14.2 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Malkom X është tek çdokush prej nesh

Më të lexuarat

Duke lexuar autobiografinë e Malkom X, mund të ndjesh përmasën e një personaliteti tronditës, të rrallë në kohët moderne. Po përpiqemi të ofrojmë disa përjetime të drejtpërdrejta nga libri, të përftuara nga një lexim i thjeshtë e pa pretendime studimore, duke ndjekur linjën e emocioneve që ky rrëfim të krijon rresht pas rreshti.

Jeta e një të përjashtuari

Jeta e një njeriu me ngjyrë në SHBA nuk ka qenë përherë kështu.E kisha dëgjuar jo pak herë këtë shprehje, por nuk kam arritur ta kuptoj mirë, e të mendosh që sot kryetari i SHBA është një njeri me ngjyrë. Por, përpara tij ka qenë një tjetër njeri me ngjyrë që u përplasi në fytyrë “të bardhëve” disa të vërteta të cilat nuk mundtë përtypeshin, por as të anashkaloheshin dot kollaj.
I rritur në një shtëpi ku predikohej pavarësia e zezakut, Malkolm X, ishte pasardhës i një pastori i cili më së shumti qe pastor i religjionit të lirisë së zezakëve se sa një fetar. Jeta e tij, sikundër e përshkruan ai në autobiografinë që ia ka besuar Albdous Haley, është e mbushur me peripecitë dhe fatkeqësitë e një zezaku në SHBA-në e atyre viteve. Viktimë e një shoqërie që besonte në superioritetin racor, viktimë e një shoqërie që kishte përçudnuar karakterin dhe ndërgjegjen e çdo jo të bardhi.
Trishtimi shoqëron gjatë leximittë veprës duke ndjekur historinë e një të riu përballet me përbuzjen e shoqërisë së të “bardhëve”, që në vogëli, me shembjen eëndrrës së tij për t’u bërë një gjykatës vetëm e vetëm pse ai ishte i zi. Dëshmia e një prej figurave më të thella dhe më tronditëse që ka mundur të prodhojë shoqëria amerikane në shekullin e kaluar. Malkolm X është njeriu që i ka dhënë jetë jo vetëm barazisë racore në SHBA, por që ka tronditur shoqërinë amerikane drejt vlerave më njerëzore.
Ndërkohë që lexoja paragrafët e jetës së tij të mbushura me personazhe të shumtë, me karaktere të forta dhe tëçuditshme, arrija të deshifroja një lidhje mes realitetit që Malkolm përshkruante në autobiografinë e tij dhe asaj që ne po përjetojmë sot. Të rinjtë amerikanë të asaj periudhe nuk mësonin asgjë nga historia e tyre.Gjithçka dukej se qe e programuar.Të bardhët nuk duhet të ishin bujq të thjeshtë ndërsa të zinjtë nuk mund tëëndërronin për të qenë diçka më shumë se sa një marangoz.
I ziu i veriut ishte ai personi që mendimi i qe dhunuar. Ai nuk mendonte me mendjen e tij, nuk kërkonte me mendjen e tij.Përkundrazi ai ishte ushqyer dhe stërvitur që të mendonte me mendjen e të “bardhit”, siç pohonte Malkolm X. Amerika e asaj periudhe dënonte, mes një të bardhi dhe një të ziu, këtë të fundit vetëm se sipas “logjikës” i ziu ishte më i prirur të kryente krim sesa i bardhi. Zgjidhja e vetme? Të bëhesh i bardhë.
Kjo ishte beteja e parë me të cilën u përball Malkolm X, djali i një pastori të vrarë nga Ku-Klus-Klan dhe i rritur nga një familje e bardhë, pasi shteti i shkatërroi mendërisht tëëmën. I përbuzur nga një shoqëri që gjithnjë e më shumë predikonte paragjykimin racor,zezakët e asaj kohe kishin dy mundësi: ushtrinë ose jetën në Harlem.Për Malklom zgjedhja qe e thjeshtë. Ai preferoi të shkonte në Harlem, të mësonte kërcimin Suing dhe të adaptohej me jetën e të bardhit, të përpiqej të qe i bardhë.Me pak fjalë ai po bënte atë qëbëri shumë vite më pas Michael Jackson, të zbardhte lëkurën e tij që të pranohej në shoqërinë amerikane. Një orvatje që e gjen mes komunitetit tonë gjithashtu.Njerëz që përpiqen të heqin spaletat e tyre vetëm e vetëm që të jenë të pëlqyeshëm në sy të shumicës.
I hutuar nga bukuria e botës së Harlemit ai e gjeti veten shumë shpejt, jo vetëm në jetën e tij personale, por edhe në punët që duhet të bënte. Modeli i flokëve conk simbolizonte dorëzimin e tij dëshirës së njëshoqërie të tërë zezakësh, shndërrimin në të bardhë vetëm e vetëm për tu pranuar prej amerikanëve, model që u pasua nga dorëzimi ndaj drogës dhe jetës hedoniste. Por, thellë-thellë, kjo lloj jete i shërbeu për të kuptuar më mirë problemet kundër të cilave luftoi më vonë. I duhej që të kuptonte mentalitetin e vërtetë të zezakut të Harlemit.
Një nga personazhet më të veçantë nga kjo geto ishte Indiani Perëndimor Arçi, një mafioz tipik i Harlemit, i cili e futi Malkolm në rrethin e tij të drogës dhe bixhozit. Pikërisht nga ky personazh arrin të kuptosh se si zezakët ishin të izoluar jo vetëm nga qeveria dhe shoqëria e të “bardhëve”, por edhe nga njëri-tjetri. Harlemi qe i mbushur me bixhozxhinj, dhe zezakët ishin të prirur të vendosnin bast edhe për numrin e yjeve që do shfaqen në darke. Bota e hedonizmit të mbushte me shfreniet e alkoolit, drogës, femrave, -sidomos femrat e bardha (ëndrra e shumë zezakëve). Ky ishte Harlemi i Malkolmit, jeta e tij derisa një përçartje droge do të sillte atë konflikt që do ta burgoste.

Në udhën e duhurmalcolmX

Të ishe i zi, në atë kohë, ishe një kontingjent i rrezikshëm për tu bërë një kriminel. Nëse ky i zi kapej me armë atëherë burgu qe i detyrueshëm për të, por nëse ky i zi shoqërohej me një të bardhë atëherë për të ishte një problem akoma më i rëndë.
Historia ka treguar që jo pak njerëz kanë pësuar ndryshime rrënjësore në burg. Malkolm është një prej tyre. Në fakt ai gjithnjë i kish ruajtur raportet e tij me familjen (vëllezërit dhe motrat) me të cilët vazhdoi të komunikojë edhe në burg. Njëri prej tyre i solli për herë të parë një letër që e bëri të reflektojë dhe të zbutet. Ai qe i pari që i foli për Elajxhah Muhamed dhe për Kombin Islam. Kjo ishte pika e parë në të cilën Malkolm do të fillonte të reflektonte mbi të shkuarën e tij, të reflektonte mbi jetën e tij dhe arsyen se përse kishte përfunduar në atë vend.
Burgu ishte vendi në të cilin ai kuptoi se diçka brenda vetes së tij lëvizte dhe trazohej, një ndjenjë faji dhe dëshire për të shpëtuar nga ky faj. Ka një çast në jetën e Malkolmit ku ai vendos dy fjalë në kandar: “i zi” dhe “i bardhë”. Pasi u kërkon kuptimin në fjalorin enciklopedik arrin të kuptojë thellë brenda tij se diçka nuk shkon. Kështu nisin ditët dhe netët në të cilat ai shndërrohet në një person tjetër. Kjo dukej qartë edhe tek respekti i thellë që ai kishte ndaj mësuesit të tij, Elajxhah Muhamed, një lidhje që do t’i hapte dyert e një jete të re. Sa e sa herë ne kemi pasur mundësinë për të rrokur nga jeta një moment që do të na sillte ndryshimin e gjendjes sonë? A jemi treguar frikacakë?! Për Malkolm gjithçka do të ishte ndryshe sepse ai më nuk do të quhej Malkolm Litëll por Malkolm X.
Jeta në geto dhe mësimi në burg e bëri të ishte një nga figurat më të rëndësishme të një prej lëvizjeve më të forta të zezakëve amerikanë. Kombi i Islamit, siç njihen zyrtarisht Myslimanët e Zinj, është shembulli më i mirë dhe më i qartë për të kuptuar se sa poshtë kishin rënë të zinjtë në Amerikë. Teologjia dhe historia që Kombi i Islamit reflektonte dëshmojnë për realitetin e hidhur në të cilin jetonin të zinjtë e Amerikës. Vetë veprimet sektare dhe guerilase të tyre ishin produkt i një mentaliteti të getoizuar. Por, shumë të bardhë shihnin se në sulmet e Malkolm X ndaj të bardhëve, në dëshirën e tij për një segregacion të zinjve afrikanë kishte një përpjekje reale dinjitet. Këtë ai e kuptonte edhe brenda vetes së tij ndërkohë që analizonte urrejtjen dhe smirën e kolegëve brenda lëvizjes.

Zbulimi i vetvetes, njohja me Zotin

Në burg, Malkolm X, kish mësuar një thënie profetike “Nëse robi i afrohet Zotit me hap Ai i afrohet atij me vrap”. Kishte besuar më shumë tek Elajxhah Muhamed se sa vetë ai tek vetja. Zhgënjimi që ai pati me Kombin Islam nuk e bëri më të dobët. Fitra tij (që duket se u ringjall fuqishëm në vitet e burgut) nuk reshti së kërkuari Krijuesin, kështu që nxënësi që nuk kish pasur kurrë mësues për të kuptuar fenë u nis për në qytetin e shenjtë, me shpresën dhe ëndrrën se do të zbulonte të vërtetat që kërkonte.
Në aeroportin e Xhedas ai pëson atë goditje të parë në të cilën kuptoi se një mysliman i mirë mund të jetë edhe i bardhë. Kufinjtë mendorë që ai kish menduar se i kish hequr në kohën ku qe brenda Kombit Islam, duket më së miri që nuk kishin ikur. Liria mund të fitohet vetëm kur njihet Zoti, kur pranohet krijimi i tij në tërësi dhe kur mëshira mbisundon zemërimin. Ajo që pasoi më pas ishte mrekullia që vetëm haxhi mund të ta falë.
Atje pa mijëra njerëz të zhveshur, mbuluar me ihramët e bardhë, të mbledhur bashkë përpara Qabes duke thirrur Zotin për t’u falur mëkatet. Të bardhë, të zinj, të verdhë, të kuq, mulatë, anë e kënd botës mblidheshin atje për t’iu lutur Krijuesit. Kjo ishte përgjigja e së Vërtetës që kërkonte, përgjigja e Zotit për çdo pyetje që kishte në veten e tij. Ajo shfaqje e mrekullueshme kur shikon Krijuesin dhe krijesat e shumëllojta që i drejtohen atij për të njëjtin qëllim, arrin të kuptosh pafuqinë tënde dhe barazinë e të gjithëve para Tij.
Haxhi qe ajo kthesë në jetën e Malkolm X që e bëri të reflektojë thellësisht për atë që kishte parë e kish jetuar, për zezakët dhe për problemin jetësor të racave në Amerikë. Kur u kthye në atdhe deklaroi distancimin e tij nga racizmi dhe segregacioni, duke spjeguar gjithçka para gazetarëve që e mbytën me pyetje. Këtu Malkomi u shpreh i hapur për bashkëpunim me këdo që do të ndihmonte për racizmin në Amerikë qoftë ky i zi apo i bardhë.
Tanimë nga një pastor i Kombit Islam, Malkolm X u kthye në liderin e zezakëve. Ai që predikonte realitetin e hidhur dhe tragjik të racizmit, ai vetë kish qenë viktimë e racizmit. Por tani i liruar nga vdekja dhe frika ai mund të fliste lirshëm për atë që mendonte.
E kam menduar përherë që do të vdisja në moshë të re dhe që do të kisha një vdekje të dhunshme, – shprehej Malkolm X. E vërteta që ai dëshmonte dhe tregonte pa frikë mundet të ndalohej vetëm nga plumbi! Vdekja e tij ishte fundi i një personi që doli mbi veten, mbi komunitetin dhe mbi të vërtetën që ishte e imponuar nga i “bardhi” në atë periudhë. Udha e tij ishte ajo e përpjekjes në udhë të Zotit, e një xhihadi që qe sa i jashtëm gjithaq edhe i brendshëm.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit