15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Lajmi Fundit: Fuad Ramiqi dhe katër imamë deklarohen të pafajshëm

Më të lexuarat

Lideri i Lëvizjes “LISBA” Fuad Ramiqi, por edhe imamët Bedri Robaj, Idriz Bilibani, Enes Goga e Mazllam Mazllami u deklaruan të pafajshëm në lidhje me akuzat për vepra terroriste dhe thirrje në rezistencë.

Përveç këtij deklarimi, në gjykatë imamët dhe Ramiqi kërkuan që të mos u caktohen seanca gjatë muajit të ramazanit, por vetëm pas Festës së Bajramit.

Kryetari i trupit gjykues Vesel Ismajli nuk e pranoi këtë kërkesë të të akuzuarve, pasi tha se sipas ligjit seanca e radhës duhet të mbahet 30 deri 40 ditë pas shqyrtimit fillestar.

Mazllam Mazllami i akuzuar se si imam në xhaminë “Jeni Mahalla” në Prizren gjatë predikimit të tij dhe në paraqitjet publike ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndaj grupit të komunitetit LGBT, i pranoi si fjalë të tij ato që shkruhen në dispozitiv të aktakuzës, por tha se nuk ka kryer vepër penale.

“Nuk e ndjej veten fare fajtor për atë punë, krejt ato fjalë janë krejt ato që i kam thënë, por nuk e ndjej vetën fajtor, atyre fjalëve ju rri mbrapa sepse prapë mendoj ashtu”, deklaroi Mazllami.

Sipas aktakuzës, Bedri Robaj që nga viti 2012 e deri në gusht të vitit 2014 në Prishtinë në Xhaminë e improvizuar te “Termokosi” ku ka shërbyer si imam dhe gjatë predikimeve dhe ligjëratave private ka mbështetur “xhihadin-shehidllëkun në Siri”.

“Xhamia” te “Termokosi” ka vepruar jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Idriz Bilibani që nga viti 2012 e deri në kohën e arrestimit në Prizren dhe në vende të tjera në Kosovë, si hoxhë gjatë mbajtjes së ligjëratave fetare në Xhami-OJQ-në “El Bejan” dhe paraqitjet tjera publike të incizuara në video ka përcjellë mesazhe shtytëse që persona të pacaktuar t’i bashkohen organizatës terroriste “Al Nusra” në Siri.

Enes Goga në pozitën e hoxhës në Pejë në një ligjëratë fetare para besimtarëve në Pejë, përmes “Audionur” me datën 10 mars 2014 të publikuar në YouTube, në të cilën kanë qasje një numër i pacaktuar i personave, publikisht ka nxitur urrejtje ndaj grupeve fetare të besimtarëve të krishterë.

Fuad Ramiqi akuzohet se prej fillimit të muajit shtator në paraqitjet e tij publike në mjetet e informimit në televizione, gazeta dhe rrjete sociale ka bërë thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë.

Sipas prokurorisë, me anë të këtyre veprimeve të akuzuarit Bedri Robaj dhe Idriz Bilibani kanë kryer veprën penale shtytje për kryerjen e veprave terroriste, kurse të akuzuarit tjerë Ernest Goga e Mazllam Mazllami akuzohen se kanë kryer veprën penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Seanca e ardhshme e këtij gjykimi do të zhvillohet gjatë qershorit.

Imamët dhe Ramiqi u arrestuan në një aksion kundër terrorizmit në shtator të vitit 2014, raporton kallxo.com.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit