11.3 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Logosi “pengesë” edhe për demokracinë

Më të lexuarat

Shkruan: Ismail Bardhi

Shumë familjarë dhe shokë më pyesin se çka është duke ndodhur me Logosin, pse ky kontroll, kur dihet se Logosi është shtëpi botuese ku botohet Libri?

 Përgjigja:

Gabimi ynë më i madh është që ne e kemi harruar të kaluarën tonë; besoj se e keni lexuar një shkrim timin, ku – mes tjerash – kam thënë se: “ata shfrytëzojnë fuqinë tonë për të na vrarë, për të na armiqësuar, për të na fyer…”. Ja, edhe ky është një rast i tillë. Nuk ka më keq se të jetosh në një vend, në një hapësirë ku nuk funksionon drejtësia, ku nuk ka drejtësi, ndërsa shteti pa drejtësi është kobi më i zi, që nuk mund të shpjegohet. Këtë tmerr e kemi jetuar dhe jemi duke e përjetuar në një formë më të sofistikuar. Për këtë që i ndodhi Logosit kemi qenë të informuar edhe më parë nga disa shokë që na kanë thënë se “njerëzit tuaj” kanë përgatitur shumë gjëra kundër jush, pra kundër Logosit. Por, kjo shtëpi botuese nuk është pjellë as e marksizmit/socializmit e as e kapitalizmit, por as edhe e demokracisë dhe, mbi të gjitha, ajo nuk i shërben “pionëve” që janë pjellë e zullumit.

Kjo shtëpi botuese, të cilën e kemi dashur dhe e duam tepër, i ka pasur tri parime:

  • E para, se kurrë nuk do të botojmë libra, materiale që do t’i fyejnë fetë qiellore;
  • E dyta, se kurrë nuk do të botojmë libra që prishin moralin; dhe
  • E treta, se kurrë nuk do të botojmë libra, materiale që bëjnë thirrje për dhunë dhe që shkaktojnë dhunë.

Mbi këto është themeluar Logosi; qëllimi i tij ka qenë ta mbrojë natyrshmërinë e natyrshme të njerëzimit dhe t’i përgjigjet kohës me një dashuri të veçantë ndaj shkronjave dhe sajfeve me rëndësi të kulturës. Nuk e di se sa kuptohet, sidomos nga të rinjtë kjo fjalë që nuk u ka munguar kurrë fjala e shkruar, por ne kemi jetuar në një hapësirë dhe kohë të boshatisur nga shkronjat dhe fletët e kulturës fetare, por jo vetëm. Për fat të keq, edhe ato fletë që janë shkruar e botuar kanë pasur për qëllim ta lënë të zbrazët zemrën dhe shpirtin e njeriut, gjegjësisht të shqiptarit, sepse e kanë shitur “mendjen”, dashurinë për gjërat që nuk mund të shiten dhe kanë pasur për qëllim të krijojnë gjenerata që do t’i mbyllin “logosat”. Ja fotografia jonë. A nuk është i pakuptimtë ky moment që i bëhet kësaj shtëpie botuese?!?

Edhe unë sikur të isha si “ata”, mos dhëntë Zoti, do ta kisha mbyllur shtëpinë botuese, sepse ajo është duke i çmendur shpirtrat e shitur. Por, këta nuk e bëjnë dot, se nuk kanë “kaçik”, ndërsa vetë fëmijët e tyre do t’i “mbysin” kulturalisht, po me librat e Logosit. A e dini se çfarë do të thotë t’ua prishësh kullat prej letre që i kanë ndërtuar ata, duke filluar që nga nacionalizmi qesharak, kultura e llojit të majmunit darvinian, e deri te shteti që nuk e ka shembullin në Ballkan, e jo më në Evropë.

Shikojeni sistemin arsimor, kulturën, shkollat dhe universitetet se në çfarë pozite janë; shikoni se si prezantohet lashtësia jonë, si propozohet e tashmja dhe e ardhmja jonë!?! Nuk mund t’u përgjigjemi këtyre, sepse na çmendin. Politikën e kanë shndërruar njësoj si pleqtë e trazimit/pajtimit të gjaqeve; sa dhunë e madhe ekziston, aq sa njerëzit kanë frikë të flasin, ta thonë të vërtetën, ta duan ardhmërinë; të rinjtë tanë pandërprerë shpërngulen, mu si ata refugjatët e Lindjes. E shtëpia botuese Logos i di të gjitha këto dhe i lufton, nuk i përkrah; kjo shtëpi e ka parasysh fotografinë e “strategjive” që janë krijuar dhe janë përpiluar nëpër kuluare të ndryshme, me të vetmin qëllim që ta robërojnë mendjen e njeriut tonë dhe të krijojnë armiqësi mes nesh.

Shikoni se si flitet për Islamin ndër shqiptarët: nuk ka bir nëne që mund t’i kuptojë interpretimet shqiptare, duke qenë më e rënda ajo që kur flasin “intelektualët” duhet klithur: “O Zot, na shpëto!” E në anën tjetër për ta dëshmuar  “vërtetësinë” e tyre, ata bëjnë çmos që të ketë një Islam si antitezë e tyre, që nuk i plotëson kërkesat e vetë Islamit, por, përkundrazi, e shëmton atë. Ne faktikisht edhe e kemi atë lloj të Islamit sot, i cili jeton jashtë dimensionit hapësinor, faktikisht kemi një lloj Islami të islamizuar, respektivisht ateizëm të islamizuar, socializëm të islamizuar, kapitalizëm të islamizuar, injorancë të islamizuar; assesi nuk mund ta prekim Islamin që është Islam me vlerat e tij më të larta, më të përsosura, që janë dhuratë nga Zoti dhe si shenja në rrugë për ne. Këtë strategji e kanë përdorur dhe vazhdojnë ta përdorin me forma të ndryshme; shihni vetëm burgosjet, sakrificat që janë bërë nga shqiptarët thuajse kanë shkuar kot; kemi pasur një shtet të tërë të burgosur, me qindra e mijëra shqiptarë të burgosur në emër të marksizëm-leninizmit, me të vetmin qëllim që të krijohet një lloj “holokausti” shqiptar, që nuk ka pasur e as qëka mbështetje askund, përpos të këtij lloji që organizojnë me “sms”-a “inspektimin” dhe mbylljen e Logosit dhe atë duke u bazuar mbi forcën që ua kanë dhënë maqedonasit. Kështu mendojnë majmunët e kohës moderne. E di se pritni t’i them disa emra të tyre, por nuk ka nevojë, se vetë fjala majmun mjafton.

Shtëpia botuese e besimtarëve të sinqertë, e zemrës që i frikësohet Zotit, nuk ka nevojë të shqetësohet nga veprimet e këtilla, sepse ajo është zotuar se do ta demaskojë dhe do ta prishë atë strategji të flijimit të rrejshëm dhe të mitit të rrezikshëm. Është e vërtetë se kjo “luftë” është e dhimbshme, e mundimshme, e tmerrshme, por së paku jemi të ndërgjegjshëm se ne duhet ta bëjmë këtë, sepse vetëm ashtu mund të jetojnë dhe të jemi të gjallë: neve nuk na intereson as kontrolli, as jo-kontrolli; për ne është me rëndësi që të botojmë libra, vepra që kanë peshë dhe rëndësi për kulturën në përgjithësi. Këtu nuk guxojmë të bëjmë gabime, të bëjmë lëshime, sepse këto lëshime neve na dëmtojnë dhe na e rrezikojnë të shenjtën dhe zotimet tona.

Unë habitem me të rinjtëqë nuk dinë asgjë për të kaluarën tonë, ku kishte frikë dhe dënime të panevojshme, të pakuptimta; ku ishte i dënuar shpirti i së vërtetës; ku krijohej një kulturë e nënçmimit dhe diskriminimit në emër të “vëllazërim-bashkimit” dhe socializmit, që ishte diçka e vështirë, por edhe nga ana jonë në këtë moment, në këtë çast mund të them se nuk është në rregull, për arsye se këtë antitezë nuk mundem ta ballafaqoj me tezën e saj, që faktikisht është antitezë në vete. Ja tani, e kemi lirinë e dhuruar, të imponuar; ne sot dënohemi nëse nuk jemi demokratë; dikur kishim socializmin ku e kishim detyrim të ishim socialistë; sot e kemi rastin që nuk guxojmë të kemi “vëllazërim-bashkim” dhe që faktikisht dënohemi nëse kemi diçka të tillë. Prandaj them se kjo shtëpi botuese mbështetjen e vet e ka pasur mbi shenjat, isharetet e Zotit, edhe pse nuk e di se sa jemi duke vepruar, punuar për t’i zbuluar dhe rizbuluar këto fenomene të ndryshme që vetëm përsëriten në forma të ndryshme.

Besimtari i vërtetë thotë: çfarëdo që ndodhë, ndodhë me qëllim që të ndërgjegjësohemi; prandaj asnjëherë mos kini frikë nga dënimet që ju bëhen padrejtësisht, por nga padrejtësia që ekziston brenda nesh – kësaj duhet t’i frikësohemi.

URDHËRONI DHE MBYLLNI NËSE KENI KAÇIK!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit