6.6 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Maskarada e “ithtarëve të demokracisë” ndaj puçit ushtarak në Turqi

Më të lexuarat

Nga Bujar M. Hoxha

Qejfmbetja duket hapur, dëshpërimi lexohet në sy e perceptohet në zërat e dridhur: si na shpëtoi dhe këtë radhë?

Ku dreqin u djallos ky puç, ku u gabua, ku gjërat nuk shkuan siç duhet? Erdogani tani duhet të na kishte lënë shëndenë!

Një artikull në mediat botërore në mesin e muajit të shkuar ishte preludi i asaj që do të ndodhte. “Si e zgjidhni një problem si Erdogani?” pyetej në titull, duke i lënë në vijim rrugën hapur çdo zgjidhjeje…

Fatkeqësisht, puçi brenda Turqisë dështoi. Mori fund turpshëm, jo sepse ishte i organizuar keq, por sepse populli turk e shpërbleu me qëndresën e paguar me gjak gjithçka kishte bërë Erdogani për vatanin e tyre.

Dështoi sepse të paktë janë turqit që e tradhtojnë vendin e tyre, të paktë janë ata që e shesin për pesë para nderin e tyre.

Tradhtarët janë kudo njëlloj, të damkosur përjetë me vulën e turpit!

Me puçin nisnin grahmat e fundit të një strukture të pazëshme në sipërfaqe, por që tërbimin e kishte të papërmbajtur brenda saj. Një tërbim që do t’i shtynte mijëra ushtarakë, burokratë, edukatorë, e kushedi çfarë, t’i tradhtonin interesat e vendit të tyre.

Me mbarimin e këtij puçi ka nisur një tjetër, tashmë jashtë kufijve, në nivel global.

Një stuhi deklaratash politike, mashtrimesh mediatike, shpifjesh ndaj kryetarit të shtetit turk, ka shpërthyer papërmbajtshëm.

“Ithtarët e demokracisë” i kujtojnë Turqisë shtetin ligjor, të drejtat njerëzore, se nuk duhet të bëjë spastrime, se për të nuk ka ndryshe vend në BE! Gjithfarë marrëzish!

Jo, as mos e çoni në mendje dënimin me vdekje!

Puçi është organizuar nga Erdogani për ta forcuar pushtetin e tij!

Listat e ndalimeve janë të parapërgatitura!

Shihni ku jeton “sulltani” me të shoqen!

Deri në fund të vitit nuk ka liberalizim vizash për Turqinë për shkak të shtypjes së puçit!

Janë këto fjalë të nxjerra nga autoritete që nuk kanë një fije turpi, që as u ha meraku për qindra të vrarë nga duar tradhtarësh.

Janë tituj e paragrafe artikujsh të pështirë, të plasur si ujërat e zeza nga mos, nga media botërore që për maskë kanë mbrojtjen e lirive e të demokracisë, por nga të cilat nuk pret gjë tjetër veç ligësisë…

Tre vite më parë, po në korrik, një bukëshkalë me emrin Abdulfettah es-Sisi e rrëzoi nga pushteti të parin president egjiptian të zgjedhur nga populli. Një puç i pastër ushtarak, i shoqëruar me mizori të pafundme. Vrasje, rrëmbime, tortura, gjithçka duhej për t’u shtypur kokën mbështetësve të Muhammed Mursit.

I zgjedhur demokratikisht, me vetëm një vit në pushtet, Mursi u akuzua për çdo gjë. “Ithtarët e demokracisë”, që nuk i zë gjumi natën për ligj e drejtësi, as nxorën zë për këtë marrje të pushtetit me dhunë.

Mursi u mor peng, u arrestua, e mes morive të gjyqeve ndaj tij u dënua dhe me vdekje! Ashtu siç u dënuan dhe vijojnë të dënohen me qindra përkrahës të ish-presidentit të zgjedhur me votë të lirë e të hequr zvarrë prej duar puçistësh.

Një raport i dalë së fundi flet për mijëra të zhdukur në vendin ku puçistët janë ulur në karrigen e pushtetit me pëlqimin e “mbajtësve të flamurit të demokracisë, të rendit ligjor e të drejtave njerëzore”.

U izolua Sisi për gjëmën që bëri, për dënimet me vdekje, për shtypjen e mijëra të pafajshmëve, që si faj të vetëm kishin mbështetjen për një president të zgjedhur me votën e lirë? Jo! As mos guxoni ta mendoni!

Përkundrazi, atij do t’i hapeshin dyert. Dy vite më parë pritet me të tëra nderimet në Itali e Francë. E njëjta pritje i rezervohet në Gjermani në fillim të verës së vitit të shkuar.

Për puçin ushtarak, për dënimin me vdekje të presidentit legjitim e të qindra të tjerëve, për shtypjen me dhunë të protestave e për vrasjen e qindra protestuesve, për zhdukjen e torturimin e mijëra egjiptianëve, vjen dhe… ndëshkimi ndërkombëtar? Ç’është ajo fjalë! E kundërta, vjen shpërblimi: tetë miliardë euro kontratë mes Egjiptit dhe gjigandit Siemens! Ky është vetëm një fakt i maskaradës së sotme ndaj Turqisë.

Es-Sisit puçist i falet çdo gjë, i hapen dyert, i bëhen pritje madhështore, e shpërblehet me miliarda për mizoritë e tij. Të njëjtët demagogë i kujtojnë Erdoganit, që vetëm paracaktimi i Zotit e shpëtoi gjallë, që të mos guxojë të kthejë dënimin me vdekje, të mos guxojë ta spastrojë vendin nga tradhtarët!

Standard i dyfishtë? Standard i shumëfishtë nga njerëz që nuk e duan nëpër këmbë Erdoganin, nuk e duan nëpër këmbë një Turqi të mëvetësishme. Prandaj këlthasin për respektim të shtetit ligjor e të drejtave kushtetuese, krejt ndryshe nga ç’vepruan me puçin egjiptian.

Mos kujtoni se kjo valë goditjeje ndaj Erdoganit e ndaj organeve legjitime të Turqisë do të ndalet. Ky është puçi i vërtetë, kjo është maskarada!

Publikuar më parë te portali tesheshi.com

Observer.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit