9.5 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Maqedoni, panel me rastin e përvjetorit të 15 Korrikut

Më të lexuarat

Në fshatin Koxhaxhik pranë Komunës së Qendër Zhupës në Maqedoni u organizua panel me temë “Uniteti kombëtar dhe reflektimi i demokracisë në Ballkan – Turqi e fuqishme, Ballkan i fuqishëm”

 

KOXHAXHIK (AA) – Në përkujdesje të Ambasadës së Turqisë në Shkup, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) organizoi panel me temë “Uniteti kombëtar dhe reflektimi i demokracisë në Ballkan – Turqi e fuqishme, Ballkan i fuqishëm”, në fshatin Koxhaxhik pranë Komunës së Qendër Zhupës në Maqedoni, raporton Anadolu Agency (AA).

Në panelin e organizuar në Shtëpinë Muze të Ali Riza Efendiut, babait të Mustafa Kemal Ataturkut, morën pjesë ministri pa resor përgjegjës për investime të jashtme i Maqedonisë Adnan Qahil, zëvendësministri i Punës dhe Politikave Sociale Gönül Bayraktar, deputetë, krerë të partive politike, shoqatave dhe fondacioneve, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe të ftuar të shumtë.

Para panelit, në Xhaminë e Koxhaxhikut u bënë lutje për dëshmorët e 15 Korrikut, tentativës për grusht shteti në Turqi, pjesëmarrësit marshuan deri në shtëpinë muze, duke mbjellur fidanë në nder të dëshmorëve.

Në fjalën e saj përshëndetëse para panelit, ambasadorja e Turqisë në Maqedoni, Tülin Erkal Kara, tha se sot mbajnë zi për 251 dëshmorët që hubmën jetën gjatë tentativës për grusht shteti nga organizata terroriste FETO, ndërsa nga ana tjetër janë të nderuar nga demokracia dhe uniteti i arritur me rezistencën e popullit të Turqisë i cili do të ngelet i shkruar në histori.

Kara tha se Turqia do të vazhdojë të forcohet tutje me hapa të mëdhenj në çdo fushë pas hyrjes në fuqi të sitemit të ri të qeverisjes.

“Nuk duhet harruar se nga aspekti politik dhe ekonomik, një Turqi e fuqishme do të thotë Ballkan i fuqishëm”, tha ambasadorja Kara.

Ajo rikutjoi se Turqia ka trashëgimi të përbashkët dhe histori qindravjeçare me Ballkanin, duke shprehur besimin se shtetet e Ballkanit me në krye Maqedoninë do ta mbështesin vendin e saj në luftën kundër organizatës terroriste FETO, pasi, sipas saj, kjo organizatë përbën kërcënim jo vetëm për Turqinë, por edhe për shtetet e tjera.

Moderator i panelit ishte këshilltari i presidentit të Maqedonisë, Ismail Aliji, ndërsa në cilësinë e folësve morën pjesë ligjëruesi në Fakultetin e Orientalistikës në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Sulejman Baki, kryetari i shoqatës ADEKSAM Tahsin Ibrahim, anëtari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë Numan Aruç dhe rektori i Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) Ismail Kocayusufoğlu.

Në fjalën e tij, Sulejman Baki tha se që nga periudha e profetëve janë paraqitur shumë grupe dhe njerëz që kanë synuar devijimin e fesë, ndërsa shtoi se edhe organizata terroriste FETO ka abuzuar muslimanët nën petkun e fesë.

“Ky nuk është grup me ndjeshmëri fetare dhe në funksion të fesë”, shtoi Baki.

Sipas tij, FETO ka shpërdoruar burimet fetare duke u strehuar prapa fetarisë së fshehtë dhe në këtë mënyrë ka dëmtuar muslimanët dhe Islamin.

Baki tha se kreu i FETO-s, Fetullah Gülen, për vite të tëra ka komentuar në mënyrë të ndryshme Kuranin dhe hadithet, ndërsa rekomandoi që njerëzit të qëndrojnë larg kësaj organizate dhe atyre të lidhura me të.

Ndërkohë, kryetari i ADEKSAM, Ibrahim, theksoi se në Ballkan vazhdimisht bëhen lutje për Turqinë, ndërsa për FETO-n tha se është organizatë terroriste e cila prej 40 vitesh kryen krime në botë.

“Ajo është organizatë terroriste e cila zekatin, donacionet, lëmoshat e mbledhura nga populli i varfër i ka përdorur për nevojat dhe interesat e veta dhe në këtë mënyrë ka tentuar të integrohet në shtet”, vlerësoi Ibrahim.

Anëtari i MANU-s, Aruç, 15 Korrikun e cilësoi si moment historik, duke shtuar se përmes tentativës për grusht shteti u synua zhdukja e popullit turk.

“Populli turk i ngrit sërish në këmbë dhe i tha botës se ‘unë ekzistoj’. Domethënë, unë nuk vdes, do të jetoj ende. Lus Zotin që 15 Korrikët të mos përjetohen asnjëherë”, tha Aruç, duke theksuar se nata e zmbrapsjes së tentativës për grusht shteti ishte natë e rilindjes së popullit të Turqisë.

Nga ana tjetër, rektori i IBU-së, Kocayusufoğlu, tha se asnjë tregim nuk e tejkalon natën e 15 Korrikut dhe heroizmin e shfaqur në këtë natë.

Ai tha se ekzistojnë miliona heronj të cilët pa hezitim zbatuan ftesën e një lideri i cili jetën e tij ia ka kushtuar jo vetëm popullit, por edhe kauzës së tij, duke iu referuar ftesës së presidentit Recep Tayyip Erdoğan, i cili më 15 korrik ftoi qytetarët të dalin në rrugë për të zmbrapsur tentativën për grusht shteti.

Kocayusufoğlu vuri theksin edhe mbi rëndësinë e arsimit, duke thënë se arsimi duhet të çojë shoqëritë drejt mirëqenies dhe të ardhmeve të ndritura.

“Megjithatë, nëse arsimi është në duar të gabuara, atëherë pa dyshim mund të shfaqen tradhtarë dhe përçarje në shoqëri”, vlerësoi Kocayusufoğlu.

Ai gjithashtu tha se Turqia e fuqishme do të thotë Ballkan i fuqishëm, por, sipas tij, për të qenë Turqia e fuqishme, edhe Ballkani duhet të jetë i fuqishëm.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit