë, çfarëdo qoftë ajo pengesë. Tani pikërisht nga kjo fjalë dhe ky ajet është marrë edhe termi hixhab për mbulesën islame të femrës në tërësi, që do të thotë në thelb, një mjet pengues për shikimin e saj nga meshkujt e huaj dhe që më specifikisht është veshja e saj. Duke qenë se ky ajet nënkupton mos shikimin as të fytyrës, një pjesë e dijetarëve islamë nënkuptojnë me termin hixhab, jo vetëm mbulimin e trupit, por edhe të fytyrës. Por gjithsesi, kjo ka qenë një çështje e debatuar mes tyre, nëse mbulimi i fytyrës është obligim, siç është pjesa tjetër e trupit, apo ajo lejohet të ekspozohet në publik. Kështu, nga kjo bëhet e qartë se hixhab nuk do të thotë shami, siç thotë Robelli, edhe pse ai është term që përfshin shaminë e kokës dhe çdo gjë tjetër që përmbush mbulimin e trupit të femrës dhe pengon shikimin e mashkullit të huaj mbi të.

 

Pra, për të njohur kuptimin e saktë dhe të drejtë të pasazheve kuranore, është e domosdoshme njohja e gjuhës klasike arabe, si dhe konteksti shoqëror kur Kurani zbriti, gjë e cila mund të njihet vetëm duke njohur Traditën Profetike dhe traditën e trashëguar historike të asaj periudhe.
Për sa i përket udhëzimit profetik, atij të detyruar për t’u zbatuar nga besimtarët, do të ndalemi vetëm tek njëri prej tyre, i cili është pikërisht pohimi që Profeti i Zotit (paqja qoftë mbi të) i bëri Esmasë, vajzës së Ebu Bekrit, shokut të tij më të ngushtë, kur e pa atë të veshur me një rrobë, e cila nuk e mbulonte mirë atë. Ai i tha asaj: “O Esma! Gruas nuk i lejohet, pasi mbush pubertetin, t’i shihen vetëm se kjo dhe këto, – dhe Profeti bëri me shenjë nga fytyra dhe pëllëmbët e duarve.” (Sunen Ebu Daud nr. 4104).
Kështu pra, shamia apo mbulimi i kokës dhe i trupit të gruas myslimane, është pjesë e padiskutueshme dhe e pandryshueshme e fesë islame. Kjo normë e kthyer gjithashtu edhe në traditë kulturore, është konfirmuar dhe sanksionuar nga të gjitha burimet normative islame. Si e tillë, kjo normë është ruajtur gjatë gjithë kohës në mesin e myslimanëve.
Tani pyetja që lind është: pse e ka obliguar Zoti mbulesën për gruan? A nuk është kjo një formë diskriminimi, apo nënshtrimi e gruas ndaj burrit?
Së pari, ky është urdhër i Zotit dhe një besimtari nuk i takon ta vërë atë në diskutim, mjafton që është urdhër i Tij dhe pikë. Dhe obligimet islame, mes tyre edhe mbulesa, janë një lloj testi për ne, krahas sprovave të tjera, se a do t’i bindemi Allahut, apo jo. Është një provim se a do të mundemi ne, që për hatër të besimit dhe për të fituar dashurinë e Allahut, të mos e marrim parësore botën, njerëzit e saj dhe opinionet e tyre. Allahu në shkëmbim të kësaj sprove të vogël, na dhuron bekimin dhe mëshirën e Tij të pakufishme, na dhuron Xhenetin e amshuar, na dhuron lumturinë e përjetshme. Dhe jemi ne, ata që kemi nevojë për to, dhe jo Ai. Besimi, krahas vendit kryesor dhe madhor që ka në zemër, është praktikë dhe reflektim i jashtëm, ndaj në Islam nuk ka ndarje mes tyre.
Së dyti, këndvështrimet liberale feministe që janë sot në modë, që e etiketojnë mbulesën si diskriminim, shtypje, skllavërim, varësi… etj., janë thjesht dokrra dhe interpretime, apo konstruksione ideologjike me prapavijë moderniste, feministe, majtiste, marksiste, progresiste …etj., që tentojnë të zhvlerësojnë obligimin e kësaj norme fetare në sytë e myslimanëve.

 

Së treti, arsyeja pse Zoti e bëri obligim, ka lidhje me një urtësi ose më shumë, të cilën ne si njerëz mund ta kuptojmë, ose deduktojmë nga fjalët e Tij dhe përvoja jonë njerëzore. Mbulesa islame, krahas normave të tjera të fesë, e bën femrën myslimane më të përmbushur shpirtërisht dhe më të barabartë shoqërisht me mashkullin në prezencën e saj publike. Mbulesa e privatizon seksualitetin e femrës dhe nuk e bën atë element tërheqës për meshkujt e huaj. Një femër e mbuluar mbron veten e saj nga çdo joshje e mundshme, që natyrshëm mund t’i lindë një mashkulli të huaj, për ta parë atë si një objekt të kënaqësisë së tij seksuale, qoftë edhe vetëm me vështrimin e tij. Profeti ynë na ka treguar se edhe sytë dhe veshët bien në pozita të një lloj imoraliteti seksual, nga i cili njerëzit nuk mund të shmangen dot. Kura më e mirë për këtë, padyshim është edhe mbulesa e femrës, sepse ajo për nga natyra, forma fizike dhe pamja që i ka dhënë Zoti, është më e hijshme dhe më tërheqëse sesa mashkulli, kështu që mbulesa e vë atë në këtë aspekt, në kushte të barabarta me të, duke i imponuar kështu mashkullit respekt dhe trajtim të njëjtë, larg joshjes fizike dhe e vendos planin e kontaktit mes tyre mbi baza më racionale dhe më pak emocionale e seksuale.

 

Shamia dhe mbulesa islame e femrës, është bindje dhe adhurim ndaj Zotit, devotshmëri dhe demonstrim i thjeshtësisë njerëzore para Tij, shenjë e dinjitetit, fisnikërisë dhe individualitetit të saj, simbol i identitetit të saj gjinor si dhe krenari e identitetit që i jep Islami.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit