6.4 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

“Lidhja e Prizrenit” dhe të pathënat në tekstet shkollore

Më të lexuarat

Eh…! Sa caqe pritje pritur ka kjo tokë, e klithur ka: “Eja biri im!”, por toka vazhdon të klithi e bijtë rriten e rriten brez pas brezi. Një komb i vogël dhe i sunduar kaherë në historinë e tij, kombi jonë përtej kësaj nuk ka bërë përpjekje të pakta për të qenë “Zot” i vetes, e megjithatë historia zbehet, kur të thënat cungohen dhe e vërteta s’është ashtu si ishte dhe s’thuhet ajo që duhet…

Shkruan: Entela HIDRI

Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët e thirrën një kuvend mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë, ku burrat e kombit shqiptar u mblodhën në këtë Lidhje për të marrë vendime të rëndësishme në mbrojtje të trojeve shqiptare, sepse fuqitë e mëdha të atyre kohëve synonin dhe vendosën që trojet shqiptare të ndaheshim midis Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

Kuvendi i Përgjithshëm i zhvilloi punimet e veta më 10 qershor 1978, në një nga sallat e medresesë së ndërtuar në shekullin e 17-të nga Mehmet Pasha. Aty merrnin pjesë rreth 110 delegatë. Punimet u zhvilluan me dyer të mbyllura për publikun. Mbledhjen e kuvendit e drejtoi delegati më i moshuar, Iliaz Pashë Dibra ose Iliaz Pashë Qoku, siç e quanin dibranët. Iliaz Pashë Qoku ishte një veteran i luftërave të armatosura kundër Tanzimatit dhe, si i tillë, ai vazhdonte të gëzonte simpati në masat malësore dibrane. Ai ishte një autonomist i matur, si pjesëtar i rrymës së moderuar.

Pas firmosjes së Traktatit të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale dhe në pritje të Kongresit të Berlinit, i cili me shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë e ideuan këtë mbledhje, në të cilën do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman. Ishin kohëra të rënda – pretendimet e fqinjëve, të mbështetura nga Fuqitë e Mëdha kërkonin me domosdo copëtimin e tokave shqiptare. Rrethanat në të cilat ndodhej kombi ynë qëlluan kanosëse për mosekzistencën e tij në vazhdimësi.

Më 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës i Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. Edhe pse fraksione të ndryshme e penguan organizimin e kësaj mbledhjeje dhe një pjesë e mirë e të ftuarve arritën me vonesë, Kuvendi i nisi punimet. Dy ishin rrymat kryesore që u debatuan: atdhetarët, të cilët mbrojtën idenë e një bashkimi kombëtar dhe territorial; dhe fraksionet osmane, të cilët ushtronin presion, që edhe nëse Shqipëria do të funksiononte veç administrativisht, sërish të varej nga Porta e Lartë.

Një nga fjalimet që u mbajt mend aty ishte ai i Abdyl Frashërit, i cili tha: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirtë, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.

Dy aktet e para që mori Lidhja e Prizrenit ishin një peticion nisur Kongresit të Berlinit dhe një tjetër Perandorisë Osmane. Aty ua bënin të qartë palëve se Shqipëria nuk mund të jepte asnjë pëllëmbë tokë nga viset e saj.

Gjithë ky realitet madhor historik u bë i mundur vetëm për faktin se Lidhja u ngrit që në hapat e para të saj mbi themele të shëndosha kombëtare. Këtë të vërtetë e provon jo vetëm Protesta e Lidhjes kundër vendimeve për copëtimin e trojeve shqiptare, por, në mënyrë të veçantë, Programi autonomist i Lidhjes së Prizrenit, i miratuar më 15 qershor 1878.

Kërkesa e prizrenasve dhe e përfaqësuesve të Vilajetit të Kosovës dhe të viseve fqinje për autonomi vinte në Kuvendin themelues të Lidhjes e pjekur dhe e përcaktuar qartë që më parë e miratuar në shkallë të gjerë, siç dokumentohet deri më atëherë, të paktën, në terrenin kosovar. Më pas do të ndeshim në afirmime dhe plotësime të mëtejshme të saj në vise të tjera, në të katër anët e vendit. Kërkesat e formuluara në Prizren më 15 qershor 1878 shtriheshin plotësisht në fushëveprimin kombëtar. Prandaj, ato u pasuan menjëherë nga kërkesa të tjera për reforma të mëtejshme. Programi autonomist i Kuvendit të Prizrenit, i 15 qershorit, për sigurimin e autonomisë së Shqipërisë u shpall i plotësuar në rrafsh kulturor, administrativ e juridik nga gazeta “Terxhumani shark” e drejtuar nga Sami Frashëri, pas tre muajsh, më 15 shtator, duke e shpallur si program të Lidhjes Shqiptare. Ky ishte programi i atdhetarëve që punonin në Stamboll. Në të kërkohej që nëpunësit ta njihnin gjuhën e vendit, këshillat e shkallëve të ndryshme deri te këshilli i madh i Vilajetit të zgjidheshin pa marrë parasysh dallimet e shtresave, si dhe ngritjen e organeve të drejtësisë. Këshilli i madh do t’i studionte reformat e nevojshme. Këto kërkesa do të jepen të plotësuara më 20 qershor 1878 në memorandumin e personaliteteve shqiptare të Stambollit nga vise të ndryshme shqiptare me kërkesën për ruajtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë. Kërkesat e parashtruara më 15 qershor 1878 nuk kishin karakter krahinor. Në të nuk bëhej fjalë shprehimisht për autonomi, porse për bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm. Kjo nuk ishte gjë tjetër, veçse kërkesë për autonominë administrative të Shqipërisë. Programit të 15 qershorit 1878, të miratuar njëzëri nga Kuvendi i Prizrenit më 17 qershor, iu dha fund pas miratimit të Kararnamesë (Aktit të vendimeve) dhe zgjedhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me kryetar Iljaz pashë Qokun-Dibrën.

Lidhja e Prizrenit dhe tëpathënat në tekstet shkollore

Cilat janë disa momente, në fakt, që në Lidhjen e Prizrenit nuk u jepet aspak rëndësi dhe, madje, as që tregohen në librat shkollorë. Është një lloj fryme e heroizmit dhe mitizimit, e mbetur që nga kultura 50-vjeçare e komunizmit, ajo e gjetjes dhe bërjes së heroizmit, mitizimit dhe mosqasjes së fakteve dhe të vërtetave historike, siç janë realisht të dokumentuara.

Nëse do të se si paraqitet Lidhja në tekstet shkollore, do të duhet të vërejmë se në tekstet mësimore të historisë thuhet se: “Përfaqësuesit shqiptarë të të gjitha viseve, pa dallim feje, janë bashkuar në qershor 1878 dhe kanë themeluar Lidhjen e Prizrenit, e cila ka organizuar ushtrinë e saj për t’i dëbuar pushtuesit dhe për ta formuar shtetin e pavarur shqiptar.”, por këtu ka disa probleme, siç janë faktet historike, të vërtetuara, në Lidhjen e Prizrenit. Kështu, nga historia dihet se aty nuk u mblodhën të gjithë përfaqësuesit e trojeve shqiptare, sepse shumica dërrmuese vinin nga Kosova e nga Malësia, kurse nga Shqipëria e Jugut ishin vetëm dy përfaqësues, njëri prej të cilëve Abdyl Frashëri, kjo për vetë faktin e momenteve dhe ngjarjeve historike, si dhe mungesës së kohës për të pritur, andaj përfaqësuesit e jugut u bashkëngjiten dhe pranuan të jenë pjesë e vendimeve të marra.

Një tjetër moment me rëndësi është se në këtë lidhje vetëm pesë nga delegatët e mbledhur në Prizren ishin të krishterë, madje pika e fundit e dokumentit të parë të nxjerrë nga Lidhja e Prizrenit, i quajtur Kararname ose Akti i Vendimeve dhe i miratuar më 18 qershor 1878, ka firmat e 47 delegatëve myslimanë. Në fakt, ne vërejmë një prirje të historianëve, e cila s’mund të jetë e rastësishme që në tekstet shkollore të mos përmendim ose ta anashkalojë rëndësinë e udhëheqësve shpirtërorë, veçanërisht atyre myslimanë. Aty nuk u jepet rëndësi ambienteve, si: xhamisë, teqesë, mejtepit e medresesë, ku janë zhvilluar këto veprimtari të lidhjes. S’përmenden as titujt të nderuar fetar, si: myfti, kafi, myderriz, hafiz, shejh, hoxhë, imam, mulla, dervish etj. Edhe pse nuk përmenden, ulematë shqiptare ishin mendja dhe zemra e lidhjes.

Një tjetër gjë për t’u përmendur është edhe se, megjithëse këta përfaqësues ishin myslimanë, askund nuk përmendet që dokumenti i Lidhjes së Prizrenit i referohet sheriatit, pra nuk ka këto referenca.

Një vit më vonë pas themelimit të Lidhjes së Prizrenit, në një mbledhje që mbahet në Prizren, Lidhja pajtohet ta pranojë programin e autonomisë, kurse pas gati tre vjetësh, në një tubim të madh po në Prizren, Lidhja deklaron se do të angazhohet për pavarësinë e plotë, çka edhe e përforcoi vendosmërinë e Perandorisë Osmane për ta shpërbërë atë.

Në këto tekste nuk prezantohen as grupet kundërshtuese politike gjatë periudhës së Lidhjes së Prizrenit, por përmendet vetëm “lëvizja kombëtare shqiptare”, gjë që lë të kuptohet se ka ekzistuar vetëm një forcë politike me një farë vazhdimësie historike që ka zhvilluar luftë të pandërprerë për t’u çliruar nga osmanët.

Lidhja e Prizrenit, edhe pse më 10 qershor 1878 nuk u shpall zyrtarisht si një organizatë shqiptare, qysh në ditën e saj të parë pati një karakter patriotik. Karakteri i saj patriotik duket, para së gjithash, në vendimin që e mori Kuvendi i Përgjithshëm për ta kundërshtuar vetëm copëtimin e trojeve shqiptare dhe jo shkëputjen e trojeve të tjera nga Perandoria Osmane, siç kërkonin delegatët e ardhur nga Hercegovina dhe Novi Pazari. Karakteri patriotik duket gjithashtu në detyrën që mori përsipër Lidhja e Prizrenit për ta organizuar rezistencën politike dhe ushtarake, duke mobilizuar vetëm shqiptarët, madje krejt shqiptarët, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare dhe krahinore.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit