11.7 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Kushtet e mbulesës në Islam

Më të lexuarat

Nëse vështron ajetet e Kuranit, haditheth e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem dhe veprat e sahabëve në këtë çështje, do të arish të kuptosh se gruaja nëse del prej shtëpisë së saj, duhet të mos shfaqë asgjë nga bukuritë e saj dhe të mbulojë tërë trupin e saj.
Që të jetë një petk sipas Islamit, dijetarët i kanë përmendur kushtet e mbulesës në Islam, të cilat do t’i sqarojmë më poshtë me lejën e Allahut të Lartësuar.

1.Mbulimi i tërë trupit

Në lidhje me këtë kusht kanë folur shumë dijetarët dhe janë ndarë në dy grupe, disa e obligojnë mbulimin e tërë trupit, kurse disa të tjerë e obligojnë mbulimin e tërë trupit përveç fytyrës dhe shuplakave të duarve.
Këtu do të flasim vetëm pak sa i përket këtij kushti e inshallah në të ardhmen do të flasim më gjërësisht për këtë çështje.

Transmetohet nga Ibn Huzejme, Ibn Hibani, Tirmidhiu dhe Taberaniu se Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Gruaja është avret.” (Këtë hadith e kanë bërë sahih Ibn Huzejme, Ibn Hibani, Tirmidhiu dhe Albani)

I Dërguari i Alllahut salallahu alejhi ue selem na lajmëron se e tërë gruaja është avret, dhe avret në kuptimin e sheriatit (ligjit islam) nënkupton pjesët e trupit të cilat duhet të mbulohen.

Kurse Ebu Davudi transmeton prej Ummu Selemes dhe Mejmunes se Abdullah ibn Ummi Mektumi (muezini i verbër i Muhamedit salallahu alejhi ue selem) ka ardhur tek Pejgamberi salallahu alejhi ue selem dhe ato kanë qenë prezente. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem u ka thënë që të dalin prej aty, të largohen, kurse ato i kanë thënë: “O i Dërguar i Allahut a nuk është ai njeri i verbër? Për çfarë të largohemi kur ai është i verbër?” Ai u përgjigj: “A jeni ju të dyja të verbra?”

Nëse Muhamedi salallahu alejhi ue selem kështu i mëson muslimanet që të sillen para të verbërve, si do të jetë çështja me njerëzit të cilët shohin dhe të cilëve shejtani ua zbukuron gratë?

Kur do të dilte njeriu në rrugë e gratë të jenë të veshura sipas veshjes islame, kështu që mos të shohin asgjë prej tyre, a nuk do të mendonte secili se gruaja e tij është më e bukura? Sigurisht se do të thoshte se gruaja e tij është më e mira.
Mirëpo kur njeriu sheh në rrugë, në televizor apo në gazetë një grua të zukuruar dhe tërheqse, ai e krahason me gruan e vet dhe gruaja e tij i duket shumë më e shëmtuar sesa ajo në televizion, gazetë, rrugë etj., e ai nuk e llogarit se ajo para se të dalë në televizion, gazetë apo në rrugë ka bërë makijazh gjysmë ore dhe gjithashtu edhe shejtani ua zbukuron edhe më shumë atë njerëzve dhe sado që të jetë e bukur gruaja e tij, gjithnjë ekziston edhe më e bukura, të cilën shejtani, përveç kësaj, e bën t’i pëlqejë njeriut.

Përsosmëri në dynja nuk ka, përsosmëria është në xhennet. Qëndrimi islam është që gruaja duhet ta mbulojë tërë trupin. Mirëpo, disa prej dijetarëve mendojnë se është e lejuar që gruaja ta zbulojë fytyrën dhe duart (shuplakat), mirëpo edhe ata theksojnë se rregulla ndryshon në kohën e sprovave (fitneve), kur jetohet në mjedisin e imoralshëm (si në kohën e sotme).

Mirëpo të gjithë dijetarët janë të pajtimit se argumentet që flasin për suazat
e obligueshmërisë për mbulimin e fytyrës janë më të shumta dhe më të forta, kështu që më mirë dhe më parësore është të mbulohet edhe fytyra, që ka qenë edhe praktika e gjeneratave të para.

Këtu nevojitet të theksohet se shumë muslimane, të cilat nuk e mbulojnë fytyrën, gabimisht e kuptojnë termin “mbulim i fytyrës” dhe e zbulojnë më shumë sesa lejohet, e kjo nuk është e drejtë.
Fytyra është prej fillimit të ballit deri te maja e mjekrës dhe prej fillimit të veshit deri tek fillimi tjetër. Gruaja e cila zbulon më tepër se kaq është gabimtare. Mbulesa duhet të bjerë në mjekër, sepse mjekra është fytyrë në gjuhë dhe në sheriat (ligjin islam). Sa i përket shputave (të këmbës), ato në asnjë rast nuk lejohet të zbulohen.

Transmeton Tirmidhiu se Ummu Seleme ka shkuar tek Muhamedi salallahu alejhi ue selem dhe i ka thënë: “O i Dërguar i Allahut, neve shpeshherë na zbulohen shputat gjatë ecjes. Muhamedi salallahu alejhi ue selem i tha: “Lëshojeni petkun për një pëllëmbë.” Ajo tha: “Mirëpo kur hyjmë në shtëpitë tona dhe kapërcejmë mbi pragje, mundet diçka të na zbulohet.” Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Lëshojini edhe për një pëllëmbë dhe mos shtoni asgjë në të.”

Këtu shohim se ajo nuk ka thënë “një pëllëmbë, elhamdu lilah”, por ka kërkuar diçka më të mirë, më të kujdesshme dhe më të sigurt e jo si shumica e muslimaneve, të cilat vetëm kërkojnë lehtësime, sa më shumë lehtësime, nuk është me rëndësi a ka bazë a jo.

Gratë sot këtë e praktikojnë me motiv të gabueshëm dhe i ngrenë rrobat e tyre. Rrobat duhet të bien për tokë dhe duhet t’i mbulojnë shputat e gruas.

Dikush mund të pyesë: Në qoftë se është farz (obligim) për gratë që t’i lëshojnë rrobat (fustanin) e tyre, si do t’i ruajnë prej ndytësirave? Një grua të njëjtën pyetje i ka bërë Umu Selemes, kur i tha: “Unë jam grua e cila e kam fustanin e lëshuar dhe eci nëpër vendet e ndyta (ç’duhet të bëj unë)?” U përgjigj Ummu Seleme: “Muhammedi salallahu alejhi ue selem thotë: “Ajo çka e prek (petkun) pas ndytësirës (pas ecjes nëpër vendet e tilla) është pastrim. Maliku, Ahmedi, Tirmidhiu, Ebu Daëud dhe Ed – Darimi.

Sa i përket daljes së gruas kur është e lyer dhe e zbukuruar, të gjithë dijetarët islamë pa përjashtime thojnë se ai veprim është haram dhe paraqet mosndëgjim ndaj Allahut të Lartësuar dhe mosrespektim i rregullave dhe urdhrave të Tij dhe në kundërshtim me pëlqimet me të cilat Ai ka dashur që të sillen robërit e Tij.
Prej urdhrave të tillë janë edhe fjalët e Alllahut të Madhëruar: “Dhe rrini në shtëpitë tuaja e mos shfaqni bukurinë tuaj si shfaqej në injorancën e hershme, faleni namazin,jepeni zeqatin dhe respektojeni Allahun dhe të Dërguarin e Tij. (Ahzab 33)

Gruaja në asnjë rrethanë nuk guxon të dalë ashtu dhe në asnjë mënyrë nuk guxon të zbukurohet ashtu siç zbukurohet për burrin e saj.
Nuk guxon të vendosë asgjë në fytyrën e saj, madje as zbutësin e buzëve, sepse edhe ajo shkëlqen dhe e tërheq vëmendjen.

Kushti i dytë

Rroba të mos jetë e zbukuruar në vetvete

Nuk lejohet që mbulesa (petku) të jetë e zbukuruar. Allahu i Lartësuar në suren En-Nur ka thënë: “Dhe mos të shfaqin bukuritë e tyre.” (En-Nur, 31) Ky ajet përfshin edhe pamjen e dukshme të rrobave, nëse janë të zbukuruara dhe që e tërheqin shikimin e meshkujve.

Gjithashtu për këtë kusht është argument tjetër, siç thotë Allahu i Lartësuar:
“Dhe rrini në shtëpitë tuaja e mos shfaqni bukurinë tuaj si shfaqej në injorancën e hershme.” (El Ahzab, 33)

Po ashtu edhe hadithi që transmeton Fedale ibn Abidi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Për gjendjen e tre personave (në Ditën e Gjykimit, sepse ata janë prej të shkatërruarve) mos pyet: Personi i cili largohet nga xhemati (grupi i muslimanëve) duke mos e dëgjuar prijësin e muslimanëve dhe vdes në këtë gjendje mëkatar. Një robëreshë apo rob i cili ikën nga zotëria i tij dhe vdes. Dhe një grua së cilës i është larguar burri i saj dhe i ka lënë asaj pasuri për t’u furnizuar për nevojat e dynjasë dhe ajo zhvishet (largon mbulesën) pasi ai largohet nga ajo. Mos pyet për këta tre persona.” Buhariu në Edebil Mufred 590, Ibn Hiban 50, Hakimi 1/119, Ahmedi 6/19. Hakimi ka thënë se ky hadith është sahih sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit.

Fjalët “ajo zhvishet (largon mbulesën)” ka për qëllim shfaqjen e bukurisë, të stolisë dhe të vendeve të cilat është e obliguar t’i mbulojë, me të cilat tërheq vëmendjen dhe nxit epshin e një mashkulli (Shih Fet’h el Bejan 7/274).

Qëllimi i urdhërimit të mbulesës është mbulimi i bukurisë dhe i zbukurimeve të gruas dhe nuk është e logjikshme në këtë rast që vetë petku të jetë i zbukuruar. Kjo është e qartë dhe nuk mund të fshihet, prandaj edhe Imam Dhehebiu ka thënë: “Dhe prej veprave për të cilat mallkohet gruaja është edhe shfaqja e zbukurimeve, e arit apo e margaritarit nën nikab (ferexhe), dhe gjithashtu parfumimi me misk (parfum) kur del. Të gjitha këto janë prej zhveshjes që urren Allahu i Lartësuar, i Cili e urren atë person i cili i bën këto gjëra, e urren në këtë botë dhe në botën tjetër.

Dhe për këto vepra, të cilat shumica e femrave janë duke i bërë, Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kam shikuar zjarrin e xhehenemit dhe kam parë se shumica e banorëve të tij ishin femra.” (Shih. Kitab El Kebair f. 131)
Shejh Albani thotë: “Ky hadith është sahih, e transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Imran ibn Husajni.

Them (vazhdon shejh Albani): Islami ka ndaluar zhveshjen dhe e ka përsëritur këtë ndalesë disa herë, saqë e ka krahasuar atë me shirkun, zinanë (imoralitetin), vjedhjen dhe haramet e tjera në hadithin ku Umejme bintu Rukije ka ardhur te Pejgamberi salallahu alejhi ue selem për t’ia dhënë besën për Islam. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem tha: “Ma jep besën që nuk do t’i bësh shirk (shok) Allahut, nuk do të vjedhësh, nuk do të bësh zina (imoralitet), nuk do ta mbytësh fëmijën, nuk do të lëkundesh (në fe) dhe nuk do të zhvishesh ashtu si në kohën e injorancës.” Imam Ahmedi në Musnedin e tij 2/196, dhe Ahmed Shakir ka thënë se hadithi është sahih.

 

Shejh Albani

Kushti i tretë

Rroba duhet të jetë e trashë, të mos jetë e tejdukshme

Mbulimi i trupit nuk mund të realizohet nëse rroba nuk është e trashë, nuk është e tejdukshme, pasi nëse është e tejdukshme, do të jetë edhe më fitne (sprovë) për meshkujt.

Për këtë, edhe Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë, sipas transmetimit të Abdullah ibn Omerit: “Në fund të umetit tim do të ketë femra të veshura mirëpo të zhveshura, në kokat e tyre do të kenë (model flokësh) sikurse gungat e deveve, mallkojini ato sepse ato janë të mallkuara.” Taberaniu në Muxhem Es-Sagir f. 232, dhe shejh Albani ka thënë se hadithi është shih. Shih El hixhab f.56 dhe Es-Sahiha, 2683.
Kurse në transmetimin e Ebu Hurejrës shton: “Nuk do ta ndiejnë erën e xhenetit, edhe pse era e xhenetit ndihet prej një largësie të madhe.” Muslimi, 2128.

Ibn Abdul Beri ka thënë: “Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka pasur për qëllim gratë të cilat veshin rroba të tejdukshme, të cilat tregojnë trupin e femrës dhe nuk e mbulojnë atë, ato janë të veshura gjuhësisht (pra kanë rroba mbi trupin e tyre), mirëpo në realitet ato janë të zhveshura.” Tenvirul Havalik 3/103 dhe Et-Temhid 13/204.
Dhe ka thënë: “Dhe ky hadith është argument se rroba e hollë, e tejdukshme, nuk lejohet për femra dhe gjithashtu nëse është e tejdukshme për avretin e mashkullit, nuk lejohet as për meshkuj.” Et-Temhid 23/450.

Sefarini ka thënë: “Nëse rroba është e hollë, e cila e tregon trupin e femrës për shkak të hollësisë së saj, kjo veshje është e ndaluar dhe nuk ka dyshim në këtë.” Gidhaul Elbab fi Sherh Mendhumetul Adab 3/63.

Dehijetul Kelbij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “I është dhuruar Pejgamberit salallahu alejhi ue selem një rrobë prej Egjipti (që ka qenë e hollë). Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ma dha mua atë rrobë dhe më tha: “Ndaje përgjysmë, me njërën pjesë bëj këmishë dhe tjetrën dhuroja gruas tënde, ta bëj vello për t’u mbuluar me të.” Pasi u kthye, tha: “Dhe urdhëroje gruan tënde të vendosë përfund saj ndonjë rrobë që mos të shihet trupi i saj.” Ebu Davudi 6/64 nr.4116, Nesaiu dhe Bejhakiu në Sunen 2/234.

Transmeton Hisham ibn Urve se Mundhir ibn Ez-Zubejri ka ardhur prej Irakut dhe i ka dërguar Esmas bintu (bijës së) Ebu Bekrit një vello “Mervije” (petk i njohur në Irak) dhe “Kuhije” (petk i njohur në një fshat afër Kufës në Irak). Vellot ishin të holla dhe antike (lashta). Pasi i shikoi ato, i preku me duart e saj dhe tha: “Uff i qoftë (turp), kthejani këto vello atij!” tha (transmetuesi i hadithit). Dhe Mundhir ibn Zubejrit i erdhi shumë rënd (që ia ka refuzuar dhuratën) dhe tha: “Oj nënë këto vello nuk jan të tejdukshme”, ajo tha: “Nëse nuk janë të tejdukshme, ato ta vizatojnë trupin.” Ibn Sadi 8/184, dhe Shejh Albani ka thënë se hadithi është sahih.

Transmeton Abdullah ibn ebi Seleme se Omer ibnul Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka marrë rroba egjiptiane (që kanë qen të bardha dhe të holla), dhe ka thënë: “Mos t’i veshin këto rroba gratë tuaja.” Një person tha: “O udhëheqës i muslimanëve, gruaja ime e ka veshur këtë petk dhe ka ecur në shtëpi dhe nuk kam parë se është e tejdukshme.” Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha: “Nëse nuk është e tejdukshme, ajo ta vizaton trupin (puthitet për trup).” Bejhakiu në Sunen 2/234-235, Ibn Ebi Shejbe në Musanef 8/195.

Shejh Albani ka thënë: “Ky transmetim dhe transmetimi i mëhershëm tregojnë se tek sahabët ka qenë e njohur se petku (rroba) i tejdukshëm apo i ngushtë nuk është i lejuar dhe rroba e tejdukshme është më e keqe sesa ajo që e vizaton trupin. Dhe për këtë Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Me të vërtetë vello është ajo e cila fsheh (mbulon) lëkurën (trupin) dhe flokët.” Bejhekiu “Mualak” 2/235.
Bin Bazi ka thënë: “Rroba e tejdukshme është sikurse të mos ishte.” Fetava Bin Baz 1/49.

Dhe për këto shkaqe dijetarët kanë thënë: “Obligohet të mbulohet trupi me rroba të cilat nuk janë të tejdukshme dhe e shfaqin ngjyrën e lëkurës së gruas…, kurse nëse mbulohet me rroba te cilat janë të tejdukshme, nuk lejohet, sepse mbulimi i trupit nuk është arritur me këtë mbulesë”. Shih. El Muhdhib bi Sherh el Mexhmu 3/176.

Kushti i katërt

Rroba të jetë e gjerë, që të mos vizatojë ndonjë pjesë të trupit të femrës

Nuk lejohet që rroba të jetë e ngushtë dhe ta vizatojë trupin e femrës, për shkak se qëllimi i mbulesës është largimi i sprovave (fitneve) dhe kjo nuk arrihet ndryshe përveç nëse rroba është e gjerë. Rroba e ngushtë, edhe pse e mbulon trupin, e vizaton dhe e përshkruan atë ose një pjesë të tij dhe kështu njerëzit e shohin formën e trupit të femrës. Kjo formë e mbulesës shkakton fitne te meshkujt.

Usame ibn Zejdi ka thënë: “Më dhuroi Pejgamberi salallahu alejhi ue selem një rrobë egjiptiane të trashë, të cilën ia kishte dhuruar atij Dehijjetul Kelbij. Unë atë rrobë ia dhashë gruas sime. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem më tha: “Pse nuk po e vesh rrobën egjiptiane (të cilën ta kam dhuruar)?” I thashë: “Ia kam dhuruar gruas sime.” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem tha: “Urdhëroje atë që të veshë përfund saj ndonjë mbulesë. Unë po frikësohem se ajo rrobë mos e vizaton trupin e saj.” Ahmedi në Musned 5/205, 21834, Taberaniu në El Kebir 1/160. Bejhakiu 2/234. Shejh Albani ka thënë se hadithi është hasen. Shih Eth-themer el Mustetab f.318.

Pejgamberi salallahu alejhi ue selem urdhëroi që femrat të veshin përfund mbulesës së trashë ndonjë rrobë, që trupi i tyre të mos vizatohet, për shkak se ka disa rroba të cilat, edhe pse janë të trasha dhe të gjera, mund të ngjiten për trupi dhe ta vizatojnë atë, si për shembull rrobat prej mëndafshi apo ndonjë materiali që ngjitet për trupi, siç ka në kohën tonë. Urdhri tregon se kjo vepër është vaxhib (farz) të kryhet, siç theksojnë dijetarët e Usulit.
Them (vazhdon shejh Albani): “Ajo që e sqaron më së miri këtë kusht është transmetimi i Umu Xhafer bintu (e bija e) Muhamed ibn Hafer, se Fatimja e bija e Muhamedit salallahu alejhi ue selem ka thënë: “O Esma, unë po e urrej atë që janë duke vepruar gratë, që janë duke vendosur rroba përmbi femrën (e vdekur), e cila po e vizaton trupin e saj.” Esmaja tha: “O bija e të Dërguarit të Allahut salallahu alejhi ue selem, a dëshiron të të tregoj për diçka se çfarë kam parë se si vepronin në Habeshe?” Kërkoi degë të njoma, i lakoi ato (të cilat i vendosi pranë të vdekurës) dhe mbi to vendosi një rrobë. Fatimja tha: “Sa e mirë dhe e bukur qenka kjo, që të dallohen femrat nga meshkujt. Nëse vdes unë, më lani mua ti dhe Aliu, dhe të hyj tek unë askush.” Dhe kur ka vdekur, e kanë larë Esmaja dhe Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të. (Ebu Neim në El Hulije 3/43, Bejhakiu 4/34-35)

Shiko se si Fatimja, e bija e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem e ka urryer vizatimin e trupit të femrës, edhe pse ka qenë e vdekur dhe nuk ka dyshim se vizatimi (përshkrimi) i trupit duke qen gjallë është edhe më i keq.

Për këtë, le të mendojnë mirë muslimanet e sotme, të cilat veshin rroba të ngushta që ua përshkruajnë gjoksin, belin, pjesën e prapme dhe pjesë të tjera të trupit të tyre dhe të kërkojnë falje nga Allahu i Lartësuar dhe le ta kujtojnë fjalën e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, të cilën e transmeton Ibn Omeri. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem thotë: “Turpi dhe Imani janë lidhur njëra me tjetrën; nëse njëra hiqet (largohet), hiqet (largohet) edhe tjetra.” Hakimi 1/22, Ebu Neim 4/297, dhe Hakimi ka thënë se hadithi është sahih sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit. Këtë e ka thënë edhe shejh Albani.

Kushti i pestë

Rroba nuk duhet të jetë e parfumuar

Nuk lejohet që rroba të jetë e parfumuar dhe për këtë kanë ardhur shumë hadith, të cilat ndalojnë që gruaja të parfumohet kur del jashtë shtëpisë së saj. Ne do të sjellim disa hadithe të sakta në lidhje me këtë kusht.

1. Transmeton Ebu Musa El Eshari se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ajo grua e cila parfumohet, pastaj del për ta ndier meshkujt erën e saj, ajo është lavire.” Ahmedi 4/418, 4/400, 4/413, Nesaiu 8/153, Termidhiu 5/106, Ibn Huzejme ka thënë se hadithi është sahih 3/91, gjithashtu edhe shejh Albani ka thënë se hadithi është hasen. Shih Sahih En-Nesai 5141.

2. Transmeton Zejneb Eth-Thekafije se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nëse njëra prej jush (femra) del për në xhami, mos t’u afrohet (le t’u largohet) parfumeve.” Muslimi 443, Sherh En-Nevevi 4/163.

3. Transmeton Ebu Hurejra se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ajo grua e cila është parfumuar, mos të jetë e pranishme me ne në faljen e namazit të jacisë.” Muslimi 444.

Them (përkthyesi) se fjala e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, “mos të jetë e pranishme me ne në faljen e namazit të jacisë”, nuk ka për qëllim që vetëm në namazin e jacisë nuk bën të parfumohet, mirëpo në të gjitha namazet në xhami nuk lejohet parfumimi, siç ka thënë shejh Albani, se fitneja në këtë kohë është më e madhe dhe nga kjo ndalesë e kemi të qartë se gruaja e ka haram të parfumohet kur del prej shtëpisë, saqë edhe nëse e ka për qëllim të shkojë ta adhurojë Allahun në xhami, ajo e ka haram të parfumohet. Këtë që thashë e vërteton hadithi tjetër.

4. Transmeton Musa ibn Jesari, ky nga Ebu Hurejra, se një grua kishte kaluar pranë tij dhe ishte ndier aroma e saj. Ebu Hurejra i tha: “O motër, a për në xhami je nisur?” Tha: “Po.” Ebu Hurejra ia ktheu: “Dhe për këtë shkak je parfumua?” Tha: “Po.” Ebu Hurejra i tha: “Kthehu dhe lahu, se unë e kam dëgjuar Pejgamberin salallahu alejhi ue selem duke thënë: “Ajo grua e cila del në xhami dhe i vjen era (e parfumit), Allahu nuk ia pranon namazin e saj derisa të kthehet në shtëpi dhe të pastrohet.” Bejhakiu 3/133-246, Ebu Davudi 4174.

Them (përkthyesi) se në ditët e sotme motrat jo vetëm dalin të parfumuara për në xhami, por edhe kur dalin për të blerë diçka apo në shëtitje, dalin të parfumuara!

Them (vazhdon shejh Albani): Dhe këto hadithe janë të qarta në ndalimin e parfumimit të gruas kur ajo del prej shtëpisë dhe parfumimi i ndaluar është sikurse në trup ashtu edhe në rroba.
Dhe shkaku i ndalesës është më se i qartë, tërheqja e vëmendjes dhe e epshit të meshkujve.
Ibn Dekik el Idi ka thënë: “Shkaku i ndalesës së parfumimit të gruas kur ka për qëllim daljen në xhami është se kjo ngacmon epshin e meshkujve.” Fet’hul Bari 2/407.

Them (vazhdon shejh Albani): E nëse parfumimi për të shkuar në xhami është haram, si do të jetë hukmi i atyre femrave që dalin në rrugë apo treg? S’ka dyshim se kjo është edhe më haram dhe më mëkat. Kurse El Hejthemiu në Ez-Zevaxhir e ka cekur se dalja e gruas prej shtëpisë e parfumuar dhe e zbukuruar është prej mëkateve të mëdha, edhe nëse një gjë të tillë ia lejon burri i saj. (Ez-Zevaxhir 2/37)

Pastaj duhet ditur se këto hadithe janë të përgjithshme, pra përfshijnë të gjitha kohërat, pa marrë parasysh a është natë apo ditë.

Kushti i gjashtë

Mos t’u ngjajë rrobave të burrave

Ky kusht argumentohet nga shumë hadithe, të cilat e mallkojnë femrën e cila u ngjan meshkujve në veshje apo çështje të tjera. Këtu do të sjellim disa hadithe që flasin për këtë:

1. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “E ka mallkuar Pejgamberi salallahu alejhi ue selem mashkullin i cili vesh rroba të femrave dhe femrën e cila vesh rroba të meshkujve.” Ebu Davudi 2/182, Ibn Maxhe 1/588, Hakimi 4/184, Ahmedi 2/325, Hakimi ka thënë: “Ky hadith është sahih sipas kushtit të Muslimit, këtë e ka vërtetuar edhe Dhehebiu”.

2. Abdullah ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “E kam dëgjuar Pejgamberin salallahu alejhi ue selem duke thënë: “Nuk është prej nesh ai mashkull që u përngjan femrave dhe as ajo femër e cila u përngjan meshkujve.” Ahmedi 2/199-200, Ebu Neim në El Hulije 3/321 dhe shejh Albani ka thënë se hadithi është shih. Shih El Hixhab f. 66-67.

3. Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “I Dërguari salallahu alejhi ue selem i ka mallkuar meshkujt të cilët u përngjajnë femrave dhe femrat që u përngjajnë meshkujve.” Dhe ka thënë: “Nxirrini ata nga shtëpitë tuaja.” Ibn Abasi ka shtuar: “E ka nxjerrë i Dërguari salallahu alejhi ue selem një person dhe Omeri ka nxjerrë një tjetër.” Buhariu 10/346, Ebu Davudi 4930, Tirmidhiu 2785, Ahmedi 1982, 2006, 2123, ibn Maxhe 1/589.

4. Abdullah ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Tre persona nuk do të hyjnë në xhenet dhe Allahu as që do t’i shikojë ata në Ditën e Gjykimit: personin që nuk i respekton prindërit, gruan e cila u përngjan meshkujve dhe dejuthin (dejuth është ai person familja e të cilit, gruaja apo vajza, bëjnë imoralitet dhe ai nuk ndërmerr asgjë).” Nesaiu 1/357, Hakimi 1/72, 4/146-147, Bejhakiu 10/226, Ahmedi nr.6180, Shejh Albani ka thënë se hadithi është shih. Es-Sahiha 1387

5. Ibn Ebi Melike (emri i të cilit është Abdullah ibn Abidullah) ka thënë: “I është treguar Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të, për një grua e cila mbathte nallane dhe ajo ka thënë: “I ka mallkuar Pejgamberi salallahu alejhi ue selem burrneshat (gratë të cilat mundohen t’u ngjajnë meshkujve).” Ebu Davudi nr. 4099. Neveviu ka thënë se hadithi është shih. Shih El Mexhmu 4/307.

Them (vazhdon shejh Albani), se këto hadithe janë më se të qarta në ndalimin e përngjasimit të femrave me meshkujt dhe të përngjasimit të meshkujve me femrat Këto hadithe janë të përgjithshme, që përfshijnë rrobat dhe gjërat e tjera, përveç hadithit të parë, i cili është i veçantë për rrobat.
Kurse Dhehebiu përngjasimin e femrave me meshkujt dhe përngjasimin e meshkujve me femrat e ka renditur në mëkatet e mëdha në librin e tij, El Kebair (Mëkatet e mëdha), faqe 129. Ai sjell disa hadithe, të cilat i përmendëm më sipër, dhe pastaj thotë:

“Nëse gruaja vesh rroba meshkujsh ose mbath diçka, ajo u ka përngjarë atyre dhe mallkimi i Allahut dhe i Pejgamberit salallahu alejhi ue selem është mbi të. Por edhe mbi burrin e saj, nëse ai është i pajtimit me të dhe nuk e ndalon atë prej këtyre gjërave, sepse ai është i urdhëruar ta urdhërojë gruan që ta adhurojë Allahun dhe ta ndalojë atë nga mëkatet. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” (Et-Tahrim 6) Gjithashtu, Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Secili prej jush është bari dhe përgjegjës për tufën e tij; burri është bari për familjen e tij dhe përgjegjës për ta në Ditën e Gjykimit.” (Mutefekun alejhi)

Hafidh ibn Haxheri ka thënë: “Ka thënë Et-Taberiu: “Nuk u lejohet meshkujve t’u përngjajnë femrave në veshje dhe stoli, të cilat janë enkas vetëm për femra dhe gjithashtu femrave nuk u lejohet t’u përngjajnë meshkujve.” (El Fet’h 10/345)

Nga këto që thamë më lart, vijmë në përfundimin se nuk i lejohet gruas të veshë rroba meshkujsh dhe nuk i lejohet asaj të veshë xhaketa ose pantallona meshkujsh, siç veprojnë shumë femra muslimane në kohën tonë, të cilat veshin pantallona.

Kushti i shtatë

Mos t’u ngjajë rrobave të jobesimtarëve

Islami ka ndaluar që çdo musliman, qoftë mashkull ose femër, t’i përngjajë jobesimtarëve në adhurime, festa ose në veshje që janë të veçanta për ta.
Ky është një rregull i madh në Islam, por shumica e muslimanëve fatkeqësisht janë duke i pasuar jobesimtarët për shkak të injorancës së tyre ndaj fesë islame, kurse disa e veprojnë këtë gjë për shkak të pasimit të epsheve të tyre ose sepse ndjekin modën e evropianëve jobesimtarë. Kjo është njëra prej shkaqeve për dobësimin e muslimanëve, për nënçmimin e tyre dhe për pushtimin e vendeve të tyre. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre.” (Er-Rad, 11)

Çdo person duhet ta dijë se argumentet për këtë kusht të rëndësishëm janë të shumtë, si nga Kurani edhe nga Suneti i të Dërguarit salallahu alejhi ue selem. Argumentet nga Kurani janë të përgjithshme, por Suneti (hadithet) i sqaron ato.

Ajete:
1. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne u patëm dhënë beni israilëve librin dhe pejgamberllëkun dhe aftësi për të gjykuar midis njerëzve, i patëm furnizuar ata me të mira dhe i patëm dalluar nga njerëzit e tjerë. U patëm dhënë edhe fakte të qarta për çështjen e fesë. Mirëpo, për shkak të zilisë që kishin ndërmjet vete, ata u përçanë vetëm atëherë kur u erdhi dija që ta kuptojnë, e s’ka dyshim se Zoti yt në Ditën e Kiametit do të gjykojë në mes tyre për shkaqet e përçarjes së tyre. Pastaj Ne të vendosëm ty (o Muhamed) në udhë të qartë të Urdhërimit Tonë të rrugës së Fesë (në atë rrugë të cilën Ne ua urdhëruam të gjithë të Dërguarve para teje duke u përcaktuar ligjet dhe rrugën e vënies në jetë të Besimit të Pastër Islam në Një Zot të Vetëm). Ndiq pra edhe ti atë dhe mos u shko pas dëshirave të atyre që nuk dinë.” (El Xhathije, 16-18)
Ibn Tejmija thotë: “Allahu i Lartësuar tregon se e ka vendosur të Dërguarin salallahu alejhi ue selem në rrugë të qartë, të cilën Allahu i Lartësuar ia ka obliguar; e ka urdhëruar që ta pasojë këtë rrugë dhe e ka ndaluar që t’i pasojë epshet e atyre që nuk dinë. Dhe fjala e Allahut thotë: “…dhe mos u shko pas dëshirave të atyre që nuk dinë.” Kjo fjalë ka përfshirë çdo person i cili kundërshton ligjin e Allahut dhe rrugën e të Dërguarit salallahu alejhi ue selem.” [Iktidau Siratal Mustekim f. 8]
(Shënim i përkthyesi: Ky ajet tregon se është e ndaluar t’i pasojmë ata të cilët nuk besojnë.)

2. Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk ka ardhur koha për zemrat e atyre që besojnë (Allahun dhe të Dërguarin a.s.) të ndikohen nga Mesazhi Përkujtues i Allahut (Kurani) dhe nga ajo që u është shpallur nga e Vërteta (dhe të përkujtojnë Allahun), dhe mos u bëni sikur ata të cilëve u janë dhënë Librat e Parë (si çifutët e të krishterët) më përpara, për të cilët kaloi shumë kohë dhe zemrat e tyre u forcuan (u bënë gur)? Dhe shumica e tyre ishin fasikunë (të pabindur, të panënshtruar ndaj Allahut duke kaluar çdo kufi).” (El Hadid, 16)

Shejhul Islam Ibn Tejmija ka thënë: “Fjala e Allahu: “…dhe mos u bëni sikur ata të cilëve u janë dhënë Librat e Parë (si çifutët e të krishterët) më përpara” është ndalesë që na ndalon t’u përngjajmë atyre në përgjithësi dhe në veçanti të mos u përngjajmë atyre që zemrat tona të mos forcohen (e të bëhen si gurët), pasi ky është edhe shkaku i mëkateve.” [Iktidau Siratal mustekim f. 43]

Kurse Ibn Kethiri në komentimin e këtij ajeti ka thënë: “Dhe për këtë shkak Allahu i Lartësuar ua ka ndaluar besimtarëve që t’u përngjajnë atyre (jobesimtarëve), qoftë ajo çështje primare apo sekundare.” [Tefsir Ibn kethir 4/310]
Dhe për këtë ka ajete të shumta të tjera. Këto që cituam janë të mjaftueshme, por ai që dëshiron më shumë shembuj, le të lexojë librin e Ibn Tejmijes, “Iktidaus-Siratal Mustekim f. 8-14, 22,42.

Argumentet nga Suneti i të Dërguarit salallahu alejhi ue selem

Prej udhëzimit të të Dërguarit salallahu alejhi ue selem ka qenë kundërshtimi i jobesimtarëve në çdo çështje. Këtë e kanë kuptuar edhe çifutët, të cilët jetonin në Medinë, siç transmeton Enes Ibn Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të, se kur gratë e çifutëve ishin me menstruacione, ata nuk hanin atë që kishin gatuar ato dhe nuk bënin marrëdhënie seksuale me to. Shokët e të Dërguarit salallahu alejhi ue selem e pyetën të Dërguarin salallahu alejhi ue selem për këtë dhe Allahu i Lartësuar zbriti ajetin që thotë: “Të pyesin për të përmuajshmet (zakonet e grave). Thuaj: “Kjo gjendje është adha (gjë e dëmshme për burrin të bëjë marrëdhënie me to në këtë gjendje), kështu që u qëndroni larg bashkëshorteve (për marrëdhënie, por mund të shijoni trupin e saj) gjatë periudhave të tyre dhe mos u afroni (të bëni marrëdhënie) me to derisa të pastrohen (të pastrohen prej të përmuajshmeve dhe të bëjnë gusël – larje të të gjithë trupit).” (El Bekare, 222) I Dërguari salallahu alejhi ue selem tha: “Bëni çdo gjë përveç marrëdhënieve.” Ky lajm u shkoi edhe çifutëve, të cilët thanë: “Ky njeri nuk lë asnjë send pa u dalluar prej nesh.” (Muslimi 1/169)

I Dërguari salallahu alejhi ue selem na ka ndaluar t’u përngjajmë jobesimtarëve në veshmbathje dhe për këtë ka hadithe të shumta, si për shembull:

1. Transmeton Abdullah ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Jam dërguar para kataklizmës (kiametit) me shpatë derisa të adhurohet vetëm Allahu, i Cili nuk ka shok dhe ma ka caktuar furnizimin (riskun) tim nën hijen e shigjetës time dhe ka caktuar nënçmim dhe poshtërim për ata të cilët më kundërshtojnë mua. Ai që i përngjan një populli, ai është prej tyre.” Ahmedi, nr. 5114, 5115, 5667. Shejhul Islam Ibn Tejmije ka thënë: “Zinxhiri i këtij hadithi është i mirë.” Shih El Iktidaus-siratal mustekim f. 39.

2. Abdullah ibn Amr ibn Asi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Më ka parë i Dërguari salallahu alejhi ue selem veshur me dy tesha të verdha dhe më tha: “Këto tesha janë të jobesimtarëve, prandaj mos i vish ato!” Muslimi 6/144, Nesaiu 2/298, Hakimi 4/190, Ahmedi 2/162, 164, 193, 207, 211.

3. Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kini kujdes, mos i vishni rrobat e murgjve, sepse ai i cili zbukurohet me to ose u përngjan atyre, ai nuk është prej meje.” Hafidhi në El Fet’h ka thënë: “Këtë hadith e transmeton Taberaniu në Evsat me zinxhir të mirë, 10/284.

4. Ebu Umame transmeton e thotë: “Ka dalë Dërguari salallahu alejhi ue selem para nesh dhe në praninë tonë ishin disa burra të vjetër prej ensarëve me mjekra të bardha. Ai tha: “O ju ensarë, ngjyrosini (mjekrat tuaja) me të kuqe ose të verdhë dhe kundërshtoni ehlul kitabët (pasuesit e librave, të krishterët dhe çifutët).” Ahmedi me zinxhir të mirë 5/264.

Këto ishin disa argumente që i ndalojnë muslimanët që t’u përngjajnë jobesimtarëve në veshjet e tyre.

Kushti i tetë

Mos të jetë e famshme (që e dallon njeriun nga të tjerët)

Nuk i lejohet gruas (as mashkullit) që të veshë rroba të famshme. I Dërguari salallahu alejhi ue selem e ka ndaluar një gjë të tillë. Ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që vesh rroba të famshme në dynja, Allahu i lartësuar do t’i veshë atij rroba poshtërimi në Ditën e Gjykimit, e pastaj do t’ia ndezë me zjarr.” Ebu Davudi 2/172, ibn Maxhe 2/278-279 dhe shejh Albani ka thënë se hadithi është hasen. Shih El Hixhab f. 110.

Rroba e famshme nënkupton çdo lloj rrobe që vishet me qëllim të famës ose që dikush të dallohet nga të tjerët. I Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu i Lartësuar do t’i veshë atij rroba poshtërimi.” Ibn Reslani ka thënë: “Kjo për shkak se ai ka veshur rroba të famshme në dynja, që të mburret me to para të tjerëve dhe Allahu i lartësuar në Ditën e Gjykimit do t’i veshë atij rroba poshtërimi, që të njihet me këto rroba si dënim për të.” (Nilul Evtar 2/126)

Shejh Albani vazhdon dhe thotë: “Dhe këtu kemi përfunduar me kushtet e mbulesës, që jan vaxhibë dhe duhen plotësuar nga të gjitha motrat muslimane.

Dhe gjithashtu është vaxhib për çdo besimtar t’ia plotësojë këto kushte gruas së tij dhe çdo femre e cila është nën mbikëqyrjen e tij. I Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Secili prej jush është bari dhe përgjegjës për tufën e tij”, kurse Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” (Et-Tahrim 6)

E lus Allahun e Lartësuar që të na mundësojë t’i kryejmë urdhrat e Tij dhe t’u largohemi ndalesave të Tij!
Dhe falënderimi i takon Allahut.

 

Shejh Albani
Përktheu dhe përshtati: Eroll Nesimi
30.11.2008

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit