3.3 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Kush është “Peshku i madh”?

Më të lexuarat

ALTIN HOTI/ FABIAN ZHILLA

Në vigjilje të vitit 2018, duket se opinioni publik ka rritur pritshmëritë e rezutateteve të vetting-ut dhe luftës kundër krimit të organizuar. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar dhe sidomos ambasadori Lu, vazhdon të mbështesë arritjet pozitive që do të sjellë reforma përmes “izolimit” të politikanëve të korruptuar. Një ndër deklaratat e tij më të komentuara është dhe ajo, sipas së cilës ka ardhur koha të kapim “peshkun e madh”.

Shumë suresh në rrjetet sociale filluan ta trajtojnë me humor metaforën e përdorur nga Lu. Sidoqoftë, përtej humorit, konceptimi i “peshkut të madh” është subjektiv dhe shumëkush mund të ketë përcaktimin e tij rreth asaj se çfarë konsiderohet peshk i madh apo peshk i vogël. Nga ana tjetër, kjo paqartësi mund të keqpërdoret nga të interesuarit për të shmangur kapjen e “peshkut të madh”, duke e abuzuar në këtë mënyrë me vete thelbin e reformës.

Një reformë “gjysmake” do ishte më keq për besimin qytetar, sesa mungesa fare e saj. Pra, sot, shoqëria është ende e paqartë se cilët do të jenë “peshqit e mëdhenj”, që do të bien në”rrjetën” e reformës në drejtësi. Ne ende nuk dimë se kë quajnë “peshk të madh”, agjencitë ligjzbatuese, klasa politike, komuniteti ndërkombëtar dhe mbi të gjitha shoqëria. Në këtë kontekst lind pyetja se cilat janë kriteret objektive, që do të përdoren për të identifikuar “peshkun e madh”.

Për shembull, a do të konsiderohet “peshk i madh” një drejtuesi i një grupi kriminal apo një gjyqtar ose prokuror? Apo me “peshk të madh” kemi parasysh një ministër apo deputet me ndikim të konsiderueshëm te Kryeministri? Kështu, në rastin e hetimit të “Cosa Nostra”, e cila qëlloi të ishte kupola e krimit më të fuqishëm të organizuar e asaj në Itali, fillimisht ajo konsiderohej si një organizatë fantazmë dhe gati-gati produkt thashethemesh.

Dhe nëse dikush do të arrestohej individualisht, pra, jo në kuadër të kësaj organizate, ai mbase nuk do të konsiderohej si “peshk i madh”. Por, e marrë si e tërë në kuptimin e qëllimeve, objektivave, lidhjeve, mjeteve dhe rolin që kishin krerët e familjeve siciliane në këtë organizatë, ndër 475 të dënuarit, shumë prej tyre u konsideruan “peshq të mëdhenj”. Jo pa qëllim ky rast, i cili zgjati rreth 6 vjet, u quajt edhe “Gjyqi i Madh” (Maxi Trial). Në të njëjtën kohë, në Italinë e asaj kohe filloi dhe procesi i luftës kundër korrupsionit, i njohur dhe si procesi me “Duar të Pastra”.

Kjo fushatë mori nota politike duke e konsideruar Italinë e atëhershme pranë ngritjes së “Republikës së Parë”. Është e nevojshme të kujtohet se të paktën gjysma e deputeteve të Parlamentit italian dhe 5000 zyrtarë ishin të dyshuar për korrupsion. Gati 400 këshilla bashkiakë u shpërndanë si rezultat i përfshirjes së shumë anëtarëve të tyre në korrupsion.

Ky proces u pasua nga një qeveri teknike dhe dorëheqje ministrash. Pra, jo larg nesh, kemi një shembull se si kapja e një apo disa peshqve të mëdhenj mund të sjellë një furtunë, e cila në vend që të shpërthejë në gotë, të ketë pasoja pozitive afatgjata në rigjenerimin e elitës politike me individë me integritet dhe të papërfshirë në afera korruptive. Për t’iu kthyer rastit shqiptar, ky shkrim sugjeron të nxisë përcaktimin e një metodologjie për përcaktimin e”peshkut të madh” duke u bazuar më shumë në kritere politike dhe ekonomike, sesa në ato juridike.

Kjo, pasi askush nuk mund të konsiderohet “peshk i madh” nëse fillimisht nuk ka shkelur ligjin. Kështu, fillimisht, kriteret për “peshkun e madh” mund të ndahen sipas kategorive. Pra, tjetër mund të jetë një “peshk i madh” në politikë dhe tjetër në krimin e organizuar. Shpeshherë ata mund të jenë edhe të ngjashëm, por motivet dhe objektivat e tyre i bëjnë ata të ndryshëm. Të dyja profilet (kriminel i rangut të lartë) dhe (politikan i korruptuar i rangut të lartë) mund të kenë kritere të ndryshme, të cilat nëse aplikohen në mënyrë të ngjashme, mund të krijojnë konfuzion.

Nëse kriteret bazë për kriminelët janë në një farë mase të qarta, për politikanët puna duket më e ndërlikuar. Pra, në kategorinë e profilit të lartë të krimit të organizuar kriteret, të cilat mund të merren në konsideratë, fillimisht janë përfshirja në rrjetet e brendshme dhe/ose ndërkombëtare të krimit të organizuar, asete shumë të konsiderueshme financiare dhe njerëzore, si dhe lidhje të forta me politikën në nivel qendror dhe/apo lokal. Ndërkohë, kriteret për “mamuthët” e politikës mund të jenë të ndryshme, por dhe ato kanë nevojë të specifikohen dhe strukturohen.

Për shembull, a do të konsiderohet pozicioni i lartë ekzekutiv një kriter i rëndësishëm apo aktiviteti tregtar, lidhjet me median etj. Shpeshherë një individ mundet fare mirë të klasifikohet në të dyja kategoritë. Për të orientuar debatin publik në terma më të qartë dhe të konceptueshme, por edhe për të shmangur populizimin, ne propozojmë me modesti disa kritere objektive ekonomike dhe politike për kategorizimin dhe identifikimin e “peshkut të madh” në politikë.

Gjykojmë se shtyllat kryesore, mbi të cilat duhet të organizohet klasifikuesi i politikanit të korruptuar i nivelit të lartë, përveç veprave penale të kryera sipas parashikimeve të Kodit Penal, duhet të jenë fuqia dhe ndikimi në ekonomi, kohëzgjatja e aktivitetit politik, lidhjet dhe “të njohurit” në administratën publike, bizneset e krijuara, lidhjet me krimin e organizuar si dhe kontrolli i medias. Le të përpiqemi t’i trajtojmë ato me radhë. Fuqia ekonomike: Vlera e pajustifikuar e pasurisë, që nuk i përputhet të ardhurave dhe rregullave të tregut është mjaft e rëndësishme, pasi rrit “cilësinë” dhe potencialin e vetë aktivitetit kriminal.

Për shembull, procesi i akumulimit të pasurisë i ngjan ciklit të gjatë, të cilit njeriu përmirëson kapacitetin e kompjuterit dhe kompjuteri përmirëson kapacitetet e punës së vetë njeriut. Emëruesi i përbashkët, që do të radhiste sipas peshës specifike pasuritë e çdo politikani të korruptuar, mund të konsiderohej prodhimi i përgjithshëm bruto. Pesha specifike që zënë kapitali (në çdo valute) dhe asetet pasurore në totalin e pasurisë kombëtare janë një tregues i qartë i rankimit të fuqisë ekonomike, që ka “peshku i madh”.

Ndikimi ekonomik: Numri i bizneseve të mëdha të kontrolluara nga politikani kundrejt totalit të bizneseve të mëdha. Niveli i këtij treguesi shërben si pasqyrë për reflektimin e rezultatit të fuqisë ekonomike, e mundësisë së pastrimin të të ardhurave kriminale, si dhe për reflektimin e potencialit të prishjes së rregullave të tregut të lirë. Pra, sa më i lartë të jetë numri i këtyre bizneseve, aq më të mëdha janë mundësitë për t’u kategorizuar si “peshk i madh”.

Kohëzgjatja e të qenurit në politikën aktive: Ushtrimi i aktivitetit politik për një kohë të gjatë, në kushtet e Shqipërisë rrit probabilitetin e pasjes akses në të mirat publike dhe si rrjedhojë, rrit mundësinë e përfshirjes në korrupsion. Në këtë aspekt, sa më e madhe të jetë pesha e “viteve politike” në raport me 27 vite demokraci për një politikan, aq më “i dukshëm” është ky tregues për “peshkun e madh”. Niveli i nepotizmit: Numri i lartë i angazhimit të njerëzve të afërt në administratën shtetërore, flet jo vetëm për kalbjen e saj, por rrit potencialin e ushtrimit të aktivitetit korruptiv të politikanit.

Kështu që, është mjaft e rëndësishme të përcaktohet pesha specifike, që zë numri i të njohurve ose personave pranë politikanit në totalin e të punësuarve në administratën publike. Pra, sa më i lartë të jetë ky tregues, aq më të larta janë shanset për ta klasifikuar atë si “peshk i madh”. Lidhjet me krimin e organizuar: Ndërveprimi me krimin e organizuar, në të gjitha format, kryesisht në zgjedhjet politike është shumë i rëndësishëm për të përcaktuar nivelin e kapjes së shtetit ligjor nga krimi i organizuar.

Në varësi të llojit të bashkëpunimit (lidhje biznesi, ndihmë gjatë fushatës elektorale, emërime në administratën publike nga kontingjenti i krimit të organizuar, dhënie tenderësh etj.) duhet të përcaktohet dhe profili i politikanit të korruptuar. Sa më shumë dhe më të larmishme të jenë format e bashkëpunimit me krimin e organizuar, aq më i rrezikshëm do të jetë “peshku i madh”.

Kontrolli i medias: Lidhjet ndikuese të të gjitha formave me median (gazetë, televizion, radio, portal, blog etj.) në raport me totalin e tyre, pra, qoftë nëpërmjet investimeve, apo qoftë nëpërmjet familjarëve të punësuar në to, duhet të konsiderohen si kriter i rëndësishëm, që përcakton ndikimin e kësaj kategorie politikani në opinionin publik dhe klasifikimin e tij si “peshk i madh”. Për ta ilustruar indeksin e “peshkut të madh”, mund të marrim si shembull një politikan me 2 mandate në Parlament, që ka një pasuri për 20 milionë euro, që ka mbi 50 të njohur të angazhuar në administratën publike dhe që kontrollon mbi 5 aktivitete tregtare, ka lidhje me të paktën 1 grup kriminal të organizuar dhe ka investime në 2 media.

Indeksi do të reflektohej si më poshtë: Index= Pasuri/PPB + (Vite në politikë)/(Vite demokraci)+(Të njohur në administratë)/(Totali administratës)+(Nr. i bizneseve)/(Totali i bizneseve)+(Nr.i mediave) K/ Grup Kriminal Sipas këtij shembulli, bazuar në tiparet dhe formulën e mësipërme, një politikan i korruptuar me indeksin 1.344, konsiderohet një “peshk i madh” përballë një politikani tjetër, që indeksin do ta kishte 0.5. Në përfundim, është shumë e rëndësishme të ketë kritere të qarta dhe transparente në përcaktimin se cili konsiderohet “peshk i madh”.

Kjo do të shërbente për të shmangur qoftë retorikën verbuese të politikës së ditës, do të shmangte transformimin e reformës së nisur në “Hakmarrje për drejtësi”, por mbi të gjitha, për të orientuar drejt pritshmëritë e publikut, që jo pak herë është zhgënjyer nga reformat. Ky artikull, paçka se me nota akademike, më shumë sesa i takojnë një shkrimi normal në median e shkruar, përpiqet t’i ndihmojë publikut dhe politikëbërësve në krijimin e një metodologjie të qartë të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet e larta të shtetit.

Ndërkohë, është shumë e rëndësishme të kuptohet që shoqëria ka nevojë të pastrohet jo vetëm nga “peshqit e mëdhenj”, por dhe nga çfarë do lloj madhësie peshku që bie në “rrjetën” drejtë- sisë. Duhet sqaruar se ky artikull nuk ka qëllim t’i ulë vlerën “peshqve të vegjël”, por kërkon që diferencimi dhe rankimi mes tyre dhe “peshqve e mëdhenj” të politikës të jetë sa më i qartë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit