16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Ky ishte Muhamedi a.s., i thjeshti, modesti

Më të lexuarat

Muhamedi a.s. nuk ishte vetëm një i dërguar si shumë të dërguar të tjerë para tij. Ai ishte profeti, me të cilin Zoti i dha fund zinxhirit të profetëve. Ai ishte një njeri, me të cilin Zoti nderoi dhe gradoi njerëzimin. Nëse drejtësia do të mishërohej dhe merrte formë, ajo do të merrte formën dhe pamjen e Muhamedit a.s. Nëse dëlirësia e shpirtit do të pikasej diku, padyshim do të pikasej në shpirtin e tij. Nëse virtyti do të pikturohej, nuk do të kishte tablo më optimale se ajo e Muhamedit a.s. Po ai ishte njeri, lëvizte në tregje dhe ushqehej si gjithë njerëzit. Ajo që e dallonte nga të tjerët, ishte pikërisht nuri i profecisë, me të cilin rrezatonte. Pishtari i mesazhit hyjnor i ndriçonte udhën atij dhe atyre që i besonin. Fjalët e tij ishin të vërteta, vepra të drejta, udha e sigurt.

 

Mëshira ishte bashkë me të, kudo që të ishte. Bujaria kishte bujtinë shpirtin e tij. Ai i besonte lehtësimit, feja që përçoi ishte e lehtë, Kur’ani që iu shpall ishte i lehtë, tradita e tij ishte e lehtë, urdhrat dhe ndalesat të lehta. Teksa lexon biografinë e kolosëve të njerëzimit përkrah biografisë së Muhamedit a.s., të gjithë të duken të vegjël përballë tij. Kur lexon lajmet e reformatorëve përkrah lajmeve dhe jetës së tij, të gjithë shndërrohen në nxënës të Muhamedit a.s. Nëse mahnitesh me gjenitë, sapo lexon traditën profetike, të gjithë të tjerët i sheh si studentë të universitetit të Muhamedit a.s. Atë e kanë lavdëruar armiqtë përpara miqve dhe i largëti para të afërtit.
“Se ti (o Muhamed) je me virtyte madhore.” (Kur’an, Kalem: 4)

 

Profeti Muhamed a.s. robëroi zemrat e njerëzve me dhembshurinë e vet, bashkoi të përçarët me dashurinë e tij, vëllazëroi fiset me urtësinë e tij, luftoi injorancën me dije dhe kështu me lehtësi hoqi qafe vargonjtë e traditave dhe zakoneve të vjetra. Ai u dërgua me fenë e lehtësimit, me besimin e dëlirë, me natyrën e pastër, me rrugën e mesme. Ai përçoi fenë dhe ndërtoi shtetin, falej si imam dhe predikonte fenë e tij. Secili nga shokët e tij rrëfen dashurinë për Profetin a.s. sipas mënyrës së vet. Kushdo që ka biseduar me të, përshkruan ndjenjat dhe emocionet të shoqëruara me lot malli. Kushdo që e ka takuar, ka dëshmuar madhështinë e tij, pavarësisht nëse është pajtuar me të apo jo. Askush nuk mban mend ndonjë shkarje të Profetit a.s., askush nuk i ka regjistruar ndonjë gënjeshtër dhe askush nuk njeh ndonjë lapsus apo gabim të tij. Zoti ia ruajti zemrën të dëlirë, ia pastroi shpirtin, ia ruajti shikimin dhe dëgjimin. Vetë Zoti i Lartësuar e zgjodhi të dërguar për mbarë botët, mësues për të paditurit, model dhe shembull për njerëzimin. Sa më shumë lexon mbi jetën dhe biografinë e tij, aq më shumë të shtohet respekti, vlerësimi dhe nderimi për të. Prandaj ai u shndërrua në njeriun më të preferuar dhe më të dashur nga të gjithë. Ai jetoi mes shokëve të tij dhe prej tyre nxori kalifë të drejtë, dijetarë të lidhur me Zotin, interpretues të Kur’anit, predikues oratorë, asketë të devotshëm dhe komandantë legjendarë. Secili nga pasuesit mori një aspekt nga jeta e Profetit a.s., prandaj ata u shndërruan në kolosë të historisë dhe yje të botës.
“Dhe ne të kemi dërguar ty (o Muhamed), si mëshirë për botët.” (Enbija, 107)
Burimi: dritaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit