Kush janë kandidatët për dekanë në UP

0
56

Në katërmbëdhjetë njësi akademike të Universitetit të Prishtinës, të mërkurën janë mbajtur zgjedhjet për dekanë të njësive. Zgjedhjet për afat të pacaktuar janë shtyrë në fakultetet Filologji dhe Mjekësi. Arsye e kësaj shtyrjeje është sepse në të dy këto njësi akademike, sipas kryetarit të Këshillit Qendror Zgjedhor për këto zgjedhje në UP, Shaban Shabani, ende nuk janë konstituuar këshillat e studentëve. Zgjedhja e kandidatëve për dekanë, sipas Statutit të UP-së mund të bëhen vetëm pasi të jenë funksionale këshillat e profesorëve si edhe të studentëve në fakultetet përkatëse. Moskonstituimi i këshillave të studentëve në këto fakultete, sipas përfaqësuesve të organizatave studentore është bërë për shkak të mosmarrëveshjeve të tyre rreth marrjes së udhëheqjes së këshillave. Moszhvillimi i zgjedhjeve në dy njësitë e sipërshënuara akademike, ka bërë që procesi i zgjedhjes së kandidatëve për dekanë në UP të përcillet me laramani. Nga ana tjetër, në të gjitha njësitë e tjera, sipas procedurave ligjore, këshillat e fakulteteve kanë zgjedhur nga dy kandidatë, të cilët i dërgohen Senatit të Universitetit. Senati, pastaj, midis dy kandidatëve në të gjitha njësitë, e zgjedh njërin nga ta si dekan njësie. Kështu, në Fakultetin Filozofik, këshilli i përbërë prej 26 anëtarëve, të cilët janë zgjedhur me automatizëm, kandidatët për dekanë janë Bujar Dugolli dhe Demë Hoti, derisa në Fakultetin e Edukimit kanë marrë vizën për t’u zgjedhur dekan nga Senati kandidatët, Ethem Çeku e Hasan Muja. Nga votimet në Fakultetin e Shkencave matematiko-natyrore janë propozuar nga Këshilli prej 30 anëtarësh kandidatët, Fehmi Krasniqi e Bislim Bajraktari. Në Fakultetin Juridik, ndërkaq, si kandidatë për dekanë kanë shkuar Rexhep Gashi e Bajram Uka. Në Fakultetin Ekonomik, ku ka qenë numri me i madh i profesorëve për ta zgjedhur këshillin, për dekan janë propozuar Skender Ahmeti dhe Fatos Uka. I pari është i rikandiduar, pasi që i njëjti deri tashti e ka kryer detyrën e dekanit në këtë fakultet. Në Fakultetin e Arteve, të përzgjedhur për dekan janë kandidatët, Adem Rusinovci dhe Hazir Haziri. Dekan provizor, sipas anëtares së Këshillit të Fakultetit, Majlinda Kelmendi, është zgjedhur Hivzi Muharremi. Kjo, pasi që deri tashti, dekan i po këtij fakulteti ishte Rusinovci, kurse meqë ai është rikandiduar, punën e dekanit deri në zyrtarizimin e njërit nga të propozuarit e kryen ai. Në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, ndërkaq, janë Skender Muji e Bedri Dragusha.

Kryetari i Këshillit Qendror Zgjedhur në UP, Shaban Shabani, ka thënë se zgjedhjet janë zhvilluar edhe në fakultet e tjera dhe nuk ka pasur probleme, porse sipas tij, rezultatet i kanë sjellë vetëm 7 nga 14 njësitë ku janë mbajtur zgjedhjet.

Ndërkaq, përfaqësuesit e organizatave studentore, që kanë fituar më së shumti vota në zgjedhjet e studentëve të UP-së, mos konstituimin e këshillave të studentëve në fakultete e kanë arsyetuar me mosmarrëveshjet që i kanë organizatat për t’i drejtuar këtij këshilla. Nënkryetari i organizatës Paqja Studentore, Ekrem Zajmi, ka fajësuar LSI-në se është e interesuar që ta dërgojë vetëm kandidatin e vet për ta drejtuar Këshillin e Studentëve në Fakultetin e Filologjisë, kurse për Këshillin në Fakultetin e Mjekësisë ka thënë se nuk është larg marrëveshja. Ndryshe nga Zajmi, kryetari i organizatës studentore LSI, Ekrem Ahmeti, nuk e ka fajësuar askënd për mosmarrëveshje, por ka theksuar se problemi qëndron në votat përafërsisht të barabarta të organizatave studentore, kështu që sipas tij, secili synon t’i drejtojë këshillat. As Zajmi e as Ahmeti nuk kanë mundur të thonë se kur do të mund të arrihet marrëveshje midis studentëve, pasi që peng i këtyre mund të mbetet edhe zgjedhja e dekanëve në Filologji e Mjekësi, por që të dy kanë theksuar se në rast se nuk arrihet marrëveshje, atëherë problemi do të shkojë në KQZ të UP-së.kohaislame