7 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Laboratorët e FBI janë të pabesueshëm

Më të lexuarat

Shpesh kur në Shqipëri ka një çështje të rëndësishme gjyqësore, thuhet se do kërkohet ndihmë nga FBI amerikane. Por ky shkrim i Spiegel bën që të na rrëzohet besimi edhe tek një nga institucionet më të mirë në botë në fushën e hetimeve.
 
 
 
Këto ditë, CSI është një nga serialët televizivë më popullorë në botë. Kriminologët, të ashtuquajtur “Crime Scene Investigators”, zgjidhin rastet e vrasjeve me metoda të mjekësisë ligjore, duke analizuar prova të tilla si flokët, gjaku dhe ADN-ja. Seriali vazhdon pa ndërprerje që prej tetorit 2000 dhe i ka bërë hetuesit e laboratorëve heronj.
 
Por kriminologëve të vërtetë nuk u ka pëlqyer kurrë seriali. Për një kohë të gjatë e kanë kritikuar këtë prezantim filmik të profesionit të tyre. Edhe juristët e kanë kritikuar shpesh, pasi mendojnë se gjykatat po ndikohen gjithmonë e më shumë nga ‘efekti CSI’- ose varësia tek provat e mjekësisë ligjore- një frikë që tani rezulton të jetë e justifikuar.
 
Bëhet fjalë për një nga skandalet më të mëdha në historinë e drejtësisë amerikane: për dekada me radhë, FBI u ka dhënë gjykatave analiza false të flokëve dhe ka ndihmuar kështu që qindra të pandehur të pafajshëm të përfundojnë jo vetëm në gjyq, por në disa raste edhe të ekzekutohen.
 
Akuzat nuk janë të reja, prej vitesh qarkullojnë informacione të tilla.
 
Megjithatë gjetjet aktuale, zyrtare, publikuar nga Washington Post dhe të konfirmuara nga FBI, zbulojnë shtrirjen e plotë të abuzimeve dhe pasojat e rënda për ata që janë prekur.
 
“CSI është një gënjeshtër,” shkruan revista Atlantic.
 
Për shkak të mospërputhjeve të vazhdueshme, Departamenti Amerikan i Drejtësisë nisi në vitin 2012 një auditim për punën e mjekësisë ligjore. Mbështetur nga Shoqata e Avokatëve NACDL dhe Innocence Project, që kujdeset për të pafajshmit e dënuar, autoritetet investiguan rreth 2500 raste që prej vitit 1985, në të cilat kanë luajtur rol analizat e flokëve dhe indeve nga FBI.
 
Rezultati i raportit paraprak është shkatërrimtar: pothuajse çdo hetues mjeko-ligjor i FBI në thuajse të gjithë proceset ka dëshmuar me të meta, citon Washington Post raportin.
 
Kështu, në 257 nga 268 procese, 26 nga 28 ekspertë të laboratorëve të FBI i kanë “mbivlerësuar” provat nga flokët.
 
Më keq akoma: në 32 raste, gjykata ka vendosur për dënim me vdekje. 14 të dënuar janë ekzekutuar, të tjerët janë në pritje- mes tyre pesë vetëm në Teksas.
 
Proceset gjyqësore në SHBA bazohen mbi dëshmitë dhe provat. ADN dhe të tjera prova mjekoligjore janë shpesh vendimtare në përcaktimin e fajit apo pafajësisë.

Nga Marc Pitzke, Spiegel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit