9.1 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Madhështia e sures Jusuf, e cila kultivon shpresën në shpirtin tonë

Më të lexuarat

Surja Jusuf i është shpallur Profetit (a.s.) në Vitin e Hidhërimit.

Kjo është e vetmja sure e Kuranit, e cila tregon një histori të plotë me të gjitha skenat e saj.

Rreth kësaj sureje, Allahu i Madhërishëm thotë: “Ne të tregojmë ty (Muhamed) historinë më të bukur përmes shpalljes së këtij Kurani, ndonëse ti, me të vërtetë, nuk ke qenë në dijeni më parë.”

Me të vërtetë, kjo është historia më e bukur (ashtu siç thonë dijetarët e gjuhës dhe letërsisë, në veçanti të specializuarit në shkencën e historisë).

Kjo histori e bukur përmban të gjithë elementët e saj, si: mallëngjimi, përdorimi i simbolit dhe një ndërlidhje të logjikshme.

Ajo fillon me një ëndërr dhe përfundon me komentimin e saj.

E çuditshme se “këmisha e Jusufit”:

u përdor si mjet i pafajësisë së vëllezërve të tij, por tregoi tradhtinë e tyre.
pastaj u përdor si mjet i pafajësisë së Jusufit me gruan e ministrit, e nxorri të pafajshëm!!
pastaj u përdor si përgëzim dhe nëpërmjet saj, Allahu ia kthehu shikimit Jakubit (babait të Jusufit).
Vërejmë se kuptimet e kësaj historie janë të mishëruara, tamam sikur t’i shikoje skenat e saj me zë dhe pamje.

Ajo është një nga historitë më të bukura, të cilat mund t’i lexosh; është një nga historitë më të mrekullueshme që lënë gjurmë në shpirtin tënd.

Por, përmendja e saj në Kuran nuk është thjesht një tregim historish.

Synimi i saj, siç është përmendur në rreshtin e fundit të saj, është: “Atë që ruhet (nga gjynahet) dhe bëhet i durueshëm, Allahu e shpërblen, se Ai kurrë nuk ia humb shpërblimin punëmirëve”.

Thelbi bazë i kësaj historie është:

Ki besim në kaderin e Zotit!
Duro!
Mos u demoralizo!
Ajo që bie në sy është fakti se vargjet e kësaj sureje ndjekin njëra-tjetrën me një stil të çuditshëm. Domethënia e saj është e bukur, përfundimi i saj mund të jetë i keq ose anasjelltas!!!

Babai e donte Jusufin, të birin e tij, kjo ishte një gjë e bukur. Si rezultat i kësaj dashurie, atë (Jusufin) e hodhën në pus!!!

Hedhja në pus ishte diçka e tmerrshme, por më pas ndodhi që ai (Jusufi) të nderohet në pallatin e ministrit!!!

Nderimi që iu bë në pallatin e ministrit ishte diçka e mrekullueshme, por në fund ai u fut në burg!!!

Burgosja ishte diçka e ndyrë, por rezultati i saj ishte se Jusufi u bë ministër në Egjipt (Misir)!!!

Kjo me qëllim që:

Ti o besimtar, të jesh i vëmendshëm dhe ta dish se drejtimi i çështjeve të universit është diçka që ti nuk mund ta kuptosh. Prandaj mos u shqetëso e mos e preokupo veten, lëre këtë çështje në dorë të Krijuesit i Cili i drejton ato si të dëshirojë!

Kur ballafaqohesh me sprova dhe nuk e kupton urtësinë e tyre, mos u demoralizo dhe anko, por ki besim në Allah, i Cili është Zoti i këtij universi dhe i Gjithëpushtetshëm!

Kjo do të thotë se:

Njeriu duhet të gëzohet për diçka që i ndodh, edhe pse në pamje të parë ajo mund të jetë mëshirë, por në thellësi bart ndëshkimin ose anasjelltas.

Është e çuditshme se tiparet profetike të Jusufit nuk gjenden në këtë sure, por në suren Gafir.

Në këtë sure tiparet njerëzore të Jusufit, i cili i bëri ballë jetës shumë të vështirë që në fëmijëri, por e kapërceu me sukses.

Për të na thënë neve se Jusufi nuk erdhi me mrekullira, por ai ishte një njeri i thjeshtë dhe i zakonshëm, por që arriti sukses në saj të devotshmërisë!!

Kjo sure është një shembull për çdo të ri musliman të sprovuar me sprova dhe vështirësi të ndryshme.

Ajo është një shpresë për cilindo person, i cili dëshiron të arrijë sukses megjithë realitetin e të tij të hidhur.

Kjo është një ndër suret që flet më shumë për pesimizmin.

“E kur e humbën shpresën prej tij (Jusufin) u veçuan dhe biseduan fshehurazi.” (Jusuf, 80)

“dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Zotit. Me të vërtetë, shpresën në mëshirën e Zotit nuk e humb, vetëm se populli mohues.”

“Dhe kur të Dërguarit e Zotit gati e humbën shpresën(se do t’i besojë populli) dhe menduan se u përgënjeshtruan (pse ende nuk i kapi dënimi), e atëherë u erdhi atyre (të derguarve) ndihma Jonë.” (Jusuf, 110)

Kjo sure sikur do të na thotë ne se:

Me të vërtetë, Allahu është i Plotëfuqishëm.

Atëherë, përse të na kap pesimizmi!

Megjithëse Jusufi (a.s.) u përball me probleme të shumta, ai nuk u demoralizua dhe nuk e humbi shpresën.

Kjo është një histori suksesi në këtë botë dhe në tjetrën.

Në këtë botë: Kur arriti që me mirësinë e Allahut pastaj me urtësinë e tij, të bëhej ministër në Egjipt.

Në botën tjetër: Kur i bëri ballë tundimit të gruas së ministrit, refuzimit të imoralitetit dhe arriti suksesin.

Kjo sure ka zbritur pas Vitit të Hidhërimit, kur Profeti (a.s.) përjetonte periudhën më të vështirë, dhe në prag të Hixhretit nga Meka për në Medine.

Në këtë sure vërejmë aspekte të përbashkëta midis Jusufit (a.s.) dhe Profetit (a.s.), të cilat janë:

Jusufi e la vendin e tij Palestinën, edhe Profeti (a.s.) ishte në prag të lënies së vendit më të dashur për të.

Jusufi u shkëput nga njerëzit e tij, edhe Profeti (a.s.) iu shkëputën njerëzit e tij (atij i vdiq bashkëshortja Hatixheja dhe xhaxhai, i cili e mbrojti atë).

Jusufi triumfoi. Allahu i Madhërishëm sikur do t’i thojë Profetit(a.s.) se: Jusufi përjetoi situata të ngjashme me situatat e tua, por ai triumfoi. Gjithashtu edhe ti, me lejen e Allahut, do të triumfosh!!!

Profeti (a.s.) dhe shokët e tij kanë pasur nevojë për këto mesazhe.

Kjo sure iu shpall Profetit dhe shokëve të tij në një kohë kur ata po përjetonin një fazë të rëndë psikologjike.

Kjo na përkujton aktualitetin në të cilin janë sot muslimanët.

Allahu i Madhërishëm sikur do të na thotë: “Mos e humbni shpresën, sepse suksesi është duke ardhur”.

Kjo sure kultivon shpresën në shpirtin dhe zemrën tonë. Por kujto se pas suksesit ty të kërkohet thjeshtësia, sepse suksesi është mirësi prej Allahut.

Allahu i Madhërishëm thotë: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës); dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe – grupe, atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai; se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve. (En-Nasr, 1—3)

Mos lejo që suksesi dhe triumfi të bëhen shkak që ti të harrosh thjeshtësinë për hir të Allahut.

Le të jetë Jusufi (a.s.) shembull dhe model në jetën tënde, kur në fund të historisë së tij tha: “O Allahu im! Ti më ke dhënë pushtet dhe më ke mësuar shpjegimin e ëndrrave! O Krijues i qiejve dhe i Tokës, Ti je Mbrojtësi im edhe në botën tjetër! Bëj që të vdes si musliman dhe më shoqëro me punëmirët (në botën tjetër)!”

Sikur të devotshmit i kishin paraprirë atij, e ai dëshiron që t’i arrijë ata.

Kjo sure është ashtu siç kanë thënë dijetarët: “Nuk e ka lexuar atë i brengosuri, vetëm se ajo është bëre shkak që brenga t’i largohet.”

Altin Shehu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit