LDK fillon bllokadat

0
29

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka qenë pjesë e marrëveshjes politike në mes tre liderëve politikë për zgjedhjen e presidentes Atifete Jahjaga dhe tejkalimin e krizës politike që kishte kapluar vendin pas rrëzimit të Behgjet Pacollit nga Gjykata Kushtetuese, ka filluar t’i tregojë “muskujt”.
Partia më e madhe opozitare, e cila udhëheq Komisionin për Reformë Zgjedhore, qysh të martën ka filluar bllokimin e punës së këtij komisioni, shkruan “Zëri”.

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili thotë se presidentja Atifete Jahjaga, ka mandat deri më 2016, ka futur në “sherr” tre liderët politikë, Thaçi – Mustafa – Pacolli, të cilët janë nënshkrues të marrëveshjes.

Derisa kryeministri Hashim Thaçi, i cili është lider i partisë në pushtet ka mbështetur vendimin e Kushtetueses, dy nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes, Mustafa dhe Pacolli kërkojnë respektim të asaj marrëveshje, e cila parasheh që zgjedhjet presidenciale të mbahen në fund të 2012-ës.

Madje, LDK e cila vetëm një ditë më parë paralajmëroi se do të bllokojë reformën kushtetuese dhe zgjedhore nëse s’do të ketë respektim të marrëveshjes, e mbajti fjalën.

Takimi i Komisionit për Reformë Zgjedhore që ka të bëjë me numrin e zonave zgjedhore, listat zgjedhore dhe pragun elektoral, është bojkotuar të martën nga LDK-ja, ka konfirmuar për gazetën anëtari i këtij komisioni, Halit Krasniqi. /Telegrafi/kohaislame