9.4 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Kurti: Pse gjithë kjo histeri dhe panik me gazin lotsjellës?

Më të lexuarat

Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Albin Kurti, në një shkrim autorial thotë se nuk arrin ta kuptojë pse gjithë kjo histeri e panik kundër gazit lotsjellës në parlament.
“Gazi ynë lotsjellës më 8 tetor 2015 në parlament ishte i përmasës së vogël dhe një i vetëm. Të tilla ne i kemi ngrënë në protesta me mijëra sosh, ndërkaq po ashtu me qindra aso që janë në mbushje më të mëdha e shumë më të rrezikshme. Pra, nuk pati kurrfarë sulmi masiv me gaz lotsjellës nga ana jonë…”, ka shkruar Kurti.

Lexojeni të plotë tekstin e Albin Kurtit:

Gazi lotsjellës

Shumë kanë qeshur e janë zgërdhirë në këtë parlamentin e Kosovës. Deputetë, ministra e kryeministra janë shkulur gazi derisa edhe lotët u kanë dalë. Tash e 15 vjet pajada. Në anën tjetër, për ata që nuk u qeshej por protestonin, e kishin policinë që e kishte gazin lotsjellës. Qofshin ata veteranë të luftës, familjarë të të pagjeturve, shqiptarë të Kroit të Vitakut apo sindikalistë të punës. E, sidomos nëse ishin aktivistë apo simpatizantë të VETËVENDOSJE!-s. Mijëra boca gazi lotësjellës janë hedhur mbi të pakënaqurit protestues në Kosovën e lirë. Nëse nuk t’i sjell lotët gazi i të qeshurit sikurse tek ata në parlament, atëherë këtë ta garanton gazi lotësjellës i policisë që e mban rendin, apo jo?

Në seancën e fundit të parlamentit ishte ndryshe. Deputetë e ministra të kënaqur lotuan porsi të pakënaqurit qytetarë. Njëmend vetëm për disa minuta por ama ato ishin domethënëse. Natyrisht, jo aq domethënëse për qytetarët që i shikonin sa për vetë ata të cilëve situata ua imponoi gjendjen e qytetarëve të cilët i përfaqësojnë. Ishte ky çasti kur ata njëmend u bënë përfaqësues të denjë të popullit të Kosovës. Pra, ishin disi porsi populli, qanin nga gazi i jashtëm lotësjellës e jo nga ai i brendshëm i kënaqësisë. Ishte ky momenti kur ata u bënë deputetë të popullit të Kosovës! Zaten, fjala ‘deputet’ do të thotë zëvendës, pra deputeti është zëvendës i popullit, është njëfarë zëvendësimi për popullin: në sallën e parlamentit nuk i zë dot 2 milionë qytetarë por i zë 120 deputetë. Të tillë ishin deputetët atë ditë: aty, të gjithë, deputetë të përlotur, pra, deputetë ngase të përlotur. Vërtetë shkurtimisht, por ama ndodhi më në fund! Ishte ky çasti sublim i demokracisë përfaqësuese. Sundimi i popullit nëpërmjet përfaqësuesve as nuk ishte sa për sy e faqe dhe as përfaqësim i sundimit me popullin.

Megjithatë, këta deputetë të bërë deputetë nga gazi lotsjellës ishin edhe diçka tjetër këto javët e fundit. Ata ishin (dhe janë sërish tash që nuk lotojnë më) edhe deputetë që e kanë shkelur betimin e deputetit, deputetë të ‘Zajednicës’ së komunave me Serbinë dhe të ‘dhuratës’ 10.000 hektarëshe Malit të Zi. Pra, deputetë që janë ngritur kundër Republikës dhe kushtetutshmërisë, kundër kombit e shoqërisë sonë, kundër identitetit e historisë sonë. Me një fjalë, që prej 25 gushtit ata ishin deputetë të rebeluar, ishin rebelë që s’ishin më deputetë. Prandaj, kundër rebelëve të tillë gazi lotsjellës ishte i domosdoshëm. Rrjedhimisht, të enjten ne e hodhëm gazin lotsjellës të Republikës kundër të rebeluarve kundër Republikës. Rebelët kundër Republikës e kishin uzurpuar sallën e parlamentit, shtireshin se janë deputetë, dhe dëshironin të funksiononin sikur asgjë të mos kishte ndodhur më 25 gusht. Fatmirësisht gazi lotsjellës i shpërndau dhe i largoi prej andej.

Ndërkohë, në shikim të parë, njeriu nuk arrin ta kuptojë pse gjithë kjo histeri e panik kundër gazit lotsjellës në parlament. Ama porsa mendon për atë që shfaq dhe jo vetëm për shfaqjen, sakaq e zbulon që histeria e paniku i regjimit më së miri pasqyrohen pikërisht në mediet e tij. Këto medie të regjimit për qytetarin janë sikurse sklepat në sy: mu atëherë kur zgjohesh ta pengojnë shikimin e t’i vrasin sytë. Në atë çast natyrisht që duhet të shkosh në banjë.

Gazi ynë lotsjellës më 8 tetor 2015 në parlament ishte i përmasës së vogël dhe një i vetëm. Të tilla ne i kemi ngrënë në protesta me mijëra sosh, ndërkaq po ashtu me qindra aso që janë në mbushje më të mëdha e shumë më të rrezikshme. Pra, nuk pati kurrfarë sulmi masiv me gaz lotsjellës nga ana jonë. Një sulm i tillë masiv i policisë në protestën tonë për shembull e pat dërguar në komë znj. Iris Von Der Ehe më 22 tetor të vitit 2012 dhe mandej edhe në vdekje para tri javëve sivjet. Për më tepër, dihet që ne nuk përdorëm fare plumba gome të enjten që shkoi në parlament. Kundër nesh janë përdorur edhe plumbat e gomës, psh. kur i vranë Mon Balajn e Arben Xheladinin më 10 shkurt 2007, ose kur i plagosën Hysni Hysenin, Zenel Zenelin e Mustafë Nerjovajn po atë ditë, apo edhe kur ia dëmtuan rëndë syrin Uran Qarollit në protestën kundër Jabllanoviqit më 27 janar 2015. Ne të enjten nuk përdorëm fare plumba gome, apo jo? Ç’është kjo histeri e ky panik? Assesi s’mund të jetë i qytetarëve të Republikës por veçse i qeveritarëve të ‘Zajednicës’. Mediet e regjimit pasqyrojnë regjimin, kur ai qeshej me lot (sipër popullit), por edhe tash që qan nga gazi lotsjellës (para popullit).

Njerëzit e këtij regjimi njëherë patën thënë që Gjykata Speciale do të jetë në paketë me Forcat e Armatosura të Kosovës. Nuk ndodhi. Mandej thanë se ‘Zajednica’ do të jetë në paketë me Forcat e Armatosura të Kosovës. Sërish nuk ndodhi. Sepse, paketa, në fakt, përbëhej prej Gjykatës Speciale dhe ‘Zajednicës’. Ato të dyja instalohen formalisht në të njëjtën mënyrë: brenda sistemit të Kosovës por të kontrolluara prej jashtë pa llogaridhënie për neve. Ato të dyja janë përmbajtësisht komplementare: Gjykata Speciale do të shkruajë një rrëfim ndryshe për luftën në Kosovë duke legjitimuar ‘Zajednicën’ e Serbisë, ngjashëm si në Bosnje. Ato të dyja bashkë janë në kahjen e kundërt të shtetndërtimit në Kosovë: Gjykata Speciale e bën drejtësinë në Kosovë çështje të jashtme kurse ‘Zajednica’ në Kosovë e bën Serbinë çështje të brendshme.

Me dialogun Thaçi-Daçiq dje dhe atë Mustafa-Vuçiq sot, Serbisë po i hiqen pengesat drejt integrimit evropian ndërkaq Kosovës po i shtohen pengesat në shtetndërtim. ‘Zajednica’ është garancion që edhe fëmijët tanë jo vetëm se do të dalin në demonstrata të rrezikshme ku gazi lotsjellës është veçse fillimi, por do ta kenë edhe një luftë të re në Kosovë së cilës në rastin më të mirë nuk i dihet epilogu. Ne duam dhe duhet t’i parandalojmë këto. Për hir të së kaluarës (atyre që u vranë e u zhdukën në vend tonin) dhe për hir të së ardhmes (atyre që do t’i rrezikojmë nëse heshtim) duhet të ballafaqohemi e të mos ndalemi. Pa ardhmëri dhe histori nuk ka të tashme.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit