8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Liderët e vendeve të rajonit mesazhe urimi për Kurban Bajramin

Më të lexuarat

Liderët e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës, kanë uruar besimtarët muslimanë për festën e Kurban Bajramit.

“Kurban Bajrami është festë e solidaritetit, humanitetit, kujdesit ndaj të tjerëve”

Me rastin e festës e cila thekson dhurimin dhe solidaritetin, thuhet në urimin e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, “uroj që edhe këtë vit Kurban Bajrami të kalojë me shëndet, mirëqenie dhe harmoni, duke u ndihmuar të gjithë atyre që kanë nevojë për ndihmë, përkrahje dhe dashuri të pakushtëzuar”.

Presidenti Pendarovski me rastin e Kurban Bajramit, uroi edhe kryetarin e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Sulejman Rexhepin.

“Më lejoni që të shfrytëzoj këtë mundësi dhe t’u bëj thirrje që edhe më tej në mënyrë të përkushtuar të punojnë në mirëkuptimin dhe respektin e ndërsjellë pa marrë parasysh përkatësinë fetare, etnike, apo çfarëdo përkatësie tjetër. Besoj se me përpjekje të përbashkëta përfundimisht do të ndërtojmë një shoqëri në të cilën secili do të ndjehet i barabartë dhe i lirë”, thuhet mes tjerash në urimin e presidentit të shtetit.

Edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, uroi besimtarët muslimanë për festën e Kurban Bajramit, duke dëshiruar ditë të lumtura dhe të qeta, “me dëshira të sinqerta që festa të festohet me disponim dhe shëndet të mirë”.

“Kurban Bajrami është festë e solidaritetit, humanitetit, kujdesit ndaj të tjerëve, unitetit dhe barazisë. Këto janë vlera që duhet të jenë udhëzues i yni i përbashkët në ndërtimin e një shoqërie për të gjithë. T’i kultivojmë këto vlera si një investim i përbashkët i yni në një të ardhme më të prosperuar. Shkëlqimi i lavdishëm dhe fisnik i kësaj feste qoftë në shtëpitë e të gjithë besimtarëve. Gëzuar festën! “, qëndron në urimin e kryeministrit Zaev.

Meta: Në këtë ditë ne ndajmë begatinë tonë me njerëzit në nevojë

Në mesazhin e tij të urimit presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, thekson se “Në këtë ditë të shenjtë, feste e bashkimi, ne ndajmë begatinë tonë me njerëzit në nevojë dhe solidarizohemi me ta”.

“Kjo festë që vërteton harmoninë e bashkëjetesën tonë fetare, uroj të na nxitë për më shumë tolerancë, dialog gjithëpërfshirës dhe bashkëpunim, në mënyrë që të gjithë së bashku të ndërtojmë një të ardhme më të mirë e të begatë për brezat e rinj dhe një Shqipëri si gjithë Evropa”, thuhet në mesazhin e urimit të presidentit Meta, publikuar nga Presidenca e Shqipërisë.

Më tej Meta në urimin e tij thekson se “Dita simbol e sakrificës sublime në emër të vlerave më të mira njerëzore e hyjnore, na fton të ngrihemi mbi interesat personale, për të menduar më shumë për interesin e përbashkët kombëtar.

Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në mesazhin e tij publikuar në rrjetet sociale shkruan: “Me këto pamje të punës së bukur për nxjerrjen në dritë të Xhamisë së Pazarit në Gjirokastër, Gëzuar Kurban Bajramin”.

Ndërsa presidenti Thaçi, në mesazhin e publikuar në rrjetet sociale shkruan se “Kjo festë na kujton sakrificën që bëjmë për veten dhe të tjerët, për besimin në jetë më të mirë, na kujton nevojën për të qenë solidarë me njëri tjetrin, të kujdesemi për çdo pjesëtar të shoqërisë, të dhurojmë dashuri e mirësi për të gjithë”

“Në këto ditë festash edhe më shumë dalin në dritë vlerat e shoqërisë sonë: toleranca, bashkëjetesa dhe respekti i ndërsjellë, pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare. Urime Festa e Kurban Bajramit”, ka shkruar Thaçi.

Besimtarët muslimanë në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe vende të tjera sot kremtojnë festën e Kurban Bajramit./AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit