10.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Lufta e opozitës kundër oligarkisë fillon me ligjërimin

Më të lexuarat

Nga Vehap Kola

Oligarkia është neo-komunizëm. Shembulli i dytë më i qartë pas Rusisë për këtë pohim është Shqipëria.

Në një ngjashmëri identike, elitat komuniste në Rusi dhe Shqipëri kishin një problem më të madh se pluralizmi dhe ekonomia e tregut: ruajtjen e sundimit të tyre mbi jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit, me çmimin e privatizimit përmes dhurimit falas të aseteve. Kjo siguroi mos lejimin e depërtimit të kapitalit të huaj në ekonomitë përkatëse, duke garantuar kështu ruajtjen e kontrollit mbi të gjitha sferat e jetës në vend.

Rezultati ishte kontrolli i çdo sektori të ekonomisë nga pak duar të lidhura me pushtetin.

Platforma e opozitës për shpëtimin e vendit nga oligarkia duhet të ketë si pikën e saj më të qartë pikërisht këtë: një plan të hollësishëm veprimi për mënyrën se si do të rikthehet konkurrenca në të gjithë sektorët e ekonomisë kombëtare; si do të zhvishet oligarkia nga kontrolli i paligjshëm dhe i padrejtë i sektorëve strategjikë; dhe si do të mbrohet shoqëria shqiptare nga hakmarrja e pritshme e oligarkisë.

Sipas një maksime marksiste, faktori më i domosdoshëm për përcaktimin e strukturës së shoqërisë është zotërimi i mjeteve të prodhimit.

Në një shoqëri jodemokratike, zotërimi i faktorëve të prodhimit garanton pamundësinë e një fuqie politike alternative. Në një shoqëri me demokraci fasadë, një pushtet i tillë ekonomik bën të mundur që lufta e rreme politike të mos prekë interesat e tij.

Shqipëria post-komuniste vazhdon të jetë besimtare fanatike e kësaj maksime. Pushteti politik, ekonomik dhe mediatik ka mbetur ekskluzivitet i një elite të lidhur biologjikisht dhe intensivisht me klanet udhëheqëse të diktaturës, ndërsa publikut i është ofruar luga bosh e iluzionit të pjesëmarrjes në vendimmarrje përmes formalitetit të votimit.

Europa Juglindore e postkomunizmit, e thërrmuar në shtete të vogla me burime të pamjaftueshme për të ngritur sisteme të mbyllura oligarkike ekonomike e sociale, ka shembujt e saj, ndonëse jo plotësisht ‘të suksesshëm’, të oligarkisë.

Në Sllovakinë e oligarkisë së ‘miqve’ të Vladimir Meçiarit, apo në Kroacinë e oligarkisë së udhëheqësve provincialë të Franjo Tuxhmanit, mungesa e burimeve shtesë, që sigurojnë fitim të qëndrueshëm, nuk i lejoi oligarkitë të konsolidoheshin aq sa të blinin institucionet e demokracisë. Të dy këto vende përfaqësojnë sot dy histori suksesi për transformimet demokratike dhe integrimin euro-atlantik në rajonin e Ballkanit

Ndryshe nga këto dy vende, oligarkia shqiptare ia ka dalë të shtierë në dorë të gjitha hallkat e pushtetit, përfshirë median dhe organizatat e shoqërisë civile.

Mbi të gjitha, oligarkia në Shqipëri është e aq pushtetshme sa të blejë edhe heshtjen e opozitës, e cila, ndërsa përmend dukurinë e oligarkisë, nuk arrin të shqiptojë emrat e oligarkëve apo të shpallë një program për de-oligopolizimin e të gjithë sektorëve të ekonomisë.

Oligarkia në Shqipëri ndjek më shumë modelin rus, që nën drejtimin e Boris Jelcinit kishte formuar një rend shoqëror të mbyllur, të ngjashëm me atë të Bashkimit Sovjetik dhe nuk mund të zbërthehej nga forca të jashtme.

Industria e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës e gazit i shërben oligarkisë ruse si një rentë e qëndrueshme, që i jep mundësi asaj të blejë parlamentin dhe median. Mekanizmat e balancimit të pushtetit nuk funksionojnë dhe zhgënjimi me demokracinë i shtyn njerëzit të kërkojnë rikthimin e udhëheqjes së një burri me dorë të ashpër.

Rezultati është pushteti pa kufi i Putinit në Moskë dhe Edi Ramës në Tiranë. Madje, për saktësi plastike, secili syresh ka një shqytar që asiston në rrokadat e posteve: Putini ka Medvedevin, ndërsa Rama ka Veliajn.

Shqipëria e Edi Ramës, Erion Veliajt dhe oligarkisë që bashkëpunon me ta për të mbajtur kontrollin ekonomik, politik e social mbi vendin është një klon besnik i Rusisë së periudhës pas Jelcinit, regjimit të Putinit dhe oligarkëve pas tij.

Njësoj si në Rusinë post-sovjetike, oligarkia shqiptare kontrollon industrinë e nxjerrjes dhe përpunimit të burimeve. Normat e fitimit në këta sektorë janë të garantuara nga favoritizmi në kontrata dhe nga struktura oligopol e secilit prej tregjeve në fjalë.

Jo rastësisht, oligarkët shqiptarë janë të përfshirë ethshëm në tregun e pasurive të patundshme. Zotërimi i trojeve në bregdet apo në zona me vlera turistike e mjedisore, si dhe ndërtimi i fshatrave elitare, kullave dhe hoteleve u garanton oligarkëve një dorë të epërme në çështjet e interesit publik në një periudhë afatgjatë.

Një formë tjetër e garantimit të fitimeve të qëndrueshme për oligarkinë janë skemat koncesionare (PPP) të krijuara nga qeveritë e të dy krahëve, por të ngritura në një nivel plaçkitjeje nga Edi Rama dhe Erion Veliaj.

Me paratë që fitohen nga rentat minerare, qiratë apo shitjet e pasurive të patundshme, hoteleri-turizmi dhe koncesionet, oligarkët janë të aftë të blejnë heshtjen e zyrtarëve, politikanëve, gazetarëve, gjykatësve dhe, mbi të gjitha, të përfaqësuesve të opozitës.

Asgjë më shumë se sa heshtja e opozitës nuk e përjetëson pushtetin e oligarkëve.

Shtatorin e kaluar, Partia Demokratike paraqiti platformën e saj për çlirimin e ekonomisë nga korrupsioni dhe oligarkia. Ndonëse e paplotë, sipërfaqësore dhe selektive në përmendjen e oligarkëve dhe kontratave të tyre korruptive, ajo ishte një hap i guximshëm që meritonte përkrahjen e pakursyer.

Megjithatë, që atëherë, platforma është lënë në harresë dhe nuk është përmendur më nga zyrtarët e lartë të PD-së. Mospërmendja e vazhdueshme e kësaj teme mund të jetë zgjedhje e qëllimshme e opozitës. Nga njëra anë, ajo ndihet e justifikuar para opinionit publik me një prezantim përpara mediave të një liste oligarkësh dhe, nga ana tjetër, e lë të pakultivuar në ligjërimin publik temën e shpëtimit të vendit nga oligarkia.

Nëse merret si shembull strategjia e suksesshme e Ramës për të fituar përkrahjen publike për vetingun, apo për të ashtuquajturën luftë kundër informalitetit përmes ligjërimit, është e thjeshtë të arrihet në përfundimin se opozita nuk dëshiron ta zhvillojë më tej ligjërimin mbi oligarkinë.

E kalaur në plan të dytë nga tema e zgjedhjeve të lira, oligarkia vijon të ushqehet me shëndetin e mbetur të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare.

Nga ana tjetër, nuk është e qartë se si bota e krimit mund të përbëjë për zgjedhjet e lira një kërcënim më të madh sesa oligarkia. Modelet e vendeve të Europës Lindore kanë treguar se oligarkia dhe krimi i organizuar, në rastet kur nuk janë e njëjta gjë, janë në bashkëpunim efikas.

Prandaj ligjërimi i opozitës shqiptare mbi oligarkinë, nëse synon të jetë i besueshëm, duhet të jetë i sinqertë dhe i thellë. Përmendja e sipërfaqshme e oligarkisë nuk është tezë politike e sinqertë.

Analiza e thellësishme e sistemit oligarkik, e shoqëruar me propozime konkrete të rrugëve për çrrënjosjen e tij, mund të rikthejnë besimin e publikut tek opozita. Ngulmimi dhe pasurimi i përditshëm i platformës anti-oligarki, krahas informimit të vazhdueshëm të publikut për elementët e rinj të platformës dhe hapat shtesë që propozohen çdo ditë, e shndërron ligjërimin mbi oligarkinë në një temë qendrore të programit të Partisë Demokratike.

Ardhja në pushtet e opozitës në Shqipëri duhet domosdoshmërisht të kalojë përmes këtij filtri.

Politologu dhe studiuesi i shkencave juridike, Carl Schmitt, është i njohur për teorinë e tij të “domenit qendror”. Nëse një domen i caktuar fiton pozitë qendrore, “atëherë problemet e domeneve të tjera zgjidhen në termat e domenit qendror – ato konsiderohen probleme dytësore, zgjidhja e të cilave do të kërkohet, sigurisht, vetëm nëse problemet që i përkasin domenit qendror zgjidhen”.

Duke përdorur këtë kuadër logjik, nëse lufta ndaj oligarkisë nuk shndërrohet në një domen qendror të ligjërimit politik të opozitës, gjasat që ajo të luftohet kur PD të vijë në pushtet janë zero.

Nëse opozita nuk e përqafon sinqerisht luftën ndaj oligarkisë sot, kur i duhet të fitojë mbështetjen e votuesve, përse do ta bëjë nesër në pushtet, kur i nevojitet ndihma e oligarkisë për të mbajtur pushtetin?/Exit.al/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit