Mbappe do t’i dhurojë për bamirësi paratë e fituara në Kampionatin Botëror

0
168

Sensacioni francez, Kylian Mbappe, do t’i dhurojë të gjitha paratë e fituara në Kampionatin Botëror për një organizatë bamirëse, e cila merret me evenimente sportive për fëmijët e sëmurë dhe ata me aftësi të kufizuara.

19-vjeçari ka fituar rreth 19.119 euro për ndeshje, si dhe një bonus prej 300.070 eurosh për triumfin e Francës në ‘Rusia 2018’.

Si 19-vjeçar, Kylian Mbappe u shpall kampion bote (Foto: Getty Images)

Kështu, Mbappe ka përfituar në total afro 428.700 euro gjatë turneut më të madh botëror të futbollit.

Ndërsa, sipas L’Equipe, të gjitha paratë e fituara në këtë turne nga futbollisti i ri do të dhurohen organizatës bamirëse, Premiers de Cordee.

Menaxheri i përgjithshëm i asaj organizate, Sebastien Ruffin, gjatë një interviste për Le Parisien, e ka quajtur Mbappen një person të shkëlqyer.

“Kur ka kohë, ai vjen me kënaqësi për të na ndihmuar. Ka raporte shumë të mira me fëmijët, gjithmonë i gjen fjalët e duhura për t’i inkurajuar ata”.

“Nganjëherë më duke se më shumë kënaqet ai kur luan me fëmijët, sesa vet fëmijët që u jepet mundësia të luajnë me të”, është shprehur Ruffin.

Kylian Mbappe shënoi në finale (Foto: Getty Images)

Mbappe u zgjodh lojtari i ri më i mirë në ‘Rusia 2018’, ku i shënoi katër gola, duke përfshirë edhe golin e realizuar në finale, me të cilin hyri në histori si tinejxheri që shënon në finale pas Peles në vitin 1958.

Mbappe është futbollisti i dytë më i shtrenjtë në histori (pas Neymarit), ndërsa ai ka lindur dhe është rritur në paralagjen e varfër parisiene, Bondy.