Ky është shqiptari që drejtonte organizatën në Greqi, kishte rekrutuar edhe policë

0
98

Policia greke ka publikuar identitetin dhe foton e shqiptarit të kërkuar që drejtonte një organizatë kriminale në Greqi të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Ai është Erius Tafaj 30 vjeç, i arrestuar në të kaluarën. Tafaj është drejtuesi i rrjetit të drogës që u godit ditën e shtunë më 13 Tetor nga policia greke. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që nëse kanë njohje apo dijeni për vendndodhjen e 30-vjeçarit shqiptar, të japin informacion në kushte anonimati. Njëmbëdhjetë persona u arrestuan, ndër të cilët 8 janë shqiptarë.

Pjesë e kësaj organizate ishin edhe dy policë grekë. Njëri ishte anëtar i skuadrës kundër krimit të organizuar në Policinë Greke, kurse polici i dytë punonte në komisariatin e Grevenas. Gjatë operacionit për çmontimin e këtij qarku kriminal, mundi të shpëtonte vetëm Erius Tafaj, i cili është shpallur në kërkim. Policia greke thotë se anëtarët e bandës përdornin karta telefoni të blera në treg të zi dhe të paregjistruara për të komunikuar me njëri-tjetrin, si dhe aplikacione online gjatë bisedave që kryenin mes tyre.

Gjithashtu, ata flisnin me terminologji të koduar, të tilla si gjalpë, tortë apo ëmbëlsira duke nënkuptuar lloje të drogërave. Kurse për pagesat e parave, përmendin shuma të vogla si 2 Euro apo 5 Euro. Gjatë operacionit të autoriteteve, u sekuestruan sasi të ndryshme droge (kokainë, heroinë, marijuanë), 5 pistoleta, fishekë të kalibrave të ndryshëm, celularë dhe karta SIM, 35 mijë Euro cash, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë. Shqiptari Erius Tafaj mundi t’i arratisej policisë në momentet e fundit para të rrethohej shtëpia ku ai qëndronte.

Për këtë arsye, dyshohet se 30-vjeçari është njoftuar për operacionin që po zhvillohej, duke lënë të hapur mundësinë që efektivë të tjerë të policisë greke mund të jenë të përfshirë në këtë organizatë. Nga hetimi që ende është në vazhdim, nuk janë identifikuar policë të tjerë të korruptuar.