7.4 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Maqedonia drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare

Më të lexuarat

Zgjedhjet e nënta parlamentare dhe të katërta me radhë të parakohshme për përbërjen e Parlamentit, janë planifikuar të mbahen më 11 dhjetor

Maqedonia është në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare që nga pavarësia. Zgjedhjet e nënta parlamentare dhe të katërta me radhë të parakohshme për përbërjen e Parlamentit, janë planifikuar të mbahen më 11 dhjetor, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas ardhjes së pluralizmit politik në ish-Republikën Socialiste të Maqedonisë në vitin 1989, u lejua formimi i partive politike dhe më 1990 u mbajtën zgjedhjet e para të lira dhe pluraliste, kur vendi ishte ende pjesë e Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë, ndërsa të tjerat pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1991. Më pas, pas skadimit të mandatit pasuan zgjedhjet e dyta në vitin 1994, kurse të tretat me radhë u mbajtën në vitin 1998, të katërtat në vitin 2002 dhe të pestat në vitin 2006.

Dy vite pas mandatit të qeverisë së re u mbajtën zgjedhjet e para të parakohshme parlamentare, konkretisht në vitin 2008. Në vitin 2011, pasuan zgjedhjet e shtata të parlamentare me radhë dhe të dyta të parakohshme me radhë, si dhe të tetat që ishin të parakohshme dhe të cilat u mbajtën në vitin 2014

Zgjedhje në dhjetor për t’i dhënë fund krizës politike

Kriza politike që mbretëron në Maqedoni ka përfshirë vendin prej disa vitesh, por thellimi i saj filloi që nga zgjedhjet parlamentare që u mbajtën në prill të vitit 2014, kur opozita e drejtuar nga Lidhja Social Demokratike e Maqedonisë (LSDM), vendosi të mos i njohë rezultatet e zgjedhjeve dhe filloi me aktivitete jashtëinstitucionale, duke mbajtur tubime, protesta, marshime në rrugë dhe tubime të tjera qytetare.

Në fillim të vitit të kaluar, opozita filloi me publikimin e materialeve që për publikun u njohën si të ashtuquajtura “bomba” në kuadër të projektit “E vërteta për Maqedoninë”, për ç’arsye ajo kërkoi dorëheqjen e qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Nikolla Gruevski.

Mungesa e reagimit institucional çoi në përfshirjen më të madhe të BE-së dhe SHBA-ve, e cila rezultoi në një marrëveshje politike (Marrëveshja e Përzhinës më 2 qershor 2015 dhe Protokollit shtesë më 15 korrik 2015). Vendimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 11 dhjetor 2016 u miratua më 31 gusht, ndërsa në të firmosën udhëheqësit e Organizatës së Brendshme Revolucionare Maqedonase – Partia Demokratike Për Unitet Kombëtar Maqedonas (VMRO-DPMNE), Lidhjes Social Demokratike e Maqedonisë, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH).

Ndërmjetës në marrëveshje ishte komisioneri i BE-së Johannes Hahn.

Më 16 shtator, u emërua Prokurorja speciale publike Katica Janeva, e cila është e ngarkuar të punojë në lëndët që rrjedhin nga audioincizimet e përgjuara të paligjshme.
Sistem zgjedhor i Maqedonisë për zgjedhjet parlamentare

Deputetët e Parlamentit zgjidhen në zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe të lira me votim të fshehtë për mandat prej 4 vitesh. Me ndryshimet në Kodin Zgjedhor të vitit 2009, krahas gjashtë njësive zgjedhore në Republikën e Maqedonisë, zgjedhjet zhvillohen edhe në njësitë e reja të formuara jashtë vendit: Njësia zgjedhore 7 që përfshin Evropën dhe Afrikën, zona zgjedhore 8 për Amerikën e Veriut dhe të Jugut dhe zona zgjedhore 9 për Australinë dhe Azinë. Kjo solli që numri i anëtarëve të Parlamentit të rritet për tre, për të numëruar 123. Secila nga gjashtë njësitë në të cilat është e ndarë territori i Maqedonisë, zgjedh 20 deputetë sipas përfaqësimit proporcional. Tre deputetët nga diaspora zgjidhen me modelin e shumicës.

Sipas Komisionit Shtetëror Zgjedhor, këto zgjedhje të parakohshme parlamentare gjithsej 1.770.736 qytetarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen më 11 dhjetor të këtij viti.

Skena politike në Maqedoni: Partitë politike dhe ideologjia e tyre

VMRO-DPMNE-ja është një nga dy partitë më të mëdha politike në Maqedoni. Partia klasifikohet si parti popullore me orientim demokristian. Kryetari aktual i partisë është Nikolla Gruevski.

Pas vdekjes së Titos në vitin 1980, filloi një proces gradual i shpërbërjes së Jugosllavisë, ndërsa fundi i dekadës paraqiste fillimet e para të pluralizmit partiak në Maqedoni. Një pjesë e të shpërngulurve të kthyer dhe brezi i ri i intelektualëve maqedonas u riformuan politikisht në frymën e nacionalizmit maqedonas, duke kërkuar pavarësi për Maqedoninë nga federata jugosllave. Në këto rryma të reja politike, më 17 qershorit të vitit 1990 u formua VMRO-DPMNE, e cila bëhet person juridik me regjistrimin më 5 gusht 1990. Kryetari i saj i parë u zgjodh Lubço Georgievski.

Edhe pse në bazë të deklaratave të zyrtarëve të partisë në pushtet Maqedonia është e orientuar drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s nga ana tjetër mund të shihet prirje e saj drejt Rusisë.

Orientimi i saj demokristian reflektohet edhe në projektet e saj të ndërtimit që i realizon si parti në pushtet, në kuadër të së cilave ndërtohen kisha dhe objekte të tjera të krishtera.

Mbi çështjet strategjike të Maqedonisë, konkretisht për problemin dhjetëvjeçarësh me fqinjin jugor të Maqedonisë, Greqinë, e cila nuk e njeh emrin kushtetues të Maqedonisë, VMRO-DPMNE konsideron se emri Republika e Maqedonisë nuk duhet të ndryshohet dhe se ai ngërthen identitetin e maqedonasve si popull.

LSDM si parti politike është themeluar në prill të vitit 1991. Sipas metodës së përfaqësimit të qëndrimeve, LSDM tërheq rrënjët nga idetë tradicionale majtiste që morën formën e tyre në konferencën e parë të Socialistëve në Maqedoni në qershor të vitit 1900.

Sipas pikëpamjeve të saj zyrtare, LSDM si parti politike qëndron në konceptin qytetar, për të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët pavarësisht nga dallimet etnike, fetare, kulturore apo dallime të tjera.

Integrimi euroatlantik është gjithashtu objektiv për të cilin LSDM përpiqet, por ndryshe nga partia në pushtet e cila është me orientim pro-rus, LSDM, më tepër favorizon Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

LSDM-ja kryesoi qeveritë e Republikës së Maqedonisë në periudhën nga viti 1992 deri në vitin 1998 dhe nga viti 2002 deri në vitin 2006.

Partitë politike shqiptare

Partia e tretë më e madhe në skenën politike është BDI. Ajo është partia më e madhe politike e shqiptarëve të Maqedonisë.

BDI u themelua më 5 maj 2002 në Tetovë, tre muaj para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2002 nga bërthama e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), e cila në vitin 2001 nisi konflikt të armatosur në vend, pas së cilit partie ishte pjesë e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, por edhe pjesë e garniturës në pushtet.

Nga viti 2002 deri më 2006 BDI ishte është pjesë e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga LSDM, dhe nga viti 2008 është pjesë e koalicionit qeveritar të udhëhequr nga VMRO DPMNE.

Sikundërse dy partitë më të mëdha nga kampi maqedonas, edhe kjo parti më e madhe shqiptare në Maqedoni në bazë të pozitës së saj zyrtare përpiqet në procesin e integrimit të Maqedonisë dhe të njëjtën e sheh si pjesë e BE-së dhe NATO-s.

Edhe pse herë pas here ka mosmarrëveshje të caktuara ndërmjet partisë kryesore maqedonase, VMRO-DPMNE, dhe partisë kryesore shqiptare, BDI, këto dy parti për një dekadë janë në koalicion dhe përbëjnë pushtetin në vend.

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) është partia e dytë më e madhe politike e shqiptarëve etnikë në Maqedoni.

Ajo është themeluar në vitin 1997 në Tetovë me bashkimin e Partisë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve (PPDSH) dhe Partisë Demokratike Popullore (PDP). PPDSH u themelua në vitin 1994, pasi disa anëtarë të Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), të udhëhequr nga Arben Xhaferi dhe Menduh Thaçi, u shkëputën nga partia mëmë, ndërsa PDP u themelua në gusht të vitit 1990, si rival i PPD-së.

Partia u regjistrua pesë vite pas fillimit të saj, konkretisht në vitin 2002. Lider i parë i PDSH-së ishte Arben Xhaferi, të cilin më 30 qershor të vitit 2007 e zëvendësoi Menduh Thaçi.

Kjo parti në zgjedhjet e vitit 1998 deri më 2002 ishte pjesë e qeverisë, deri në vitin 2006 ishte në opozitë, ndërsa në zgjedhjet parlamentare në vitin 2006 rihyri në qeveri dhe ishte pjesë e saj deri në vitin 2008.

Partia e re shqiptare: BESA

Në nëntor të vitit 2014, në skenën politike të Maqedonisë u paraqit subjekt krejtësisht i ri politik nën emrin e BESA. Kjo parti fillimisht ishte lëvizje që më pas u rrit në parti.

Gjatë dy viteve të saj të ekzistencës, BESA profilizon veten si parti që është alternativë për shqiptarët e papërcaktuar, por edhe të gjitha komunitetet e tjera në vend, përfshirë turqit, muslimanët maqedonas, madje edhe boshnjakët, duke ofruar bashkëveprim në politikë.

Partitë e bashkësive të tjera etnike

Parti të tyre politike si pjesë e qeverisë dhe opozitës kanë edhe bashkësitë e tjera më të vogla etnike në vend që përbëjnë më pak se 10 përqind të popullsisë së përgjithshme në vend, siç janë turqit, serbët, boshnjakët, romët, vllehët dhe të tjerët. Partitë e tyre janë pjesë e koalicioni qeverisës, ndërsa disa gjenden edhe në opozitë. Zakonisht përpiqen për realizimin e të drejtave themelore të bashkësive më të vogla etnike.

Partia Demokratike Turke (TDP) ka marrë vendimin që në zgjedhjet e 11 dhjetorit t’i bashkangjitet koalicionit “Për Maqedoni më të mirë” të VMRO-DPMNE-së, e cila ndodhet në pushtet prej dhjetë vitesh. Në këtë drejtim, TDP, si kandidatë për deputetë për zgjedhjet e parakohshme ka caktuar Mutahir Maksut dhe Jusuf Hasani.

Partia tjetër turke, Lëvizja Unioni Kombëtar Turk (TMBH), në të njëjtën mënyrë do të marrë pjesë në koalicionin e VMRO-DPMNE-së.

Kandidati i vetëm i TMBH-së, e cila për herë të bashkëpunoi me VMRO-DPMNE-në në zgjedhjet presidenciale të vitit 1999, është Deniz Rizvançe.

Kryetari i TMBH-së e cila më parë ka bërë koalicion me LSDM-në, kishte theksuar se LSDM dhe disa parti të tjera në koalicion ndonjëherë haptazi e ndonjëherë në mënyrë turpëruese kanë mbajtur anën e puçistëve, në vend se të mbajnë anën e qeverisë që ka marrë shumicën e votave.

Saraç, si arsyetim për moshyrje në koalicion me LSDM-në ishte shprehur se “Mbështetja e puçistëve dhe terroristëve në Turqi është e patolerueshme dhe e papranueshme. Kjo pra është arsyeja më e madhe pse nuk dua të marr pjesë në atë familje.”

Ndërkaq, Partia e Lëvizjes Turke (THP) në zgjedhjet e parakohshme do të radhitet në taborin e LSDM-së. Kandidati i vetëm nga radhët e THP-së është Enes Ibrahim.

Ndikimi i politikës në marrëdhëniet ndëretnike

Për shkak të brishtësisë së marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni, ato shpesh kanë qenë të shfrytëzuara për qëllime partiake. Shpeshherë, politikanët në periudhën parazgjedhore përdorin retorikë nacionaliste që nxit pasuesit në veprime të caktuara për shkak të së cilave ka ardhur deri në përçarje të konsiderueshme të marrëdhënieve ndëretnike, sidomos mes dy grupeve më të mëdha etnike, maqedonasve dhe shqiptarëve.

Në dy dekada e gjysmë të pavarësisë së Maqedonisë, ka shembuj të shumtë të kësaj, nga të cilat, pas konfliktit të vitit 2001, mund të përmendim trazirat në Kalanë e Shkupit në shkurt të vitit 2011, ku ndodhi përplasje mes maqedonasve etnikë dhe shqiptarëve etnikë, për shkak të fillimit të ndërtimit të objektit të ashtuquajtur “Muzeu Kishë”. Për më tepër, me kalimin e viteve ka pasur protesta të ndryshme dhe trazira për shkak të rritjeve të tensioneve ndëretnike. Në maj të vitit 2012 Maj, u protestua për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës, në mars të vitit 2013 u organizuan tubime në mbështetje të ministrin e atëhershëm të mbrojtjes Talat Xhaferi, por ka pasur edhe konflikte të shumta etnike të përmasave më të vogla në tubime të ndryshme.

Megjithatë, kohët e fundit, shihet një lloj ndryshimi në aspektin e marrëdhënieve ndëretnike. Në këtë drejtim vlen të përmendet fakti që konflikti mes grupit të armatosur dhe policisë më 9 dhe 10 maj të vitit të kaluar nuk i ndau qytetarët e bashkësive të ndryshme etnike në Kumanovë, ku jetojnë maqedonas, shqiptarë, serbë dhe pjesëtarë të bashkësive të tjera më pak të numërta. Atëherë qytetarët së bashku dolën para mediumeve dhe dërguan mesazh uniteti, duke shprehur besimin se ngjarjet e tilla nuk do t’i ndajnë dhe se Maqedonia është shtet i të gjithë qytetarëve të saj pa dallim etnie apo feje.

Ajo për të cilën folet më së tepërmi në publik ka të bëjë me të ardhmen e Maqedonisë, përmes prizmit të veprimit politik. Sidomos, në kohën kur ndodhin zgjedhjet parlamentare, mesazhi është që pas 25 viteve të pavarësisë së Republikës së Maqedonisë, të gjithë aktorët e rëndësishëm në shoqëri, në veçanti politikanët, duhet të arrijnë konsensus mbi çështjet kyçe në vend, siç janë aspiratat e tij euroatlantike dhe çështja e emrit me Greqinë, e cila paraqet pengesën më të madhe në rrugë.

Sa u përket çështjeve ekonomike, theksohet se stabiliteti në politikë do të sjellë stabilitet edhe në ekonomi. Në lidhje me strategjitë afatgjate ekonomike për Maqedoninë thuhet se është i nevojshëm një model ekonomik që mund t’i lidhë fabrikat e huaja (investimet e huaja) të cilat sjellin teknologji më të lartë, aftësi të ndryshme të menaxhimit dhe udhëheqjes me kompanitë vendase që kanë nevojë ta përmirësojnë kapacitetin e tyre prodhues, ta rrisin kufirin teknologjik që ato të mund të jenë bartës të rritjes, dhe jo fabrikat e huaja, por kjo duhet mbështetur nga politikat e qeverisë.

Kjo është vargu i çështjeve, problemeve dhe sfidave me të cilat partitë nga 21 nëntori zyrtarisht do ta fillojnë fushatën zgjedhore. Ato do të përpiqen të t’i paraqesin ato në programet e tyre për t’iu përgjigjur nevojave të lartpërmendura dhe në këtë mënyrë të përpiqen ta fitojnë besimin e qytetarëve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit