16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Lexo për Sinqeritetin

Më të lexuarat

Nga ato që tregojnë për rëndësinë e sinqeritetit dhe pasimit, të cilat janë kushte në pranimin e adhurimit mund të përmendim:

  1. Allahu ka urdhëruar për sinqeritet në adhurimin e Tij. Ai thotë: “Dhe adhurojeni Atë duke qenë të sinqertë në lutje vetëm për të.” Araf, 29
  2. Allahu ka përcaktuar që vetëm Ai të ligjërojë ( të vendosë ligje), kështu që kjo është vetëm e drejtë e Tij. Ndaj kush e adhuron Allahun me diçka që është jashtë asaj që Ai ka ligjëruar, në këtë rast ky i ka dhënë vetes këtë cilësi që Allahu ia ka përcaktuar vetes (ligjërimin e çështjeve) Allahu thotë: “Ai u përcaktoi juve fe atë që i pat përcaktuar Nuhut dhe atë që Ne ta shpallëm ty.” Shura, 13

Allahu thotë: “Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë. Pra, përmbahuni kësaj e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij.” En’am, 153

  1. Allahu është i pa kënaqur me ata të cilët ligjërojnë nga mendja e tyre. Allahu thotë: “A mos kanë ata ortakë (zota ose idhuj) që u përcaktuan atyre fé, të cilën nuk e urdhëroi Allahu?” Shura, 21
  2. Allahu e ka plotësuar për ne fenë dhe Ai është i kënaqur me të. Ai thotë: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time dhe zgjodha për ju Islamin fe.” Maide, 3

Shpikja në fe në të vërtetë është sikur të korigjosh Allahun dhe të dërguarin e Tij dhe të akuzosh fenë se është e mangët.

  1. Nëse do të lejohej për njerëzit që ta adhuronin Allahun me ç’të donin dhe si të donin, atëherë çdonjëri prej tyre do të kishte një rrugë apo mënyrë të caktuar të adhurimit. Kështu që, jeta e njerëzve do të bëhej si një skëterr i vërtetë, si shkak i gjakderdhjeve dhe kundërshtimeve të shumta që do të ekzistonin, si pasojë e shijeve të ndryshme që do të ishin tek njerëzit. Pra padyshim, një gjë e tillë do të çonte në kundërshtime dhe përçarje të paevitueshme.

Ndërsa ndjekja e Profetit (salallahu alejhi ue selam) dhe lënia e shpikjeve në fe është nga shkaqet më kryesore dhe më të mëdha për harmoninë dhe bashkimin.

  1. Nëse do të lejohej për njerëzit që ta adhuronin Allahun me ç’të donin dhe si të donin, atëherë do të dilte si i panevojshëm dërgimi i profetëve dhe këtë asnjë i llogjikshëm nuk e thotë.

Thënia e Allahut të Lartë: “ E nuk ka asgjë që të mos e ketë burimin tek Ne” (Hixhr, 21) është përmbledhja e një nga thesaret e thesareve që do të thotë: “Çdo gjë të mos kërkohet nga tjetër përveçse vetëm nga Ai, në Dorë të të Cilit janë çelësat e depove të çdo gjëje.Të kërkosh diçka nga tjetërkush do të thotë të kërkosh diçka nga ai i cili nuk e posedon atë dhe që nuk ka mundësi mbi të.”

Dhe thënia e Tij: “ Dhe se vërtet tek Zoti yt është përfundimi (i çdo gjëje)”, është një tjetër thënie që përfshin një tjetër thesar madhështor, i cili është : “Nëse çdo qëllim nuk është për hir të Tij apo që të formojë lidhje me Të, ai qëllim është i humbur, i ndërprerë sepse nuk mund te jetë tek tjetërkush  përfundimi, kulmi, përveçse tek Ai në të cilin përfundojnë të gjitha çështjet. Pra të gjitha çështjet e kanë përfgundimin tek krijimi i Tij, vullneti i Tij, mençuria dhe dituria e Tij.

Ai është qëllimi i çdo gjëje që kërkohet. Çdo dashuri që i kushtohet dikujt jo për hir të Tij është dënim; çdo veprim që nuk kryhet me qëllimin për hir të Tij është i gabuar e i humbur, dhe çdo zemër që nuk është e lidhur me Të është fatkeqe, sepse i është vënë pengesë për të arritur lumturinë dhe shpëtimin e saj. Pra ajo çka kërkohet nga Ai është përmbledhur në thënien e Tij:  “E nuk ka asgjë që të mos e ketë burimin tek Ne” dhe ajo çka kërkohet për hir të Tij është përmbledhur në thënien e tij “Dhe se vërtet tek Zoti yt  është kthimi i fundit (përfundimi)”. Pra nuk ekziston pas Tij (i lartësuar qoftë!) cak apo kulm që kërkohet dhe nuk ka përveç tij kulm tek i cili është përfundimi.

Qetësia e zemrës dhe trupit qëndron në bindjen ndaj Allahut

Nën këtë frazë është një sekret madhështor nga sekretet e teuhidit: Fakti që zemra nuk qetësohet dhe rehatohet përveçse me arritjen tek Ai. Çdo gjë përveç Allahut që duhet dhe dëshirohet është si qëllim për tjetërkënd dhe jo për vetë atë, ndërsa i dashuri dhe i dëshiruari për vetë veten e Tij është vetëm Një: Ai tek i Cili është përfundimi i gjithçkaje, caku i çdo gjëje dhe është e pamundur që caku (limiti) të ekzistojë në dy, ashtu siç është e pamundur që fillimi ose shpikja e krijesave të jetë nga dy. Kështu që, ai që limitin e dashurisë së tij, dëshirës, vullnetit dhe të bindjes e ka tek tjetërkush, ka bërë që këto të jenë pa vlerë për Allahun dhe që t’i largohet e ta lerë të vetëm, Ai për të cilin ka më shumë nevojë se për çdo gjë tjetër. Ndërsa ai  limiti i dashurisë së të cilit, dëshirës dhe kërkesës së tij është i Lartësuari, i ka fituar begatitë, shijimin dhe lumturinë e tij përgjithmonë.

Ligjet e urdhëresave dhe të fatkeqësive

Robi gjithmonë rrotullohet ndërmjet ligjeve të urdhëresave dhe ligjeve të fatkeqësive. Ai ka nevojë, madje është i detyruar për ndihmë në kryerjen e urdhëresave dhe për butësi në fatkeqësi. Sipas përkushtimit të tij ndaj urdhëresave, shijon edhe butësinë dhe bamirësinë në fatkeqësi. Nëse e plotëson përkushtimin ose zbatimin e urdhëresave haptas dhe fshehtas, e përfshin butësia haptas dhe fshehtas. Por nëse i zbaton ato vetëm në pamjen e jashtme dhe jo në realitetin e tyre atëherë ai fiton butësinë haptas dhe i pakësohet butësia e brendshme ( e fshehur).

Butësia e brendshme

Nëse pyesim: Ç’është butësia e brendshme? Është ajo qetësi, rehati që përjeton zemra në çaste fatkeqësish. Është largimi nga ajo e shqetësimit, konfuzionit dhe pikëllimit duke mbetur e nënshtruar dhe e qetësuar ndërmjet duarve të Sunduesit të saj.

Një njeri i tillë që shikon tek sunduesi i Tij me zemrën e tij, i qetësuar shpirti i tij tek Ai, është i zënë me shikimin në butësinë e Krijuesit të Tij ndaj robit, saqë nuk i hedh sytë nga ashpërsia e dhimbjes në të cilën ndodhet. Dhe vërtetë, ajo që e bën vërtet të mungojë në prezantimin e kësaj dhimbjeje është njohja e tij (e robit) ndaj mirësisë së zgjedhjes së Allahut për të si edhe ajo që ai është rob i thjeshtë, ku zotëria i tij zbaton ligjet e Tij mbi të, sido që të kënaqet apo zemërohet ai. Nëse është i kënaqur me atë që i ndodh, fiton kënaqësinë e Allahut, e nëse zemërohet, fiton zemërimin e Tij (siç transmetohet nga Enesi se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Me të vërtetë, shpërblimet më të mëdha janë në sprovat më të mëdha. Vërtet, kur Allahu e do një popull e sprovon atë, e ai që mbetet i kënaqur për të është kënaqësia, e ai që zemërohet, për të është zemërimi”. Kjo pra, është butësia e brendshme, fryt i asaj marrëdhënieje të padukshme, e cila (butësia) shtohet me shtimin e kësaj marrëdhënjeje të padukshme dhe pakësohet me pakësimin e saj.

Nga ligjet e teuhidit

Urime për atë që është i drejtë në marrëdhëniet me Zotin e tij! I cili e pranon injorancën e vet përpara dijes së Krijuesit të tij, i pranon të metat e veprave të tij dhe gabimet e vetes së tij, e pranon tejkalimin në të drejtën e tij, padrejtësinë e tij në marrëdhënie me Allahun. Nëse Allahu e ndëshkon për mëkatin e tij ai shikon drejtësinë e Allahut mbi të, nëse nuk e ndëshkon ai sheh mirësinë e Tij, nëse bën diçka të mirë e sheh si një dhuratë dhe lëmoshë nga ana e Tij, nëse ia pranon këtë të mirë Allahu, atëherë këtë e sheh si një lëmoshë të dytë nga ana e Tij. Por, nëse nuk ia pranon, atëherë ai kupton se me një të tillë nuk bën dobi t’i drejtohet. Nëse vepron një diçka jo të mirë shikon largimin e Allahut nga ai dhe të mbrojtjes së Tij nga ai. Dhe kjo është nga drejtësia e Allahut. Kështu që, këtu shikon nevojën që ka ai për Zotin e tij dhe padrejtësinë ndaj vetes së vet. Dhe nëse Allahu ia fal atë veprim jo të mirë që ky ka bërë, kjo është gjithashtu nga mirësia e Tij absolute, ekzistenca e Tij absolute dhe nga bujaria e Tij absolute.

Dhe pikat e kësaj çështjeje dhe sekreti i saj është : “Të mos e shikojë robi Zotin e tij përveçse bamirës dhe të mos e shikojë veten e tij veçse keqbërës ose tejkalues dhe ta shikojë çdo gjë që e gëzon atë nga mirësia e Zotit të Tij për të dhe nga bamirësia e Tij dhe çdo gjë  që e mërzit atë ta shikojë si rrjedhojë e mëkateve të tij dhe drejtësisë së Allahut mbi të.”

  

Përgatiti: Erion Sula

Allahu krijesat e Tij i krijoi vetëm për një qëllim, e ai është adhurimi i Allahut të Lartësuar. Zoti në Kuran thotë: “Nuk i kam krijuar xhinët as njerëzit për tjetër vetëm se të më adhurojnë.” Dharijat, 56. Gjithashtu për adhurim ka vendosur dy kushte kryesore: sinqeritetin dhe pasimin e sunetit të Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem). Në këtë temë ne do të flasim për kushtin e parë, pra për sinqeritetin.

Allahu subhanehu ue teala thotë: “E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, përveç që të adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, të falin namazin, të japin zekatin, se ajo është feja e drejtë.” Bejine, 5.

-Sinqeriteti me të cilin është i kënaqur Allahu dhe me të cilin t’i pranon punët për hir të Allahut dhe të pritet shpërblimi vetëm prej Tij, e mos të veprojë asnjë punë me qëllim që ta shohin apo ta dëgjojnë të tjerët, ose të arrijë me të pasuri apo pozitë në shoqëri.

-Muslimani kurrsesi nuk bën të harrojë se çdo punë që bëhet jo e sinqertë është e pa pranuar tek Allahu dhe nuk ka prej saj asnjë rezultat, sado që të jetë kjo vepër e madhe. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe ne i kthehemi ndonjë vepre që e bën ata dhe e bëjmë atë hi e pluhur.” Furkan, 23.

Kurse Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë: “ Çdo punë shpërblehet sipas qëllimit, e për çdo person është shpërblimi sipas asaj që ka pasur qëllim…” Transmeton Buhariu dhe  Muslimi.

Ndërsa në një hadith tjetër thotë: “Allahu nuk e pranon asnjë punë, përveç asaj që është e sinqertë dhe që shpresohet me të fytyra e Allahut.” Transmeton Nesaiu. Gjithashtu Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) na ka treguar se zjari i xhehenemit do të ndizet me tre lloj personash: me lexuesin e Kuranit, me muxhahidin dhe me atë që ka dhënë sadaka, ndërkohë që këta i kanë vepruan këto vepra që t’u thuhet filani lexues i miri i Kuranit, filani trim, filani dorëlirë, e kështu me radhë, e punët e tyre nuk ishin për hir të Allahut. Sinqeriteti, gjithashtu, është prej fshehtësive mes robit dhe Allahut e atë nuk mund ta dijë askush, pra as engjëjt, as pejgamberët, saqë këtë gjë nuk e dinë as engjëjt të cilat i shkruajnë punët e njerëzve. Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Do të dalin punët e bijve të Ademit para Allahut në fletushka të vulosura dhe Allahu thotë: ‘Gjuaji këto dhe bjeri ato tjerat’, ndërsa engjëjt do të thonë: ‘O Allah, ne prej këtij personi nuk kemi parë përveçse punë të mira’ Allahu thotë: ‘Punët e tij kanë qenë jo për hir Timin, e Unë sot nuk pranoj punë përveç asaj që është bërë për hir Timin’.” Transmeton Ebu Beker el Bezar.

Personi i sinqertë gjithmonë punon për ta arritur kënaqësinë e Allahut, e atij nuk i intereson lavdërimi dhe kënaqësia e njerëzve apo hidhërimi i tyre.

-Sinqeriteti është  fshehtësi që bëhet shkak për shpëtimin tënd në këtë botë dhe në botën tjetër, e gjithashtu është shtyllë kryesore për të pasur punët vlere, qofshin këto punë adhurime apo marrëdhënie mes njerëzve.

-Sinqeriteti në punë konsiderohet sikurse shpirti për trupin, pra nëse nuk ka shpirt trupi nuk ka vlerë e edhe adhurimet nëse nuk shoqërohen me sinqeritet nuk kanë vlerë. Pra nga e gjithë kjo mund të konkludojmë në fund se kjo punë- sinqeriteti- është vaxhib.

– Ibën Abasi radijallahu anhu thotë: “Kush punon për këtë botë Allahu do ia japë atë, kurse në botën tjetër nuk ka asnjë shpërblim.”

– Katade thotë: “Kush e ka qëllim kryesor këtë botë Allahu do ta shpërblejë me të mirat e saj e për të nuk mbetet në botën tjetër asgjë që t’i jepet. Puna, sado që të jetë e vogël, nëse bëhet për hir të Allahut do të peshojë në Ditën e Gjykimit sa malet, dhe e kundërta, pra nëse bëhet pa sinqeritet edhe po të jetë shumë e  madhe ajo nuk do të peshojë as sa krahët e mushkonjës.”

Është e vërtetë se pastrimi i nijetit është prej punëve më të vështira, (e për këtë arsye e ka edhe vlerën shumë të madhe) mirëpo njeriu duhet të luftojë sa më shumë që ta largojë këtë sëmundje nga vetja e tij -pra mossinqeritetin në punë-, edhe nëse ky shërim zgjat me vite, ashtu siç transmetohet nga disa dijetarë të selefëve të cilët punuan në përmirësimin e nijetit me dhjetëra vite, derisa në fund e arritën qëllimin e tyre, e si jo, duke e pasur parasysh se Allahu e ndihmon robin e Tij i cili mundohet ta përmirësojë veten e tij apo shoqërinë në të cilën jeton.

Allahu subhanehu ue teala në Kuran thotë: “Ata të cilët mundohen për hir tonin Ne do i udhëzojmë.”

-Ebu Ejub el Ensari thotë: “Pastrimi i qëllimeve në punë është më i vështirë se te gjitha punët.”

-Nevojitet për besimtarin që dëshiron të cilësohet me këtë cilësi të lartë që ta largojë nga zemra e tij dashurinë e epsheve dhe ta mbushë atë me dashurinë e Allahut. Personat e sinqertë edhe kur bëjnë ndonjë punë të kësaj bote që nuk ka kurrfarë lidhje me adhurime si shembulli i gjumit apo ngrënies dhe pirjes etj. Nëse i bën me qëllim që të forcohet për adhurim, do të shpërblehet për qëllimin dhe punën e tij, siç thotë Muadhi radiallahu anhu: “Unë pres shpërblim nga Allahu kur fle, ashtu siç pres shpërblim prej Tij kur e adhuroj.” (Transmeton Buhariu).

Pra, siç po e shohim, sinqeriteti ka vlerë të madhe dhe është çështje me rëndësi, bile edhe kusht për pranimin e adhurimeve, e muslimani gjithmonë duhet të ketë kujdes në këtë çështje kur ta veprojë punën, e pasi ta përfundojë atë nëse njerëzit e lavdërojnë për këtë punë e ky gëzohet në veten e tij, inshallah nuk ka problem, por prap duke e ruajtur sinqeritetin.

Në fund e lusim Allahun subhanehu ue teala të na bëjë prej të sinqertëve dhe të na i pranojë adhurimet dhe  punët tona të mira dhe të na i falë gabimet.

Lulzim Susuri

27.08.2006

 

Sinqeriteti në jetën e muslimanit është një mjet i domosdoshëm për të fituar kënaqësinë e Allahut të Madhëruar.

Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun më një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zekatin, se ajo është feja e drejtë.” Bejine, 5.

Që vepra e muslimanit të jetë e pranuar tek Allahu i Madhëruar, duhet që ai të jetë i sinqertë në kryerjen e obligimeve fetare, ashtu siç na obligon Allahu Fuqiplotë. Besimtari duhet të jetë i bindur se çdo vepër në të cilën zë vend sinqeriteti, ajo nuk refuzohet tek Allahu i Lartësuar dhe për të do të shpërblehet.

Në një hadith Pejgamberi (alejhi selam) thotë:

“Sinqeriteti shpie në mirësi, kurse mirësia shpie në xhenet. Vërtet, njeriu i cili vazhdimisht është i sinqertë (në besim dhe në të folur), tek Allahu shkruhet besimtar i vërtetë. Gënjeshtra shpie në prishje (morale), kurse prishja shpie në xhehenem. Njeriu që gënjen vazhdimisht më në fund tek Allahu shkruhet si gënjeshtar i madh.” Mutefekun alejhi.

Kur besimtari i frikësohet Allahut të Madhëruar në çdo vepër që e bën gjatë jetës së tij duke e kryer atë sipas parimeve të Islamit, zemra e tij do të jetë e pushtuar nga sinqeriteti.

Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë, frikësohuni Allahut dhe jini me ata që janë të sinqertë.”

Frika ndaj Allahut arrihet kur robi largohet nga gjërat me të cilat nuk është i kënaqur Allahu dhe i dërguari i Tij (alejhi selam).  

Pejgamberi (alejhi selam) në një hadith thotë:

“Largohu prej gjithçkaje që është e dyshimtë e përmbahu asaj që nuk është e dyshimtë. Vërtet, sinqeriteti në besim është siguri, kurse gënjeshtra është dyshim.” Transmeton Tirmidhiu. 

Që veprat tona të jenë  të pranuara tek Allahu i Lartësuar duhet që të gjithë atë sinqeritet që e kemi, të jetë në përputhshmëri me sunetin e Muhamedit (alejhi selam).

Në librin e dijetarit të njohur Islam Ibën Tejmije “Të qenët rob i Allahut” përmendet Fudejl ibën Ijad, i cili në lidhje me ajetin: “…Për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë…” kishte thënë: “Ka kuptimin më i sinqerti dhe më i sakti.” E për këtë ishte pyetur: O Ebu Ali, çfarë nënkupton më këto? Ai ishte përgjigjur: “Nëse vepra është e sinqertë, por nuk është e saktë, nuk është e pranuar. Nëse vepra është e saktë, por jo e sinqertë, sërish nuk është e pranuar. Dhe nuk është e pranuar, vetëm nëse është e sinqertë dhe e saktë,”

Neve na mbetet që të punojmë me fjalën e Allahut dhe të dërguarit të Tij, Muhamedit (alejhi selam), duke u ruajtur kështu nga syefaqësia dhe nga gjërat e tjera të dyshimta, të cilat mund ta zbehin sinqeritetin në zemrat tona.

Dashtë Allahu i Madhëruar që këto pak ajete dhe hadithe që i morëm nga burimi i pashtershëm i Islamit, të ndikojnë sado pak në zbutjen e zemrave tona, duke na shtuar sinqeritet, i cili, pa dyshim, do të na ndihmojë të fitojmë kënaqësi në këtë botë dhe shpërblim në botën tjetër. Këtë temë po e përfundojmë më një thënie të dijetarit  të gjeneratës së tabiinëve Hasan el Basriut, i cili kishte thënë:

Të gjithë njerëzit janë në humbje, përveç atyre që punojnë;nga këta që punojnë të gjithë janë në humbje, përveç atyre që janë të ditur; nga këta të diturit të gjithë janë të humbur, përveç atyre që janë të sinqertë dhe të sinqertit janë para një rreziku të madh.”

Përgatiti grupi i studentëve “Ali ibën Ebi Talib”

02.12.2006

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit