12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

KUVENDI I QËRIM HESAPEVE!

Më të lexuarat

Kuvendi i Kosovës gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një vend “atraktiv”dhe “joshës” për qërim hesapesh mes deputetëve kosovarë, që ndërlidhen kryekëput me problemet e tyre personale.

Përveç fjalorit të rrugaçërisë që mund të dëgjosh pothuajse në çdo seancë plenare nga vetë parlamentarët, në legjislativin kosovar si instanca supreme e pushtetit në Kosovë, po tregohen “muskujt” se kush është më i forti dhe kush është më patrioti, duke shpërndarë edhe boksa mbi njëri-tjetrin, shkruan Zëri.

Diçka e tillë ngjau javën që shkoi gjatë pauzës së seancës plenare, te hyrja e Kuvendit, ku deputetët e partisë në pushtet dhe ata të Vetëvendosjes rivalitetet e tyre politike provuan t’i zgjidhin me grushte.

”Aktorët”, të përfshirë në këtë “film”, lërë më që nuk kërkuan falje për përleshjen fizike, ata përkundrazi “rrahën gjoks” se kush ka qenë më i shkathët për të shpërndarë boksa. Ngjarjet e tilla ndërmjet deputetëve, madje në ambientet e Kuvendit të Kosovës, nga Instituti Demokratik i Kosovës konsiderohen si një vend “joshës” për qërim-hesapesh.

“Debati në Kuvend ka degjeneruar në qërim hesapesh personale deri në përmasat e terrorit verbal, duke krijuar akte dhune. Pra, shndërrimi i Kuvendit në një arenë ku qërohen inatet personale, apo edhe sjelljet e tilla bëhen për konsum ditor janë praktika të rrezikshme”, ka thënë analisti nga KDI, Driton Selmanaj.

Dhuna në ambientet e Kuvendit të Kosovës, së pari mes deputetit Latif Gashi dhe Rexhep Selimi e pastaj edhe mes deputetëve Florin Krasniqi e Bekim Haxhiut, sipas Selmanajt, e ka historinë e vet dhe buron pikërisht nga përdorimi i vazhdueshëm i një gjuhe të papranueshme për demokracinë parlamentare. Incidentet e tilla, ka theksuar ai, përveç që degradojnë Kuvendit e Kosovës, sjelljet e tilla dëmtojnë imazhin e tërësishëm të Kosovës.

Nga ana e tij, analisti Avni Zogiani thotë se incidenti i fundit në oborrin e Kuvendit të Kosovës kryekëput është i lidhur me inatet personale mes deputetëve, dhe jo për gjëra parimore.

“Fatkeqësia më e madhe qëndron se vërtet kemi të bëjmë me një incident me motive të ulëta. Ne jemi dëshmitarë të asaj, se gjatë kësaj legjislature kemi parë komunikime ordinere në Kuvend e Kosovës, të cilat janë përkeqësuar aq shumë sa që tashmë erdhi deri te rrahja fizike mes deputetëve. Sigurisht se dhuna verbale që ka ekzistuar për një kohë të gjatë mes rivalëve politikë, së fundi shpërtheu edhe me dhunë fizike”, ka thënë Zogiani.

Madje, ky i fundit ka theksuar se motivet ordinere janë ato që shkaktuan edhe incidentin e së enjtes në oborrin e Parlamentit. Përleshja mes deputetëve të PDK-së dhe Vetëvendosjes për analistin Zogiani, nuk është e befasuese, duke marrë parasysh nivelin e politikës përgjithësisht në Kosovë, por edhe të deputetëve.

E nga ana e tij, ish-ministri i Drejtësisë, Haki Demolli, i cili është deputet në Kuvendin e Kosovës, e ka kualifikuar zhvillimin e fundit të ligjvënësve si një incident për kundërvajtje, por që përmendur deklarimet në medie se hetimi i këtij rasti është penguar nga shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.

Sipas tij, veprime të tilla ngjajnë sidomos nëpër vendet në transicion, porse ka theksuar se nuk është mirë që të ndodhin në të ardhmen. Përleshja mes deputetëve të partisë në pushtet dhe partisë së Kurtit, thuhet se ka ardhur pikërisht për shkak të çështjes së SHIK-ut.

Ish-drejtori i SHIK-ut, Latif Gashi ka deklaruar se ia ka dhënë nja tri goditje të shpejta rivalit të tij politik, deputetit Rexhep Selimi. Edhe ky i fundit ka pohuar se provokimit verbal të Gashit, i është përgjigjur fizikisht.

“Nuk ka pas shkëmbime grushtesh, unë e kam shty dhe Lata është rrëzuar mbi një vazo lulesh”, kishte thënë Rexhep Selimi.

Edhe Bekim Haxhiu, i njohur si “Kamishi”, ka pësuar lëndime trupore pas përleshjes me Florin Krasniqin e Vetëvendosjes, Visar Ymerin, Rexhep Selimin dhe truprojat e këtij të fundit. Hetimi i këtij incidenti në oborrin e Kuvendit të Kosovës thuhet se është penguar nga shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit