8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Mbahet tryeza “Dialogu Kosovë-Serbi pas Samitit të Berlinit”

Më të lexuarat

Në një tryezë të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ku u diskutua për dialogun “Kosovë-Serbi pas Samitit të Berlinit”, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet kanë hedhur poshtë mundësinë që Kosova dhe Serbia mund të gjejnë zgjidhje nëpërmjet ndryshimit të kufijve.

Haradinaj tha se për të është shumë e vështirë që në kohën kur merr pjesë në përvjetorë të masakrave të shumta që kanë ndodhur në Kosovë nga shteti serb, për pak orë pas tyre, të ulet me presidentin serb Vuçiç pa pasur asnjë kusht për dialog.

Ai tha se e kanë gabim të gjithë ata që thonë se duhet hequr taksa për të vazhduar dialogu me Serbinë, përfshirë Washingtonin, por edhe evropianët.

“Është gabim pozicioni edhe i Washingtonit edhe i evropianëve, edhe i Berlinit edhe i Parisit për të vazhduar dialogu me Serbinë ta pranojmë kushtin për heqjen e tarifës. Kujt t’i vihet kushte? Kryetarit të Qeverisë që vjen prej Mejës? Domethënë me 27-tin ka qenë Masakra e Mejës (përvjetori), unë prej Mejës kam shkuar më 29-tin në Berlin jam ulur përballë Vuçiçit për dialog”, tha Haradinaj, i cili shtoi se nuk mund t’i pranojë kushtet e Serbisë, kur kjo e fundit nuk i pranon krimet e saj në Kosovë.

Sa i përket idesë së korrigjimit të kufijve, Haradinaj tha se të gjithë ata që e përkrahin një ide të tillë e dinë se me të arrihet lufta. “Ju siguroj që kushdo që thotë se përmes lëvizjes së kufijve ose rikorrigjimit të kufijve arrihet paqja, e din që arrihet lufta. Arrihen tragjeditë. Pra, këta që propozojnë marrëveshje me kufij, me qëllim janë duke e bërë për ta futur Ballkanin në jostabilitet edhe për minimum dy dekada”, tha Haradinaj.

Kundër ndryshimit të kufijve është shprehur edhe i ftuari i dytë në këtë takim, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet, për të cilin një gjë e tillë do të sillte kërcënim serioz për stabilitetin në rajon.

“Ndryshimi i kufijve nuk funksionon. Jemi shumë të lumtur që në takimin në Berlin nuk u fol për një opsion të tillë. Në fakt, ne nuk kemi ndonjë shembull historik kur ndryshimi i kufijve me shkëmbime territoresh ka sjellë paqe dhe normalizim midis palëve. Konflikti do të qëndronte i gjallë edhe pas ndryshimit të kufijve dhe ndoshta do të komplikohej edhe më shumë. Në veçanti në Ballkan ndryshimi i kufijve do të konsistonte me një kërcënim serioz të stabilitetit rajonal”, tha Lebet.

Kryetari i Partisë Progresive Demokratike në Kosovë, Nenad Rashiq, shprehi shqetësim për mospjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Sa i përket korrigjimit të kufijve, sipas Rashiqit, “ai nuk është i mirë as për serbët e jugut as për ata në veri”./AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit