16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Lojërat mediatike të Perëndimit në Ballkan

Më të lexuarat

Sikurse në shumë vende, Turqia, e cila ka shënuar progres ekonomik, teknologjik, politik dhe kulturor në dhjetë vitet e fundit, ka qenë një vend me ndikim në Ballkan. Nëse shikohet mënyra e raportimeve të lajmeve në mediumet e mbështetura nga Perëndimi në rajon, shihet se ky ndikim i Turqisë i ka shqetësuar mjaft perëndimorët.

Shkruan: Adnan IDRIZ, Shkup

Megjithëse dikur luftërat zhvilloheshin me mënyra dhe armë konvencionale, në epokën e sotme të teknologjive informative mediumet elektronike dhe rrjetet sociale janë shndërruar në “armë” dhe mjete atraktive të një “lufte mediatike” të drejtuar nga fuqi të caktuara. Në këtë mënyrë, përmes rrjeteve të lartpërmendura, ato përpiqen të zgjerohen dhe të kenë ndikim, duke imponuar pikëpamje me gjëra që shpërfaqen si të vërteta.

Që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë në vitet e ‘90-ta e deri më tani, në rendin botëror u shfaqën ndryshime jo vetëm në metodat e luftës, por edhe në ndikimin e fuqive. Ashtu sikurse çdo cep i botës, edhe Ballkani, i cili gjatë historisë ka qenë në fokusin e Fuqive të Mëdha, kjo për shkak të pozitës strategjike, historisë së pasur dhe multikulturalizmit, është bërë skenë e luftërave të interesit të forcave perëndimore, të cilat duan t’i promovojnë “pikëpamjet botërore”.

Sikurse në shumë vende, Turqia, e cila ka shënuar progres ekonomik, teknologjik, politik dhe kulturor në dhjetë vitet e fundit, ka qenë një vend me ndikim në Ballkan. Nëse shikohet mënyra e raportimeve të lajmeve në mediumet e mbështetura nga Perëndimi në rajon, shihet se ky ndikim i Turqisë i ka shqetësuar mjaft perëndimorët. Se kjo nuk bazohet në teori konspirative, por në fakte konkrete, mund të konstatohet lehtë duke i analizuar organet mediatike në Ballkan, të financuara përmes ambasadave dhe fondacioneve të shteteve perëndimore. Në portalet dhe faqet e internetit të programeve të mbështetura nga ambasadat dhe fondacionet perëndimore shihet haptazi se kush i financon projektet.

Në mediumet elektronike shpesh rastisen shkrime në të cilat theksohet se programi dhe përmbajtjet e këtyre organeve mediatike financohen përmes ambasadave perëndimore, se imponohen përmbajtje pro-perëndimore dhe madje, ndonjëherë, Turqia sulmohet, ndërsa si shembull i mirë që duhet marrë është Perëndimi. Ndërkaq, kur incidentet politike nuk janë të përshtatshme për manipulim, ajo që vihet në shënjestër është feja. Në këtë mënyrë, feja shndërrohet në një fushë të përshtatshme për manipulimin e opinionit.

Vonimi i proceseve: “Ohri përmes UNESCO-s”

Në mesin e shumë shembujve, si përpjekje për manipulim, mund të përmendet ndalimi i punimeve për restaurimin e xhamisë së Ali Pashës në Ohër që kryhej nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve nga Turqia. Ish ministri i Kulturës i Maqedonisë, Robert Allagjozovski, në dhjetor të vitit të kaluar në një deklaratë, teksa takohej me drejtorët e institucioneve kulturore në Ohër, kishte njoftuar ndalimin e restaurimit pas reagimeve të shoqatave në Ohër ndaj mënyrës së restaurimit të xhamisë pesëshekullore. Procesi në lidhje me këtë çështje ishte aktualizuar në UNESCO me kërkesë të grupit punues, të formuar nga Ministria e Kulturës, edhe pse projekti për restaurimin e xhamisë ishte pranuar nga ana e qeverisë së mëparshme, ajo e VMRO-DPMNE-së, parti me prirje të djathta, e cila vë theksin mbi Krishterimin. Disa organe mediatike u përpoqën të thonë se problemi me restaurimin e xhamisë mbështetej jo në shkaqe fetare, por në shkaqe të tjera që duhen zbardhur.

Kur flitet për luftën e ndikimit mediatik në Ballkan, në veçanti në Maqedoni, duhet shikuar posaçërisht përpjekjet e mëdha të ambasadave dhe fondacioneve amerikane. Gjithsesi, media amerikane nuk ndien nevojë t’i fshehë këto përpjekje. Kështu, në një shkrim të publikuar në qershor të vitit të kaluar në “Independent Journal Review”, për të tërhequr vëmendjen e opinionit amerikan lidhur me atë se ku shpenzohen paratë e popullit, analizohej se si USAID-i (institucioni që ofron ndihma sociale dhe ekonomike orientuese për interesat e SHBA-së) dhe George Soros i financojnë mediumet dhe organizatat e shoqërisë civile në Maqedoni. Në shkrimin me firmën e Wes Martin me titull “Goerge Soros i shfrytëzon paratë e taksapaguesve në SHBA për të mbështetur interesat socialiste në Maqedoni” thuhej se viteve të fundit në Maqedoni janë shpenzuar miliona dollarë. Këtë shkrim lexuesve të saj ua përçoi edhe gazeta “Veçer” në Maqedoni.

Ndërkaq, një kanal televiziv, i cili përhap pikëpamje antiturke në përmbajtjet e publikuara dhe vihet kundër interesave të Turqisë, financohet nga USAID-i dhe ambasada e Holandës dhe e Britanisë së Madhe në Shkup. Në ueb-faqen e një programi të transmetuar në këtë televizion, në të cilin disa herë janë përfshirë pikëpamje antiturke, shihet qartë lidhja e këtyre financimeve.

Për qëndrimin e tillë të këtij kanali, i cili transmeton përmbajtje antiturke në programet informative dhe analizat e saj, mund të jepen si shembull edhe pozicionet në programet e përgatitura me rastin e përvjetorit të tentativës për grusht-shtet të organizatës terroriste FETO më 15 korrik të vitit 2016. Mediumet pro-perëndimore i dhanë kontekst negativ afisheve të varura në Shkup në lidhje me aktivitetet që do të organizoheshin në Maqedoni me rastin e përvjetorit të tentativës së përgjakshme për grusht shteti. Sado që këto mediume vënë theksin mbi vlerat demokratike, ato nuk hezituan t’i mbështesin përpjekjen për rrëzimin jodemokratik të një qeverie të zgjedhur në mënyrë legjitime dhe vrasjen e njerëzve të pafajshëm.

Si shembull i metodave të transmetimit të lajmeve të këtyre organeve mediatike mund të jepen lajmet e disa kanaleve televizive me koncesion kombëtar, të cilat transmetohen në gjuhën shqipe dhe atë maqedonase. Një lajm për lëshimin e urdhrave të arrestit për 170 anëtarë të FETO-s u komunikua me titullin “Autoritetet turke urdhër arresti për 170 persona”, pa përmendur fare se këta persona ishin anëtarë të organizatës terroriste, si dhe lidhjet e tyre me tentativën për grusht-shtet.

Një temë tjetër e mediumeve të mbështetura nga ambasadat dhe fondacionet perëndimore, e cila u përçua në mënyrë të anshme dhe me paragjykime, ishte edhe referendumi i vitit të kaluar për kalimin e Turqisë në sistem presidencial të qeverisjes.

Serialet turke në gjuhën maqedonase

Viteve të fundit, shtetet të cilat nuk mund të llogariten aq admiruese të Turqisë dhe kulturës turke, në njëfarë mënyre kanë ngelur të detyruara të përdorin veprat turke për shkak të avancimit të Turqisë në industrinë filmike dhe televizive. Ajo që tërheq vëmendjen është edhe qëndrimi i kanaleve televizive në Maqedoni, të financuara nga Perëndimi kundrejt këtyre serialeve. Ata nuk i shfaqin këta filma me titra dhe, në këtë mënyrë, pamundësojnë dëgjimin dhe mësimin e turqishtes. Kanalet e tilla, më parë, serialet në gjuhën spanjolle i shfaqnin me gjuhën origjinale dhe me titra.

Në veçanti disa mediume në gjuhën shqipe, gjatë përkthimit të serialeve, i përkthejnë ndryshe disa fjalë turke, që përdoren njëjtë edhe në gjuhën shqipe, siç bie fjala: “selam” dhe “zaten”, me idenë se një gjë e tillë mund “të evokojë turqizëm”.

Ajo që është edhe më simptomatike, kur bëhet fjalë për këtë çështje, është përzgjedhja e serialeve që i shpërfaqin negativisht vlerat e shoqërisë turke nga ana e kanaleve që i shfaqin ato.

Serialet turke shfaqen edhe në kanalin televiziv në të cilin transmetohet një program edukativ i financuar nga USAID-i. Teksa nga njëra anë sulmohet Turqia, nga ana tjetër shpërfillen ose bojkotohen aktivitetet e fondacioneve dhe institucioneve zyrtare turke në vend. Këto lloj aktivitetesh nuk njoftohen nga disa organe mediatike, ndërsa disa të tjera përpiqen t’i shfaqin shumë më ndryshe nga ajo që në të vërtetë janë.

Duke u nisur nga shembujt e lartpërmendur, mund të themi se sa më shumë që Turqia bëhet faktor i fuqishëm në Ballkan, aq më shumë Perëndimi përpiqet “t’i rrënojë” synimet turke përmes mediumeve dhe organizatave joqeveritare që i financon.

Maqedonia: 600 projekte – 32 milionë euro

Turqia ka marrëdhënie shekullore të miqësisë me Ballkanin me në krye Maqedoninë. Ajo e ka firmosur Marrëveshjen e Partneritetit Strategjik me Maqedoninë, ndërsa e ka mbështetur gjithnjë këtë vend, përfshirë edhe procesin e anëtarësimit të saj në NATO, e ka njohur atë që nga fillimi me emrin kushtetues dhe e ka përkrahur të drejtën e saj të vetëvendosjes.

Turqia, në të njëjtën kohë, gjendet edhe në mesin e donatorëve më të mëdhenj të pajisjeve për forcat e armatosura të Maqedonisë. Në dhjetor të vitit të kaluar, qeveria e Maqedonisë e pranoi marrëveshjen e firmosur mes ministrive të Mbrojtjes të të dyja vendeve, e cila parasheh financim ushtarak prej 1,5 milionë eurosh nga ana e Turqisë.

Nga ana tjetër, në kuadër të aktiviteteve dhe synimeve në Maqedoni, buxheti për mbi 600 projekte të realizuara deri në muajin shkurt të vitit të kaluar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) arriti në 32 milionë euro. Projektet u realizuan në shëndetësi, higjienë të ujit, bujqësi dhe blegtori, për fuqizimin e administratës dhe infrastrukturës civile, për zhvillimin e arsimit profesional dhe kapaciteteve, si për bashkëpunim dhe restaurime./ shenja

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit