Kush mbron nderin e muslimanit!

0
208

HADITHI:

Ebu Derdaja, Allahu qogtë i kënaqur prej tij, përcjell se i dërguari, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Ai i cili mbron nderin e vëllait të tij, Allahu do ta mbrojë fytyrën e tij nga Zjarri në Ditën e Kiametit.”[1]

KOMENTI:

Kush mbron nderin e vëllait të tij kur ai nuk është prezent, në rast kur ky është në një ndejë në të cilën përmendet për një mëkat apo të metë, ai duhet të del në mbrojtje të tij, sikur që mbron nderin e vet, sepse nderi i vëllait të tij është si nderi i tij, andaj duhet ta mbrojë atë, duke kundërshtuar përgojuesit e duke i penguar nga thellimi në nderin e vëllait musliman, e nuk duhet t’u nënshtrohet e të hesht, e t’i le duke përgojuar, ky është një obligim për muslimanin, pra, nuk i lejohet atij të hesht e të pajtohet me ta, ngase kështu edhe ai hyn në mëkat pasi që bën pjesë me ta në mëkatin e tyre, ngase ka parë një të keqe dhe nuk e ka ndryshuar duke qenë i aftë ta ndryshon, e sidomos kur merr pjesë me vepër me ta e fillon të përgojon, kjo është edhe më e rëndë.

Por, nëse mbron nderin e vëllait të tij e i pengon ata nga përgojimi, Allahu do ta shpërblejë duke e mbrojtur fytyrën e tij nga zjarri ditën e Kiametit, e që është një begati shumë e madhe, sepse ditën e Kiametit do të shfaqet zjarri, Allahu thotë: “dhe Zjarri flakërues do t’i tregohet çdokujt që sheh.” Sureja Naziat, 36.

E ata do ta shohin, Allahu thotë: “Të ligjtë do të shohin zjarrin dhe do të binden, se me të vërtetë, do të bien në të dhe nuk do të gjejnë largim prej atij.” Sureja Kehf, 53.

Zjarr i cili do e ketë nxehtësinë dhe flakën e tij, e nuk të mbron prej tij gjë tjetër pos veprat e mira, shikon njeriu në të djathtën e tij e nuk sheh gjë tjetër veç asaj që ka vepruar, shikon në të majtën e nuk sheh gjë tjetër veç asaj që ka vepruar, shikon para vetes e nuk sheh gjë tjetër përveç se zjarr[2], kështu që ai duhet të përgatitet për këtë ditë, e prej metodave të përgatitjes është edhe mbrojtja e nderit të muslimanëve.

Ky është një inkurajim për të mbrojtur nderin e muslimanëve, që nëpërkëmbet në ndeja apo shkrime, që nëse sheh se dikush shkruan për muslimanët apo për dijetarët në veçanti, e për përgjegjësit e muslimanëve, duhet t’ju dalësh në mbrojtje, ky është ai i cili mbron nderin e muslimanëve.

Autor: Salih ibn Feuzan el Feuzan

HADITHE MBI MORALIN DHE ETIKËN TË PËRMBLEDHURA NGA LIBRI (BULUG EL MERAM)

HADITHI I DYZET E KATËRT

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

[1] E shënon Tirmidhiu me numër (1931) dhe e vlerësoi hadithin hasen – të mirë, Ahmedi në Musned (6/450)

[2] E shënon Buhariu me numër (7512).