15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Mbi 2000 fjalë rrena për financimin e ISIS-it nga Lazarati

Më të lexuarat

Halucinacionet e “Daily Mirror” për 50 të vrarë në Lazarat dhe “lumi” që hedhin për të na etiketuar si idhtarë të ISIS. Për ta bërë artikullin të “besueshëm” merren si specialistë ish-agjentë maqedonas.

Në Lazarat gjatë ndërhyrjes së policisë në vitin 2014, janë vrarë 50 persona. Këtë lajm “bombë” e zbuloi gazeta britanike “Daily Mirror”, që ka habitur jo pak në shkrimin e djeshëm që mund ta kenë lexuar mijëra njerëz.

“Kur ‘Sunday People’ u bë media e parë perëndimore që shkeli në Lazarat, pas masakrës së përgjakshme të 2014-ës, gjatë të cilës u vranë 50 persona, banorët vendës thonë që jetët e tyre janë kthyer në ferr prej ekstremistëve që rekrutojnë burra vendës”.

Kështu shkruan ndër të tjera “Daily Mirror”, ku është aq shumë larg të së vërtetës sa mashtrimi i kapërcen fantazitë e çdo përmase, sepse gjatë ndërhyrjes së policisë në Lazarat, nuk pati asnjë të vrarë. Vetëm një i plagosur në këmbë ishte bilanci i atij operacioni të gjatë, që bllokoi tonelata hashash dhe armë, por pa asnjë viktimë.

Gazeta britanike ishte nisur për të treguar se ISIS ka kontroll të plotë mbi kanabisin e mbjellë në Shqipëri dhe të ardhurat nga trafiku i drogës kalojnë për llogari të organizatës terroriste. Droga nga Shqipëria shkon në Itali, dhe mafia italiane e trafikon më tej drejt vendeve të Evropës, përfshirë edhe Britaninë.

“Avionët privatë dhe anijet dërgojnë te bosët e drogës në Itali prodhimin me vlerë 4 miliardë dollarë dhe këta të fundit e shpërndajnë atë në Evropë”, -shkruan “Daily Mirror”.

Si ekspertët të sigurisë për këtë “ide” të tyren, kanë marrë dr. Marjan Nikollovski i cili thotë se ISIS i hyri kësaj tregtie të leverdishme pasi shërbimet e sigurisë në Shqipëri ndërhynë ushtarakisht në selinë e mafies shqiptare në fshatin kodrinor të Lazaratit.

“Operacioni jo vetëm që nuk i dha fund kultivimit të kanabisit, por operacioni policor i vitit 2014 hapi rrugën për ekstremistët që të merrnin kontrollin. Ata tashmë rekrutojnë në atë zonë, shpesh nga vetë radhët e mafies”, -është shprehur ai.

Autorët e këtij shkrimi janë dy gazetarët Allan Hall dhe Dan Warburton, që vështirë të kenë shkelur në Lazarat, e nëse kanë bërë ndonjë xhiro asaj ane, mund të kenë shpikur nën halucinacione psikotrope se janë vrarë 50 njerëz.

Po më shumë se një lajm krejt të pavërtetë për Shqipërinë, javët e fundit ka pasur tendencë për ta renditur vendin tonë dhe Kosovën si zonat më problematike, që nuk kanë asnjë lidhje me perëndimin, por “sytë e tyre” janë drejtuar nga ekstremizmi islamik.

Veçanërisht shërbimet sekrete në Rusi, Serbi e Maqedoni, por edhe media të kontrolluara prej tyre, tentojnë t’i japin një pamje më se të zymtë Shqipërisë dhe Kosovës, duke e konsideruar këtë pjesë të Ballkanit si vende të pasigurta, ku ka shtrirë rrënjët thellë organizata terroriste ISIS.

Lufta nuk bëhet vetëm me armë, por më shumë i kanë mëshuar “penës” që ndonëse shpesh tregojnë të pavërteta, në fund diçka mbetet për t’i dhënë një tjetër tregues negativ Shqipërisë dhe Kosovës në imazhin ndërkombëtar.

Këtë “grep” mund të kenë kapërdirë edhe vende të ndryshme perëndimore.

Ka habitur jo pak edhe një reportazh i RAI Uno i bërë disa ditë më parë në Shkodër, ku sipas tyre shiteshin kallashnikovë, granata e armë të tjera të prodhimit të vjetër Jugosllav për 500-600 euro dhe më pas ato kalonin për t’u përdorur nga terroristët, që kryen sulme në Francë dhe rrezikonin edhe Italinë.

Armët e vjetruara kallashnikovë, që kanë që nga viti 1997 që qëndrojnë në kasollet apo sëndukët e disa personave, janë shkërmoqur aq shumë, sa vështirë t’i mbajë kush në duar për të luftuar në Siri, Irak, apo akoma më rëndë për t’u përdorur nga sulme tepër të organizuara të strukturat terroriste.

Gjithashtu një tjetër reportazh ishte për zonën e Cërrikut, ku gati e kthyen në vendin ku “lindte ushtarë” për ISIS.

Gazeta “La Stampa” në Itali i dha hapësirë të madhe reportazhit të bërë në qytezën e Cërrikut. Sipas autorit të artikullit, ky qytet është porta hyrëse në galaksinë e predikuesve xhihadistë shqiptarë që vazhdojnë aplikimin e sheriatit në Ballkan, dhe në bregdetin e Adriatikut.

Kosova mbetet vendi ku dhjetëra media të ndryshme kanë ndalur frymën për të gjetur “rrënjët” e luftëtarëve të ISIS.

Përveç “llumit” që na hedhin të tjerët, ka edhe një “vetë-llomosje” (krejt pa qëllim) edhe të medias në Shqipëri, ku i japin hapësirë çdo fjale të thënë nga personat e arrestuar për terrorizëm që ndodhen në burg.

Mes tyre janë imamët e vetëshpallur Genc Balla, Bujar Hysa dhe shtatë të tjerë, që pas dy vitesh qëndrim në qeli, nën survejim e rreptë të gardianëve, daljen para gjykatës e kanë si vendin ku shfryjë dufin edhe nxjerrin gjithçka nga goja, edhe si të dëshpëruar.

Duke iu rikthyer artikullit më të fundit të “Daily Mirror” mbi Lazaratin, shkruajnë që plantacionet me kanabis kontrollohen nga drejtues të ISIS, por nëse do ishin thelluar ca më shumë, do e kuptonin se shumica e atyre që u morën kultivimin dhe shitjen e kanabisit, paratë e fituara i shpenzuan kryesisht në ngritje vilash, blerje të makinave të shtrenjta, pushime të gjata në bregdet, jetë luksi, e madje një shumë e majme ka mbetur edhe në kazinotë e mbarë Shqipërisë/Mapo.al/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit