9.5 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Makthi i rikthimit të vizave ka vetëm një shkak

Më të lexuarat

TOMORR ALIZOTI 

Ajo që po ndodh sot me shqiptarët është dëshmi e faktit që liria nuk është një e dhënë e përjetshme, është dëshmi e faktit që demokracia apo të drejtat themelore nuk janë të garantuara vetvetiu, është dëshmi e faktit që e keqja dhe izolimi, që muret dhe telat e çfarëdo forme, mund të kthehen shumë kollaj.

Parlamenti i Holandës votoi me shumicë dërrmuese votash pak ditë më parë që shqiptarët të mos udhëtojnë më pa viza në Holandë dhe në BE. Arsyeja e këtij vendimi të Holandës ka të bëjë me krimin që eksportohet nga Shqipëria për në atë vend, ka të bëjë me krimin e kthyer në një shqetësim kombëtar, me krimin që trafikon miliona dollarë drogë dhe që kryen vrasje të pamëshirshme në qytetet e Holandës, me atë krim që i ka rrënjët në Shqipëri në një vend, që nuk po ndihmon aspak të priten këto rrënjë.

Ky është pak a shumë shpjegimi zyrtar i Holandës mbi vendimin e saj. Që ky vendim të marrë jetë dhe të mos i lejojë shqiptarët të udhëtojnë pa viza në Europë do të duhet që vendet e BE-së ta miratojnë.

Kur ra regjimi komunist në vitin 1991 dhe kur vendi doli nga izolimi i tmerrshëm i telave me gjemba dhe i burgjeve që mbroheshin me mizorinë e armëve që nuk kursenin askënd, për shqiptarët nisi një epokë e re, u çel një derë shprese e pakufishme. Uria për liri ishte aq e madhe sa mijëra njerëz hipën në tragete, mijëra të tjerë më herët kishin hyrë në ambasada dhe mijëra e mijëra, e mijëra vijuan ikjet në këmbë nga kufiri apo me skafe nga deti.

Ato kanë qenë vite të një eksodi gati biblik të një populli të dhunuar dhe masakruar deri në palcë, të burgosur dhe mbajtur mbyllur në shpellën e zezë, që vetëm një regjim djallëzor mund të ndërtonte. Ashtu, i dërrmuar, i sakatuar, por me shpresë të madhe, një pjesë e madhe e këtij populli, një pjesë e madhe e jona mori rrugët e botës.

Kjo ikje ishte e dhimbshme jo vetëm për braktisjen e vendit, jo vetëm për largimin nga familjarët, por edhe për dhimbjet e mëdha të vetë rrugës. Kalimi i maleve në këmbë në kohë me borë apo nën kërcënimin e ushtarëve të vendit tjetër, kalimi i detit me skafe nën kërcënimin e trafikantëve apo nën kërcënimin e Policisë, nën kërcënimin e kohës me furtunë, ishte një dramë më vete. Shumë shqiptarë, fëmijë dhe gra, burra dhe pleq, kanë humbur jetën tragjikisht maleve ose detit. I dimë të gjithë tragjeditë në Otranto. Janë të pashlyeshme në memorien tonë.

Paralelisht me këto ikje, mbi shqiptarët luhej edhe një dramë tjetër. Ishte drama e blerjes së vizave, ishte drama e qëndrimit më orë e ditë të tëra në radhë para ambasadave për një vizë për të takuar një të afërm apo të shkuar te fëmijët.

Ky kalvar i dhimbshëm mori fund me liberalizmin e vizave, në dhjetor të vitit 2010. Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian miratoi heqjen e vizave dhe nga ai moment shqiptarët u çliruan nga makthi 20-vjeçar. Për vite me radhë, qeveria e Nanos dhe sidomos ajo e Sali Berishës kishin udhëhequr një proces të domosdoshëm të arritjes së standardeve të duhura për të hequr vizat me BE-në. Ishte rritur siguria, ishin eliminuar në një masë të madhe organizatat e krimit të organizuar, ai nuk ishte më problem për BE-në, ishin shpërndarë karta dhe pasaporta të cilësisë së lartë, ishte rritur siguria në vend, ishin përmirësuar standardet e demokracisë etj..

Tani rikthehet si fantazmë vendosja e vizave. Çfarë ka ndodhur nga ajo kohë. Pa dyshim që janë prishur standardet. Vendi nuk ofron më siguri. Krimi me origjinë nga Shqipëria kërcënon Holandën dhe vendet e tjera. Nga Shqipëria dërgohen në Europë dhe në Holandë sasi të pamendueshme më parë të kokainës dhe të hashashit. Krimi i organizuar në Shqipëri është fuqizuar në mënyrë të pabesueshme, duke ndërtuar edhe laboratorë kokaine. Në këto vite, janë kapur dy të tillë, njëri në Xibrakë të Elbasanit dhe tjetri në Has. Në këto vite, vendi njohu rekorde të padëgjuara të mbjelljes së hashashit. Ara të tëra u verifikuan kudo. Sasi gjigande me tonë u kapën në brigjet italiane apo në vende të tjera të BE-së.

Parlamenti shqiptar u përfshi nga debate, se ai vetë ishte i mbushur me njerëz, që vinin nga bota e trafikut të drogës. Zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare u përfshinë në akuza se ishin të lidhur me trafikun e drogës. Ish-ministri i Brendshëm akuzohet se është pjesë e grupi kriminal, që trafikonte drogë. Çdo njeri me njohuri mesatare mbi krimin dhe drogën, mbi kartelet dhe lidhjet e tyre me politikën e kupton se në Shqipëri është duke u instaluar një mekanizëm gjigand i rrjeteve ndërkombëtare të krimit të organizuar, të cilat përdorin lidhjet me politikanët për të ushtruar aktivitetin.

Këto të vërteta janë krejtësisht të dukshme, janë krejtësisht të analizueshme dhe të perceptueshme. Shqipëria ka hyrë në një lëngatë, e cila deri më tani ka pasur pasoja mbi klimën e biznesit, mbi degradimin e politikës, mbi jetët e njerëzve dhe mbi paqen publike. Ky mekanizëm gjigand i krimit të organizuar, që shtrihet në rrjetet ndërkombëtare mund të arrijë në një moment të kthehet në gropën thithëse, nga e cila Shqipëria nuk do të dalë më kurrë. Krimi i organizuar, kur ndërton kanale dhe rrjete, kur ndërton infrastrukturë, të cilat nuk bëhen kurrë pa përkrahje të organeve të shtetit, nuk luftohet dot më. Mbërrihet në një pikë ku vendi është i detyruar të jetojë nën peshën dhe qeverisjen e krimit, i cili dominon politikën dhe punët publike, dominon jetët e përditshme. Raste të tilla janë Meksika apo Kolumbia. Këto vende kanë vite që dalin nga kjo darë.

Në qoftë se Shqipëria, e cila është në këtë rrugë, do të bëhet vërtet një qendër e rëndësishme e rrugëve të trafikut ndërkombëtar, atëherë nuk ka kryeministër apo ministër, nuk ka qeveri apo Polici që mund ta luftojë nesër. Kryeministri Rama do të ikë nesër, por ai që do të vijë nuk do të mund të bëjë asgjë. Në Shqipëri mund të vijnë vrasës të sofistikuar nga vende të tjera, të cilët nuk do të lejojnë që një qeveri apo një kryeministër të mbyllë trafiqe me miliarda euro.

Kjo nuk është një situatë hipotetike. Kjo është rruga ku shkojmë. Arsyet që paraqet qeveria shqiptare, Ministria e Jashtme (lëre më, Sekretari i Përgjithshëm Taulant Balla apo deputetja Mimi Kodheli) mbi vendimin e Holandës janë të turpshme dhe të papranueshme. Qeveria shqiptare tha se është një votim që bëhet në kuadër të politikës së brendshme të Holandës, se votimi nuk pasqyron asgjë në lidhje me gjendjen e krimit në Shqipëri dhe eksportin e tij në Holandë.

Vendimi i Holandës për heqjen e vizave ka të bëjë vetëm me Shqipërinë. Nga vendet e Ballkanit, i vetmi që nuk lëviz pa viza është Kosova, pasi BE ende nuk e ka miratuar liberalizmin e vizave me të. Vendimi i vendosjes së vizave nga Holanda nuk prek Maqedoninë, nuk prek Malin e Zi, nuk prek Bosnjën, nuk prek Serbinë, por vetëm Shqipërinë. Votimi me 95 deputetë vetëm për Shqipërinë tregon për shkallën e lartë të shqetësimit nga krimi me burim Shqipërinë.

Duhet të themi se gjendja e krimit në Shqipëri dhe e atij me burim Shqipërinë është e rëndë, sa ai ka kaluar krimin e një vendi si Serbia, e cila ka pasur trupa paramilitare që u morën me trafik armësh apo trafik droge. Krimi serb pas luftës bëri biznese me miliona euro dhe ishte aq i fortë sa vrau kryeministrin. Krimi në Shqipëri dhe me burim nga Shqipëria është më i madh sesa krimi në Bosnjë, një vend që ka dalë nga lufta dhe ku paramilitarët serbë sidomos, kishin kryer trafiqe dhe krime të përbindshme. Krimi në Shqipëri është më i fortë sesa krimi në Malin e Zi, i cili është një vend, ku për dekada me radhë ka mbretëruar kontrabanda.

Vendi i Holandës tregon se Shqipëria në këto vite u kthye në një rrezik jo thjesht për vete, por për vendet e tjera. Ky është një moment i vështirë, ku duhet që qeveria shqiptare të reflektojë thellë. Ky është një moment që qeveria shqiptare duhet të mbajë përgjegjësi. Vendi nuk mund të zhytet në gropa, nga të cilat nuk del dot. Kriza e krimit ka shtuar krizën ekonomike dhe atë politike, nuk mund të trajtohet si përgjegjësi e të tjerëve.

Në këto kushte, opozita po bën betejën e duhur. Në këto kushte, opozita është kthyer në një barrikadë ndaj kësaj qeverie, që e ka çuar gjendjen në atë pikë sa Holanda të votojë rikthimin e vizave, gjë që nuk e bën me asnjë vend tjetër. Opozita megjithatë ka një detyrë edhe më të vështirë se sa thjesht ngritja e kësaj barrikade dhe zhvillimi i kësaj beteje. Opozita ka për detyrë edhe ndërtimin e alternativës. Vendi është me të vërtetë në ditë shumë të keqe dhe njerëzit duhet të shohin me shpresë se opozita ka një plan, ka një ide, ka një ekip që do ta ndryshojë këtë gjendje.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit