8.1 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Mallrat kamatare

Më të lexuarat

Më herët, gjatë përkufizimit të kamatës, kemi sqaruar se kamatë quhet shtesa e cila merret gjatë shkëmbimit të një malli me një tjetër, por duhet ta dimë se jo çdo shtesë në shitblerje është kamatë. Me fjalë të tjera, mallrat në të cilat ndalohet shtesa (kamata) janë vetëm disa dhe këto i quajmë mallra kamatare, pasi në këto mallra ndodh kamata. Kështu që nëse dy mallrat që shkëmbehen nuk janë nga mallrat kamatarë ose njëri është dhe tjetri jo, atëherë lejohet që ato të ndërrohen (tregtohen) me shtesë dhe në këtë nuk ka asnjë të keqe, p.sh. të shitet një makinë me dy makina, ose një kilogram mollë me dy kilogramë mollë, ose një libër me dy libra dhe kështu me radhë.

Mallrat që ndalohet kamata gjatë shitblerjes në citatet sheriatike janë:

  1. Ari (floriri)
  2. Argjendi
  3. Gruri
  4. Elbi
  5. Hurmat
  6. Kripa

Këto gjashtë lloje mallrash janë ato në të cilat ndodh kamata dhe këto lloje janë të përmendura në hadithet e Muhamedit salallahu alejhi ue selem. Ne do të përmendim disa hadithe të Profetit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, që kanë të bëjnë me këto mallra duke sqaruar domethënien e tyre:

– Ubadetu bin Samiti, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ari me ar, argjendi me argjend, gruri me grurë, elbi me elb, hurmat me hurma dhe kripa me kripë (shkëmbehen mes vete) në të njëjtën sasi, në të njëjtën peshë, dorë më dorë. Nëse ndryshojnë këto lloje, atëherë shisni si të doni me kusht që të jetë dorë më dorë.”1

Komenti i këtij hadithi është se nëse shitet një nga këto lloje me të njëjtin lloj, pra të shitet ari me ar, argjendi me argjend, gruri me grurë, elbi me elb, hurmat me hurma, kripa me kripë, atëherë në këto raste është e ndaluara kamata.

 

A) Mallrat kamatare

 

 

 

II- Kategoria e ushqimeve

1. Gruri
2. Elbi
3. Hurmat
4. Kripa

I- Kategoria e monedhave

1. Ari
2. Argjendi

 

 

 

 

 

 

Alaudin Abazi
11.10.2009

 

1 Shënon Muslimi.

 

Motivi i ndalimit të kamatës në mallrat kamatare

Së pari: Sqarim i termit “motiv”-“El-iletu”

Motivi ose el-ile është një term që përdoret në shkencën e Usulu Fikhut dhe ka për qëllim cilësinë, shkakun ose arsyen se pse ngrihet një dispozitë sheriatike. P.sh. motivi (el-ile) i ndalimit të alkoolit është dehja (el-iskar), motivi i ndalimit të zinasë (amoralitetit) është ruajtja e pasardhësve dhe e nderit të familjes, etj. Motivi i ndalimit të një gjëje mund të jetë një, por mund të jenë më shumë se një.

Pse i shikohet motivi një dispozite?

Kjo bëhet për shkak se jo të gjitha gjërat që ekzistojnë dhe që do të zbulohen në të ardhmen janë të përmendura në citatet sheriatike (Kuran dhe Hadith) duke ua përcaktuar dispozitën përkatëse, por kemi gjëra ta papërmendura në citate, që u kuptohet dispozita duke bërë analogji më ndonjë tjetër të përmendur në Kuran ose në Hadith në bazë të motivit që i bashkon1.

Për ta kuptuar më qartë këtë do të sjellim shembullin e ndalimit të alkoolit. Allahu i Lartësuar e ndaloi pirjen e alkoolit me ajetin kuranor: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar” (Maide, 90). Është e qartë se në këtë ajet përmendet si e ndaluar konsumimi vetëm i verës e cila prodhohet nga rrushi dhe nuk ceken llojet e tjera të pijeve alkoolike të cilat prodhohen nga kumbulla, hurma, dardha, etj. Kështu, arsyeja  e ndalimit të verës është dehja (el-iskar) dhe derisa kjo është e pranishme edhe te rakia (dhe të gjitha pijet e tjera alkoolike), atëherë të gjitha këto pije i bashkëngjiten dispozitës së verës pasi kanë të përbashkët këtë motiv për të cilin është ndaluar vera, që në rastin tonë është dehja.

Së dyti:  Motivi i kamatës në mallrat kamatare

Fukahatë janë të pajtimit se në hadithin e Ubade Ibën Samitit, në të cilin përmenden gjashtë mallrat kamatare,2 kemi dy kategori mallrash. 

1. Kategoria e monedhave (ari dhe argjendi)
2. Kategoria e ushqimeve (gruri, elbi, hurma dhe kripa)

Të dy këto kategori dallojnë në mes vete me motiv (el-ile), kështu që motivi i ndalimit të kamatës në ar dhe argjend nuk është ai i kategorisë së ushqimeve (grurë, elb, hurma dhe kripë).

Në përcaktimin e motivit në këto mallra ka mendime të dijetarët dhe pa u zgjeruar duke sjellë thëniet e tyre, themi se më e sakta, Allahu e di më së miri, është se:

-Motivi i ndalimit të kamatës në kategorinë e floririt dhe argjendit është vlera, respektivisht çmueshmëria e tyre (Eth-themenije), pasi janë të kushtueshme dhe njerëzit në të kaluarën i përdornin si monedha për shitblerje. Prandaj këto dy sende janë pasuri dhe konsiderohen kategori në vete[3].

-Ndërsa motivi në katër lloje të tjera mallrash (grurë, elb, hurma dhe kripë) janë dy gjëra:

1. El-iktijat: Ato janë prej ushqimeve esenciale për jetesë

2. El id-dihar: Dhe mund të ruhen për kohë të gjatë pa u prishur (magazinimi ose deponimi i tyre).

 

Motivi i ndalimit të kamatës në këto mallra

 

 

 

 

I- Kategoria e Monedhave

 

-Motivi i ndalimit të kamatës në kategorinë e floririt dhe argjendit është vlera, respektivisht çmueshmëria e tyre (Eth-themenije),

II- Kategoria e Ushqimeve

Motivi në kategorinë e ushqimeve është dy gjëra:

1. El-iktijat: Ato janë prej ushqimeve esenciale për jetesë.

2. El id-dihar:Mund të ruhen për kohë të gjatë pa u prishur (magazinimi ose depozitimi i tyre).

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Alaudin Abazi
18.10.2009

1 Prandaj burime të fikhut (legjislacionit islam) krahas Kuranit dhe Hadithit janë ixhmaja, kijasi (analogjia) dhe disa burime të tjera më pak të rëndësishme se këto që përmendëm.

2 “Ari me ar, argjendi me argjend, gruri me grurë, elbi me elb, hurmat me hurme dhe kripa me kripë (shkëmbehen mes vete) në të njëjtën sasi, në të njëjtën peshë, dorë më dorë. Nëse ndryshojnë këto lloje, atëherë shisni si të doni me kusht që të jetë dorë më dorë.”

3 “Mukedime Fil Muamelatel Malije Ve Badut Tatbikatel Muasire”, dr.Jusuf Shibel, f. 33. 

 

 

Çfarë ndalohet gjatë tregtisë së mallrave kamatare

Në hadithin e Ubade Ibën Samitit thuhet:“Ari me ar, argjendi me argjend, gruri me grurë, elbi me elb, hurmat me hurma dhe kripa me kripë (shkëmbehen mes vete) në të njëjtën sasi, në të njëjtën peshë, dorë më dorë. Nëse ndryshojnë këto lloje, atëherë shisni si të doni me kusht që të jetë dorë më dorë.”1

Ky hadith na jep të kuptojmë se kemi të bëjmë me tre raste të shkëmbimit (të tregtimit) në mes të këtyre mallrave:

Rasti i parë: Tregtimi i të njëjtit lloj në mes tyre

Pra, kemi për qëllim nëse shitet një nga këto lloje me të njëjtin lloj, si të shitet ari me ar, argjendi me argjend, gruri me grurë, etj. Në këtë rast ndalohen dy gjëra:

1. Shtesa e njërës sasi ndaj tjetrit, me fjalë të tjera duhet patjetër që të jenë të njëjta në peshë e masë pa marrë parasysh cilësinë. Pra, nëse e shesim arin me ar, atëherë patjetër duhet që këto të dyja të jenë të barabarta në peshë dhe nuk lejohet që njëri të ketë p.sh. 50 gramë kurse tjetri 60 gramë, qoftë edhe nëse njëri është i përpunuar e tjetri jo. Në këtë formë duhet të shkëmbehet edhe  argjendi, gruri, etj.

2. Gjithashtu, është haram shtyrja e afatit të dorëzimit të njërit nga dy mallrat. Më qartë, duhet të bëhet dorëzimi në të njëjtën kohë, dorë më dorë, pra patjetër duhet të kryhet shkëmbimi i dy mallrave së bashku në vendin dhe çastin e aktit.

– Ebu Seid El-Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë:

“Mos e shisni arin me ar vetëm nëse janë të barabartë (në peshë) dhe mos shtoni në njërën anë! Mos shisni argjendin me argjend vetëm nëse janë të barabartë (në peshë) dhe mos shtoni në njërën anë. Dhe mos i shisni ato (arin dhe argjendin) një në dorë e një në mungesë!”2

– Umer bin Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë:

“Ari me ar është kamatë, vetëm nëse shkëmbehet aty për aty (dorë më dorë), gruri me grurë është kamatë, vetëm nëse shkëmbehet aty për aty (dorë më dorë), elbi me elb është kamatë, vetëm nëse shkëmbehet aty për aty (dorë më dorë), hurma me hurme është kamatë, vetëm nëse shkëmbehet dorë aty për aty (dorë më dorë).”3

– Ibën Seidi (radiallahu anhu) thotë: “Na arrinin hurma të shumta dhe të përziera4 në kohën e të Dërguarit të Allahut salallahu alejhi ue selem dhe e shkëmbenim (gjatë tregtisë) dy sa`ë5 prej tyre me një. Kur e mori vesh i Dërguari salallahu alejhi ue selem këtë gjë tha:

“Jo, (mos shisni) dy sa`ë hurma me një, as dy sa`ë grurë me një dhe as një dirhem me dy dirhemë!6

– Seid Ibën Xhubejri tregon: “Me një rast vjen Bilali tek i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, me hurma të llojit të mirë dhe e pyet ai: “Ku i more këto?” Bilali tha: “Kishim hurme të dobëta dhe i shita ato duke i dhënë dy sa`ë hurme të dobëta me një sa`ë të mira për ta ushqim të Profetit (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të)”. Atëherë i Dërguari (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të) i tha: “Oh, kjo është kamata e kulluar. Mos vepro kështu, por kur të dëshirosh të blesh hurme, së pari shiti hurmat tuaja në një shitje tjetër, pastaj bli të tjerat me to.”7


Rasti i dytë: Shitja (tregtimi) i mallrave jo të njëjta në lloj, por të njëjta në kategori 

Nëse këto gjashtë mallra kamatarë të përmendura në citate, njëri lloj shitet me tjetrin lloj, por që janë të përbashkëta në kategori, si p.sh. të shkëmbesh ar me argjend. Atëherë ari dhe argjendi janë të ndryshme në lloj, por të njëjta në kategori. Ose grurë me elb, hurme me kripë, atëherë:

Lejohet dallimi në peshë apo masë, por nuk lejohet që të bëhet shkëmbimi i mallit në vend

Pra, në këtë rast lejohet që 20gr. ar të shitet me 200gr argjend, por nuk lejohet që të shtyhet afati i dorëzimit të njërit mall. Pra, duhet që dorëzimi i dy mallrave të bëhet aty për aty. Ose lejohet që të shkëmbehet 200 kg grurë me 250 kg elb, por nuk lejohet që të vonohet dorëzimi i njërit mall me tjetrin.

Në hadithin e Ubade Ibën Samitit thuhet: “Nëse ndryshojnë këto lloje, atëherë shisni si të doni me kusht që të jetë dorë më dorë.8

Si dhe në një hadith tjetër, i Dërguari salallahu alejhi ue selem thotë:

“Nuk ka problem nëse shkëmbehet ari me argjend duke qenë se argjend ka më shumë, por dorë më dorë dhe jo për në një kohë të caktuar. Nuk ka problem nëse shkëmbehet gruri me elb duke qenë se elb ka më shumë, por dorë më dorë dhe jo për në një kohë të caktuar.9″

Rasti i tretë: Shitja (tregtimi) i mallrave jo të njëjta në lloj dhe jo të njëjta në kategori

Nëse bëhet tregtimi i këtyre mallrave që dallojnë në lloj dhe në kategori, si p.sh. të blejmë me ari grurë, ose me argjend të blejmë kripë.
Në këtë rast lejohet shtesa dhe lejohet vonimi i dorëzimit të njërit mall ndaj tjetrit.

Alaudin Abazi
1.11.2009
1 Shënon Muslimi.

2 Shënon Buhariu dhe Muslimi.

3 Shënon Buhariu dhe Muslimi.

4 ”Të përziera”, është për qëllim jo të një kategorie e klase, por disa më të mira e disa më të dobëta.

5 Sa’i   (الصاع)   është një lloj ene e cila përdorej si njësi matëse në kohën e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, dhe arrin vëllimin e katër palë grushteve të një njeriu të rëndomtë. Kjo njësi matëse është e njohur ende në kohën bashkëkohore dhe pesha e saj (vëllimi i një sa’i) sipas njësive matëse bashkëkohore sillet përafërsisht rreth 2156 gramë, ose 2 kg. e 156 gr.

6 Shënon Buhariu dhe Muslimi.

7 Shënon Buhariu dhe Muslimi.

8 Shënon Muslimi.

9 Shënon Ebu Davudi dhe hadithi cilësohet i saktë.

Cilat mallra u bashkëngjiten mallrave kamatare me anë të analogjisë

Së pari: monedhat

Pasi sqaruam se motivi i ndalimit të kamatës në ar e argjend është vlera e çmuar e tyre, atëherë në këtë lloj bëjnë pjesë të gjitha llojet e monedhave të cilat përdoren, si paratë prej metali ose letre. Pra ia bashkëngjisim dispozitat e kamatës parave duke bërë analogji me arin dhe argjendin.

Akademia e Fikhut Islam në mbledhjen e dytë të mbajtur në Aman të Jordanisë me datën 8-13 Sefer 1407, që përputhet me datën 11-16 tetor 1986, ka vendosur: “Monedhat formale që përdorën sot përmbajnë karakteristikën e vlefshmërisë, prandaj të gjitha dispozitat që kanë të bëjnë me arin e argjendin, sikurse dispozitat e kamatës, zekatit, blerjes me parapagim dhe dispozitat e tjera vlejnë edhe për monedhat (qofshin të metalit apo të letrës).”1

Së dyti: ushqimet që magazinohen

Me kategorinë e ushqimeve nga mallrat kamatare bëhen analogji të gjitha llojet e ushqimeve që mund të magazinohen, sikurse orizi, misri, fasulja, etj. Ndërsa ushqimet të cilat nuk mund të ruhen (magazinohen) lejohet të tregtohen me shtesë, pra ato janë ushqime jo kamatare, sikurse frutat (përveç hurmave), perimet, prodhimet qumështore, etj. Prandaj lejohet këmbimi i 1 portokalli me 2 portokaj ose 2 vezë me 4 vezë, ose 4 kg mollë me 10 kg mollë për arsye se ato janë ushqime të cilat nuk mund të qëndrojnë gjatë. Gjithashtu lejohet që gjatë shitblerjes së këtyre ushqimeve, të mos bëhet këmbimi i dy mallrave dorë më dorë dhe lejohet që dorëzimi njërit mall të prolongohet për më vonë.

Alaudin Abazi
8.11.2009

[1] Numri i vendimi: 21 (3/9).

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit