12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Kuvendi i Kosovës miraton tre ligjet për transformimin e FSK-së në ushtri

Më të lexuarat

Për ligjin e Ministrisë së Mbrojtjes votuan 101 deputetë, aq sa ishin të pranishëm nga gjithsej 120 deputetë të Kuvendit

 

 Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në parim tre ligje për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri. Pjesëtarët e Listës Serbe, të cilët janë kundër këtyre ligjeve, u larguan nga salla e Kuvendit përpara se të votojnë, raporton Anadolu Agency (AA).

Për ligjin e Ministrisë së Mbrojtjes votuan 101 deputetë, aq sa ishin të pranishëm nga gjithsej 120 deputetë të Kuvendit. Për projektligjin e FSK-së votuan 98 prej aq sa ishin të pranishëm, ndërsa për projektligjin për shërbim në FSK votuan 96 deputetë prej aq sa ishin të pranishëm. Qeveria e Kosovës vendosi të bëjë ligjërisht transformimin e FSK-së, sepse nuk ishte e mundur të sigurohej një shumicë prej dy të tretave të anëtarëve të pakicave për ndryshimet kushtetuese në formimin e FSK-së për shkak të kundërshtimit të Listës Serbe.

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, prezantoi projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes. Ai tha se projektligji parashikon që Ministria e FSK-së do të bëhet një Ministri e Mbrojtjes me qëllim të monitorimit dhe kontrollit civil të FSK-së. Berisha vuri në dukje se Ministria e Mbrojtjes do të përbëhet nga personeli civil dhe ushtarak i FSK-së.

“Të gjitha ndryshimet e parapara me këtë ligj do të bëhen konform rekomandimeve që dalin nga rishikimi ose nga raporti final i rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë dhe të cilat janë të precizuara dhe të detajuara në planin gjithpërfshirës të tranzicionit”, tha Berisha.

Shefi i grupit parlamentar opozitar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, tha se partia e tij plotësisht mbështet ligjet e propozuara, meqë LDK tashmë 30 vite angazhohet që Kosova të ketë ushtri të saj. Ai theksoi se Kosova kërkon të ketë ushtri të saj, nuk kërkon më shumë se që kanë vendet fqinje.

“Dëgjojmë zëra nga fqinji verior kundër ushtrisë së Kosovës. Është e qartë se vetëm ata që janë kundër NATO-s janë kundër mandatit të ri që duhet të ketë Forcë të Sigurisë së Kosovës. Vetëm ata që janë kundër interesave euro-atlantike në Kosovë dhe në rajon janë kundër që shteti i Kosovës të ketë ushtri. Vetëm ata që promovojnë interesa të tjera në Ballkan, si ato të federatës ruse apo të tjerë të ngjajshme, janë kundër ushtrisë së Kosovës”, tha Hoti.

Igor Simiç, deputet i Listës Serbe, tha se propozimi i tre ligjeve për transformimin e FSK-së është kundër të gjitha akteve, kryesisht të karakterit ndërkombëtar, të cilat janë në fuqi, siç është Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshja e Kumanovës. Sipas tij, janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Madje edhe përfaqësuesit e organizatave më të larta ndërkombëtare, po i referohem NATO-s, por edhe vendeve të tilla si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë thënë në mënyrë të përsëritur se në qoftë se futet në procesin e miratimit të këtyre ligjeve, atëherë duhet të respektohet Kushtetuta, gjegjësisht të kërkohet mbështetja e serbëve”, tha Simiç.

Ai u pyet nëse përfaqësuesit ndërkombëtarë mund të kishin dëgjuar më mirë zërin e deputetëve serbë nëse ata përdornin gaz lotsjellës për të kundërshtuar miratimin e këtyre tre ligjeve. Simiç shtoi se Lista Serbe nuk do ta bëjë këtë për shkak të votuesve të saj, por do të heqë dorë nga seanca e sotme e Kuvendit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit