Marrin mësim nga hajnia

0
52

Hajnia në Dhomën e Dëshmive në vitin 2009, ka bërë që Policia e Kosovës, të gjejë një mënyrë shumë praktike të ruajtjes së drogave që në aksione të ndryshme i konfiskon.
Policia e Kosovës nuk ka më besim se gjithçka që konfiskon në aksionet që ndërmerr, ta lërë në Dhomën e Dëshmive. Të paktën jo drogën, të cilën për gjashtë muajt e këtij viti, e ka konfiskuar me bollëk.
Vetëm për këtë kohë, policia ka arritur të sekuestrojë një sasi të madhe të drogave të ndryshme, në 285 aksionet që ka ndërmarrë, shkruan express. Tash droga e mbledhur, sapo të kryhen procedurat e para të rastit, shkatërrohet menjëherë.
Kjo bëhet me vendim të prokurorit të Shtetit dhe Gjykatës Supreme. Krejt ky ndryshim i procedurave, ka ndodhur pas vitit 2009, vjedhjes së njohur të provave në Dhomën e Dëshmive. Për të kryer hetimet, policia ndal vetëm mostrat, ndërsa pjesa e tjetër e drogave të konfiskuara, shkatërrohet komplet.
Por meqë vjedhjet janë bërë pak si të shpeshta, atëherë zyrtarët e policisë, as mostrat nuk kanë besim t’i ruajnë në Dhomën e Dëshmive. Tash ato ruhen në Drejtorinë Kundër Drogave, nën një siguri të lartë.
Bahri Shala, drejtor Kundër Drogave në Policinë e Kosovës konfirmon për Express se lëndët narkotike që konfiskohen, nuk i ruajnë më si më parë, por ato shkatërrohen./Indeksonline/kohaislame