“Lamien”, ushqimi tradicional i muslimanëve të Kinës

0
143

Ushqimi tradicional dhe praktik i muslimanëve të Kinës i quajtur “Lamien” (petë), me shekuj bën pjesë në mesin e shijeve të preferuara

 

FUAT KABAKÇI, TEVFİK DURUL

PEKIN (AA) – Ushqimi tradicional dhe praktik i muslimanëve të Kinës i quajtur “Lamien” (petë), me shekuj bën pjesë në mesin e shijeve të preferuara.

Derisa në jug të Kinës më të përhapura janë ushqimet me oriz, në veri më të preferuara janë ushqimet me petë (makaronat kineze). Lamien përgatitet shpejt me hollimin e brumit në hollësinë e perit në duart të gatuesve të shkathët.

Petët me mish apo vegjetarianë u servohen klientëve në pjata të mëdha. Petat, brumi me farë i të cilave ngjeshet në duart e gatuesve derisa të arrijnë në formën e telave të hollë, pas zierjes në ujë të valuar për pesë minuta, shërbehen duke u shtuar mish, salcë të sojës, rrepkë, qepë e gjelbër, majdanoz dhe salca të tjera të llojllojshme.

Për shkak të përgatitjes së shpejtë dhe praktike, petët cilësohen si “Ushqimi i shpejtë kinez”. Një pjatë e petëve mesatarisht kushton tre euro.

Derisa në kryeqytetin Pekin në çdo rrugë bie në sy nga një dyqan petësh, ka dhe restorante të shpeshta në afërsi të xhamive që shërbejnë petë hallall.

Restoranët për “Lamien” punojnë me intensitet më të madh gjatë stinës së vjeshtës. Petët me salcë djegëse apo të sojës, të sjella me avull nga kuzhina, në motin e ftohtë janë ushqim i parezistueshëm për klientët.

Petët janë ushqim i të gjithëve pa dallim, i pasur, i varfër, musliman apo jomusliman

“Lanzhou Lamien” është një lokal i veçantë i cili emrin e ka marrë nga kryeqyteti Lanzhou i provincës Gansu, vend ky në të cilin me shumicë jetojnë anëtarët e komunitetit Hui (muslimanëve kinezë).

Ma Hajshuen, pronari i një restoranti Lanzhou Lamien në Pekin, për Anadolu Agency (AA) tha se nxitimi i cili fillon që në orët e mëngjesit e që vazhdon deri në fund të ditës, e bënë atë të punojë 12 orë në ditë.

Duke theksuar se në lokal punon bashkë më anëtarët e familjes, Ma shtoi se edhe prindërit e tij të moshuar herë pas herë i mbështesin ata.

“Nuk kemi as pushim për fundjavë. Punojmë shumë, por në fund të ditës brendinë e kemi të qetë”, tha ai.

Ai poashtu u shpreh se petët janë të preferuara nga të gjithë, meqë janë një ushqim tradicional.

“Mes klientëve tanë ka të pasur, të varfër, muslimanë dhe jomuslimanë, nga të gjithë. Prandaj, e kemi të gjerë gamën e klientëve. Fitimi ditor arrin në afro dy mijë juanë (258 euro)”, theksoi Ma.

Nga ana tjetër, mjeshtri i petëve, Ma Xhinhaj, u shpreh se ka përvojë të gjatë me petët dhe se për të përgatitur petë duhet të paktën një vit trajnim.

Duke theksuar që petët Lanzhou datojnë që nga vitet e fundit të dinastisë Çing, mjeshtri Ma tha: “Historia e Lanzhous është mbi dyqind-vjeçare. Me veçantinë e përgatitjes së shpejtë, petët janë ushqimi i shpejtë kinez”.

Çdo vit, në Kinë konsumohen me miliarda pako të petëve të gatshme

Petët, edhe përkundër faktit që janë ushqim tradicional nga kuzhina kineze, konsumohen edhe në vendet përreth, si Koreja e Jugut, Japonia, Singapori dhe Vietnami. Në Kinë, si një prej vendeve lidere në tregtinë elektronike, “Fangbienmien” (petët e gatshme) kanë zënë vend në shitoret e internetit.

Petët e gatshme kanë zënë vend të rëndësishëm në Kinë, ku vitin e kaluar vëllimi tregtar ushqimor në internet arriti vlerën mbi 37 miliardë dollarë.