Lëvizja studentore “SKV” edhe sot para Rektoratit

0
44

Lëvizja studentore “Studim Kritikë Veprim” ka vazhduar edhe gjatë natës bllokimin e hapësirës së Rektoratit, për të protestuar siç thonë ata për të drejtat e barabarta studentore.

Në kumtesën për media bëhet e ditur se hyrja e Rektoratit do të jetë e bllokuar edhe të martën, deri në një vendim të drejtë e të bazuar në ligj ndaj ankesës sonë të bërë në MASHT.

“Janë bërë 24 orë që studentët e UP-së po e mbajnë të bllokuar hyrjen e Rektoratit. Gjatë këtyre 24 orëve ata e kthyen oborrin e Rektoratit, në një ambient të hapur për të gjithë. Aty u lexuan ese, u këndua, u shfaqën filma e u diskutua. Studentët e kaluan natën në hapësirat e Rektoratit, duke protestuar për të drejta të barabarta studentore”, thuhet në kumtesë.

Më tej bëhet e ditur se studentët do të qëndrojnë aty paqësisht, për të ushtruar të drejtën e tyre për protestë dhe për të kërkuar të drejta të barabarta për të gjithë.

“Ne i bëjmë thirrje MASHT-it që ta rrëzojë vendimin e Komisionit Zgjedhor të UP-së, vendim ky që shkel Rregulloren për Zgjedhje në UP, Statutin e UP-së, Ligjin për Arsimin e Lartë dhe të Drejtat e Njeriut. Në momentin kur të na kumtohet lajmi se Rronit dhe Durimit i njihen të drejtat e plota të studentit, ne do t’i largojmë mjetet tona nga hapësira e Rektoratit dhe do ta pastrojmë atë hapësirë. Përndryshe, ne do të jemi të detyruar të qëndrojmë aty, derisa sa të merret një vendim ligjor”, thuhet në kumtesë. /Telegrafi/kohaislame