Maqedoni, Fushatë kundër pranimit të shqiptarëve në njësinë policore “Tigrat”

0
139

Disa portale maqedonase të afërta me opozitën kanë nisur një fushatë kundër përfshirjes së shqiptarëve në njësinë famoze “Tigrat” të MPB, që nuk ka asnjë shqiptarë dhe që etnikisht është e pastër me maqedonas, por duke pasur në radhët e saj edhe pjesëtarë të komunitetit serb, shkruan INA.

Më 15 maj të këtij viti është hapur konkursi intern brenda MPB për pranimin e shqiptarëve apo fillimisht vetëm një kandidat në radhët e kësaj njësie. Ndërsa, portalet maqedonase zbulojnë edhe emrin e kandidatit të parë që do të jetë në radhët e kësaj njësie. Bëhet fjalë për Llokman Selimi, nga Haraçina, i punësuar në MPB. Selimi thuhet se do të jetë edhe zv/komandant i këtij njësiti. Ai ishte edhe protagonisti i natës së 27 prillit që si pjesëtar i Njësitit për ndërhyrje të Shpejtë kishte reaguar në shpëtimin e deputetëve të rrezikuar.

Portali Netpress ka shkruar se gjoja komandanti aktual i njësitit “Tigrat”, Mitko Danevski do të jepte dorëheqje nëse do të imponohej politikisht një shqiptar të bëhet zëvendës i tij në këtë njësi. Por kjo është lansuar edhe si spekulim. Po ashtu kundër përfshirjes së shqiptarëve është publikuar edhe një letër e një “Tigri” anonim që ka shkruar se është kundër përfshirjes së shqiptarëve, sepse këto vendime sipas tij të ndikuar nga politika do të rrënojnë sistemin e sigurisë të vendit.

Përfshirja e shqiptarëve do të bëhet edhe në Njësitin për Ndërhyrje të Shpejtë, ku pritet të pranohen 20 pjesëtarë dhe zv/komandanti i kësaj njësie të jetë shqiptar.