5.6 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Lobe të ndryshme financiare, kontrollojë sot partitë më të mëdha në pushtet dhe në opozitë

Më të lexuarat

Kreshnik Osmani është lindur në Durrës, më 20 shtator 1978. Rrugëtimin në kërkim të dijes, e nisë në vendlindje dhe sosë në Liban. Osmani atje e përfundon shkollën e mesme, si dhe studimet universitare në Universitetin e Shkencave Humane Al – Xhinan (saktësisht në Fakultetin e Filozofisë dhe Studimeve Islame), në vitin 2001. Pas kthimit në Shqipëri, emërohet Drejtor i Drejtorisë së Kulturës dhe Shtypit dhe njëkohësisht Anëtar i Kryesisë së Komunitetit Musliman Shqiptar. Në vitin 2005 themelon dhe drejton Këshillin Shqiptar për Marrëdhëniet Islamo-Evropiane.

Osmani ka prezantuar me punimet e tij në shumë konferenca ndërkombëtare në Lindje dhe në Perëndim në trajtimin e zhvillimeve të sipërpërmendura. Prej vitit 2012, për nevoja të inteserave imediate kombëtare është angazhuar drejtpërsëdrejti në politikën aktive dhe është kryetar i Partia Shqiptare “Atdheu”.

Babai i tre fëmijëve, përkatësisht dy vajzave dhe një djali, për Gazeta e Re ka folur për vizionin politik e kulturor shqiptar, duke i hetuar me kujdes raportet e tyre me vetveten, pastaj edhe me rajonin dhe botën.

 GER: Z. Osmani, njiheni si një zë kritik i pushtetarëve në Shqipëri, aq sa ata ndonjëherë i cilësoni si “mushkonja obeze” të kombit. A mendoni që ndërgjegjësimi i qytetarëve për dëmet politike që ua kanë shkaktuar politikanët, nuk është arritur?

Osmani: Fillimisht kam dëshirë t’iu falënderoj për komunikimin për këtë intervistë me “Gazeta e Re” dhe duke iu dëshiruar suksese të mëtejshme në misionin fisnik të informimit të njerëzve, uroj dhe shpresoj shumë që të jeni gjithmonë një dritare e vërtetë e re e mendimit, e lirisë, e vlerave dhe e drejtësisë. Në këto kohë të vështira në të cilat gjendet liria e shtypit dhe e mendimit, të qëndrosh i pavarur dhe objektiv është pa dyshim një akt revolucionar. Lidhur me pozicionin tim si një zë kritik mendoj se më shumë sesa një vendim për të qenë i pozicionuar politikisht si i tillë, janë zhvillimet dhe rrethanat politike në vend ato që të imponojnë të jesh kritik. Edhe pse kanë kaluar tashmë 27 vjet prej kohës së rënies së regjimit monist, Shqipëria vazhdon të mbetet një vend me demokraci të brishtë, plotësisht formale, ku partitë politike nuk përfaqësojnë realisht ndonjë platformë politike konkurruese, as ndonjë mendim alternativ programor që bie në sy. Partitë e mëdha politike në Shqipëri, të cilat kontrollojnë nyjet dhe pikat e zhvillimeve më të rëndësishme të vendit, janë sot platforma pothuajse mafioze nëpërmjet të cilave grupime të caktuara familjare dhe klane të fuqishme ekonomike, ruajnë interesat e tyre të mëdha dhe të vogla në kurriz të shtypjes dhe skllavërimit të shqiptarëve. Lobe të ndryshme financiare dhe njerëz të fuqishëm nga bota e biznesit, kontrollojë sot partitë më të mëdha në pushtet dhe në opozitë, duke shpartalluar plotësisht proceset normale demokratike dhe duke krijuar rotacione politike false e fiktive të cilat kanë si qëllim përfundimtar ruajtjen e statukuosë: mbrojtjen e informalitetit dhe të kriminalitetit, kontrollin e aktiviteteve kriminale, kontrollin e pasurive të Shqipërisë, zbrazjen e Shqipërisë prej banorëve vendas dhe zëvendësimin e tyre me popullsi alternative nga zona të tjera ku ka konflikt dhe luftë. Kjo është njëra prej situatave më të rrezikshme që ka përjetuar ndonjëherë Shqipëria dhe është detyrë e çdo shqiptari të ndershëm që mendon se i përket këtij Atdheu, këtij populli dhe kësaj toke, që të jetë kritik me të gjitha format dhe mënyrat që mundet, sepse në të kundërtën, në rast se do të vrapojmë të gjithë të vihemi në kërkim të kompromiseve, marrëveshjeve dhe linjave me qark të shkurtër, nuk ka asnjë dyshim se do ta humbim Shqipërinë brenda një kohe shumë të shkurtër. Parë nga ky këndvështrim, Shqipëria është në rrezik dhe kjo na dikton të gjithëve që të jemi ashpërsisht kritikë duke u përpjekur gjithashtu që paralelisht me adresimin e shqetësimeve dhe të problematikave të japim edhe alternativat për daljen nga kriza.

Kështu pra, politika shqiptare është një kënetë e krijuar prej kësaj klase të dështuar e të korruptuar politikanësh të cilët e sigurojnë obezitetin e tyre nëpërmjet gjakpirjes së ushtruar tek damarët e anëtarësisë së Kombit.

GER: Një pjesë e opinionit publik shqiptar, krerët e dy shteteve, po i akuzon se kanë dështuar të ndërtojnë raporte më të mira (në të gjitha rrafshet), ndërsa janë duke u fshehur nën pelerinën e nacionalizmit. Si e komentoni ju këtë?

Osmani: Ky nuk është një fenomen i ri në politikën shqiptare. Krerët më të lartë të politikës këndej dhe andej kufirit, kanë qenë gjithmonë të gatshëm të konsumojnë ndjenjat patriotike të shqiptarëve për të justifikuar dështimet e tyre të brendshme dhe herë të tjera për të mbuluar afera të rrezikshme të lidhura drejtpërsëdrejti me sovranitetin territorial të vendeve respektive. Është e dhimbshme, përveçse antikombëtare, ta mendosh se për të ruajtur interesat e tyre të vogla ata janë të gatshëm të punojnë herë pas here nën rrogoz nëpërmjet mekanizmave herë të dukshëm dhe herë të padukshëm, për të krijuar klimën kulturore për mbivendosje identitare, duke u përpjekur në një farë mënyre për të krijuar terrene kulturore, psikologjike dhe politike, që kanë për qëllim krijimin e një identiteti të pavarur kombëtar kosovar krahas atij shqiptar. Lëvizje dhe plane të tilla djallëzore, janë treguesit më të qartë se krerët më të lartë të politikës në të dyja republikat shqiptare të Ballkanit, punojnë dhe veprojnë konform platformave dhe agjendave të tjera të dyshimta të gatuara tek kuzhinat e qarqeve antishqiptare në rajon dhe më gjerë. Duke qenë se shqiptarët kanë qenë historikisht të goditur e të sulmuar pikërisht tek identiteti i tyre kombëtar, ata mund të konsiderohen nostalgjikë të identitetit të tyre kombëtar deri në një farë mase sa që bie ne sy lehtësisht dhe duke e ditur këtë, politika e Tiranës dhe ajo e Prishtinës e përdorin si “armë” për të krijuar situata elektrizuese populiste, për konsum popullor emocional duke qëndruar kështu shumë larg zgjidhjeve reale,  racionale, të mençura të cilat i imponon klima rajonale, situata politike dhe zhvillimet e shpejta globale. Shqiptarët kanë nevojë për nacionalizëm ekonomik jo për nacionalizëm etnik.

GER: Që nga rënia e komunizmit në Shqipëri, si dhe pas çlirimit të Kosovës, është bërë një debat i gjatë mbi të kaluarën historike të dy vendeve tona. Në këtë rrafsh, historiografia jonë duket sikur ka ngecur në shekullin e kaluar. Raportet e shqiptarëve me Perandorinë Osmane, ende i pasqyron sipas “modës” së vjetër. Pse?

Osmani: Kam përshtypjen se kjo është një temë tej mase e komplikuar, shumë e gjerë dhe ngushtësisht e ndërlidhur më një sërë faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm politikë dhe gjeostrategjikë. Personalisht kam qenë dhe mbetem i mendimit se historia është një prej shkencave më të rëndësishme me të cilën duhet të merren specialistët e fushës. Si e tillë, shkenca e historisë është shumë delikate, për natyrën e interferencës së saj herë të drejtpërdrejtë e herë indirekte tek skema të caktuara të lojës së brendshme politike dhe të interesave gjeopolitike rajonale e ndërkombëtare. Parë nga ky këndvështrim, historia ka qenë gjithmonë e ndikuar nga rrymat e ndryshme politike të historisë së shqiptarëve ku secila prej tyre ka synuar që ta instrumentalizojë historinë në shërbim të ideologjisë politike të kohës dhe të interesave të saj. Lidhur me trajtimin e periudhës së Perandorisë Osmane saktësisht, trendi ka qenë një trajtesë jo gjithmonë objektive, hera herës tendencioze për arsye që nuk janë domosdo të lidhura me faktet historike, por me interesat e lojës gjeopolitike të lojtarëve të mëdhenj ndërkombëtarë. Elitat politike në trojet shqiptare, nëse mund të quhen të tilla, për të ruajtur interesat dhe pushtetin e tyre janë kujdesur që të shkruajnë atë lloj historie që kërkohet prej tyre të shkruajnë, por jo atë që ka ndodhur realisht dhe kësaj nuk i ka shpëtuar askush. Të gjitha palët pro dhe kundër versioneve të ndryshme të historisë së shqiptarëve kanë rrëshqitur në teza ekstremiste, shumë larg të qenit teza me objektivitet dhe vërtetësi të lartë shkencore e historike. Kjo nuk duhej të kishte ndodhur por ja që tashmë ka ndodhur dhe është realitet. Ka një përplasje të madhe interesash të fuqive të mëdha në Ballkan dhe kjo e bënë të pashmangshme edhe trajtimin tendencioz të historisë. Sa herë ndërhyn politika në histori, as politika nuk mbetet më politikë dhe as historia nuk mbetet më fakt historik dhe në një farë mënyre ato humbasin të dyja.

GER: A është Turqia e sotme një trashëgimtare e Perandorisë Osmane?!

Osmani: Kjo është një pyetje e rëndësishme që ka nevojë për një trajtesë të gjatë shumëdimensionale, jo emocionale por unë do të përpiqem të jap për lexuesin tuaj një përgjigje sa më të plotë të mundshme me pak rreshta.

Turqia e sotme është një organizim shtetëror strukturalisht shumë i ndryshëm nga Perandoria Osmane, pavarësisht se mund të jetë ideologjikisht dhe kulturalisht zgjatim i së njëjtës skemë politike, shpirtërore apo gjeostrategjike në dimensionin e saj më të gjerë. Nuk ka asnjë dyshim se turqit e sotëm, apo osmanët e djeshëm, janë popull me mendësi perandorake, pasi kanë qenë për disa shekuj me radhë kanë qenë pjesë e një kryeqyteti më të rëndësishëm politik të globit dhe si të tillë ata nuk mund të shikohen plotësisht të shkëputur prej kulturës dhe të shkuarës së tyre ideologjike dhe politike. Duke qenë se skemat e lojës politike globale kanë lëvizur me shpejtësi marramendëse këto dy tre dekadat e fundit, veçanërisht pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe rënies së Murit të Berlinit, është vënë re qartësisht se lidershipi politik i Ankarasë, me të gjitha ngjyrimet e tij (laike dhe laiko-islamiste) rezonon plotësisht me mendësinë strategjike të Perandorisë Osmane dhe ky është një tregues i qartë se Turqia ka vlerësuar se mund të integrohet tek familja e vendeve më të zhvilluara dhe më të industrializuara të botës dhe ta rikthejë autoritetin e humbur global, vetëm nëpërmjet frymëzimit dhe implementimit të mendësisë perandorake e cila motivon historikisht dhe shpirtërisht popullatën, por edhe klasën politike turke. Me ardhjen në pushtet të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, gati dy dekada më parë, që sot është partia e Presidentit Erdogan, i cili është kryekëput i ndikuar dhe trashëgimtar i një forme ndryshe të shkollës politike islamiste të Pr. Dr. Nexhmedin Erbakan-it, bashkë me ideologun e “Thellësisë Strategjike” Pr. Dr. Dautoglu. Ata ideuan ristrukturimin e skemës dhe të lojës politike turke mbi bazat e mendësisë dhe trashëgimisë perandorake e ndihmuar nga trashëgimia religjioze, lojë dhe skemë e cila u përball herë pas here me turbolenca të caktuara taktike, duke u zhvendosur herë pas here nga idealizmi politik tek pragmatizmi i pastër dhe real politika të cilat janë në fakt dy shkolla dhe rryma politike plotësisht të ndryshme nga njëra tjetra. Analizuar në këtë mënyrë, mund të themi se Turqia e sotme është fenomen jo pak i ndërlikuar kulturor, politik, ekonomik dhe gjeostrategjik ndërkombëtar, që ia ka dalë të imponohet në klubin e fuqive të mëdha ekonomike dhe politike të botës, nëpërmjet një strategjie politike të përbërë prej dy komponentëve të rëndësishëm që krijojnë herë pas herë vartësi dhe epërsi ndaj njëri-tjetrit në varësi të kushteve globale dhe të klimës politike ndërkombëtare: 1- Trashëgimia politike dhe shpirtërore e Perandorisë Osmane dhe 2- Realpolitika e bazuar mbi pragmatizmin e pastër gjeopolitik dhe mbi zhvillimin teknologjik, industrial dhe ekonomik të Turqisë.

GER: Tek shqiptarët (kudo në Ballkan), ka një tendencë që të ndahet me çdo kusht shekullarja nga fetarja, madje edhe në literaturë. A duhet të heqim dorë ne nga ky shtresim identitar (fetar – islam në këtë rast), për t’u modernizuar dhe për të qenë të pranueshëm për Perëndimin?!

Osmani: Kjo është një problematikë shumë e gjerë dhe e ndërlikuar gjithashtu, e lidhur me qasjen diametralisht të kundërt të shtresave të ndryshme të popullatës ndaj shekullarizmit dhe fetarizmit. Duke qenë se shqiptarët kanë boshllëqe të mëdha historike në raport me laicitetin dhe fetarizmën, pasi vijnë nga një e shkuar politike diktatoriale, ata përballen shpesh me paqartësi të mëdha në të dyja fushat dhe dimensionet. Disa shqiptarë mendojnë se laicizmi është në luftë me religjionin (me fetaren), ndërsa disa të tjerë nuk e njohin aspak asnjërin prej koncepteve. Në botën e qytetëruar dhe moderne laiciteti nuk është dhe nuk përfytyrohet si armik i fesë, por përkundrazi respekton pozicionin dhe ndikimin e saj në shoqëri, duke u bërë një rregullator i rëndësishëm i shtetit modern të së drejtës në të cilin mbrohet laiciteti i institucioneve shtetërore dhe respektohet njëkohësisht liria fetare dhe specifikat kulturore identitare religjioze të shtresave të ndryshme të popullsisë. Duke qenë se jetojmë në realitete të brishta dhe plotësisht të prapambetura kulturore, fetare dhe politike, debati dhe komunikimi ndërmjet laicitetit dhe religjionit përfytyrohet dhe zhvillohet si  një betejë e përgjakshme për terren dhe dominancë të secilës prej rrymave të mendimit, pasi në vende të varfra si këto ku jetojmë grupet e ndryshme të intelektualëve financohen nga qarqe dhe agjenda përgjithësisht të huaja dhe armiqësore të cilat i fryjnë konfliktit ndërmjet shqiptarëve dhe jo dialogut dhe kompromisit. Një pjese e intelektualëve shqiptarë fiton para duke e trajtuar religjionin si armik të laicizmit, ndërsa një palë tjetër ekstremiste religjioze fiton para  duke mos e njohur fare shekullarizmin si një ingranazh rregullator të shoqërisë, duke i dhënë përkatësisht religjionit dhe politikës vendin që meriton. Një pjesë tjetër, shumë injorante dhe e paditur, të pushtuar plotësisht prej kompleseve të inferioritetit ndaj Lindjes dhe ndaj Perëndimit, preferojnë të shfaqen herë më katolikë se Papa dhe herë më muslimanë se Sulltani, duke e penguar kështu zhvillimin e një debati të vërtetë, konstruktiv dhe shkencor larg gjuhës tendencioze. Laicizmi nuk është dhe nuk mund të jetë islamofobi dhe religjioni apo fetarizmi nuk mund dhe nuk duhet të jetë laikofobi.

GER: Komentet, reagimet dhe shkrimet e tua, aq sa përshkruhen nga fryma kritike e cila, siç e thamë, i adresohet pushtetit, përshkruhen edhe nga fryma optimiste, prej nga ky optimizëm?!

Osmani: Optimizmi është thelbi i jetës dhe fondamenti më i rëndësishëm i saj. Është e ndaluar të humbasësh shpresën për aq kohë sa Zoti të ka dhënë frymë, intelekt, llogjikë dhe fuqi për të vepruar. Nuk është e lejuar që t’i dorëzohesh jetës dhe vështirësive të saj sepse ajo ka qenë e tillë historikisht, një kombinacion i mistershëm dhe i magjishëm betejash, ashpërsie, brishtësie dhe bukurie. Një optimist sheh një mundësi në çdo fatkeqësi, ndërsa një pesimist sheh nga një fatkeqësi në çdo mundësi. Na ndodh të gjithëve që të biem në gjendje dëshpërimi dhe dorëzimi, në momente të caktuara dobësie sa herë që qenia kërkon të përkëdhelet prej jetës, ose prej vetvetes por gjithmonë duhet të kërkojmë thellësive të qenies energji për të zhvilluar me dinjitet betejat më të rëndësishme të jetës, për jetën. Studiuesit më të rëndësishëm të qenies së komplikuar që quhet njeri, kanë thënë se, pesimizmi është çështje e gjendjes shpirtërore, ndërsa optimizmi është çështje e vullnetit.

GER: Fare në fund, a mendoni që ka ardhur momenti që Kosova dhe Shqipëria ta realizojnë ëndrrën shekullore nacionaliste, atë të bashkimit?

Osmani: Mendoj se bota është duke përjetuar zhvillime shumë të rëndësishme dhe ndarje të mëdha ideologjike. Njerëzimi është ndarë tashmë në dy pjesë apo në dy rryma kryesore të mendimit politik dhe ekonomik. Në atë të globalizmit neoliberal dhe të konservatorizmit nacionalist. Ndikimet e këtyre zhvillimeve po bëhen çdo ditë e më të prekshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si diktuesit kryesorë të pulsit politik dhe ekonomik të globit, në Evropë dhe kudo në botë. Mendoj se shqiptarët janë plotësisht të papërgatitur për këto zhvillime dhe në qoftë se nuk marrin masat e duhura për t’u përballur me situatat e reja të krijuara ata rrezikojnë seriozisht të humbasin thellë në lojën e madhe dhe të ndërlikuar të kombeve. Kjo është prej periudhave më të vështira të historisë së shqiptarëve prej Konferencës së Londrës e deri sot dhe ne duhet të krijojmë kushtet për t’u përballur me dinjitet me të gjitha rreziqet që i imponojnë ndryshimet e skemave të lojës gjeopolitike ndërkombëtare. Bashkimi Evropian është i paqartë dhe i pavendosur në raport me rajonin e Ballkanit në përgjithësi dhe me shqiptarët në veçanti, dhe kjo lloj sjellje mund t’i detyrojë shqiptarët që të ndërmarrin hapa që mund të mos jenë në gjatësi vale të plotë me planet dhe përfytyrimin e Bashkimit Evropian për rajonin dhe ata janë në të drejtën e tyre për ta bërë këtë, sepse ata janë në të drejtën e tyre për të mbrojtur veten dhe interesat e tyre. Unë bëj pjesë tek ai grupim që mendon se shqiptarët kanë nevoje sot të ridimensionojnë Shtet-Kombin e tyre dhe se bashkimi kombëtar nuk e dëmton në asnjë formë Bashkimin Evropian, përkundrazi, zgjidhja përfundimtare e Çështjes Shqiptare krijon klimë sigurie dhe stabiliteti në Rajonin i Ballkanit dhe kjo është në interes të vetë Bashkimit Evropian. Bashkimi i shqiptarëve në një Shtet Komb të tyre është një proces i natyrshëm pa kthim që do të ndodhë një ditë, qoftë brenda, qoftë jashtë Bashkimit Evropian dhe krijimi i klimës dhe i kushteve për përshpejtimin e këtij procesi i ndihmon shqiptarët për të rikonfiguruar me dinjitet interesat e tyre në rajon, sikurse e ndihmon Evropën të mbyllë njëherë e përgjithmonë dosjen e një padrejtësie të madhe historike të bërë ndaj njërit prej popujve më të vjetër dhe më të lashtë të Evropës. Ata që na e pjesëtuan Kombin përpara njëqind viteve nuk kanë ndonjë arsye serioze dhe të vërtetë për t’u habitur me shumëzimin sot.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit