16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Lindja e koalicionit Islamofob: të krishterë, hebrenjë e hindu së bashku

Më të lexuarat

Nga Umar Lee

Nuk është një sekret, Islamofobia është në rritje. Urrejtja ndaj muslimanëve shfaqet çdo ditë në mediat sociale, FOX News, emisionet radiofonike dhe formate të tjera. Shumicën e rasteve, kjo urrejtje mbetet vetëm në fjalë. Megjithatë, me raste, Islamofobia shfaqet me anë të dhunës apo kërcënimeve fizike.

Pas postimeve në llogari të ndryshme në Twitter dhe emisioneve radiofonike, ekziston një industri e tërë që nxit Islamofobinë. Këto grupe formojnë një koalicion institucional dhe organizativ në mbështetje të Islamofobisë. Autorë të tjerë kanë hulumtuar financimin e industrisë së Islamofobisë. Unë dua të shoh se kush e mbështet Islamofobinë nga këto organizata.

E djathta e krishterë

E djathta e krishterë në Amerikë është mbase grupi më i lidhur me fanatizmin anti-musliman. Ky është rezultati i shumë artikujve dhe predikimeve nga evangjelistë që sulmojnë Islamin, duke e shndërruar Islamofobinë në një elementi të rëndësishëm të medias së të djathtës së krishterë,  krahas problemeve të tjera si aborti dhe martesat e të njëjtit seks.

Në vitet e kaluara, me raste, ka pasur marrëdhënie pozitive midis dy grupeve. Gjatë viteve para 11 Shtatorit, një pjesë e mirë e muslimanëve amerikanë e shihnin të djathtën e krishterë dhe Partinë Republikane si aleatë të natyrshëm, pasi ato shpesh ndanin pikëpamje konservatore rreth çështjeve shoqërore dhe ishin në favor të taksave të ulëta.

E djathta e krishterë pas 11 Shtatorit e ka pozicionuar vetën jo vetëm si mbrojtëse e Amerikës kundër “sulmeve” të muslimanëve, por e ka sulmuar Islamin teologjikisht në mënyrë agresive.

Ndonëse e djathta e krishterë mund të ndajë disa shqetësime me grupet e tjera të koalicionit, ajo që e dallon atë është teologjia. Me shtimin e xhamive në Shtetet e Bashkuara dhe konvertimet ne Islam, komuniteti musliman shihet si rival fetar dhe shpirtëror. Prandaj, sa më shumë ndikim të kenë muslimanët në Amerikë, aq më pak ndikim do të ketë e djathta e krishterë.

Ka lindur një industri e madhe në mesin e të djathtës së krishterë për konvertimin e muslimanëve, e ngjashme me atë që u zhvillua në kohërat më përpara kur hebrenjtë, mormonët dhe katolikët shiheshin (e akoma shihen) si rival fetar.

Nacionalizmi hindu

Pre shumë autorëve muslimanë është injoruar thirrja gjithnjë në rritje për unitet midis të krishterëve, hebrenjve dhe hinduve kundër “xhihadit global”. Kjo është një ide e promovuar nga nacionalistët hindur të RSS (Rashtriya Swayamsevak Sangh) “Organizata Kombëtare e Vullnetarëve” dhe partisë BJP (Bharatiya Janata Party) “Partia Popullore Indiane”. Organizata të lidhura me RSS-në, e që kontrollojnë një pjesë të tempujve hindu, kampet verore dhe institucionet kulturore, janë politikisht aktive në Amerike dhe shpeshherë e përdorin këtë ndikim për të promovuar Islamofobinë. Qëndrimi i tyre Islamofob i ka rrënjet në kundërshtitë politike me Pakistanin dhe në kërkimin e aleatëve në këtë front. Në kontekstin radikal të Amerikës, Islamofobia mund të ndihmojë edhe në “pastrimin e zeshkanëve”, siç tha edhe shkrimtari Arsalan Iftikhar duke iu referuar guvernatorit të Louisiana-s Bobby Jindal (një hindu i konvertuar në të krishterë).

Sionistët

Zakonisht nuk më pëlqen të shkruaj për sionistët dhe hebrenjtë, pasi e di që kjo do të hapte derën te sesioni i komenteve për Protokollet e Pleqve të Sionit, iluminatët, kontrollin e botë nga familja Rothschild dhe teori konspirative të tjera me në qendër hebrenjtë, shumë prej të cilave (përfshirë disa muslimanë) duket se shkojnë shumë larg.

Megjithatë, nuk mund ta mohojmë se ekziston në komunitetin hebre në Amerikë një grup(e) i madh, i zëshëm dhe i mirë financuar, i cili i është përkushtuar nxitjes së Islamofobisë.

Këto grupe hebreje islamofobe variojnë nga mbështetësit e krahut të djathtë të Partisë Republikane Likud, si Sheldon Adelson, e deri të grupet hebreje ortodokse të lidhura me lëvizjet e kolonëve izraelitë. Në spektrin politik, për këto grupe të krahut të djathtë, angazhimi në promovimin e Islamofobisë në Amerikë dhe militarizmi jashtë vendit kundër muslimanëve nuk përbën problem në aspektin ideologjik.

Tek e majta hebreje ekziston një problem ideologjik akoma më i madh. Për shkak se kanë qenë tradicionalisht në vijën e parë të frontin në promovimin e të drejtave civile dhe barazisë në Amerikë, për shumë hebrenj amerikanë të majtë është e vështirë të mbajnë një qëndrim krejtësisht armiqësor ndaj Islamit dhe muslimanëve.

Për këtë arsye ka lindur një qasje me nuanca në mesin e drejtuesve hebrenj liberalë për të luftuar kundër forcimit të komunitetit musliman në Amerikë. Të pakënaqur nga drejtuesit e komunitetit musliman amerikan dhe normat fetare, politike e shoqërore brenda komunitetit, ka pasur një përpjekje për të mbështetur një lidership artificial në një stil kolonial. Shfaqja më e qartë e kësaj është Instituti Shalom Hartman, i cili ka arritur të kultivojë një grup “muslimanësh”; shkrimtarë, klerikë e të tjerë dhe është munduar t’i paraqesë ata si liderët e rinj të mendimit musliman në Amerikë. Por ka pasur shumë pak sukses.

Arsyet e Islamofobisë janë të qarta te disa elementë në komunitetin hebre në Amerikë (të majtë e të djathtë); e ajo është mbështetja për Izraelin. Një komunitet musliman amerikan në rritje do të thotë një komunitet i cili sjell një perspektivë ndryshe në konfliktin arabo-izraelit, që punon për të rritur mbështetjen për çështjen palestineze e që lufton paragjykimet e mediave në lidhje me këtë temë. Është e nevojshme që grupet të cilat nuk janë të lidhura as me hebrenjtë ose që janë anti-sionistë, apo që promovojnë bashkëjetesën paqësore, të kundërshtojnë atë që shihet si “kërcënimi musliman” në Amerikë.

Nacionalistët e bardhë

Fushata presidenciale e Donald Trump-it nuk ka të bëjë me konservatorizmin e krishterë, por me nacionalizmin e bardhë. Trump-i dhe mbështetësit e tij kanë identifikuar dy grupe që sipas tyre kërcënojnë sundimin e racës së bardhë në Amerikë; emigrantët latinë dhe muslimanë.

Kjo nxitje e Islamofobisë i ka rrënjët tek raca dhe te civilizimi, që prej kohës se kryqëzatave dhe së fundmi me “njerëzit e minutës së fundit”, të cilët qëndrojnë roje në pikat kufitare.

E majta e bardhë sekulariste

Në këtë kohë, e majta e bardhë sekulariste shihet pjesërisht si aleate nga muslimanët në Amerikë dhe në pjesën më të madhe është e tillë. Shiko qëndrimet që guvernatorët dhe kandidatët presidencialë demokratë kanë ndaj refugjatëve sirianë, ndryshe nga ata republikanë. Shiko se kush po del kundër Islamfobisë në terren dhe po mbështet refugjatët. Zakonisht janë të majtët, shekullarë ose fetarë, njerëz me ngjyrë ose të bardhë. Në Europë është e kundërta. Islamofobia në Europë i ka rrënjët te e majta, bazuar te nacionalizmi kulturor, besimi në supremacinë e mendimit dhe vlerave perëndimore dhe te sekularizmi ekstrem. Ky lloj qëndrimi nuk mungon as tek e majta në Amerikë (shiko për shembull The New Republic); por që për momentin janë të margjinalizuar.

Umar Lee është autor dhe shkrimtar i pavaruar nga St. Loius, me banim në Dallas të Shteteve të Bashkuara.

Publikuar në shqip me miratimin e autorit. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen paraprake të Observer.al

Observer.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit