9.3 C
Pristina
Saturday, March 30, 2024

Marrëveshje me diktatorët – Si e ka mbështetur Gjermania Sirinë

Më të lexuarat

Para pak vitesh e ardhmja e Asadit dukej e sigurtë. Për një kohë të gjatë, shumë shtete e toleruan atë. Edhe Gjermania ka bashkëpunuar me regjimin e Asadit në disa fusha.

Nga janari i vitit 2012 qëndron e mbyllur ambasada gjermane në Damask. Bashkëpunimi për zhvillim me qeverinë siriane është mbyllur nga maji i vitit 2011. Nga kjo kohë veprojnë edhe sanksionet e ashpërsuara kundër Sirisë, për shkak të luftës qytetare dhe veprimeve të pushtetmbajtësit sirian, Bashar al-Asad kundër opozitës. Por pikërisht me këtë diktator, Gjermania ka bashkëpunuar në vitet 2000 në disa fusha. Gerhard Schröder ishte kancelari i parë gjerman që vizitoi Sirinë në tetor të vitit 2000. Pas zgjidhjes së një problemi me huatë e vjetra, u aktivizua rishtazi bashkëpunimi për zhvillim me Sirinë. Rolin kryesor e kanë luajtur gjithmonë aspekte të politikës së sigurisë dhe ato gjeostrategjike.

Bashkëpunimi i shërbimeve sekrete
Pas atentateve të 11 shtatorit 2001 në krye të këtij bashkëpunimi zuri vend politika e sigurisë në luftë kundër terrorizmit. Në vitin 2002 Frank Walter Steinmeier, asokohe drejtues i kabinetit të kancelarit Schröder, më vonë ministër i Jashtëm e sot kryetar i grupit parlamentar socialdemokrat dha miratimin për bashkëpunimin e autoriteteve gjermane të sigurisë me shërbimin sekret sirian. Megjithëse dokumente të Ministrisë së Jashtme gjermane vërtetonin torturën sistematike në Siri.
Schröder takohet me Asad në Damask (tetor 2000) Kancelari Schröder takohet me Asad në Damask (tetor 2000)
Në të njëjtin vit u mor në pyetje qytetari gjermano-sirian, Mohamad Zamar nga autoritetet gjermane. Si shpërblim për informatat u liruan dy spiunë sirianë në burgjet gjermane. Qeveria gjermane u akuzua se po shkel me ndërgjegje rregullin e ndalimit të torturës. Ndërkohë firmat gjermane si Siemens apo Trovicor kanë furnizuar Sirinë me teknologji përgjimi, e cila mundëson kontrollin e plotë të internetit dhe telekomunikacionit.

Roli kyç i Sirisë në konfliktin e Lindjes së Mesme
Politika gjermane u distancua nga Damasku kur presidenti i atëhershëm amerikan, George. W. Bush e cilësoi Sirinë në vitin 2003 së bashku me Iranin në shtetet që përbënin “boshtin e së keqes”. Bush akuzoi qeverinë siriane se mbështet radikalistët shiit dhe Hizbollahun në Liban, si edhe Hamasin në Rripin e Gazës. Aleanca e Sirisë me Iranin ishte për Bushin po ashtu e patolerueshme.
Por pikërisht për shkak të kontakteve politike dhe pozicionit të sja gjeostrategjik, Siria konsiderohet si një vend kyç në procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Pa Sirinë nuk ka zgjidhje të konfliktit në Lindjes e Mesme, është shprehur ish-ministri i Jashtëm amerikan, Henry Kissinger. Këtë u përpoq të bënte edhe ish-ministri i Jashtëm gjerman, Steinmeier në një “nismë rajonale”, për të thirrur në një tryezë shtetet fqinjë të Izraelit për një zgjidhje të konfliktit. Në vitin 2006, Steinmeier u prit me nderime në Damask, një vizitë e mëparshme ishte anuluar për shkak të deklaratave antiizraelite të Bashar al-Asadit.
Interesi gjerman për sigurinë e Izraelit ka gjithmonë prioritet, thotë Sebastian Sons, ekspert për Sirinë në Institutin Gjerman për Orientin. “Në këtë pikë si Bashar al-Asad ashtu edhe Hozni Mubarak ishin partnerë të besueshëm”. Për këtë temat kritike kundër këtyre regjimeve – edhe kur përmendeshin- bëheshin me zë të ulët.

Ide gjermane: Shndërrim përmes ekonomisë?
Një vit pas vizitës së Steinmeierit në Damask, qeveria gjermane i ofroi Sirisë një ndihmë në vlerë 44 milionë euro. Përmes bashkëpunimit ekonomik, Gjermania synonte të vinte në lëvizje reformat dhe transformimin politik. “Këtë gabim diti ta përdorë Asadi”, thotë eksperti Sons. Nga njëra u hapën rrugët për një liberalizim të ekonomisë, por kjo nuk bëri që regjimi i Asadit të lëshojë frenat.
Në vitin 2006, ministri i Jashtëm gjerman, Frank- Walter Steinmeier takohet me Bashar al-Asad.
Eksportet gjermane në Siri u rritën nga 378 milionë euro në vitin 2000 në 656 milionë euro në vitin 2010. Në eksportet gjermane bënin pjesë edhe lëndë kimike, të cilat mund të përdoreshin për prodhimin e gazit helmues Sarin. Këtë informacion e konfirmoi së fundmi Ministria e Ekonomisë pas një kërkese të partisë së Majtë. Qeveria gjermane në vitet 2002-2006 – nën kancelarin Schröder dhe koalicioni i madh mes socialdemokratëve (SPD) dhe kristiandemokratëve (CDU) me kancelaren Merkel ka lejuar eksportimin e 111 tonëve lëndëve kimike të njohura si mallra duale. Këto mund të përdoren për qëllime civile por edhe ushtarake. Për këtë arsye eksportimi bëhet me leje të detyrueshme.

Ministria gjermane thekson se “lejet u dhanë pas një kontrolli të imtësishëm të përdorimeve të mundshme në lidhje me armët kimike”. “Në të gjitha këto raste u paraqit në mënyrë të besueshme përdorimi civil i këtyre mallrave”. Kancelarja Merkel u shpreh se kimikatet “sipas informacioneve që ajo disponon, janë përdorur për qëllime civile”.
Deputeti i Majtë, Jan van Aken thotë se është “normale që atëherë ka pasur shpresa tek Asadi i ri dhe janë zhvilluar marrëdhënie ekonomike”. Por që “në biznesin me diktatorët që ofrojnë stabilitet, janë mbyllur sytë tek lëndët kimike, kjo është e pakuptueshme. E gjithë bota e dinte atëherë se në Siri ka pasur një progam të gazit helmues.”?/DW

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit