20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Manipulimi i mediave me opinionin, apo ‘qytetari – robot’ – Noam Chomsky

Më të lexuarat

Eksperti i shquar i njohjes së komunikimit ndërnjerëzor Noam Chomsky, përmbledh në dhjetë pika manipulimin që mediat (gazetarët) kryejnë gjatë punës së tyre: Çdo person, i cili dëshiron të mbetet njeri i lirë në mendime e ndjenja, mund të nxjerrë mësimin e duhur prej orientimeve dritëdhënëse të këtij disidenti të madh ndaj «klonimit të qytetarit-robot»:

1 – Strategjia e Shpërqëndrimit

Kjo është forma më klasike e kontrollit të shoqërisë prej pushteteve. Efikasiteti i saj, nëpërmjet bombardimit me informacione të parëndësishëm çorientues, është i provuar për devijimin e vëmendjes së publikut nga çështje të rëndësishme jetike dhe nga ndryshimet tinëzare të aplikuara prej elitave politike dhe ekonomike. Kjo strategji është thelbësore edhe për paralizimin e interesimit të publikut për njohuritë esenciale në fushën e shkencës, të ekonomisë, të politikës, sociologjisë, etj.

2 – Manovrat me krijim problemesh për të ofruar zgjidhjen më vonë, duke u vetëshpallur «shpëtimtar i popullit».

Kësaj metode grafikisht i përgjigjet skema: «Problem – Reagim – Zgjidhje». Kjo nënkupton krijimin kastile të një problemi prej vetë pushtetit abuziv, për të shkaktuar reagimin e publikut të revoltuar, me qëllim që vetë populli të jetë nxitës i masave që dëshirojnë të imponojnë akrobatët e pushtetit.

3 – Taktika e Përshkallëzimit

Pushteti abuziv arrin ta bëjë të pranueshëm një ndryshim të papëlqyer nga masat, duke e vënë atë në zbatim me faza të përllogaritura me shtrirje në kohë. Kjo bën që, me kalimin e kohës, reagimet nga poshtë të vijnë duke u pakësuar, ndërkohë që shtypja nga lart vjen duke u shtuar.

(P.sh. kemi ndërrimin e simboleve, identitetit, gjuhës, historisë, kthimin e Serbisë në Kosovë)

4 – Sakrifica në emër të së ardhmes

Ky slogan bën të mundur që një reformë, e cila nuk mirëpritet nga opinioni publik, duke u paraqitur prej pushtetit abuziv si «sakrificë e domosdoshme për zvillim» të fitojë miratimin e përgjithshëm për t’u zbatuar në të ardhmen. Sakrifica e mëvonshme është më e pranueshme për popullin, sesa sakrifica e sotme. Kjo për arsye të shpresës naive të publikut se «koha vetë do të sjellë përmirësime». Ndërkohë masat fillojnë të mësohen me idenë e ndryshimit të papëlqyer dhe, përfundimisht, e pranojne atë në heshtje kur vjen koha e zbatimit të tij.

5 – Komunikimi me publikun si me një adoleshent

Mjetet propagandistike që sigurojnë kryesisht bindjen nënshtruese të publikut janë fjalimet, diskutimet e temave të ndryshme, trysnia e përditshme mediatike, imponimi i individualiteteve, etj. Në të gjithë këta raste propaganda është më efikase kur oratori e trajton publikun psikologjikisht si të ishte një adoleshent. Sipas statistikave studimore, nëse ju i flisni një auditori sikur të ishte një adoleshent, atëherë probabiliteti është që ai të reagojë pa frymë kritike.

6 – Zbehja e reagimit logjik nën trysninë e emocioneve.

Ngacmimi dhe intensifikimi i emocioneve paralizon në përqindje të lartë analizën logjike në komunikim dhe zbeh sensin kritik të individit. Në këto rrethana, ndërgjegjja e tij e humb mburojën logjike dhe komunikuesi abuziv mund të injektojë idetë apo ndjenjat e parashikuara në ndërgjegjen e ekspozuar, ose i imponon sjelljen që ai do.

(P.sh. ne kemi imponimin e idesë dhe bindjes, se pa të huajt, ne, si popull, do të fundoseshim, e s’do të egzistonim)

7 – Mbajtja përherë e popullit në injorancë dhe në mediokritet

Objektivi i përhershëm i pushteteve abuzivë është që publiku të mos jetë i aftë të kuptojë teknologjitë dhe metodat e rafinuara të përdorura për kontrollin dhe skllavërimin e tij. Dobësimi i qëllimshëm i sistemit arsimor në përgjithësi synon që të sigurojë një diferencë cilësore në rritje progresive midis pasardhësve të Superelitës, që studiojnë në shkolla speciale tepër të shtrenjta, dhe popullit të thjeshtë. Thellimi perspektiv i kësaj diference intelektuale mbetet qëllim prioritar.

(P.sh. ne sot kemi sistemin e degraduar e të qëllimshëm të arsimit, kulturës dhe edukimit)

8 – Nxitja e masave të gjera drejt admirimit dhe përqafimit të mediokritetit

Me investimin, nxitjen dhe kontrollin e përhershëm të Superelitës, propaganda gjigante mediatike sot në botë ka si objektiv kryesor ta bëjë publikun të besojë se është dukuri moderne të mos ta vrasësh mendjen për t’u arsimuar e kulturuar, se konsiderata ndaj virtytit është primitivitet ndërsa respekti ndaj vesit është dëshmi qytetërimi, se t’iu kundërvihesh parimeve bazë të Natyrës është kurajë civilizuese ndërsa t’i respektosh ata parime themelorë tregon prapambetje, se të nderosh të Drejtin e jo të Fortin nuk është pragmatike, etj, etj. Produkti banal i kësaj propagande frenetike 24 orëshe janë njerëzit e rëndomtë – kandidat-skllevërit planetarë të botës në proces globalizimi prej Superelitës.

9 – Injektimi i ndjenjës së vetëfajësimit.

Një nga taktikat më të rafinuara është bindja e individit se ai është i vetmi fajtor për fatkeqësitë e tij. Prandaj ai duhet t’i kërkojë shkaqet e dështimit në jetë tek paaftësia e tij, tek mungesa e zgjuarsisë, apo e inisiativës personale dhe jo tek shteti. Në këtë mënyrë, masat e gjera me formim intelektual paraprakisht të sabotuar, e gjejnë fajtorin tek vetja dhe bien në depresion, duke arritur deri në vetëvrasje. Atyre u mungon tashmë aftësia e gjykimit të kthjellët të situatës së dëshpëruar që përjetojnë dhe nuk e gjejnë dot fajtorin e shumëfishtë të fatkeqësisë së tyre e të rebelohen kundër tij. Dhe e kanë më të lehtë të rebelohen kundër vetes, dukuri e qenieve të dobëta.

10 – Njohja e individualitetit të shtetasve më mirë nga sa e njohin ata veten.

Progresi i shpejtë e i shumëllojshëm në shkencë e në teknologji gjatë dekadave të fundit ka krijuar një diferencë cilësore e sasiore në rritje ndërmjet njohurive të publikut dhe atyre në pronësi e në përdorim të elitave në pushtet. Falë zbulimeve të rëndësishme në biologji, neurobiologji, psikologji të aplikuar, etj., Superelita ka një vizion të qartë të qenies njerëzore, në aspektin fizik dhe psikik. Aktuaisht ajo është në gjendje ta njohë personin më mirë sesa e njeh ky i fundit veten e tij dhe ushtron një ndikim kontrollues mbi shtetasit më të madh se kontrolli që këta kanë mbi vetveten.

____________

Gëzim Mekuli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit