12.2 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Kush dhe si duhet të vetë-karantinohet?

Më të lexuarat

Ministria e Shëndetësisë ka këshilluar që të gjithë ata që vijnë nga Italia apo vende të tjera të prekura nga koronavirusi, duhet të vetë-karantinohen për 2 javë, edhe nëse nuk kanë asnjë nga simptomat e virusit.

Por si mund të bëhet vetë-karantinimi?

Më poshtë disa këshilla se duhet kryer karantina.

Personat që duhet të vetë-karantinohen

Sipas vendimit të qeverisë, duhet të vetëkarantinohen për 14 ditë në banesat e tyre, të gjithë shtetasit që hyjnë në Shqipëri pasi kanë udhëtuar në zonat e prekura të Italisë.

Moszbatimi i këtij urdhëri dënohet me gjobë deri në 100 mijë lekë.

Vetë-karantinimi këshillohet dhe për personat që kanë patur kontakt me persona që janë konfirmuar pozitivë me koronavirus, megjithëse mund të mos ketë asnjë simptomë.

Si të vetë-karantinoheni?

Për t’u vetë-karantinuar duhet të qëndroni brenda shtëpisë suaj ose vendit ku jetoni (hotel, konvikt, etj) duke mos dalë nga andej për një periudhë 14 ditore, sa është caktuar si periudhë e mjaftueshme për inkubacionin e koronavirusit.

Vetë-karantinimi ideal do të ishte që të qëndroni i vetëm në shtëpi, por në rast se kjo është e pamundur, me ju mund të qëndrojnë njerëzit që jetojnë me ju. Sidoqoftë, edhe në këto raste këshillohet që të qëndroni në një dhomë te vetme dhe të zvogëloni kontaktet me personat e tjerë në shtëpi.

Vizitorët e tjerë nga jashtë nuk janë të lejuar brenda.

Rregulla që duhen mbajtur gjatë vetë-karantinimit

Pastroni dhe lehtësoni sa më shumë nga gjërat e panevojshme dhomën ose shtëpinë ku do të rrini, për të ulur sa më shumë numrin e sendeve që mund të kontaminohen.

Pastroni çdo ditë banjon që do të përdorni. Në rast se është e mundur, këshillohet të përdoret një banjo vetëm nga ju dhe një banjo tjetër për personat e tjerë në shtëpi.

Pastroni çdo ditë dorezat e dyerve, tavolinat, komodinat dhe çdo sipërfaqe të cilat i prekni më shumë gjatë ditës apo që mund të preket nga lëngjet trupore.

Lani duart vazhdimisht me ujë të ngrohtë e sapun. Lani duart pas çdo kollitjeje ose teshtime.

Përdorni një komplet të veçantë pjatash, gotash dhe enësh të tjera për të ngrënë. Lajini ato mirë me ujë të ngrohtë dhe detergjent pas çdo përdorimi.

Lani çdo ditë rrobat që vishni me më shumë se 60 gradë. Nëse është e mundur, hekurosini rrobat përpara se t’i vishni.

Në ato raste që duhet të ndërveproni me familjarët e tjerë në shtëpi, vini maskë mbrojtëse dhe mbani një distancë 1 deri në 3 metra larg tyre.

Qëndroni larg familjarëve të moshuar apo që kanë sëmundje dhe probleme të tjera shëndetësore.

Në rast se keni kafshë shtëpiake, mbajini ato larg. Në rast kontakti me to, lani mirë duart para dhe pas kontaktit.

Në rast se është e mundur, kërkojini një familjari ose të afërmi të bëjë pazarin dhe të blejë ilaçe. Kërkojini atyre t’ja u lënë ato pas dere dhe zvogëloni sa më shumë kontaktin me këta persona.

Në rast se duhet të dilni nga shtëpia për një urgjencë, vini patjetër maskë mbrojtëse në fytyrë. Mos përdorni taksi apo transportin urban, si dhe çdo mjet tjetër me persona të tjerë brenda.

Në rast se vini re simptoma si temperaturë, kollë apo vështirësi në frymëmarrje telefonini urgjencën në numrin 127.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit