Lini i bashkohet Liqenit të Ohrit në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s

0
46

Nga sot fshati i Linit në Pogradec do jetë i listuar me liqenin e Ohrit në trashëgiminë botërore të Organizatës për Edukim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).

UNESCO njoftoi pasditen e së premtes se kishte vendosur ta zgjeronte territorin e vlerësuar prej saj për natyrë dhe kulturë në liqenin e Ohrit duke përfshirë dhe një pjesë në anën shqiptare.

Pjesa veriomaqedone e Liqenit të Ohrit, që përfshin edhe qytetin, është regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore që nga viti 1979.

Në njoftimin e UNESCO-s për zgjerimin e zonës ndërkufitare Lini përshkruhej kështu:

Me këtë zgjerim, zona e vlerësuar tani përfshin pjesën veriperëndimore të Shqipërisë, Liqenin e Ohrit , gadishullin e vogël të Linit dhe shiritat e tokës përgjatë bregut që lidh gadishullin me kufirin maqedonas. Gadishulli është vendi i themeleve të një kishe të hershme të krishtere e themeluar në mes të shekullit të VI-të. Në ujërat e cekët pranë brigjeve të liqenit, tri vende dëshmojnë për banesa parahistorike. Një fenomen natyror superlativ, liqeni ofron një strehë për lloje të shumta endemike të faunës dhe florës së ujërave të ëmbla që datojnë nga periudha terciare.

Tashmë Shqipëria përveç Butrintit, Beratit, Gjirokastrës, pyjet e Rajcës në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicës do ketë në listën e UNESCO-s edhe Linin.

Ndërkohë UNESCO ka paralajmëruar qytetin e Ohrit se do ta listojë zonën në anën e saj të liqenit si zonë në rrezik, nëse atje nuk ndalen ndërtimet.

Sipas Balkan Insight Maqedonia e Veriut ka kohë deri në shkurt për të frenuar zhvillimin urban që po bën në Ohër.