LDK-ja “ia lëshon fore” Vetëvendosjes

0
49

Të dy partitë janë në opozitë. E bash kur i duhet më së shumti që të bashkëpunojnë, ato dështojnë.
Për Lëvizjen Vetëvendosje si forca e dytë opozitare në Kosovë, shitjes së distribucionit po i vije era, mirëpo erë e dyshimtë po i vije edhe veprimit të LDK-së në seancën e 5 korrikut, ku u votua për mocionin e ngritur nga VV-ja lidhur me këtë privatizim.
Ndonëse LDK-ja votoi për mocionin e Vetëvendosjes, kjo parti në sallë kishte vetëm shtatë deputetë.
Edhe pse Indeksonline ka provuar gjatë tërë ditës së mërkurë, në LDK nuk duan të flasin për mungesën e deputetëve të tjerë në këtë votim.
Në anën tjetër, ata që e filluan këtë mocion, Vetëvendosje, mendon se LDK duhet të qartësojë se për çka po qëndrojnë ata, qoftë si Grup Parlamentar, qoftë si subjekt politik.
“LDK si subjekti më i madh opozitar, duhet në radhë të parë t’ia bëj të qartë vetes dhe pastaj edhe opinionit të gjerë qëndrimin e saj për çështje të rëndësishme siç është kjo e shitjes së distribucionit. Harmonizimi fillimisht i mocionit dhe mosprezenca e tyre gjatë votimit e paqartëson atë se për çka qëndrojnë ata, qoftë si Grup Parlamentar, qoftë si subjekt politik” ka thënë Erzen Vraniqi për Indeksonline.
E, Avni Zogiani njëri nga themeluesit e Organizatës ÇOHU!, ka thënë se LDK-ja është një parti në kaos dhe sipas tij s’ka autonomi në veprimet e veta.
“LDK është një parti në kaos. Ka aq shumë personalitete që kanë ndikime konfliktuoze në njërën anë, por në anën tjetër është një parti nga seti i partive që më shumë i dhënë llogari ndërkombëtarëve sesa Kuvendit të Kosovës. Kjo është një parti që s’ka autonomi në veprimet e veta, por edhe është në një mungese totale vizioni mbi atë që kërkon” ka thënë Zogiani për Indeksonline.
Ai po ashtu ka thënë se LDK-ja e ka humbur atë “lavdinë” që e pati dikur.
“Është thjesht një parti që po llogaritet në inercionin e votës duke u thirrur në një trashëgimi e “lavdi” që e pati dikur. Në të gjitha rastet, sikur edhe me rastin e distribucionin, LDK ka qenë tërësisht e padukshme. Si parti e dytë ajo jo vetëm që s’ka pasur iniciativa opozitare, por nuk ka ndihmuar as ato iniciativa që kanë ardhur në parlament nga të tjerat subjekte. Në këtë formë siç po vazhdon LDK shpejt do të bëhet një parti e pa-përfillshme” ka thënë Zogiani për Indeksonline.
Me 5 korrik, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se në bisedimet që janë zhvilluar me përfaqësuesin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u dakordua që të modifikohet teksti i mocionit dhe të reduktohet nga katër pika vetëm në dy.
Ai më pas ka lexuar pikat e mocionit që parashiheshin ndërprerjen e privatizimit deri në sjelljen e informatave të procesit të privatizimit.
Pas propozimit të mocionit, kryetari i Kuvendit e hodhi në votim, ku me 48 kundër, 31 për dhe 2 abstenime nuk kaloj ky mocion. /Indeksonline/kohaislame