Kuvendi, pa zyrë koordinuese me institucionet e pavarura

0
45

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka ardhur në përfundim se Kuvendit të Kosovës i mungon qasja proaktive në marrëdhëniet me institucionet e pavarura që vetë i themelon. Në një raport që ka bërë kjo organizatë, mbi gjendjen e institucioneve të pavarura është specifikuar se aktualisht ka praktika të ndryshme se si rregullohen pagat e personelit në këto institucione. Disa nga krerët dhe anëtarët e bordeve, sipas OSBE-së, paguhen me honorar në bazë të takimeve në të cilat marrin pjesë, ndërsa të tjerët paguhen me paga fikse. Ajo çka është esenciale, pagesat me honorar nuk llogariten njësoj nëpër organet e pavarura. Derisa Agjencia Kundër Korrupsionit e lidh pagën e drejtorit të saj me atë të një kryesuesi të Komisionit parlamentar, Komisioni për miniera dhe minerale i paguan anëtarët dhe drejtorin e bordit me pagat që ia ka përcaktuar Komisioni për buxhet i Kuvendit. Ndryshe prej tyre, Institucioni i Avokatit të Popullit dhe Këshilli i pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës i marrin pagat duke iu referuar Ligjit për pagat e zyrtarëve të lartë, i cili ende nuk është miratuar. Bile për anëtarët e Këshillit thuhet se i marrin pagat më të ulëta se shërbyesit civilë që janë nën mbikëqyrje të tyre.

OSBE-ja ka vërejtur se në shumicën e organeve të pavarura ka ndërrim të shpeshtë të personelit dhe nuk ka hapësira të mjaftueshme për punë.

Shkalla e lartë e ndërrimit të personelit është vërejtur sidomos në fushën e prokurimit, auditimit dhe telekomunikimit, aty ky sektori privat ofron paga më konkurruese. Mungesë e eksperteve është parë në fushën mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe në mbrojtjen e privatësisë.

Në korrik, kur edhe është shkruar ky raport, një e katërta e institucioneve të pavarura kanë pasur nga një ose dy pozita të larta, mandati i bartësve të të cilave ka skaduar.

Për të argumentuar këtë gjë, kjo organizatë ka marrë shembull procesin e rekrutimit të Avokatit të Popullit, proces ky që ka zgjatur katër vjet. Edhe rekrutimi i Këshillit të KPM-së, thuhet se është përballur me vonesa serioze. Sipas OSBE-së, ka pasur edhe raste kur kandidati i propozuar nga Qeveria është refuzuar nga komisionet e Kuvendit, duke përmendur arsyet politike dhe teknike.

Një fakt interesant është nxjerrë në hulumtimin e përbërjes gjinore në institucione të pavarura.

Vetëm dy femra ka dalë se udhëheqin këto institucione nga gjithsej 30 që funksionojnë aktualisht në vend.kohaislame