6.6 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Lirohet i akuzuari për vrasjen e Donjeta Pajazitit, pas përfundimit të seancës arrestohet vëllai i saj

Më të lexuarat

Gjykata Themelore në Pejë, e ka liruar nga akuza për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, të akuzuarin Naser Parazitaj.

Mirëpo, ai është shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje, për çka është dënuar me dënim unik prej një 2 vjet e 4  muaj burgim.

Pas shpalljes së aktgjykimit, kanë reaguar familjarët e tashmë të ndjerës, raporton Betimi për Drejtësi.

Vëllai i Donjeta Pajazitaj, Shkëlqim Pajazitaj, menjëherë pasi ka përfunduar seanca ku u shpall dënimi për të akuzuarin, në shenjë revolte e ka përplasur me shqelm derën e gjykatores, i cili më pas është shoqëruar nga Policia.

Lumnije Pajazitaj, nëna e tashmë të ndjerës, e ka quajtur turp për drejtësinë aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë.

Gjithashtu, edhe vëllai i Donjeta Pajazitajt, Shkëlqim Pajazitaj, ka thënë se ky aktgjykim është për keqardhje.

Një ditë më parë, palët në procedurë i kishin dhënë fjalët e tyre përfundimtare.

Prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë, që i akuzuari për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, Naser Pajazitaj, të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Prokurorja, në fjalën përfundimtare, kishte kërkuar që ndaj të akuzuarit të shqiptohet dënim maksimal duke pasur parasysh rrethanat rënduese, pasi sipas saj, i njëjti edhe më parë ka qenë i dënuar për vepër penale të vrasjes nga hakmarrja, e gjithashtu edhe faktin se e ndjera duke pasur besim tek ai, pasi si familjar që e ka pasur ka hyrë në veturën e tij.

Prokurorja kishte deklaruar se prokuroria ka arritur të vërtetojë se në ditën kritike, i akuzuari me veturën e tij, e ka marrë, tani të ndjerën, Donjeta Pajazitaj, e ka dërguar në bjeshkët e Strellcit dhe tek vendi i quajtur “Kroni i Lajthisë”, atë e ka privuar nga jeta në mënyrë mizore, ku më pas e ka fshehur trupin e saj.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Naser Pajazitaj, avokati Gëzim Kollçaku, në fjalën përfundimtare, kishte deklaruar se prokuroria ndaj klientit të tij i ka zhvilluar 17 muaj e dy javë hetime dhe vetëm dy javë para skadimit të afatit të paraburgimit, e njëjta ka ngritur aktakuzë.

“Se e ndjera ka hyrë në veturën e të akuzuarit, janë dëgjuar 24 dëshmitarë dhe asnjëri nga këta dëshmitarë nuk e ka vërtetuar këtë fakt”, kishte thënë avokati Kollçaku.

Ndërsa, i akuzuari Naser Pajazitaj, kishte deklaruar se ndjehet shumë keq për rastin që i ka ndodhur familjes së Halil Pajazitajt.

“Nuk kam të bëjë asgjë me këtë akuzë, nuk kam lidhje fare me këtë rast”, kishte thënë ai.

Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, Naser Pajazitaj akuzohej se me 9 nëntor 2015 rreth orës 14:30 në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, me armë, në mënyrë mizore ka privuar nga jeta të ndjerën Donjeta Pajazitaj. Derisa e ndjera ka qenë duke shkuar në punë në këmbë, aty kalon i pandehuri me veturën e tij, e merr të ndjerën, e dërgon në bjeshkët e lartcekura, ku fillimisht e privon nga jeta duke shtënë dy herë në kokë të saj, e më pas për të humbur gjurmët të njëjtën e mbulon me disa drunj dhe largohet nga vendi i ngjarjes. Trupi i të ndjerës  gjendet pas më shumë se një muaji.

Me këtë, Pajazitaj akuzohej se ka kryer veprën penale të “vrasjes së rëndë” nga neni 179 par 1 pika 1.4 dhe 1.12 të KPRK-së.

Aktakuza të njëjtin e ngarkonte edhe me vepër penale të “mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim te paautorizuar të armëve” nga neni 374 par 1 të KPRK-së, gjegjësisht të një arme automatike, pushkës se gjuetisë, 12 fishek dhe një armë e tipit “AK 47”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit