15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Liderja e Mianmarit s’do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

Më të lexuarat

Kryetarja e Shtetit të Mianmarit, Aung San Suu Kyi, njoftoi të mërkurën se nuk do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila zhvillohet javën e ardhshme, teksa përballet me kritika për persekutimin e myslimanëve rohingianë…

Kryetarja e Shtetit të Mianmarit (Birmani), Aung San Suu Kyi, njoftoi të mërkurën se nuk do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila zhvillohet javën e ardhshme, teksa përballet me kritika për persekutimin e myslimanëve rohingianë.

Rreth 370 mijë njerëz nga komuniteti pakicë mysliman i Mianmarit kanë braktisur vendin dhe janë strehuar në Bangladesh që kur nisi dhuna në shtetin e Arakanit (Rakine).

Aung San Suu Kyi, laureate e Çmimit Nobel për Paqen në vitin 1991, po akuzohet gjithnjë e më fuqishëm nga mbështetësit e saj në Perëndim se nuk është duke bërë asgjë kundër persekutimit të myslimanëve të Arakanit, madje as flet për këtë.

Ushtria e Mianmarit, vend kryesisht budist, thotë se po lufton miliantët duke mohuar çdo akuzë për dhunë mbi civilët myslimanë në Arakan. Por eksodi masiv dhe mijëra viktimat flasin krejt ndryshe, diçka që nga OKB-ja është cilësuar si “spastrim etnik”.

Mungesa e Aung San Suu Kiy në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së duket logjike në kohën kur kritikat dhe akuzat ndaj saj po shtohen gjithnjë e më shumë, edhe pse autoritete të qeverisë birmane thanë se ajo nuk u frikësohet ballafaqimeve.

Sipas zëdhënësit të saj, Zaw Htay, këshilltarja e shtetit, roli zyrtar i Su Kyi në Mianmar, nuk ka frikë të përballet me kritika apo probleme, por ajo ka çështje më të rëndësishme për t’u marrë.

“Prandaj në vend të saj i pranishëm në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së do të jetë zv/presidenti i Mianmarit, Henry van Thio”, shtoi zëdhënësi Htay.

Sipas disa analistëve, është mjaft e vështirë që Çmimi Nobel i Paqes të justifikojë atë çfarë po ndodh në vendin e laureates Aung San Suu Kyi dhe duket se e persekutuara është shndërruar tashmë në një persekutuese.

Kritikat e ashpra ndaj saj nuk i kanë kursyer as fitues të tjerë të Nobelit për Paqen si lideri shpirtëror i Tibetit, Dalai Lama, aktivistja pakistaneze e arsimit, Malala Yousafzai dhe kryepeshkopi i Kishës Anglikane të Afrikës së Jugut, Desmond Tutu.

Ndërkaq, Zyra e Presidencës së Mianmarit njoftoi themelimin e komisionit 15-anëtarësh, i cili do të implementojë propozimet në lidhje me përmirësimin e jetës dhe sigurisë së myslimanëve rohingianë.

“Komisioni do të operojë në fushën e zhvillimit ekonomik, sigurisë dhe punëve sociale në Arakan”, theksohet në një komunikatë me shkrim nga Zyra e Presidencës së Mianmarit, ku nënvizohet gjithashtu se ky organ mund të përshpejtojë edhe procesin në lidhje me njohjen e shtetësisë birmane për myslimanët e Arakanit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit